Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur flet Ministria e Jashtme

Shekulli, 16 tetor 2003



Ngjarje që po zhvillohen me një intensitet dhe natyrë mjaft komplekse në kufirin me Greqinë apo sëfundi edhe në Himarë përgjatë ditës zgjedhore të 12 tetorit kanë krijuar në opinionin tonë nevojën për të reaguar nëpërmjet protestës ndaj autoriteteve qendrore të vendit fqinjë. E gjithë shoqëria shqiptare u ndje e revoltuar kur policë grekë të zonës kufitare të Kosturit keqtrajtuan dy emigrantë, njerin prej të cilëve e kishin rrahur dhe dhunuar aq shumë sa në spitalin e qytetit të Elbasanit e operuan duke i hequr shpretkën. Me gjithë denoncimin që ngjarjes ja bëri e gjithë media shqiptare dhe në një çast të caktuar ndërhyri edhe Ministria e Punëve të Jashtme, qetësimi i përkohshëm i situatës në këtë segment të kufirit me Greqinë nuk zgjati shumë. Në përdhunën e dytë të një grupi ushtarësh grekë një emigrant shqiptar u vra, duke shenuar kështu një rast tepër të rendë jo vetëm të parimeve që ndërkombëtarisht rregullojnë të Drejtat Themelore të Njeriut, por edhe raportet mes dy popujve dhe vendeve. Edhe kësaj rradhe opinioni dhe media nuk munguan të protestonin fort për ato që po ndodhnin. Në një çast të caktuar ndërhyri edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Herën e tretë, më 12 tetor një grup huliganësh të identifikuar me emër dhe mbiemër e të gjitha të dhënat e nevojshme, nga media jonë edhe me fytyrë, jo vetëm valvitën me qëllim fyes flamujt grekë apo hodhën parrulla antishqiptare, por bënë edhe më të padurueshmen: i treguan gishtin e mezit vendit e popullit tonë, duke pështyrë fjalët “Shqipëria-Al Kaeda”. Edhe kësaj rradhe në pararojë të mobilizimit për t’i denoncuar e bërë të mbrapsen ishte media dhe ajo pjesë aktive e opinionit, ku mes të tjerëve rreshtohen politikanët, intelektualët, njerëzit e kulturës dhe publicistët Edhe në këtë rast të tretë Ministria e Punëve të Jashtme do të reagojë në një çast të caktuar, ndoshta edhe paralel me kohën kur ky shkrim shkon drejt redaksisë për t’u botuar.
Natyrshëm lind pyetja: Përse nuk reagon e para MPJ?
Këtë ngulëkembje të sinqertë e kanë edhe shumë operatorë e opinionistë të kualifikuar të masmedias, ajo gjendet mjaft e përhapur edhe mes njerëzve të thjeshtë. Prej kësaj bindjeje, që rrjedh nga patosi i çiltër atdhetar për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e vendit dhe jo prej ndonjë manipulimi për nevoja të luftës së brendshme të politikës, ka nisur të shtrihet e marë dalngadalë qytetarinë ideja se Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë jo vetëm është e ngathët dhe apatike, moskokëçarëse për fatin e shqiptarëve nëpër dhera të huaj, por edhe servile e autoriteteve zyrtare greke.
Me sa duket diçka duhet të sqarohet dhe mirëkuptohet mes opinionit dhe Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Dhe më e para e të gjithave në këtë kembim të hapur mendimesh është të pranojmë se qortimet, kritikat apo presionin që opinioni dhe zëdhënësja e tij e fuqishme, media, bën mbi MPJ duhet ta konsiderojmë vepër të lavdërueshme dhe mision të saj jetik. Kurrkush në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk ka shkuar ndonjëherë ndërmend se duke patur përballë median apo opinionbërësit e saj ka keqdashës dhe mohues të punës së vet. Për një fakt shumë të gëzueshëm kujdesi dhe korektesa me të cilën shumë televizione dhe të përditshme trajtojnë të dhënat e kursyera (për shkak të natyrës së rezervuar të Shërbimit tonë), që ne bëjmë të ditur për opinionin publik, përbën rastin e favorshëm për t’i shprehur medias mirënjohjen.
“Vonesat” apo gjetja e momentit të duhur kur Ministria e Punëve të Jashtme flet, si përshembëll në rastet e sipërcituara të incidenteve, ka të bëjë me rolin e saj delikat të ushtrimit sa më profesional dhe të efektshëm të diplomacisë. Shumë të dobishme për të ekuilibruar raporte mes opinionesh apo edhe qeverish të dy vendeve të ndryshme janë jo vetëm artikujt e gazetave, por edhe një “kokëkrisje” atdhetarësh të revoltuar që shkojnë për të manifestuar paqësisht në Himarë. Porse diplomacia nuk është as turmë zëmërake, as miting, as editorial gazete, as parti, as dënesë të afërmish kur sheh të dhunuar nga shkelmat e çizmeve apo edhe nga plumbat e armëve birin e saj. Ajo duhet të jetë larg të gjitha emocioneve, duke i përballuar heshturazi ato, që të mund të reagojë në mënyrë serioze dhe vendimtare. Kur hyn në ballafaqim gazeta apo radio e tv ka hyrë opinioni, një faktor shumë i rendësishëm, por kur ndërhyn Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërhyrë Shteti. Kur ndërhyn e komenton media, edhe në rast se në një fakt apo shprehje gabon, të nesërmen mund ta kapërxejë gabimin me një “korrigjim shtypi” apo botimin e një shkrim tjetër me të vërtetën e ngjarjeve. Por po e përhapi në eter një fakt apo shprehje të gabuar MPJ shumë vështirë të kthehet mbrapsht pa patur pasoja apo lendime të renda në të gjithë raportet me një shtet tjetër. Një Sherbim i Jashtëm i tillë do të ishte i dështuar dhe përherë e vënë “me shpatulla për muri” nga çdo diplomaci rivale. Për pasojë e padobishme për vendin e vet.
Kur bashkëqytetari ynë emigrant hyri në sallën e operacionit për fat të keq MPJ dinte aq sa kishte kumtuar media. Kjo për arsyen e thjeshtë se i keqtrajtuari nuk kishte kaluar në postën kufitare e atje të bënte denoncimin, gjest që do të shkaktonte doemos ngjitjen e depërtimin e këtij informacioni në zyrat e larta të Shtetit, por thjesht kishte kapërxyer trarin e vrapuar me ankth për në shtëpinë e tij. Mirëpo sapo ngjarja u bë e njohur Ministria e Punëve të Jashtme veproi sa më shpejt të ishte e mundur: u kërkuan paralelisht nga qendra spitalore e Elbasanit të dhëna të shkruara e të argumentuara nga se i ishte krijuar demtimi të dhunuarit si edhe informata të plota rreth hetimit që i ishte bërë ndodhisë nga Ministria e Rendit Publik. Kështu u sigurua edhe fakti, i mirëkonfirmuar edhe nga burime të tjera, se rrahja ishte bërë jo nga persona të tjerë, por nga një numër i kufizuar kufitarësh grekë, në një kohë dhe vend të caktuar. Me këto fakte të siguruara u thirr në selinë e MPJ-së e Ngarkuara me Punë e Ambasadës, e cila nuk mund të reagonte ndryshe veç me pranimin e asaj që kishte ndodhur dhe zotimin se personat fajtorë do të hetoheshin e gjykoheshin nga drejtësia e vendit të saj. Kur ndodhi vrasja po ashtu MPJ, e cila kësaj rradhe lajmin e kishte marë nga strukturat e Shtetit, sërish nuk qendroi soditëse, por veproi. Nuk ishte e lehtë kësaj rradhe që të grumbulloheshin me shpejtësi të dhëna të provuara se bashkëqytetari ynë ishte vrarë jo nga duar të tjera, por saktësisht nga ushtarë grekë. Sërish në selinë e MPJ-së, në zyrën e një funksionari të saj shumë të lartë, u thirr e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Republikës Greke në Tiranë, diplomati i parë i kësaj përfaqësie në mungesë të Ambasadorit. Tonet e protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme kësaj rradhe ishin shumë më të larta se në rastin pararendës. Edhe reagimi i palës greke me një kërkim ndjese akoma më të thellë. Herën e dytë efekti i veprimit diplomatik të matur, por të vendosur shqiptar, të mbështetur nga opinioni publik dhe media, depërtoi aq shumë sa vetë Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Papandreu, i kërkoi falje në një takim pune në Athinë Zv.kryeministres dhe Ministres së Integrimit Ermelinda Meksi.
Nuk mungoi, i provuar dhe rezultativ, edhe deklarimi i MPJ për rastin e Himarës, kësaj rradhe duke vendosur në qendër të verifikimit njoftimin e agjensisë Frans Pres për përmbajtjen e deklarimit të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Panajotis Beglitis. Pasi verifikuan në burim, në AFP, vërtetësinë apo jo të këtij lajmi, Sherbimi i Jashtëm vuri menjëherë në lëvizje Ambasadorin në Athinë, Bashkim Zeneli. Ky kërkoi një takim në MPJ e shtetit fqinj dhe mori prej saj zyrtarisht mohimin e një deklarate të tillë. Mbrëmë në orën 17.00, nëpërmjet një konference shtypi, u bë i ditur edhe qendrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Po të ndodhte ngutja e denoncimit, pa verifikim zyrtar, të deklaratës së zëdhënësit grek, do të ndodhte gabimi i kryer dhjetë vite më parë me incidentin e njohur të Peshkëpisë, kur në vend që kundërveprimi diplomatik të kishte si shenjë organizatën terroriste MAVI, iu sul autoriteve zyrtare të Athinës. Kjo edhe sepse u shpejtuan nën emocione “patriotike” dhe e shpallën qendrimin duke patur si provë vetëm faktin që vrasësit e dy ushtarëve shqiptarë kishin patur uniforma greke, ndërsa këto të fundit shiteshin me dengje në tregtoret e qyteteve helene. Më pas Tirana e koregjoi qendrimin e saj, por si atëhere ashtu edhe sot, të paimunizuar nga gabimet, diplomacia është mirë të kujtojë rregullin e saj të rreptë “mos e thuaj të parën fjalën e fundit”.

Ylli Polovina

Punonjës në Sherbimin e Jashtëm Shqiptar






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com