Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Fundi i anarkopolitikes


Dita, 14 prill 2003


Brenda javës së parë të prillit në politikën shqiptare ndodhën afër njera tjetrës dy ngjarje origjinale: mbi të gjithë fasadën e ndërtesës së bashkisë më 1 prill, në \"Ditën Ndërkombëtare të Gënjeshtrave\", Edi Rama nderi fasha të mëdha coheje të bardhë, në të cilat kishte shkruar, pa i deformuar, të gjitha akuzat që i kishte bërë atij ish-Presidenti Sali Berisha, njeriu më i fortë dhe më i spikatur i opozitës. Kjo gjetje e luftës moderne politike, për nga fantazia e saj i kapërxen shumë kufijtë e traditës sonë. Ajo është e denjë për të konkuruar me mjetet më të fundit që vë në zbatim Perëndimi në fondin e konkurencës politike. Por ata rripa bezeje, të mbushura me gërma dhe ironi, të cilat era i lëkundëte, nderte e valonte para syve të mijra kalimtarëve, do të ishin vetëm njëra pjesë e inteligjencës së ballafaqimit që ka nisur të bulëzojë në politikën tonë në rast se nuk do të hedhim pak dritë edhe mbi një gjest tjetër. Menjëherë në ditën e befasisë së bezeve të modelit \"dacibao\", sidomos të nesërmen, më 2 prill, tërë qendrën e Tiranës, pothuaj të gjitha shtyllat elektrike apo kollonat mbajtëse të pallateve të kryeqytetit, shumicën e hapësirave të lira nëpër faqet e mureve, pragstacionet e autobuzave urbanë apo atë të hyrjes për linjat hekurudhore ndërqytetëse, do t\'i mbushnin disa volante, në qendër të të cilave ishte një pamje me profil \"kriminal\" e kryebashkiakut të Tiranës dhe e spikatur me gërmat e fjalës \"Wanted\" (\"Kërkohet\"). Në një tekst të shkurtër e lakonik u bëhej thirrje të gjithëve që sapo ta shihnin njeriun, fytyrën e të cilit e kishin nderur nëpër qindra afishet e tyre si të shpallur hajdut të shumëkërkuar, menjëherë të mos vononin e të lajmëronin policinë.
Pavarësisht se në kulturën e pëlhurave të shkruara mbi godinën e bashkisë kishte përdorim të \"humorit të bardhë\" të artit dhe në atë të afisheve të grupeve studentore të ndikuara nga Partia Demokratike dilte në pah konturi i një \"humori të zi\" burgjesh, kjo pamje e luftës politike përbënte një risi mjaft premtuese se më në fund mjetet e saj të konkurencës politike po shkathtësoheshin, pasuroheshin e mënçuroheshin dhe po vepronin duke përdorur inteligjencën. Politika në një demokraci nuk mund të veprojë veç me mjetet e saj autentike, pra të vetë politikës. Gjithnjë në rast se ushtruesit e saj përdorin mendjen dhe jo emocionet apo dizekulibret e tyre vetiake psikomantale.
Ndërkohë, duke qënë se intensiteti i ballafaqimit mes pozitës dhe opozitës ka prej fillimit të janarit që është jashtzakonisht i lartë dhe kështu si ka nisur kërkon jo vetëm shumë energji, por edhe pjellori gjetjesh, paralelisht me novitetin e asaj që sapo përmendëm, volumi kryesor i veprimit të politikës vijon të derdhet sipas stilit të vjetër, nëpër kallëpet e fjalorit të përçudnuar, të gjesteve të shemtuara, të kritikave sharëse e gjuhës prej \"sopate të mpirë\". Në këtë mjedis që të shushat e nuk të lë të individualizosh e shijosh zgjuarësinë e betejës fine të \"bezes\" me \"volantet\", sërish ndodhi një novitet i dytë: ish-Presidenti Sali Berisha ndikoi fort që një fushatë e përditshme e mbështetësve të partisë së tij (dhe madje e projektuar të zhvillohej njëzetë e katër orë për njëzetë e katër) të ndërpritej menjëherë. Me një artikull plot kulturë edhe gazeta e ashpër socialiste \"Zeri i Popullit\" këtë gjest të liderit të pjesës më të madhe të opozitës e inkurajoi me fjalë vlerësuese.
Për një çast le të lemë mënjanë hamendësimin se në vendimin e marrë për ndërprerjen e këtyre manifestimeve në rrugë ka ndikuar kryesisht arsyetimi gjakftohtë se deri tani të gjitha fushatat mitinguese shumëditore të Partisë Demokratike janë turmëzuar e mpakur pa mbërritur në ndonjë rezultat të rendësishëm politik. Një demonstrim njëzetë e katër orësh, \"me bukë me vete\" dhe \"me turne\" do të dështonte shumë më shpejt se të gjitha ndërmarrjet e mëparshme, ajo mund të degjeneronte lehtë edhe në pamje komike. Megjithatë do të bënim mirë që urdhërin për braktisje të kampingut demonstrues ta shihnim edhe nga një kend tjetër, në vijim edhe të risisë së 1-2 prillit. Ka disa kohë që opozita më e madhe e vendit, ajo e rreshtuar në Partinë Demokratike, e cila në këtë dyzinë të parë të paskomunizmit ka konsumuar më shumë nga koleget e saj mjete e forma të ashpëra të luftës politike, po kembëngul të ushtrohet në përdorimin më efikas të konkurencës e ballafaqimit parlamentar. Në fillim kjo mund të dyshohej si një dredhi e zakonshme e bizantine, ca më tepër kur dëgjon se udhëheqësi demokratikas një çast, i tejinatosur, i kujtoi Kryeministrit se nuk duhej ta zëmëronte shumë opozitën, ndryshe...Dhe me një krenari që mund ta fajësonte, la të nënkuptoheshin ato që kishin ndodhur më 13-14 shtator 1998. Në të vërtetë ka shumë të ngjarë që ish-Presidenti dhe një rreth i caktuar bashkëpunëtorësh e bashkëpartiakësh të tij, njerëz përditë e më shumë të mëkuar e urtësuar me kulturë demokratike, ta kenë lënë mënjanë \"fushimin\" me skalione të njëpasnjëshme demonstruese edhe pse në mentalitetin e tyre, si edhe të mbarë politikës shqiptare, po fiton terren lufta parlamentare. Tani për tani edhe pse kjo ka problemet e saj, mungesën e herë pas hershme të projektimit, tejngopjen me gjuhë të dhunshme dhe kërcënime të mjedisit të rrugës, dalngadalë ka prirjen të vetpërsoset. Perfeksionimi i ballafaqimit parlamentar, edhe pse tani për tani ky lloj i luftës elektorale demokratike po konsumohet me teprinë e manisë së komisioneve hetimore, ka nisur të ndikojë ndjeshëm në stabilitetin jetëgjatë të vendit. Politika moderne ka për detyrë e mision pikërisht qendrueshmërinë e vendit dhe të shtetit, jo të kundërtën. Për fat të keq të shqiptarëve në shumicën e hapësirës së turbullt të tranzicionit panë të veprojë anarkopolitika. Në pjesën më të madhe të nxitjes së demonstrimeve në rrugë, sidomos kur ato janë zbatuar sipas tipit të fushatave dhe logjikës fshatarake \"dil të rrokemi, po ta mbajti\", kanë cënuar stabilitetin e brishtë të Shqipërisë dhe të strukturave kërthi e të paformuara të saj. Ajo që ka qënë më problematikja për fatin e vendit, përveç përhapjes nëpër kontinent e botë të një imazhi primitiv, ka të bëjë me një pamje tjetër të dukurisë së këtyre demonstrimeve të përdhunshme: ato jo vetëm nuk janë arritur dot të administrohen nga organizatorët e tyre, por pa përjashtim janë manipuluar e devijuar nga shërbime të fshehta antishqiptare apo nga grupe politike dhe individë radikalë, jo pak janë shfrytëzuar edhe nga stuktura mafioze të krimit të organizuar. Kjo periudhë e gjatë anarkopolitike siparin e hapi me ngjarjet e Shkodrës në 2 prill 1991 dhe kulminoi me ngjarjet e viteve 1997-98, pa harruar se njërin nga aksionet e saj e ndërmori edhe një i ardhur nga një gjysëm shekulli jete në demokraci të zhvilluara, Leka Zogu. Anarkopolitika veproi në rrugë edhe në vitet 1999 dhe 2000. Tani ajo po e zbeh influencën e saj, të paktën po i braktis sheshet dhe kampingjet, edhe pse hë për hë shkon me vend e pavend për \"të mbështetur\" greva të ndryshme urie bashkëkombasish që mbrojnë punët e tyre të paligjshme. Anarkopolitika, për të zgjatur jetën e saj, ka zgjedhur të mpikset si vrer helmi në majat e gjuhës të disa ushtruesve të politikës dhe borizanëve të tyre. Sidoqoftë kjo është tërheqje, është fillimi i mundjes së saj, nuk do të vonojë dita kur kjo antikulturë do të largohet nga majëgjuhët e tanishme. Në fund të fundit një ditë do të ndodhë që edhe \"gjuhët\" të ndërrohen bashkë me të zotët e tyre.
Anarkopolitikës i duhet dhënë e shtyra pa mëshirë, asnjë rikthim tek ajo, asnjë nostalgji për të. Ditën e parë të demonstrimeve të fushatës që pritej të niste rrokullisjen e saj njëzetëekatërorëshe, disa tregëtarë të vegjël, të cilët protestonin para bashkisë së Tiranës kundër taksave të reja, nuk deklaronin se, duke mos qënë dakort me shtesën, do të vijonin të paguanin vetëm masën e mëparshme. Jo, ata thoshin njëzëri e kryelartë se në nuk do të paguanin më asnjë taksë.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com