Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nexhmije Hoxha, kjo grua e hekurt dhe e pashpirt


Botuar ne Sot, 7 maj 2003


Autori i këtyre rradhëve pak ditë më parë botoi në gazetën kolege “Dita” shkrimin “Në rrugë kalojnë Ramiz Alia dhe Leka Zogu”. Thelbi i tij ishte vlerësimi i përmbajtur, por pozitiv, i sistemit të shoqërisë të hapur, tashmë në fillesat e veta modeste edhe në Shqipëri. Ky realitet, edhe pse në variantin shqiptar mbart me vete jo pak paudhësi, ka bërë që të paktën pranë njeri-tjetrit, edhe pse rivalë apo kundërshtarë të paepur, të bashkëjetojnë më së fundi të patrazuar padrejtësisht nga Shteti dhe nga turmat partiake si ish-udhëheqësi komunist Ramiz Alia ashtu edhe pretenduesi për Mbret, Leka Zogu. Kjo pamje e re e ndryshimit të paktën do të piqte një frut, ndaj të cilit askush nuk ka të drejtë të ngrejë dorën për ta goditur me gurë: të jetojnë të qetë fëmijët apo nipërit e mbesat e dy diktatorëve të djathtë dhe të majtë të Shqipërisë, Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës.
Që të nesërmen e botimit, në një debat të qytetëruar dhe miqësor, autorit iu përcoll nga rrethi i ngushtë i disa prej ish-udhëheqësve të periudhës hegjemone të Partisë së Punës, mesazhi se artikulli i shkruar, edhe pse me bonses, ishte naiv. “Në jetë gjërat zhvillohen ndryshe, ose ne ose ata”, iu tha në një nga replikat. Pastaj, për të vijuar mbushëmendjen, nga bashkëbiseduesi Shqipëria e këtyre viteve u përshkrua si një rënim e dekadencë e plotë, duke vizatuar si më të shendetshme dhe më të arrirë atë periudhë që e kishte mbyllur fletën e saj të historisë në ditët e fundit të vitit 1990.
Po atë mbrëmje që u tendos ky debat civil, ku asnjeri nga ne të dy nuk ra dakort, gjithsesi u shetit në Bulevardin Deshmorët e Kombit dhe u bisedua gëzueshëm për letërsinë. Dy ditë më pas në “Dita”, organizuar shumë qytetërisht nga redaksia, nisi botimi i një interviste të Nexhmije Hoxhës, titulluar që në faqen e parë “Përse nuk pendohem”.
Duke qënë se për autorin e shkrimit “Në rrugë kalojnë Ramiz Alia dhe Leka Zogu” kjo intervistë mund të merret edhe si një dërgim i dytë mesazhi i riardhur nga ish-udhëheqja e lartë e gjysmëshekullit të shkuar, në vijim të debatit të hapur dhe jo me të keq, ka diçka që tashmë Nexhmije Hoxhës i duhet thenë përditë dhe ngulmueshëm: Zonjë, të paktën në përgjigje të pyetjes “Ndjeni t’u mbrejë ndërgjegja për të kaluarën?” të mos thoni se “Pse të më mbrejë ndërgjegja?”
Nuk është e drejta ime të shkruaj se të paktën për të vrarët dhe të persekutuarët e shumtë të djathtë e të majtë ndergjegjia, kësaj gruaje të hekurt, por edhe të pashpirt, duhet t’i dhembë. Shekspiri ka një tragjedi, ku rrëfen tronditshëm se si Makbethi vuan nga brerjet e ndërgjegjes pse vrau vetëm një njeri, mbretin Dunkan. E drejta për t’ia rikthyer përgjigjen Nexhmije Hoxhës edhe njëherë u takon atyre që u martirizuan nga sistemi që bashkshorti i saj ngriti në vendin tonë. Ai nuk ishte as socializëm, as komunizëm, as bolshevizëm e madje as stalinizëm. Ishte enverizëm, që e pakta do të thotë se ishte stalinizëm ekstrem.
Autorit të këtyre rradhëve, besoj, i takon të polemizojë me zonjën Hoxha për një gjë tjetër: me batutën “Po, mua, personalisht, si edhe shokëve të mi, na bren shumë ndërgjegja, që s’ditëm të bëjmë atë që duhej bërë për mbrojtjen e fitoreve të shkëlqyera të pushtetit popullor…” Dhe kësaj rradhe numërohen uzinat, kombinatet, minierat, pyjet, plantacionet, kanalizimet etj. Në debate të ndryshme mbrojtës të disa arritjeve të periudhës diktatoriale shfaqen edhe shumë njerëz të thjeshtë apo intelektualë, të gjithë ata numërojnë edhe sistemin arsimor, atë shendetësor, rrugët e sidomos hekurudhat, sigurinë dhe mbrojtjen e pavarësisë, tharjen e kënetave, luftën totale kundër analfabetizmit etj. Shumica dërmuese e këtyre të fundit nuk janë aspak nostalgjikë të “Pushtetit Popullor”, ndihen më të përshtatur me këtë shoqëri të hapur e të shqyer bashkë. Vlerësimin për disa nga realizimet më të mira të periudhës enveriste ata e bëjnë jo vetëm se dëshirojnë të kritikojnë shoqërinë e tanishme plot probleme, padrejtësi dhe plagë të mëdha, më tepër i bëjnë deklarimet e tyre mbrojtëse për t’u vënë fre disa falangave “të djathtësh” apo “antikomunistësh ish-komunistë”, që hedhin poshtë gjithçka nga e kaluara një gjysëm shekullore. Ata nuk duan që “bashkë me ujin e pistë të hedhin edhe fëmijën”.
Kjo është një etikë e lavdërueshme, por duhet thenë se ka ardhur koha që edhe kjo “mirësjellje” me diktaturën të ndërpritet. Nëqoftëse ka një “fëmijë” që nuk duhet flakur bashkë me ujin e ndotur të diktaturës enveriste, ky është njeriu që jetoi atë kohë dhe që ishte viktimë e saj. Me këtë do të kuptonim deri edhe vetë Nexhmije Hoxhën, por ajo me sa duket është autore e asaj të kaluare. Nuk mund të flaken me “ujin e ndohtë” njerëzit e thjeshtë që e besuan atë regjim dhe i dhanë deri edhe unazat e dorës, jo pak tretën për të edhe të gjithë pasurinë, shumë të paharruar blatuan edhe jetën. Paedukata për t’i trajtuar si të “deklasuar” të rinj u shfaq edhe një muaj më parë: ditën e ndërrimit jetë të të shquarit Robert Shvarc, u nda nga familja e tij dhe nga gjithë të dashurit edhe Myqerem Fuga, një ish-ministër i ekonomisë së diktaturës, burrë i urtë dhe “komunist me fytyrë njerëzore”. Për vdekjen e tij u hesht, nuk u shkrua asnjë radhë, madje një gazetë ulëritëse klithi përse për të ngushëlluar në derën e apartamentit të tij të mobiluar varfërisht kishte trokitur për pak çaste kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Zonja Hoxha, e vetpërjashtuara jo më nga pendimi, por edhe nga vetqortimi më i vogël, ka ardhur koha t’i thuhet se edhe ato që u ndërtuan gjatë diktaturës, të cilat në asnjë mënyrë nuk duheshin shpërdorur, vjedhur, as mallkuar, u bënë me djersë dhe me sakrificat e një populli të tërë. Per to jo pak punuan edhe ish-të burgosurit politikë të regjimit. Veç “uzinat, kombinatet, minierat, pyjet, plantacionet, kanalizimet” që i permend si edhe “sistemin arsimor, shendetësor, rrugët e sidomos hekurudhat, sigurinë dhe mbrojtjen e pavarësisë, tharjen e kënetave” që i citojnë shumë bashkëkombas të nderuar, mund të konsiderohen vetëm si arritje të një diktature ekstreme dhe autotarkike. Jo arritje të Shqipërisë. Shqipëria me një sistem tjetër, atë të modelit perëndimor, po ta kishte zgjedhur si rrugë zhvillimi në 1944, do të kishte realizime shumë më të mëdha e më të qendrueshme. Nuk do t’i mungonin sot fabrika dhe miniera shumë më moderne, pyje më të lulëzuar dhe plantacione më prodhuesë, kanalizime më të efektshëm dhe arsim më konkurues, sistem shendetësor më aktiv dhe më të mirëpajisur, rrugë më të shumta dhe më të gjera, hekurudha po ashtu. Dritën elektrike do ta sillte çdo qeveri që do të vihej në krye të punëve menjëherë pas çlirimit, ajo patjetër do t’i shpallte luftë analfabetizmit dhe nuk do të vononte të thante kënetat.
Me pak fjalë modeli enverist ishte më e keqja alternativë e mundshme që ndoqëm.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com