Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Portat e “Shengenit Ballkanik“


Dita, 7 prill 2003

Në Shqipëri tashmë nuk ka vetëm një vullnet të klasës së saj politike, por është bërë vetëdijë kombëtare mendësia se nuk mund të ketë integrim të vendit tonë në Bashkimin Evropian pa realizuar hap pas hapi dhe paralelisht me idealin e mësipërmë edhe të një proçesi bashkëjetese të qendrueshme paqësore me vendet fqinj. Kohët e fundit nga analistë që vëzhgojnë zhvillimet tona të brendshme, është formuluar ideja se ky integrim nuk mund të nisë as nga Brukseli, as nga Roma, as nga Washingtoni, as nga Athina. Ai nis nga Tirana. Kjo logjikë mbart një të vërtetë të patundshme, e megjithatë në eurointegrimin tonë Tirana nuk mund të jetë vetëm, asaj i duhet edhe “kalimi” nëpër Uashington, edhe nëpër Paris e Berlin, edhe në Romë e në Athinë. Në mënyrë të detyrueshme eurointegrimi ynë “kalon” edhe nga Sofja, edhe nga Shkupi e Beogradi, edhe nga Prishtina e Podgorica, patjetër edhe nga Sarajeva apo Zagrebi. Nuk mund të shkohet drejt Brukselit me kuturisjen qesharake të psikologjisë “edhe i vetëm trim në luftë”. Ka një teori që ende qarkullon sot nëpër disa mjedise të caktuara të Ballkanit, sipas të cilës drejt përmbushjes së kushteve kryesore për të hyrë në Bashkimin Evropian, secili vend i rajonit tonë mund të shkojë duke plotësuar vetëm kriteret e tij të brendshme.
Në Shqipëri asnjë përfaqësuesi rilevant të politikës apo administrimit të qeverisjes nuk i ka shkuar në mend të mos pranojë se në BE hyhet me dinjitet edhe duke plotësuar disa kritere “të jashtrme”. Mbi të gjitha ndërtimin e raporteve konstruktive të bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe hapjes së vazhdueshme me vendet e popujt fqinjë. Në Tiranë një opinion i tillë ndihet shumë më dukshëm se në disa kryeqytete të tjera të Ballkanit, këtu ky mentalitet është më i qendrueshëm, dëshira më e fortë, bindja për ta kryer më e madhe, angazhimi real gati i përditshëm dhe jo pak rezultativ. Nuk do të ishte e tepërt të nënvizonim se në Sofje prej shumë vitesh ka lindur ideja e një Klubi Ballkanik, stimuluar nga një ish-president demokrat, por në Tiranë ka vite që ekspozohet para opinionit ideja e një Shengeni Ballkanik. Autor i saj është Fatos Nano. Në qendra të tjera të rendësishme të gadishullit ka ndjeshmëri pozitive për të gjitha llojet e integrimit të brendshëm ballkanik, por Shqipëria duket ndër më të avancuarat. Jo rrallë në këtë proçes vullneti i saj politik ka qënë aq i lartë sa prej vëzhguesve mediatikë apo edhe klasës së bisnesit, i kanë ardhur kritika për të patur një ritëm më të përmbajtur të hapjes ekonomike apo politike.
Ky realitet i ri bashkëpunimi ndërrajonal, vetëm trembëdhjetë vite pas rënies së Murit të Berlinit dhe shembjes së ideologjisë totalitare komuniste që sundonte e përçante pjesën dërmuese të gadishullit, nuk është arritur lehtë. Nuk duhet të harrojmë se pasbolshevizmin ballkanas, ndryshe nga vendet e tjera të ish-lindjes komuniste, e tronditën më pas edhe disa vite të përgjakshme konflikti ndëretnik, ndërsa zgjidhja e krizës së Kosovës nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s nuk u bë veç katër vite të shkuara. Pikërisht në këtë afat të ngushtë marrëdhëniesh rajonale të lenduara rendë politika e jashtme e Shqipërisë gjeti kurajë, forcë, largpamje, besim dhe energji për të mëkembur raportet me qeveritë e popujt fqinjë, veçanërisht të ish-Jugosllavisë, mbi të gjitha me Serbinë. Në këtë kuptim është në nderin e kulturës tolerante të shqiptarëve, të frymës liberale të elitës së saj politike dhe të klasës së intelektualëve, të drejtpeshimit, qartësisë dhe intensitetit të veprimtarisë diplomatike që në fillim të vitit 2003 ne mund t’i kumtojmë opinionit ndërkombëtar se Shqipëria jo vetëm nuk rreshtohet ndër vendet më të ngathët apo më të mëdyshtë për t’u integruar sinqerisht në Ballkan, por ndër rendësit e saj më të shpejtë. Kështu duhet kuptuar edhe aktiviteti i shtuar diplomatik rajonal i Zv.kryeministrit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Edhe intensifikimi i raporteve korekte me Beogradin. Nesër në kryeqytetin serb, edhe pse për një veprimtari ndërkombëtare, hyn miqësisht edhe Presidenti Alfred Mosiu.
Nuk ka pse paragjykohet apo shpërdoret për konkurim të brendshëm politik fakti se në raport me Beogradin ka aktualisht një intensifikim të vrullshëm të marrëdhënieve. Një politikë e jashtme konstruktive dhe që në finalen e saj inspiron integrimin europian nuk mund të lejojë “vakuume” privilegjimesh apo nënvleftësimesh palësh të veçanta. Ky rrezik i fundit mund t’i kanoste raportet me Serbinë, shtetin, i cili historikisht ka ndërtuar një qendrim antishqiptar, por që me fillesat e tanishme demokratike, pas largimit të Sllobodan Millosheviçit, shfaq në mënyrë konstante dëshirë për t’i rindërtuar demokratikisht këto marrëdhënie.
Strategjia jonë e integrimit në rajon duke e patur vështrimin tek fqinjët, busullën e orientimit nuk mund ta ketë veç në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, në Bruksel. Të gjitha hapat që Shqipëria ndërmerr në këtë afrim rajonal janë të sintonuara me këtë qendër të rendësishme zhvillimi dhe demokratizimi. Eshtë kjo njëra nga arsyet përse shqiptarët e përqafuan kursin e ri të integrimit me fqinjët pa dyshuar asnjë grimë në drejtësinë e tij. Populli ynë ka një prirje kombëtare shumëshekullore të aspiratës evropiane dhe nuk kishte motiv më të fortë besimi në integrimin rajonal se sa faktit që shpallja e këtij misioni iu dha nga familja e madhe e vendeve më të zhvilluara të kontinentit.
I gjithë pluralizmi shqiptar është i mbushur me ngjarje kuptimplote, të cilat dëshmojnë se politika e jashtme e vendit tonë çdo ditë e më shumë po shkon drejt një Ballkani të hapur dhe ku jo vetëm mallrat, por edhe kulturat e vetë njerëzit do të gjenden më lehtë dhe më shpesh tek njeri-tjetri. Të paktën kjo siguron, edhe pse ngadalë, të kuptohet në Shkup apo në Beograd se shqiptarët janë dashamirësit e këtyre popujve. Në Tiranë nuk duket se ndokujt i ka shkuar ndërmend të bëjë një anketë për të përcaktuar se për cilët nga popujt ne kemi mendim negativ. Por ky sondazh është bërë në Beograd dhe në rezultatet e tij nënvizohet se mes tre popujve të papëlqyer në botë nga shumica e serbëve hyjnë edhe shqiptarët. Strategjia e Shengenit Ballkanik synon që nesër në kryeqytetin serb të mos ketë tregues të tillë, të cilët parathonë jo lehtësim, por vështirësim të integrimit rajonal.
Projekti dhe oferta shqiptare e Shengenit Ballkanik i jep fund edhe tiradave të gjata të varianteve të bashkimeve rajonale sipas modeleve mbretërore, komuniste apo pluraliste që përgjatë më shumë se një shekulli janë shpërndarë nga disa qendra të rajonit. Shqiptarët e çdo bindjeje politike apo fetare tani e dinë fare mire se në tolerancën e projektit të politikanëve të tyre nuk ka asnjë lloj kulture për t’u bërë ndonjëherë qendra e Ballkanit. “Federatat” apo të gjitha llojet e bashkimeve të mëparshme kanë qenë dhelpëri grackash për të na vënë nën sundimin e fqinjëve “më të fortë”. Tani Shengeni ynë rajonal është një bashkim që nuk projekton triumfin e asnjerit, përveç të të gjithëve.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com