Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vizita lapidare e Pierferdinando Kazinit


Sot, 11 korrik 2003

Erdhi dhe iku brenda ditës së 7 korrikut. Pa kërkuar t’i bëhej zhurrmë propogandistike para se të vinte dhe duke mos u interesuar në do të kishte jehonë të posaçme pasi të largohej. Kështu ndodhi që masmedia shqiptare, mjaft e vrullshme për të ndjekur veprimtarinë e çdo funksionari të huaj në Tiranë, i bëri përgjithësisht një pasqyrim modest Kryetarit të Dhomës së parlamentit italian, Pierferdinando Kazinit. Madje pati ndonjë television që jo me të keq e kujtoi vizitën e tij në mbrëmjen e 7 korrikut nëpërmjet lajmit të zjarrit që ra papritur në selinë e Akademisë së Shkencave, pjesë e godinës së Kuvendit, ku edhe drejtuesi i ligjvënësve të përtej Adriatikut do të mbante një fjalë përshendetëse dhe respekti për kolegët e tij shqiptarë.
Ai iku dhe jehona e vizitës së tij në Tiranë nuk pati ndonjë “fat” më të shkëlqyer në median e vendit të vet, edhe pse u pasqyrua në masën e zakonshme që televizioni publik italian, Rai, përdor gjithnjë për vizitat e tij jashtë vendit. Në Romë ballafaqimi mes shumicës dhe opozitës përjeton aktualisht kuota të larta intensiteti dhe prania e Kazinit në Tiranë më shumë u përdor nga gazetarët italianë për të marrë reagimin e tij për ç’ka po ndodhte në kryeqytetin përtej detit.
E devijuar disi në Tiranë nga një vëmendje e kapulluar nga letargjia dhe në Romë nga shtjella e rrëmbyer e zhvillimeve të brendshme, edhe për shqiptarët, por edhe për italianët diçka mbeti pa u thenë e sidomos pa u ngulur në kujtesën e njerëzve. Pak ditë më parë pikërisht Raiuno, i cili për këtë vizitë e kishte më të kompletuar korespodencën informative nga Shqipëria, në mbrëmjen e vonë kishte transmentuar në emisionin Overland udhëtimin e grupit të njohur italian të karvanit të kamionave, të cilët bëjnë herë pas here udhëtime njohëse nëpër botë. Kësaj rradhe grupi i shoferave me kamera kaloi nëpër Shqipëri. Ishte një rast i mezipritur sepse në këtë botë të madhe nuk është e lehtë që marrshuti i karvanit të Overland të mund të bjerë nëpër hapësirën e kursyer të vendit tonë. Eshtë si të presësh një kometë kur të kalojë pranë planetit tonë. E megjithatë kur ky “fat” na ra, autorët modestë të tij, edhe pse dukej haptas që me zemër e paramendim donin të thonin disa fjalë të mira për Shqipërinë, nga mosnjohja apo viktimë e disa lajmeve të ekzagjeruara në vendin e tyre, nuk humbën rast që kur hynë në veri në Hanin e Hotit dhe deri sa dolën në Kapshticë, të vinin në dukje se territori ku po kalonin, ishte hapësirë e sunduar nga trafiqesh. Udhëtarët e Overlandit kaluan në Tiranë, thanë se nën merakun e kryetarit të saj të bashkisë qyteti po ndryshonte, por kamerat e tyre nuk përshfaqën asnjë pamje përveç godinës qendrore të Universitetit, siç dihet strukturë ndërtimore dhe stil i njohur italian i viteve tridhjetë të shekullit të shkuar. Një gjysëm minute për Tiranën, katër here më shumë për Vlorën. Këtu me shumë siguri u fol ngeshëm për trafikun e madh të klandestinëve dhe për skafet me udhëtarë ilegalë që çdo natë niseshin drejt vendit të tyre(!?)
Ishte Pierferdinando Kazini, i cili për opinionin shqiptar dhe atë italian deklaroi gjëra krejt të kundërta. “Vendi juaj shihet tashmë në një optikë të ndryshme në vendin tim, jo më si vend tranziti trafiqesh” tha ai në Tiranë dhe këtë gjë për të paktën dhjetë milionë shikuesë që është mezatarisht audienca edicionit të orës njëzetë të Tg1, e theksoi edhe korespodenti i Raiuno. Në kryeqytetin shqiptar Kryetari i Dhomës së parlamentit shkoi edhe më tej se kaq, shqiptoi frazën më vlerësuese, më inkurajuese, më dashamirësen dhe më të bukurën e thenë nga ndonjë funksionar i huaj i lartë deri tani, idenë lapidare se tashmë që Italia ka rradhën e drejtimit të gjashtëmujorit të dytë të Presidencës së Bashkimit Evropian do përpiqej ta propogandonte Shqipërinë si model të luftës kundër trafikut të klandestinëve. Pierferdinando Kazini në kontinentin tonë është edhe një europarlamentar i dëgjuar, po ashtu edhe një nga liderat e bashkimit evropian të partive të qendrës së djathtë. Propozimin e tij nuk kemi pse të mos e interpretojmë si një opinion që shkon përtej Romës.
Kryetari i Parlamentit italian nuk është aspak një natyrë e ekzaltuar, ca më pak fjalëlëshues i papërgjegjshëm. Deklaratat që ai bëri gjatë vizitës së tij në Tiranë, jo fort të mëshuara nga e gjithë media jonë, përbëjnë një lartësi të konsiderueshme të raporteve miqësore e të sinqerta mes Shqipërisë dhe Italisë, sidomos mes dy qeverive, marrëdhënie që kohë të shkuara u paragjykuan se do të përjetonin kriza për shkak të të qënit ndërtuar nga formacione partiake me kahje rivale politike Pierferdinando Kazini (jurist, demokristian që “fëmijë”, 28 vjeç për herë të parë deputet, pesë vite më vonë themelues e lider i partisë Qendra Kristrian Demokrate, i zgjedhur Kryetar i Dhomës së Deputetëve më 31 maj 2001) shpalosi në Tiranë edhe disa ide të tjera. Edhe pse ajo që shqiptoi më 7 korrik ishte më se e mjaftueshme për t’u nderuar si mik i madh i shqiptarëve, ai nuk u mjaftua vetëm me shkelqimin dashamirë të pohimit se vendi ynë nga plastdarmë e njohur e trafikut të qënieve njerëzore po përbënte një shembëll për vendet e Ballkanit. Ligjvënësi i njohur italian evidentoi edhe disa vlera të tjera të Shqipërisë, të cilat për shkak të problemeve dhe vështirësive të mëdha që kalojmë, ne vendasve nuk na duken si arritje. Kazini tha se “Shqipëria ka transmetuar së fundi mesazhin e një qëndrueshmërie të brendshme”, se ajo “po kontribuon në mënyrë efikase në stabilizimin e rajonit, përmes hovit të ri që i ka dhënë zhvillimit të marrëdhënieve me vendet fqinje” dhe se “Italia do të punojë me angazhim maksimal që edhe Shqipëria të mund të bëjë pjesë sa më shpejt në Bashkimin Evropian”.
Pierferdinando Kazini pasi vuri në kryeqytetin tonë këtë gjerdan fjalësh inkurajuese, u kthye në vendin e vet. Nuk kemi asnjë arsye ta arkivojmë këtë vizitë si një pjesë të rutinës tonë kombëtare. Njeriu që nuk bëri zhurrmë dhe ne që për shkak të stilit tonë protagonist nuk i dhamë dot për forcë zakoni rendësinë e duhur mediatike, është një model ekuilibri institucional në vendin e vet. Janë të tij frazat elokuente e fisnikërisht demokratike si “Eshtë e mundur dhe duhet luftuar me konseguencë për bindjet vetiake, por gjithmonë duhet kërkuar edhe për të gjetur një terren të përbashkët në të cilën shumica dhe pakica mund të flasin, të dialogojnë, të njohin dhe pranojnë diçka edhe tek kundërshtari më i rreptë”. Apo “Shumica e opozita janë thirrur nga populli për ta bërë më të fortë Republikën Italiane”.
Kristiandemokrati i shquar u kthye në vendin e vet, por la pas një mesazh, të cilin ne duhet t’ja kuptojmë vlerën universale: krahas kritikës të lemë pas dore edhe thënien e fjalës së mirë. Jo vetëm për një popull, komb apo shtet, ca më tepër kur ky përpëlitet mes vështirësive dhe përpiqet të dalë prej tyre, por edhe për një qeveri apo koalicion partish në qeverisje. Pierferdinando Kazini e bëri vizitën e tij në Shqipëri në motin e zakonshëm të mohimit të gjithçkaje që këtu vijon përditë duke na shkatërruar po përditë atë pak “mur” të jetës personale dhe publike që ngrejmë. Ai erdhi dhe iku mes vetpërbaltjes sonë të madhe, përmes pështymës së hedhur me bollëk para të gjithë mikrofonave e kamerave televizive. Erdhi dhe iku mes lajmeve të kronikave të zeza që kanë përmbytur ekranet dhe po vrasin përditë shpirtrat tanë të lenduar prej dekadash, ai u kthye në vendin e vet të begatuar mes dyshimit tone të përgjithshëm dhe kangrenë se ne nuk do të bëhemi ndonjëherë të rigjeneruar në atë përmasë sa të pranohemi pa ndonjë pendim nga Bashkimi Evropian.
Dikush nga mediat u kujtua për Pierferdinando Kazinin, autorin e frazës lapidare se Shqipërisë i takon të propogandohet si model në rajon i luftës kundër trafikut të klandestinëve, vetëm sepse ra një zjarr i beftë në selinë e Akademisë së Shkencës, pjesë e godinës së Kuvendit Popullor. Një zjarr e tym i tillë para ca kohësh e kishte pritur në Rinas edhe ministrin e Brendshëm italian, Xhuzepe Pizanu, njeriun që në vendin e vet respektohet shumë nga opozita për përgjegësinë e tij institucionale. Siç dihet avioni i tij u detyrua të bënte dhe një rrotullim tjetër mbi aeroport e pastaj, pasi të garantohej nga kjo marrëzi mesjetare e ndodhur poshtë, të mund të ulej e kryente vizitën e rendësishme zyrtare. Edhe Pizanu para shqiptarëve foli pozitivisht për luftën e tyre kundër trafikut të qënieve njerëzore.
Sigurisht të dy këto zjarre për dy nga funksionarët më emërmirë italianë nuk kanë qënë të qëllimtë, madje le t’i interptetojmë se kanë qënë “për të mos i marrë mësysh”.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com