Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tinguj qe bien mbi Ballkan

Ballkan, 6 prill 2006

Jehona shkëlqyese e koncertit të Goran Bregoviçit në Tiranë, ndjekur në televizion nga të gjithë shqiptarët, është një ngjarje jo fort e zakonshme. E ka këtë përmasë jo sepse kompozitori serb dhe banda e tij origjinale kanë famë botërore dhe për këtë arsye në një kryeqytet të emancipuar do të priteshin profesionalisht siç e meritonin. Kur tre-katër dekada më parë regjimi realkomunist shqiptar në sipërmarrjet e tij diplomatike për të ngrohur raportet me Greqinë organizoi ciklin e koncerteve me kengëtarë të njohur helenë, jehona dhe entuziazmi mbresëlënës ka qënë po ashtu kaq i madh sa edhe tani. Kultura është një ndikues i klasit të parë për të rënuar apo mëkembur marrëdhëniet me një shtet. Realkomunizmi për të na përdhosur lidhjet tradicionale shpirtërore me vetë sistemin e hapur të ekonomisë së tregut dhe sidomos modelin e tij më të afërt, Italinë, blinte prej këtij vendi dhe shfaqte në kinematë tona vetëm filma me temën e mafies. Jugosllavia e kohës së Titos, më pas edhe ajo e drejtuar nga Sllobodan Millosheviçi, propogandën antishqiptare në disa nga kanalet e televizionit të vet e kamuflonte dhe helmin e saj e “ëmbëlsonte” me melodi kengësh të bukura sllave. Goran Bregoviçi dhe banda e tij “për dasma e funerale” nuk erdhi në Tiranë për të bërë funeralin e marrëdhënieve të shqiptarëve me popullin fqinj serb. Patjetër nuk erdhi edhe për të bërë “dasmën” e tyre, sepse një interpretim i tillë do të ishte më e pakta pjellë e një ekzaltimi provincial. Por gjithsesi erdhi për të bërë të njohur kudo një kumt të mirë. Sepse nuk mund të ishte veç mbartëse me autoritet botëror i një mesazhi pozitiv edhe politika veproi menjëherë dhe në mënyrë të zgjuar: e shpalli Goran Bregoviçin “Qytetar Nderi” të Tiranës.
Ndodhi që ndërsa Bregoviç merrte rrugën për në kryeqytetin shqiptar, në një aeroport jashtë kufirit tonë u shkembye me grupin e teatrit të Beogradit, i cili kishte shfaqur për disa netë në Tiranë komedinë “Martesa” të Nikollaj Gogolit. Në ato çaste që qendruan bashkë Goran Bregoviçi dhe muzikantët e tij morën vesh nga kolegët e tyre artistë se Shqipëria të linte mbresa të bukura dhe se atje do të mrekulloheshin. Saktësisht këtë opinion shkembyen në një aeroport të huaj dhe jo ndonjë mesazh tjetër. Përshembëll nuk folën vesh më vesh “përpiquni të pushtoni shpirtërat e shqiptarëve për të krijuar të paktën kulturalisht Serbinë e Madhe”. As aktorët e teatrit të Beogradit dhe as banda e famshme muzikore e Goran Bregoviçit nuk e mësynë Tiranën dhe Shqipërinë për të vënë në jetë në kushtet moderne projektin shoven dhe posaçërisht antishqiptar (“Naçertanie”) të bashkëkombasit të tyre Vasha Çubrilloviç. Nuk e kanë patur këtë gjë në kokë, detyrimisht. Eshtë kohë tjetër dhe drejt Evropës së Bashkuar shkojnë të dy vendet. Por edhe po të projektonte ndokush në kryeqytetin serb një agresion kulturor ndaj shqiptarëve ai do të dështonte në mënyrën më komike. Madje tashmë, pas të gjitha llojeve të dështimeve, në Beograd ndokushi apo ai lobi radikal që do ta provonte këtë sipërmarje arkaike, do të shihte edhe njëherë tjetër se nuk ka më as takat.
E veçanta dhe kumtmira e dy ditëve të Goran Bregoviçit në Tiranë ishte se si të gjithë intelektualët serbë të edukuar nëpër botë me kulturën demokratike, e përdorin artin e tyre për të njohur më shumë mes vetit popujt. Ne kemi shumë nevojë të njohim nga afër Sërbinë, historinë e saj, jetën e njerëzve të thjeshtë dhe të elitës. Po ashtu edhe sërbët kanë nevojë të ngutshme të njohin më mirë shqiptarët dhe disa nga virtutet e tyre të bashkëjetesës e tolerancës. Millosheviçi dhe historikisht edhe vetë shteti serb apo edhe ish-jugosllav, ua ka deformuar nënshtetasve të vet qëllimisht imazhin e Tiranës apo të Prishtinës. Goran Bregoviçi erdhi për të sjellë në kryeqytetin e Shqipërisë pamjen e vërtetë të shpirtit të popullit të tij. Këtë imazh përcolli disa muaj më parë në Beograd edhe artisti ynë shumë i talentuar Mirosh Kabashi me “Sokratin” e tij mahnitës.
Për fat të keq ende gjenden njerëz që do të bënin çfarë të mundnin për të riarmiqësuar shqiptarët me serbët. Që ky soj të dështojnë njëherë e përgjithmonë janë të nevojshëm të zbresin edhe më fort në “fushën e betejës” njerëzit e kulturës. Ata janë në mënyrën më të sigurtë strategët e afrimit mes popujve në rajonin ku e kundërta, urrejtja, është fryrë pafundësisht. Kur grupin teatror serb ditën e mbërritjes disa nga televizionet tona e pyetën se si ndiheshin në Tiranë, ata u përgjegjën pa asnjë mëdyshje dhe pa më të voglën hipokrizi: “Ndihemi shumë mirë mes shqiptarëve”. Dhe saktësuan: “Shkëmbimi i kulturave është mënyra më e mirë për të shembur barrierat e moskuptimeve mes dy popujve”.
Festa e mikpritjes së Goran Bregoviçin në kryeqytetin tonë, për një gëzim të të gjithëve, u prit me një mirëkuptim shumë prekës në Prishtinë. Në kryeqendrën e një populli që ka arsye të shumta për të kujtuar nga ultranacionalistët e shtetarët e dikurshëm radikalë serbë mjaft vuajtje, u përcoll drejt Tiranës mesazhi i bukur se ishin mjaft të gëzuar për atë që kishte ndodhur. Sipas titujve të gazetave më kryesore kosovare shqiptarët në shtetin amë kishin treguar një tolerancë shembullore.
Duke qënë kulturë shkembimet e grupeve të artistëve mbeten në çdo kohë pararoja të dialogut mes popujve. Goran Bregoviçi e dha koncertin e tij në Tiranë kur në Vjenë vijonin bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai koncert nuk i pengoi ato bisedime, ka mundësi t’i ketë ndihmuar. Secila palë do të mbrojë interesat e popullit të vet dhe në Tiranë të gjithë ata që më 1 dhe 2 prill duartrokitnin koncertin e bandës muzikore “Bijelo Dugme” kanë qënë në mënyrë të padyshimtë për pavarësimin e Kosovës. Por Mirosh Kabashi në Beograd dhe trupa e teatrit të këtij qyteti në Tiranë bëjnë që bashkëkombasit tanë kosovarë, dhe ne bashkë me ta, ta afrojmë më shumë shpirtërisht sërbin e thjeshtë, ta duam atë. Duke e dashur do të ndodhë ajo që do të ishte edhe fitorja më e madhe etnisë sonë pas ndërhyrjes së nevojshme të armatosur të NATO-s: pakica sërbe në Kosovë të gëzojë mbrojtjen e fuqishme të shtetit të ardhshëm. Ajo duhet të ndihet nënshtetase me të drejta të plota e të garantuara katërcipërisht. Sepse realisht jo vetëm shumica shqiptare, por edhe ajo sërbe në vitin 1999 u çlirua nga diktatori Millosheviç.
Ja përse orkestra e Goran Bregoviçit në Tiranë apo zëri i magjishëm i Mirosh Kabashit në Beograd, në ndryshim nga ajo që ngjau në 78 ditët e mesvitit 1999, janë tinguj që bien mbi Ballkan.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com