Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Horoskopi i politikaneve “minore“


Dita, 15 mars 2003

Që nga “princi” i politikës shqiptare, Sabri Godo, deri tek “obortari i lartë” Preç Zogaj

Ata janë pothuaj pa numërim, nga lart deri poshtë, nga e majta deri në skaj të së djathtës.Më të shumtët janë pseudo, politikanë që nuk marrin asnjë votë as në pallatin e tyre, por që ndërkohë nuk kanë ndërmend të pakësohen e të na lënë rehat. Mosshterrimi i tyre nuk i ka rrenjët aq shumë në pasionin tone kombëtar për t’u marë me politikë, pra tek prania në Shqipëri e një kërkese të tejmadhe të këtij tregu, se sa në një zbulim që kanë bërë: përfitimet personale. Një njohës shumë i mire i mjaft politikanëve pseudo ngul kembë se ata nuk e mbyllin muajin pa futur në xhep një apo dy milionë. Sipas tij arti i tyre janë prodhimi dhe zotërimi i vulave, grumbullimi i fondeve nëpërmjet shoqatave që ua atashojnë partive fantazma, sigurimi i vizave Shengen e më tej, nxjerrja e kokës në ndonjë cep ekrani televizioni apo skaj gazete. Ka prej këtyre që kanë shkuar në Romë për të nxjerrë një vizë e shkuar në SHBA si “kryetar: partie dhe kur janë kthyer në Tiranë pas këtij misioni kanë përhapur fjalë që janë takuar me Papën dhe vetëm për një moskoordinim orari nuk janë pritur dot nga Silvio Berluskoni. Gjithkund raca e tyre ka firuar në Perëndim, por vijon të jetë në lulëzim në Lindjen paskomuniste. Ajo lidhet me fazën akoma foshnjore të një shoqërie të porsahapur.
Pastaj, të ndryrë nga lart mes protagonizmit të gjëmues e të papushuar të “më të fortëve” dhe nga poshtë prej gëlimit nëpër kembë të mizërisë së pseudove, gjenden një grup politikanësh “minorë”. Janë të vegjël jo patjetër për shkak të ndonjë mungese aftësie apo defiçiti intelektual apo profesional, madje në këtë drejtim një pjesë e tyre janë shumë më të kompletuar se “më të fortët”. Këta janë politikanë minorë thjesht sepse kontrollojnë fasha shumë të vogla e tejet të imta të hapësirës së madhe të elektoratit.
Edhe ata, si edhe “katër më të fortët e Tiranës”, për të cilët folëm në shkrimin e rradhës të një jave më pare, e kanë të lartë shqetësimin e mbijetimit. Mes sekreteve që kanë për t’i rezistuar daljes nga skena politike, njëri mund të veçohet: të bëhen realisht të nevojshëm. Mirëpo këtë gjë e zgjidhin në mënyrat nga më të ndryshme.
Grupi i pare pëlqen të ruajë rigorozisht identitetin e tij politik. Një nga përfaqësuesit më të spikatur është Sabri Godo, njeriu që mund të quhet edhe “princi” i politikës shqiptare, pse jo edhe vetë “dekani” i saj. Suksesi i tij i dukshëm dhe i palëkundur ndonjëherë në këta dymbëdhjetë vjet të pluralizmit shqiptar nuk është pjesë e të kaluarës së tij interesante si shkrimtar dhe biograf deri tani i paarritshëm i Skenderbeut apo Ali Pashë Tepelenës. Politika jonë aktive mbart me dhe mbi vete edhe shkrimtarë të tjerë mjaft të talentuar. Godo, i pajisur me inteligjencën e nevojshme për të ruajtur identitetin e vet politik, nuk iu tremb asnjëherë veprës së dialogut dhe kompromisit, pa rënë asnjëherë në ciklone sherri dhe pa bërë asnjë pazar. Kjo zhdërvjelltësi e tij nga shumë prej nesh ende vijon të emërtohet dhelpëri, po ashtu koherenca e tij solide të klasifikohet si jokoherencë. Sabri Godo, aspak sepse e ka sëmundshmërisht të futur në trup pasionin për politikën, ndodhi që postin honorifik në Partinë Republikane ta kompletojë kohët e fundit me një nga gjetjet më brilante për të vijuar kendshëm mbijetimin e tij njëherësh edhe si intelektual: Presidenti i “Klubi 2000”.
Grupi i dytë i “minorëve” identitetin e tij politik nuk e ka aq shumë vlerë strikte apo pedante. Për këta rendësi të dorës së pare ka mbijetimi e individit dhe jo aq shumë i partisë. Aksioni i tyre i përditshëm të lë të kuptosh se është më komode dhe shpëtimtare që krijojë individi-kryetar partinë se partia të zgjedhë me gjithfarë kongresesh kryetarin e saj. Më tërheqësi dhe njëkohësisht më i shkëlqyeri i tyre është Preç Zogaj. Publiçist në zë, i shumëkërkuar nga media për zotësinë e marrjes pjesë në debat me argumenta dhe maturi shembullore, shkrimtar e poet, politikan i brezit të parë të dhjetoristëve dhe padyshim një demokrat i gjithëformuar, Zogaj arriti të paimagjinuarën: nga ideator, themelues e mbrojtës i një formacioni politik të qëndrës liberale shqiptare, një novitet i vërtetë, pati një ditë të jetës së tij kur shkoi e trokiti në selinë e Partisë Demokratike. Këtë gjë e bëri jo si ideologu kryesor i një partie apo fragmenti të saj, por duke i deklamuar PD-së besnikërinë gjer në vetsakrifikim: regjistrimin si anëtar i thjeshtë i saj.
Grupi i tretë është i atyre që e realizojnë mbijetesën edhe falë aftësisë për të zhbirruar gjenialisht hapësira të zbrazura brenda partive të mëdha të përafërta në identitet. Dy janë më përfaqësuesit: Skender Gjinushi dhe Genc Pollo. I pari agresiv sa një “i fortë”, por i papajisur nga pas me një parti të madhe numerikisht. Po të kishte ndodhur kjo e fundit socialdemokrati Gjinushi do t’i kishte bërë pesë “më të fortët” e politikës shqiptare. Ai nëpërmjet një menyje të tërë teknikash për aleanca e paraaleanca, bashkime zgjedhore, jo zgjedhore, para e paszgjedhore, mbështetjesh nga jashtë e konkurence nga brenda, duke qënë në të njëjtën kohë në përbërje të qeverisë për rezultatet e saj dhe jashtë për dështimet, politikan që në mënyrë virtuale rri në të njëjtin fragment kohe në pozitë dhe në opozitë, ka arritur ta mbajë trupin elektoral të partisë së tij në përmasa që e bëjnë të nevojshëm. Ishte i tillë për koalicionin e djathtë që rrëzoi diktaturën, po ashtu mbeti edhe për koalicionin e majtë që mori pushtetin më 1997. Kulmimi i teknikave “thesçpuese” të Skender Gjinushit janë projektet e parreshtura për një bashkim të madh të së majtës shqiptare.
I privuar nga ndonjë veti agresiviteti dhe shumë herë pasiv e komod në gjestikulacionin e tij, përfaqësuesi tjetër është Genc Pollo. Ndërsa homologu i tij Gjinushi punon pa u lodhur për të mbijeuar dhe do t’ja dale kësaj edhe të paktën për një dyzinë të tjerë vitesh pluralistë, Pollo po shuhet nga apatia. “Thesçpuarja” e tij e pati jetën, kulmin dhe vdekjen e vet, vetëm njëherë: kur e shkroi partinë e tij të imët me dy inicialet e shumënjohura të Partisë Demokratike. Fjalën thelbësore të identitetit të formacionit që udhëheq, Reformatore, e përfaqësoi me një “r” aq të vogël sa mundësisht të mos dallohej jo vetëm nga zgjedhësit e moshuar, por edhe nga të rinjtë. Kështu shkëlqeu për një çast si ylber. Tani në partinë e tij bie here pas here shi.
Grupi i katërtë përbëhet nga ata që mbijetimin e kanë zgjidhur thjesht nëpërmjet dhënies së intervistave nga jashtë apo brenda vendit. Këta janë të shumtë e duhet pohuar se kanë vlera dhe ide për t’i ekspozuar. Dy nga më tipikët mund të konsiderohen Eduard Selami dhe Petro Koçi. I pari gjykon që përtej Atllantikut dhe përherë më shumë duket se po çregjistrohet nga njohja e mire e kontekstit shqiptar, i dyti e bën mjaft mire rikonjicionin e terrenit. Selami i larguar prej shumë vitesh propozohet të paktën dy here në dymbëdhjetë muaj si kryetar i PD-së bashkuar apo si kryeministër i ardhshëm i së djathtës, i dyti i refuzon publikisht postet ministrore edhe kur ofertat janë vetëm hamendje gazetash. Por me “minorin” Petro Koçi në Shqipëri duket se po merr formë një lloj i tërthortë i ushtrimit të politikës: duke bërë kritikën e saj nga pozitat e një politikani. Ky fenomen ka traditë të vjetër në letërsi e arte, ku ushtrojnë me autoritet kritikën kulturore profesionistë të saj joartistë ose edhe artiste e shkrimtarë të dështuar.
Grupi i pestë përbëhet nga ata që pëlqejnë jo të formojnë e konsolidojnë identitet sa të mund të bëhen të kërkueshëm nga urgjencat elektorale të dy partive të mëdha. Këta nuk e ndjejnë veten aspak të dëshiruar që t’i lypin, ata më mire dalin për të “lypur”. Postet ministrore e jo më nënministrat dhe drejtorët e lartë të adminitratës, shpesh janë lehtësisht shumë të aritshëm nëpërmjet teknikave të ndryshme të sofizmit politik. Përvoja e deritanishme e pluralizmit shqiptar ka dëshmuar se dy partitë e mëdha në përfundim të mandateve të tyre të zgjatura mpaken deri në ngjysmën e shtatit të mëparshëm elektoral të mbledhur gjatë fitores. Po ashtu eksperienca e derisotme ka konfirmuar dukurinë se as partia e madhe e opozitës dhe e prognozuar për rikthim në qeverisje nuk ka arritur dot të kompaktësojë një trup zgjedhor që mund të fitojë në mënyrë të sigurtë. Kështu politikanëve që nderin dorën u hapet shans nga lart e nga poshtë. Me një aftësi gjeniale për kohën ata menjëherë luajnë të nevojshmin e Aleancës, të Bashkimit apo të Lidhjes. Mund t’i vesh çfarëdo emri koalicionit të ardhshëm, por për shtridorësit rendësi ka që ai përbën një thes dhuratash për “Vitin e Ri”. Dhe nuk gabojnë, ata asnjëherë nuk kanë dale keq. Dy përfaqësuesë të kësaj risie: Lufter Xhuveli dhe Teodor Laço. E përbashkëta e suksesit të tyre virtual politik dhe kabinetpjesëmarrës është aftësia profesionale vetiake. Të dy rezultojnë ministra të zotë, prej këtij fati personal buron edhe ai i partive të tyre, të cilat në historinë e pluralizmit shqiptar mund të quhen “parti ministrore”. Domethënë i krijon, financon dhe i shtrin si llastik në terren vetë ministria, sepse anëtarët e partisë së Ministrit janë në të njëjtën kohë edhe nëpunës të saj.
Të tjerë individualitete mes politikanëve “minorë”? Sigurisht që ka, është një kopsht i pafund ku ferra rri bashkë me trendafilin.

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com