Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tre vellezerit Frasheri harruar te dy kullat

Dita, 18 maj 2003

Disa ditë më parë nga tallavia e madhe e turmës njerëzore që në Tiranë lëviz përditshëm nëpër trotuaret e Shëtitores “Deshmorët e Kombit” u shkëput me vrap një bashkëkombas dhe hyri në lulishten e renuar në brinjë të Dy Kullave. Kopsat e para të pantallonave i zbërtheu në rendje e sipër dhe për të lëshuar atë mesditë ujin e tij të hollë nuk pa të përshtatshëm asnjë nga prapatrungjet e pemëve, por njerin nga tre bustet e vëllezërve Frashëri. Pas këtij urinimi publik përreth nuk ndodhi asgjë. Mbi pshurrësin e tre atdhetarëve më të mëdhenj të Kombit nuk veproi me gjobë asnjë rojtar lulishteje, nuk denoncoi asnjë ambientalist i pavarur apo anëtar partie mjedisi, nuk reagoi me forcën e ligjit asnjë polic, nuk regjistroi asnjë kamerë vëzhguese, ngjarja nuk zuri vend as në rubrikën e një të përditshmeje që ka çelur rubrikën “çfarë pret nga një popull, i cili e bën shurrën atje ku e zë”.
Po pse ndodhi kjo gjëmë pikërisht tek Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri?
Në pesë a gjashtëqind metra katrore të kësaj “zemre” të Tiranës ndodhet Kryeministria. Para saj mund të protestohet paqësisht, madje aty janë nderur edhe grykat e antitankeve, por nuk ka guxuar askush të imitojë nevojtoren. Nuk ka ndodhur kjo gjë edhe në godinën përballë, atë ku sot ka disa ministri, ndodhet Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese dhe Avokati i Popullit. Nuk ngjau një pështirllëk i tillë as tek e quajtura “Piramida”, qendër e rendësishme manifestimesh kulturore, seli organizatash të huaja prestigjioze si edhe mediesh me autoritet. Po t’i shtrijmë edhe pak kufijtë e hapësirës, në qendër të së cilës pshurri bashkëkombasi ynë, do të citonim godinën e Hotel Rognerit, vendtakimit të shumënjohur të politikanëve, Presidencën, Pallatin e Kongreseve, Hotel Dajtin, lulishten e thirrur qëmoti Taivani. Shurrosësi nuk e zgjodhi për vend të përshtatshëm as urën e madhe buzë Lanës (fundi i saj është mbyllur me hekura dhe natën ndriçohet nga llamba të fuqishme me ngjyrë blu), as nuk shkoi në mendje ta kryente gjestin e tij të paturp tek Dy Kullat (ato janë rrethuar hermetikisht nga investitorët privatë). Në të gjithë këtë mori godinash të mbrojtura nga rregulli publik apo ligji bashkëkombasi pa të arsyeshme të preferonte tre bustet e vëllezërve Frashëri.
Patjetër ai nuk e ka ditur se cilët janë ato koka fisnike të vendosura pranë njeri-tjetrit, ujëhollëlëshuesi nuk ishte veç një injorant tipik nga ata që nuk i mungonin në trup as veshja normale, madje kishte varur në rripin e mezit edhe një celular. Soj të tillë tani gjen plot, boll të kenë aftësinë të rrasin nëpër duar e xhepa tufa me para. Porse asnjë shqiptar që e di qoftë edhe vetëm nga disa klasë shkolle se cilët janë Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri nuk do ta bënte këtë gjest. Megjithatë ajo që e shtyu instiktin e kaqolit me celular të çkopsiste pantallonat tek bustet e vëllezërve Frashëri, më tepër se padija vetiake, ishte sjellja e shtetit ndaj këtij simboli të madh kombëtar.
Atje ku vijojnë të rrinë tre bustet e tyre, tek kembët e piedestaleve dhe përreth, për më shumë se njëqind metra katrore, ka vetëm tokë të djegur. Fundmure të renuar, copra kangjellash të shpartalluara, gjelbërim të shkelur, truall të mbushur me gropa dhe hedhurina, qenë të braktisur. Gjatë gjithë ditës, prej orëve të para të mëngjezit e gjer sa nata bëhet e thellë, aty bazohet edhe një familje e madhe romësh, objektivi dhe angazhimi i së cilës është lypja ngulmuese dhe me turne në udhëkryq. Dikur kjo hapësirë ka qënë një lulishte e bukur dhe e ruajtur, ishte regjimi i shumakuzuar komunist që pati mençurinë t’i kompozojë të tre vëllezërit Frashëri në këtë triptik bustesh. Ata, mes ngushtësisë së tyre ideologjike paten respektin t’i rreshtojnë këta mëmëdhetarë të shquar në tribunën e institucioneve të tyre më të larta: Komitetit Qendror, Kryeministrisë dhe Mauzoleut të Enver Hoxhës. Në rreshtimin e ri të passhembjes së diktaturës gjithçka ndryshoi, sigurisht shumica për më mire, veç trajtimit më të mire të tre busteve. Ca më shumë shpërfillja e fyerja e tyre publike u bë arrogante, kur ngjitur me ta, në mes të gjelbërimit të lulishtes së vëllezërve Frashëri , hodhën themelet dhe u ngritën drejt qiellit dy Kullat. Për harbimin e tyre pikërisht në atë hapësirë tradicionalisht institucionesh qeveritare dhe të kompozuara me një arkitekturë të caktuar është shkruar shumë. Tashmë dihet se edhe punimet në njerën prej tyre me kohë janë pezulluar sipas një denoncimi të ardhur nga një institucion i specializuar i Uashingtonit zyrtar, sipas burimit të mirëprovuar të të cilit në ato mure të betonta janë bërë investime edhe nga arabë të lidhur me terrorizmin e Al Kaedës.
Ironia kështu shkoi gjer në fund. Në Stambollin e më shumë se një shekulli më parë, në kryeqendrën e atëhershme të një perandorie që vijonte kursin kokëfortë të antievropianizmit, të tre vëllezërit Frashëri hartonin projekte e luftonin për të t’i vënë në jetë për një Shqipëri të nesërme të pavarur dhe të integruar mes vendeve të përparuar të Evropës perëndimore. Po kaq vite më vonë, ndërsa edhe vetë Stambolli i djeshëm ngulmon në euroreformimin e tij për të hyrë sa më shpejt në BE, dyluftimi mes tre vëllezërve Frashëri dhe mentalitetit kundërperëndimor vijoi në Tiranën e fillim viteve dymijë.
Tani për tani me humbjen e tre busteve-simbole të atdhetarizmit tonë.
Në orët e vona të natës në këtë lulishte të shkatërruar përdhunimi i triptikut vijon edhe me ndonjë gjest tjetër “të shpenguar” qejflinjsh apo pijanecësh, ndërkohë që harresa e politikës aktuale për ta përditë e më shumë po bëhet humnerë. Disa përfaqësuesve aktivë të saj nuk bën asnjëherë gabim t’u kujtosh se Sami Frashëri mbetet i vetmi dijetar e politolog shqiptar që ka hartuar e paraqitur të plotë një libër-platformë programore për zhvillimin modern të Shqipërisë. Të tjerët që e pasuan, më së shumti kanë bërë pak luftë parlamentare e shumë përplasje të armatosura mes njeri-tjetrit ose thjesht fushata elektorale. Gjithashtu atyre që e kanë në dorë t’i japin fund menjëherë kësaj fyerjeje kombëtare nuk bën keq t’u kujtosh se është për t’u vlerësuar mbështetja që i dhanë bashkëkombasve të tyre kosovarë për t’u çliruar nga zgjedhja millosheviçiane, por më shumë se një shekull më parë ishte Abdyl Frashëri që priu luftën për të bashkuar trojet e lashta të shqiptarëve, aksion heroik e largpamës që i kushtoi burgimin dhe më pas vdekjen. Luftën e parë për Kosovën e ka bërë, bashkë me mëmëdhetarë të tjerë, njeri nga ata tre bustet e harruar në gjunjë të dy Kullave, të tjerët mund të kenë bërë luftën e tretë apo të katërt. Politikanëve, qeverisësve të djeshëm apo të sotëm, administratorëve lokalë nuk u mësojmë asgjë të re po t’u rikujtojmë se Naim Frashëri, gjer tani i pranuar nga të gjithë ne si poeti më i madh kombëtar, u tret si qiriri duke shkruar vargje për të zgjuar ndërgjegjen liridashëse të shqiptarëve, se për lirinë hartoi edhe libra shkollorë.
Gjithçka që deri tani është bërë për vëllezërit Frashëri prej të gjitha periudhave të kapërxyera si shtet i pavarur, është ende pak. Politika e ditës i ka vlerësuar pjesërisht, ndërsa ata në të vërtetë janë të Shenjtë. Ka popuj në Ballkan që kanë shpallur Shenjtorë bashkëkombas, të cilët kanë hartuar vetëm alfabetin e tyre kombëtar. Ne nuk kemi pse rrimë akoma vetëm tek shpërndarja e Urdhërit kulturor “Naim Frashëri” apo tek ndonjë simpozium studimor. Mbase nuk është fjala që Tre Vëllezërit Frashëri t’i stampojmë e shpërndajmë në distinktiva, edhe pse kjo do të na bënte nder. Hë për hë të bëjmë më urgjenten: ta ringrejmë atë lulishte të bekuar në zemër të Tiranës, pastaj të mësohemi pak nga pak të vëmë kurora tek kembët e tyre. Dikush herë pas here t’u lajë edhe fytyrën e bronctë.
Në rast se do të vijojmë kokëfortësisht shpërfilljen tonë të papërgjegjshme tek tre bustet e shenjta do të rishfaqet pshurrësi me celular në brez, i cili kopsat e para të pantallonave do t’i hapë me ngut për ta derdhur ujin e hollë saktësisht mbi të gjithë ne.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com