Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rreziku i munguar i destabilizimit


Sot, 10 qershor 2003

Gjer në momentin kur togfjalëshin \"rreziku i destabilizimit të Shqipërisë\" e citoi si ngjarje të mundshme raporti analitik dhe mjaft profesional i Ambasadorit të nderuar Osmo Lipponen, askush në vendin tonë, pra në territorin e parashikuar të humbte qendrueshmërinë e brendshme, nuk e kishte zbuluar. Të paktën, edhe nëqoftëse të dhënat e mbledhura apo analizat e kryera e vërtetonin tronditjen e pritshme shtetërore, askush ngjarjen e rendë nuk e kishte shpallur. Nuk e kishin zbuluar apo shpallur në opinion asnjë nga institutet e shumta joqeveritare të ngritura në Tiranë, asnjë nga anketat e shpeshta dhe asnjë nga vëzhgimet e përditshme, asnjë përfaqësi e huaj diplomatike, asnjë qeveri në vendet e Bashkimit Evropian, as vetë Brukseli i angazhuar përditë në realizimin hap pas hapi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, as Shtëpia e Bardhë me rrjetin e saj të sofistikuar që e kontrollon imtësisht të gjithë sizmikën e globit. Madje BE këto ditë po e çon Shqipërinë dhe Kosovën në Samitin e Selanikut me parathënie lajmesh të mira, kurse strategët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në hapësirën gadishullore të quajtur Shqipëri kanë ngulur flamurkën rozë të një projekti baze ushtarake.
Mirëpo kjo hapësirë rezulton se ka shumë të ngjarë të pështjellohet nga kaosi dhe \"investitorët\" e fuqishëm të integrimit paneuropian dhe euroatlantik, Brukseli dhe Uashingtoni, nuk po bëkan gjë tjetër veç me naivitet po e hedhin dhe humbasin mundin e tyre në një gjeratore.
Ndërsa mes të gjithë të huajve këtë prognozë e ka formuluar publikisht vetëm njeri nga Ambasadorët e huaj të nderuar në Tiranë, mes shqiptarëve këtë parashikim e ka shpallur ngulmësisht dhe përsëritur vijimisht vetëm ish-presidenti Sali Berisha dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Për këtë kanosje bashkëkombasi ynë i rendësishëm ka paralajmëruar si shkaktare dhe fajtore kabinetin aktual qeveritar dhe saktësisht kryeministrin Fatos Nano. Në një farë mënyre këtë përgjegjësi konkrete për prishjen e qendrueshmërisë së brendshme të vendit e gjen tek qeveria edhe analiza e zotit Lipponen. Fragmenti i formuluar në raportin e tij analitik është fare i qartë: \"Duke patur parasysh rritjen e shpejtë të popullsisë dhe normën e lartë të inflancionit, ka një rrezik të mundshëm për trazira të reja shoqërore dhe politike\".
Ndërkohë duke qënë se fjala \"destabilizim\" është e shumëpërdorur në fjalorin politik apo propogandistik të ish-presidentit (si edhe të politikanëve të tjerë, përfshi disa herë edhe të vetë kryeministrit Fatos Nano), konsumuar veçanërisht në prag fushatash zgjedhore, të paktën për këtë arsye nuk duhet parë me skrupulozitetin e deklarimit të autoritetshëm të një analisti apo sociologu. Pra duhet marë me rezervë të madhe. Mirëpo ajo e Ambasadorit Lipponen nuk vjen prej ndonjë nevoje të tillë. Ai dhe misioni i OSBE-së në Tiranë, një nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare si edhe një investitor i pakursyer për stabilitetin e Shqipërisë, edhe në rast se parashikohet që reduktimi t\'i shkojë gjer në mbyllje, nuk mund të bjerë prehë e egoizmit të vogël se me një shpallje të tillë kërkon të justifikojë qendrimin e mëtejshëm. Do të ishte një ngjarje tronditëse trafikimi i kësaj fjale për një popull, të cilit gjer tani i je kushtuar me mish e shpirt. Patjetër do të përbënte edhe një skandal të madh diplomatik. Arsyetimi ynë duhet të shkojë më gjakftohtësisht në arsye të tjera, më së pari në idenë se veç nga prova të pakundërshtueshme misioni i lartë ka arritur në konkluzionin se në horizont të vendit tonë po shfaqet një ciklon i rendë social dhe politik. Një Ambasador dhe stafi i tij, veçanërisht kur kanë stazhin dhe përvojën e përparuar të analizës, janë më shumë se një institut gjeostrategjik. Mjafton ta lexosh vetëm njëherë këtë raport për të kuptuar se ke të bësh me profesionistë seriozë.
Prandaj një nga \"çelsat\" për të kuptuar argumentat që konfirmojnë kanosjen e një tërmeti të ardhshëm shoqëror dhe politik në Shqipëri janë vetë dy shkaqet që formulohen drejtpërsëdrejti dhe pa asnjë mëdyshje nga raporti: rritja e shpejtë e popullsisë dhe norma e lartë e inflancionit. Çdo hetim i të gjithë analizës së bërë nga misioni i lartë i OSBE-së nuk të jep asnjë provë tjetër. Nuk mund veç të shqyrtojmë ofertën që është bërë: destabilizimi i mundshëm i vendit tonë parashikohet të vijë nga rritja e shpejtë e popullsisë dhe norma e lartë e inflancionit.
Argumenti i parë, nuk mund ta thuash veç me keqardhje, është sa fëminor aq edhe absurd. Ne nuk kemi asnjë rritje të shpejtë të popullsisë, në të kundërt, kemi një pakësim konstant të lindshmërisë. Mpakjen tonë demografike e ka renduar edhe emigracioni, i cili akoma vijon të jetë intensiv. Aktualisht brenda hapësirës së kufijve shtetërorë kemi më pak banorë se në vitin e vështirë e të uritur 1990, çast kur diktatura nisi të shembej dhe shqiptarët të merrnin rrugët e botës. Shpërthimi i bashkombasve tanë në verë të këtij viti me \"pushtimin e ambasadave\", nuk vinte nga ndonjë faktor demografik. Nga kjo rrethanë nuk u përcaktuan edhe episodet e tjera të mëpasshme. Do të ishte e papranueshme për të gjithë ne të deklaronim tani, në vitin e trembëdhjetë të hapjes së Shqipërisë, se ajo që ndodhi nuk ishte një revolucion demokratik, pra politik, por një dukuri e pajtueshme me logjikën e Maltuzesë.
Ndërkohë rrethana që lidhen me ndonjë rritje të popullsisë nuk kanë influencuar në asnjë nga rastet, kur përgjatë të gjithë viteve të pluralizmit Shqipëria ka hyrë në periudha paqendrueshmërie të brendshme apo ka rrëshqitur deri në prag të tyre. Duke e përjashtuar kështu elementin demografik, pra shtimin e shpejtë të popullsisë si një bombë e mundshme sociale, por duke mos dashur të jemi kategorikë me një argument që raporti i fundit i Prezencës së OSBE-së në Tiranë e rreshton të parin në vetëm dy që, sipas tij, provojnë destabilizimin e pritshëm, bëjmë edhe një hipotezë tjetër: Mos vallë hartuesit e analizës së gjendjes aktuale në Shqipëri e kanë fjalën për rritjen e shpejtë numerike të banorëve të Tiranës, pra të kryeqytetit, pikës më nevralgjike të vendit, atje ku gjenden edhe të gjitha institucionet e Shtetit, televizionet, ambasadat, deri edhe aeroporti? Mos hartuesit e raportit nënkuptojnë si faktor të mundshëm destabilizimi kryesisht periferinë e saj në mbipopullim, të quajturën Bathore? Jo shumë larg në kohë, tre-katër dyzina ditësh më parë, një protestë e saj e ashpër e mbuloi repartin e specializuar të policisë me re gurësh dhe la shijen e hidhur se një provë e dytë force mes shtetit dhe pararojës agresive të të zëmëruarve do të përfundonte në mënyrë të sigurtë me fitoren e këtyre të fundit. Edhe për syrin e një të huaji nuk kanë kaluar pa marrje fryme këto skuadra sulmuese të Bathores, të cilat më pas ngulmuan në çarjen e murit trupor të policisë në urën që ndante qindra të revoltuar me hyrjen në qytetin e Tiranës. Skuadrone të tilla nuk patën peshë të vogël në ngjarjet e 13-14 shtatorit 1998, sidomos në plaçkitjet e dyqaneve në qendër. Ato mund të hamëndësohen se do të ndikonin po kaq rendë në një vërshim proteste të pakontrolluar dot drejt brendësisë së Tiranës (në raport ky referim është i dukshëm me frazën \"Demonstratat e kohëve të fundit ishin shumë afër daljes nga kontrolli i forcave të policisë dhe përhapjes në zona të tjera, duke treguar se mënyra e vjetër e daljes në rrugë për të kërkuar zgjidhje ekziston ende\"). Periudha e ridestabilizimit, të paktën në imazhin e përcjellë nëpër ekranet e televizioneve të huaja, do të ishte peshërendë edhe sikur të zgjaste vetëm disa minuta. Atëhere a mund të ngjasë realisht, i ardhur nga Bathorja, një shpërthim i tillë i rrufeshëm i paqendrueshmërisë së kryeqytetit dhe për rrjedhojë edhe i vendit? Dyshojmë në këtë mundësi, argumentat kundërshtuesë janë disa. Më 1998 skuadronet e ekstremistëve që vinin nga kjo pjesë gjeografike e Tiranës, por të mbërritur edhe nga pjesë të tjera të vendit, i vuri në lëvizje politika. Pesë vite më pas, më 2003, politika sërish e irritoi Bathoren nga njëra anë me plogështinë e shumicës për t\'u zgjidhur hallet më urgjente dhe ngacmimit të pakicës për t\'i mobilizuar kundër qeverisë. Por kësaj rradhe as opozita nuk e kapërxeu shumë \"vijën e kuqe\" të daljes së protestës jashtë kontrollit, kabineti qeverisës veproi me shpejtësi, Presidenti ndërhyri energjikisht në mbrojtje të ligjit dhe stabilitetit të vendit. Në ndodhtë më pas që për nevojat e fushatës së nxehtë zgjedhore kjo dukuri të përsëritet, nuk do të jetë veç një variant i të porsandodhurës, në mos për shumë arsye edhe më i mbajtur nën fre. Bathore që me inisiativën e dëshirën e vet do të sulmojë e plaçkitë Tiranën nuk do të ketë dhe nuk do të guxojë kurrkush politikan ts hedhë.
Në kërkimin e faktorëve ndikuesë për destabilizimin e ardhshëm, sipas raportit të fundit të Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, nuk mbetet veç dhe vetëm i dyti: norma e lartë e inflancionit. Kjo do të thotë se pritet që shqiptarët, për shkak të një norme të lartë të prishjes së vlerës së Lekut, të pësojnë një \"krak\" financiar, një faliment të kursimeve të tyre në banka dhe për shumicën e popullit, e cila jeton me të ardhura të vogla, një varfërim i shpejtë, deri në uri. Kjo situatë, po të ndodhë, krijon kushtet e një proteste masive dhe që hartuesit e raportit të misionit të OSBE-së në Tiranë, e konsiderojnë pa hezitim se menjëherë do të jetë revoltë e do të dalë jashtë kontrollit, duke e zhytur vendin në anarki. Në këtë arsyetim duket qartë se në konkluzonin e miqve të huaj dhe dashamirës të sinqertë të një fati më të mirë të Shqipërisë rendon pamja e vitit 1997. Për fat të keq ky imazh do të na ndjekë për shumë e shumë vite të tjera nga pas dhe nuk është e lehtë të shkulet nga modelet shtampa të disa gazetarëve apo vëzhguesve të huaj. Mirëpo shqiptarët e dinë se ai nuk do të përsëritet, ato faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që influencuan në formimin e atij cikloni shkatërrimtar nuk veprojnë më. Nuk ka mbetur qoftë edhe njëri nga ata që e ndezën gjendjen, as e quajtura Fajde, as kokëfortësia e mosarsyeja e thirrur Autoritarizëm, as kapsolla e antishqiptarit të egër Sllobodan Millosheviç, as fitili i abuzivizmit të pafre të ushtrimit të Politikës përtej rënimit të rendit të brendshëm, as fuqia dhe interesi i mafies ndërkombëtare në territorin tonë gjeografik.
Në këtë rrethana, edhe të ndodhë ndonjë \"krak\" financiar i shqiptarëve, eksplozivi i zemërimit do të mbesë pa fitil. E para që nuk do ta shtyjë ngjarjen gjer në një përsëritje të dhimbshme të 1997 do të jetë opozita, fjalët inkurajuese për të cilën në raportin e fundit të Prezencës së OSBE-së, janë të merituara. Ato nuk përbëjnë pjesë të ndonjë hipokrizie \"diplomatike\" apo dëshmi të ndonjë \"pazari\" se zoti Lipponen dhe bashkëpunëtorët e tij e tejlavdërojnë pakicën për shkak se janë të fyer nga dëshira e shprehur e shumicës për t\'i rikthyer ata në Vienë. Përmirësimet në sjelljen e opozitës janë përshkruar në mënyrë reale, nuk është pak që agresivja e djeshme në rrugë po e shfreh atë vetëm me fjaltoren e Kuvendit. Ka disa dëshmi që në një destabilizim të hamëndësuar të Shqipërisë opozita nuk do të ketë dorë. Disa muaj më parë, kur ndonjë medie e djathtë apo nga ato që pëlqejnë papërgjergjësinë, nisi me ngut të përhapë lajmin diversiv se Banka e Kursimeve po falimentonte dhe se nuk kishte në kasafortat e saj para veç për pak ditë, një frenim nxitjes provokative për daljen e gjendjes sociale jashtë kontrollit nuk e dha vetëm qeveria, Presidenti apo ambasadori i SHBA në Tiranë, por edhe vetë Sali Berisha.
Sidoqoftë nuk pritet asnjë \"krak\" financiar i kursimeve të shqiptarëve, edhe vetë raporti i OSBE-së nuk paraqet ndonjë provë apo shifër të tillë. Ai vetëm shprehet se \"Pas një rritjeje të inflancionit në 5,4 % në vitin 2002, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka paralajmëruar së fundmi për një rritje të re të inflancionit si rezultat i shpenzimeve publike të paplanifikuara për shkak të fushatës zgjedhore\". Kaq është shumë pak për të qënë argument i një lajmi kombëtarisht kaq ogurzi. Në 1997 për disa muaj rresht banka të tëra u sulmuan e plaçkitën, aktiviteti prodhues i vendit ra në zero, ndërkohë njerëzit merrnin rrogat dhe inflancioni i lekut mbeti në kufij të durueshëm. Në këtë gjendje Shqipëria shkoi drejt ristabilizimit. Nuk duhet të harrojmë po ashtu se në këtë gjysmë të dytë të vitit fillon ekzekutimi i vendimit të qeverisë për rritjen 10-20 përqind të pensioneve, se një rritje të tillë përfshiu punonjësit e rendit publik, punonjësit e Sherbimit të Jashtëm në përfaqësitë tona jashtë shtetit dhe se nuk do të vonojë edhe një rritje reale e pagave të buxhetorëve. Në fund të fundit dollari u zhvlerësua 20 perqind dhe gjithkund nuk ndodhi asgjë. Ca më pak do të ndodhë ndonjë qamet tek pjesa më e madhe e shqiptarëve, të cilët për shkak të mirorganizimit të jetës së tyre nëpërmjet emigracionit, në banka, kuleta apo nën jastëkë, kanë më shumë euro e dollarë se lekë. Në rentë njeri është tjetri.
Autori i këtyre rradhëve, duke e botuar në vetëm një gazetë, mund të mos jetë i saktë tek shpall idenë e argumentat e tij se periudhat e paqëndrueshmërisë së Shqipërisë janë mbyllur dhe se po shkohet drejt forcimit të ngadaltë e të sigurtë të stabilitetit, por kjo nuk i bën dëm kurrkujt. Demtimi i një vendi vjen kur shpallet pa argumenta të plotë, të shumtë dhe bindës e kundërta: kriza e pritshme e paqendrueshmërisë së tij. Konkluzioni i rendë, në rast se nuk u konsumua në një dialog të rezervuar me qeverinë, asaj që çdo popull, për sa kohë i jep mandatin, i ka besuar minimalisht stabilitetin e rendit publik dhe sigurinë e tij fizike dhe materiale, mund të thuhej miqësisht në çdo palë tjetër shqiptare: tek opozita, në parlament, tek Presidenti, në një takim me partitë politike, në një konferencë, në një televizion apo gazetë. Vetë heshtja e një miku që të ka bujtur në shtëpi për të të ndihmuar, por që merakun e tij të madh e të rendë sa një shkemb se shtëpinë tende pas ca ditësh do ta përfshijnë flakët nuk ta thotë pranë vatrës, por gojëkyçur ikën dhe e zbraz me zë të lartë në oborrin e një shtëpie tjetër, dëshmon për një defekt të madh, të paktën etik dhe diplomatik, të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Një populli të dalë nga një diktaturë e rendë, i cili lirinë e tij si edhe çështjen e zgjidhjes së tij kombëtare, që nga mesi i vitit 90 deri në verën e 1999 e pagoi edhe me çmimin e rënies në paqëndrueshmëri, nuk i jepet shpresë me ogurkeqen shpallje \"ka rrezik destabilizimi\". Gazetat e shumta shqiptare që e njoftuan lajmin kobzi me titujt më të mëdhenj të faqeve të para (ato mund ta vinin në dyshim që atë çast kumtin e ardhur) më shumë se u nxituan dëshmuan se sa mesazh i rendë dhe tronditës është për shqiptarët kriza e destabilizimit. Ato, tek e dhanë alarmin, nuk u gëzuan, siç u vu re tek ndonjë deklarim i ardhur nga segmente të opozitës. Pikërisht një intelektual i dëgjuar i së djathtës, i indinjuar nga kjo ngarendje e çmendur e pseudolajmit të zi nëpër gazeta, tha i shqetësuar \"Shih tani se si do të gjallërohet krimi e do të shtohen aksionet e maskave të zeza!\"
Mirëpo pas ogurit të mallkuar për ne, shqiptarët, të krizës së afërme të destabilizimit social dhe politik, kaluan disa ditë të zakonshme dhe nuk u vu re asnjë revansh i krimit. Edhe krimi i rendomtë i rrugës e di tashmë kur një lajm përbën realitet apo është i shpikur. Kësaj rradhe ai e pa të arsyeshme të mos dilte nga strofkulla dhe të binte drejtpërsëdrejti në prangat e policisë.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com