Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Krimi ne Sim Card

Ballkan, 13 maj 2006

Pak ditë më parë drejtuesi me uniformën e UNMIK-ut i një strukture të posaçme që në Kosovë heton krimin ekonomik i shpjegoi një televizioni të huaj profilin e institucionit ku udhëhiqte dhe realizimet e tij të para. Prej asaj interviste dy elementë nuk mund të të iknin dot nga kujtesa. E para, që struktura e cila zbulonte dhe godiste krimin ekonomik ishte një model dhe format institucioni që ngrihej për herë të parë në botë. E dyta, duke shpjeguar edhe vështirësitë në punën e tyre, pasi një çast vuri buzën në gaz si të bënte publik një çudi botërore, oficeri i lartë perëndimor tha se u ishte krijuar një problem i madh me proçesin e identifikimit të telefonave të përdorur në shumë krime. Arsyeja e pamundësisë së shpejtë të identifikimit ishte fakti se, siç shqiptoi fjalë për fjalë njeriu i UNMIK-ut, “kartat SIM në Kosovë shiten në rrugë“.
Kështu morën targetin si “raste botërore” struktura e re moderne e OKB-së që zbulonte dhe godiste krimin ekonomik në Kosovë me atë të tregëtimit në rrugë të kartave me numurat telefonikë. Papajtimi si edhe distanca mes dy dukurive ishte aq e madhe dhe fillimisht aq fort e pakuptueshme për një qytetar të Bashkimit Evropian saqë oficeri i lartë i perëndimit një televizioni të Evropës Perëndimore fenomenin ja shpjegoi duke bërë çdo gjest e shenjë të mundshme, nga buzagazi ironik, kapsallitja e syve, mbledhja e buzëve e deri tek ngritja e tkurrja e supeve. Pas kësaj ne që intervistën e pamë në Shqipëri mund të shpresojmë se në zemër të kontinentit diçka më në fund do të kenë kuptuar. Andej e kanë të vështirë të marrin me mend se kartat telefonike mund të shiten në rrugë si puna vjen bananet, preshi e qepa, sallata jeshile dhe patatet, çorapet e brekët, tutat, bluzat dhe sutjenat, shishet e qumështit me enë plastmasi të shumëpërdorur e gjiza përsipër të cilës vërtitet miza. Andej ku duam një ditë të shkojmë jo fizikisht, por më së pari mendërisht dhe me nivelin tonë qytetar, kartat telefonike i shesin dyqane, të cilat e kanë këtë autorizim dhe personi që e ble duhet të përmbushë disa rregulla. Në modularin, të cilin shitësi ka në kompjuterin e lidhur në rrjet të brendshëm me kompaninë celulare prej të cilit blihet numëri, regjistrohen jo vetëm emri dhe mbiemri i personit, por edhe adresa e saktë e banimit, profesioni që ka, vendi i punës e deri telefona të tjerë familjarë me të cilët kompania ofron favore shërbimi me kosto të ulët. Me një fjalë ai që ble Sim Card-in do të lërë “peng” një pjesë jo vetëm të “privacy” së tij, por edhe të sovranitetit. Qytetari në një vend demokratik ka mbrojtjen më maksimale të të drejtave të tij, por nuk mund të jetë një subjet sovraniteti të pakufizuar. Një status i tillë duket se është mbërritur nga shqiptarët. Masivisht atyre në mjaft qytete të mëdha nuk u dihet as adresa e shtëpisë (sepse në disa raste nuk ka as emërtim lagjesh, rrugësh e ca më pak identifikime shifrore shtëpish), nuk u dihet as numuri i telefonit celular. Kush ka telefon fiks, në të kundërt, e ka të shkruar në librin local apo kombëtar të Telekomit emrin, mbiemrin dhe adresën për aq sa mund të saktësohet me numura e jo me përcaktorët “tek sheshi filan”, “para maternitetit”, “pas pallatit jeshil”, “ngjitur me varrezat e dëshmorëve” etj. etj.
Statistikat thonë se celularpërdoruesit shqiptarë janë “kampionë“ jo vetëm në lindje të eurokontinentit por edhe në perëndim të tij në treguesit e harrxhimeve financiare për frymë që bëjnë duke folur. Tanimë mes nesh ka mjaft bashkëkombas që përdorin nga dy aparate e numura, pa folur se po rrezëllijmë talent në blerjen e teknologjive më të fundit të celularëve. Aq të pasionuar jemi pas përdorimit të videofoninëve të lëvizshëm saqë së fundi jetën shqiptare e tronditën që nga filmime skenash porno me artiste të njohura e deri në regjistrim me zë të një takimi në rreth të ngushtë të Kryeministrit. Dyzetë e tetë orët e fundit ndodhi edhe më e pikuara ngjarje që lidhet me telefonat celularë shqiptarë. Në skandalin e përgjimit telefonik të Kryeministrit grek tre nga celularët që kishin hyrë në lojë dhe akuzohen nga hetuesit se mund të kenë përbërë edhe pikat e mundshme të interceptimit të bisedave të kryeqeveritarit helen kanë qënë telefona të lëvizshëm shqiptarë. Kjo histori e hidhur mos qoftë reale dhe po të jetë e vërtetë mos u përdortë kurrë për manipulim politik apo etnik! Por që krimi me dhe pa kollaro më shumë se në çdo vend tjetër ndihet më i sigurtë në Shqipëri për shkak se tek ne një SIM Card shitet pa u regjistruar, këtë gjë nuk mund ta fshehim.
U deklarua ca kohë më parë që secili përdorues i një numuri telefonik të lëvizshëm duhet të shkojë tek kompania përkatëse dhe të tregojë identitetin e tij, por shumë pak i frytshëm rezultoi ky aksion tërësisht vullnetar. Ne vijojmë edhe tani të jemi të paidentifikueshëm dhe sepse numurat akoma shiten “në rrugë“. Në rast se gjithsecilit shqiptar brenda kufijve të shtetit tonë i është bërë më shumë se e nevojshme Karta e Identitetit apo gjithçka tjetër që na bën të jemi demokratikisht të regjistruar, kjo punë nuk mund të quhet e plotësuar deri në fund pa përfunduar nga dy kompanitë aktuale të telefonimit të lëvizshëm, AMC dhe Fodafon, të të dhënave të nevojshme identifikuese të gjithsecilit përdorues.
Punë e vështirë? Natyrisht aspak e lehtë, por jo e pamundshme. Në rast se në vitet e shkuara këto dy kompani nuk zotëronin rrjetin infrastrukturor të mjaftueshëm për të nisur së mbari, me regjistrim personal të çdo numëri që shitnin, tani kjo gjë mund të kryhet. Në rast se dje u duhej të gëlltitnin sa më shpejt kontigjente të mëdha përdoruesish dhe të garonin për të fituar nga tregu ynë kaotik, tani që janë mirëqënë u takojnë të shpenzojnë që ky bisnes i tyre të vendoset edhe më rreptësisht në norma legaliteti. Na duket se ka ardhur koha që të dy kompanitë ekzistuese të vënë në zbatim aksionin e regjistrimit të plotë të përdoruesve të tyre dhe se më në fund ata që e refuzojnë këtë gjë u duhet paralajmëruar e pastaj prerë shërbimi telefonik.
Në rast se kjo urgjencë nuk kuptohet si një përbërës shumë i rendësishëm i luftës kundër ilegalitetit, korrupsionit dhe krimit apo nën këtë ose atë trysni justifikimesh e “lobingjesh” shtyhet për një ditë tjetër të së ardhmes, atëhere duhet të hyjë me autoritet e kembëngulje vullneti politik: Kuvendi dhe Qeveria.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com