Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiperia, ky protektorat zgjedhor

Sot, 18 tetor 2003


Ballafaqimet elektorale, ngjarje të rendësishme dhe të pazëvendësueshme në një shoqëri që inspiron demokracinë, janë po aq edhe situata sëmundshmërie për pjesëmarrësit e saj më aktivë, politikanët. Ritmi frenetik, intensiteti i pazakonshëm i zhvillimit të dinamikës së ngjarjeve dhe befasia e shpeshtë e tyre, shkalla e lartë agresive e sulmit që vjen nga rivalët dhe media e qarqet e forta të lidhura me ta, intrigat nga brenda bashkëpartiakëve apo edhe bashkëpunëtorëve, akthi i pritshëm e raskapitës i rezultateve, pasojat që prej humbjes së mundshme mund t’i vijnë në karrierë e sidomos në privilegje, i lodhin dhe i dobësojnë politikanët psikologjikisht. Ja përse gjithnjë në raste betejash zgjedhore diçka u falet, qoftë ky fjalor i pamatur, ton panevojshmërisht i lartë, akuza të palogjikshme, shprehje e pakontrolluar e entuziazmit, shfrim i pafre zëmërimi, shpërthime manish si vetpëlqimi dhe deliri i më të mënçurit. Në këtë kontekst politikushtruesve u konsiderohet edhe si “ethe gripi” deliri i fitimtarit. Që të gjithë ata, që kur hyjnë në një studio debati televiziv e deri kur ndërmarrin konkurencë elektorale, në hyrje dhe në mbyllje të tyre, janë të tejngarkuar me ndjesinë e ngadhënjimtarit të padiskutueshëm.
Si pjesë kryesisht e këtij deliri mund të interpretohen në mbrëmjen e 11 tetorit shkulmet e papushuara të fishekzjarrjeve në Tiranë, në përmbyllje të mitingjeve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Një praktikë e tillë elektorale mbetet e padëgjuar për një vend me zhvillim normal demokratik dhe nuk është gjë tjetër veç një mënyrë e tërthortë jo vetëm për presion psikologjik mbi kundërshtarin, por edhe një mjet dënglaxhi për të mbytur ankthin e pasigurisë së rezultatit zgjedhor. Hedhja e atyre fishekzjarreve të pafund nëpër qiellin e kryeqytetit shqiptar, e denjë për çdo festë kombëtare (pershembëll për 19 tetorin, ditëlumturimin e Nënë Terezës), por jo e nevojshme dhe e merituar për ndonjë parti politike, të nesërmen u shoqërua me një Tiranë pothuaj rrugëzbrazët. Kontrasti ishte i thekshëm, jo ogurmirë. Njerëzit e thjeshtë, ai që thirret me fjalën e bukur popull, i mësuar tashmë me më të vështirën në një shoqëri të sapohapur, fazën e egër të ekonomisë së tregut, ende ka ndjenjën e lemerisë nga zgjedhjet, ngjarjen shoqërore që normalisht kudo e konsiderojnë si më të thjeshtën dhe më pak problematiken. Mirëpo kjo ditë vazhdon të mos jetë e tillë për ne, shqiptarët në mes të Evropës. Secili prej nesh, ndërgjegjshëm apo në mënyrë subkoshenciale, ditën e hedhjes së votës përfshihet në ankthin e pritjes së incidenteve të dhunshme, shmang lëvizjet e tepërta nëpër rrugë, anullon shëtitjen e zakonshme të së dielës, shkon të votojë, bën shpejt e shpejt ndonjë pazar të vogël në tregtoren më të afërt dhe mbyllet në shtëpi. Siguroj lexuesin se prej kësaj përvoje dhe siptome, në rast se të dielën në pasmesnatë nga ndonjë seli partie do të hidheshin fishekzjarre fitoreje, të gjithë ata që nuk do të ishin ato çaste apo delnin në dritare për të parë qiellin, do t’i merrnin menjëherë për të shtëna armësh e përleshje në qendër të qyteteve të tyre.
Me sa duket do të duhet mjaft kohë që dalngadalë të na shuhet vetëndjerja se, ndërsa hedhjen e votës e kryejmë lirisht, madje hedhim në qiell edhe fishekzjarre, kur vjen koha për t’i numëruar ato dhe secili konkurues të marrë pjesën e vet, klasa politike do të përfshihet në një zenkë kaq të madhe, nervoze, gojëlëshuar e gjuhëkanosëse sa jo vetëm shoqëria do të ndihet nën stres dhe zgjedhësit tejet të fyer, por do të rrezikohen nga paqendrueshmëria edhe institucionet themelore të shtetit. Një psikozë të tillë e kishte përfshirë një koleg ndërsa botonte në një të përditshme shumë të lexuar shkrimin “A do të përsëritet 1997?”
Ndërkohë duke filluar nga ora 19.00 e së dielës së shkuar sërish dukuria e përsëritur e katrahurës së fushatës elektorale po shpërndan përreth një përshtypje akoma më të rendë se më parë, kjo sepse trazira vizualisht duket më e madhe dhe më kërcënonjëse nga që kontraston shumë fort me pjesën e parë të qetë e të kulturuar të saj. Këtë fakt të fundit e pohojnë tashmë pa hezitim të gjithë, jo vetëm në Tiranë ballafaqimi zgjedhor ishte modern dhe tolerant. Madje ai jo vetëm në kryeqytetin shqiptar i përmbushi të gjitha standartet evroperëndimore, por edhe i tejkaloi ato. Suksesi i medias, korektesa e Policisë dhe Shërbimit Informativ Kombëtar, dy mëkatarëve të vjetër të lirisë së zgjedhjeve shqiptare, e konfirmojnë progresin. Veç gjithçka në këtë sjellje mjaft të virtutshme të shoqërisë sonë ndryshoi, duke u përmbysur kokëposhtë. Opozita, duke denoncuar fort skandalin e listave, një e metë e rendë dhe e patolerueshme për të gjithë piramidën e komisioneve zgjedhore, shkoi më tej: nuk njohu rezultatet në Durrës dhe Tiranë. Pra në brezmetropolin më të madh të vendit, në këtë hapësirë qytetare më të zhvilluar ekonomikisht, ku humbja dhe fitorja gjëmojnë fort. Mosnjohja këtu politikisht dhe moralisht në simbolin e vet është mosnjohje e të gjithë proçesit elektoral në Shqipëri.
Pas trembëdhjetë vitesh jete pluraliste dhe në prag të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit me Bashkimin Evropian, kjo që po ndodh tek ne përbën jo vetëm një hap prapa, por edhe një skandal. Edhe ogur të keq. Edhe dëshmi se ndërsa shqiptarët duan shpirtërisht të hyjnë në bashkësinë e eurovendeve të zhvilluara të kontinentit, klasa e tij politike, thjesht për arsyen banale dhe egoiste se nuk ka raporte të sinqerta e plotësisht demokratike me pushtetin dhe mënyrën e ushtrimit të tij, se nuk dëshiron të mirëkuptojë në mënyrë qytetare fitoren apo humbjen e përkohshme në pluralizëm, e tërheq zvarrë prapa vendin e saj. Mesa duket fushata zgjedhore e 12 tetorit me fishekzjarret e vet do të citohet për shumë kohë jo vetëm si një rast hipokrizie, por edhe kanosjeje përherë në potencë për fatin e demokracisë në Shqipëri. Në lindjen paskomuniste kjo që ciklikisht po ngjan në Shqipëri nuk ka ndodhur as në realizimin prej tyre edhe të zgjedhjeve të para pasdiktatoriale, jo më në vazhdim. Një situatë e tillë jonormale ka bërë që OSBE, e cila disa kohë më parë u diskutua të mund të thjeshtojë e ulë praninë e vet në vendin tonë (si shenjë përparimi dhe konsolidimi demokratik), të bëjë të kundërtën: të ruajë një prezencë në dimensione si në vendet e pazhvilluara në krizë të plotë territoriale, shoqërore, ekonomike dhe politike.
Kjo do të thotë as më shumë dhe as më pak se Shqipëria do të vijojë të jetë një “protektorat” i saj zgjedhor.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com