Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Qiriri i ndezur te koka e Shtetit

Sot, 22 gusht 2003

Kanë kaluar ditë që nga ai çast, kur një nga politikanet më aktive të viteve të fundit, Jozefina Topalli, dha një konferencë për shtyp dhe zgjodhi, më shumë se fjalët, elokuencën e një qiriri të ndezur mbi podin kur mësynin mikrofonët dhe kamerat e medias. Stilikisht gjetja ishte e bukur, në veprimtarinë e saj ajo do të shërbente edhe si një kompensim apo gjest ekuilibrues për një dalje tjetër të saj para opinionit, ku i kërkoi Presidentit Alfred Moisiu të ndërhynte e zgjidhte një situate kronike debati të brendshëm të Partisë Socialiste nëpërmjet një metode radikale: privimin e shumicës nga e drejta e qeverisjes dhe ngritja e menjëhershme e një kabineti teknik apo politikisht tejpluralist dhe tranzitiv.
Dihet që ky propozim u konsiderua i pamenduar mirë dhe veçanërisht i pambështetur në Kushtetutë. Kështu në gjestikulacionin më të fundit të zonjës Jozefina Topalli mbeti margaritari fin i atij qiriri që e kotëte flakën e zbehtë para gjithë shqiptarëve. Sigurisht edhe para shkodranëve, jeta e të cilëve vijon me mungesa të dukshme energjie elektrike. Politikania e opozitës i kërkonte Korporatës Energjetike Shqiptare që të shtonte furnizimin e qytetit të saj të lindjes, ku është edhe deputete.
Nuk po e fillojmë arsyetimin tonë rreth këtij fakti mbi të njohurën logjikë: përse ajo, më parë se ta ndizte këtë qiri në kokën e KESH-it dhe të Qeverisë, nuk ngriti në mes të Shkodrës një podium mitingu për t’u bërë thirrje bashkëqytetasve që më së pari të paguanin faturat e konsumuara. Pastaj sigurisht ishte rradha të ngrinte në kembë njerëzit, sepse për pak dritë më shumë demonstratat janë minimumi që mund të bëhet. Mirëpo nuk ndodhi asgjë nga këto, përballë një akti të paradokohshme amnistie nga Korporata e qeveria, pra faljeje të harrxhimeve të kryera, flaka e atij qiriri mediatik për opinion nuk mundi veç dalngadalë të zbehej dhe shumë shpejt të fikej.
Por problemi tani nuk është as betimi i KESH-it se investimet e saj në Shkodër janë më të mëdha nga shumë qytete të tjera, as se shtoi edhe dy orë të tjera energji për banorët, nuk përbëjnë asnjë lloj problemi edhe risitë e reja të politikës sonë spetakël me projektorë apo qirinj. Shqetësimi shoqëror lind nga një pamje tjetër e dukurisë: pasi qiriri iu ndez tek koka Korporatës Elektroenergjetike dhe e Kabinetit Qeveritar, pasi po ashtu këta shtuan edhe njëqind e njëzetë minuta korrent, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar në thelbin vet. Pra në shlyerjen e bymyera të faturave që i kanë borxh Shtetit shumica e shkodranëve. Situata vijoi ciklin e saj të marrë, madje tashmë ka rënë në tilt, gjendet në kolaps të plotë. Eshtë një rast tepër flagrant që mijra banorë të një qyteti kolektivisht kembëngulin të mos shlyejnë detyrimet ndaj një ndërmarrjeje të Shtetit dhe kjo gjë nuk përbën objekt veprimi me përparësi as për politikën dhe as për shoqërinë tonë, as për Kuvendin dhe as për “parlamentin” vendor të Shkodrës. Nuk u përdor për një qëllim të tillë, mes dhjetra sloganeve tashmë të njohura, afisheve në rrugë dhe spoteve televizive, as edhe e sukseshmja “Mjaft!” Ideatorët e kësaj nisme të bukur do ta gjenin fjalën e duhur, por sidoqoftë ajo mund të ishte e përafërt me “Mjaft shkodranë, se e tepruat!” Veç kjo gjë nuk ndodhi, shumë druhen se nuk mund t’i dalësh kundër një një qyteti të madh e një populli të tërë, t’i përballesh një elite të tërë intelektuale, një këshilli bashkie ku mund të përndizet pasioni i kushtrimeve për vetmbrojtje locale, sepse menjëherë sulmon politika që ndez qirinj.
E megjithatë faktet rezistojnë kokëfortësisht. Në të kundërt me të gjithë tendencën e popullit shqiptar, i cili çdo ditë e më shumë po kontribuon në pagimet e rregullta të detyrimeve ndaj KESH-it dhe ndërmarrjeve të tjera publike që e furnizojnë, duke arritur shpesh rezultate dhe përqindje shlyerjeje tepër inkurajuese, shumica e Shkodrës ngul kembë në sjelljen e saj. Në mbrojtje apo justifikim të këtij qendrimi një intelektual dhe artist thoshte pak ditë më parë se kjo që bëjnë shkodranët është shenjë e shpirtit të tyre të lirisë. Por në rast se me të vërtetë tek mospaguesit ka hedhur rrënjë ideja se veprimi i tyre është një betejë historike për lirinë, atëhere përshfaqet nën një dritë tjetër edhe flaka e atij qiriri mediatik të përfaqësueses së nderuar të opozitës. Duke deklaruar se përshpirtjen e mortit po ja bënte qeverisë zbulonte në të vërtetë se në mentalitetin e shumë “liridashësve” të tillë nuk ka asnjë minimum njohjeje për mënyrën se si funksionon një shoqëri normale dhe një Shtet si organizator dhe mbrojtës i saj. Shoqëritë e hapura dhe me ekonomi tregu, sistemet aktuale më të favorshme për bashkëjetesë dhe mirëqënie, i detyrohen Shtetit të tyre me një mori taksash. Termi “taksapagues” ka kohë që tejpërdoret edhe nga politika jonë për të denoncuar një vjedhje reale apo në hipozë, e cila bëhet me fondet publike. Mirëpo në rastin e refuzimit masiv të shumicës së qytetarëve shkodranë nuk kemi të bëjmë me mospagesën e një takse, vepër që nuk do të tolerohej nga asnjë shoqëri demokratike, por me një detyrim shlyerjeje malli të konsumuar. Qytetari ka përdorur energji elektrike dhe ndryshe nga çfarë i ndodh atje ku ble bukën apo ushqimet e tjera dhe në të cilin rast e paguan shitësin në çast, me “shitësin” KESH i ndodh më favorshëm: merr prej tij energji elektrike dhe në fund të muajit detyrohet t’i bëjë pagesën. Thelbi i dukurisë është mjaft i qartë, ajo manifeston gjendjen e një komuniteti abuziv, shumë larg edhe nga kultura e shoqërive të prapambetura dhe jo më atyre të qytetëruara. Edhe njëqind apo dyqind vjet ta shtysh këtë realitet në thellësi të së kaluarës ai sërish konsiderohet primitiv dhe anakronik, patjetër aspak i tolerueshëm.
Kjo ngjarje pa precendent, pasi lindi jo sepse energjishitësi në mënyrë të qëllimtë dhe keqdashësisht ia kufizoi energjinë elektrike dhe për pasojë komuniteti shkodran protestoi në kundërveprim me mospagim, po vijon të mbijetojë kokëfortësisht dhe të gjejë për fat të keq sa mbështetje politike aq edhe heshtje e mostrazim të statukuosë. Qirindezja nuk mund ta justifikojë e shpëtojë këta gjest të vetmuar dhe anarkist, sepse këtë gjë tashmë nuk e bën më në Shqipëri asnjë qytezë e harruar nga zhvillimi, jo më qytetet e ndjerë e të mëdhenj të vendit tonë. Nuk vepron kështu as Tirana, as Durrësi, as Peshkopia, as Lezha, as Berati, as Gjirokastra, as Korça. Asnjë përveç Shkodrës. Kjo do të thotë se sjellja e shumicës së banorëve të saj mbetet e izoluar nga shoqëria dhe i gjithë opinioni i Shqipërisë. Ai nuk përbën asnjë shembëll të mirë, jo më që nuk mund të krahasohet me ndonjë flamur lirie. Mospërhapja e këtij shembulli në të gjithë vendin është një shenjë mjaft inkurajuese jo për autoritetin e Shtetit tonë, i cili është akoma një qenie e gjymtuar, por për kulturën rregull e shtetdashëse të bashkëkombasve tanë.
Në fund të fundit kjo mosshlyerje kolektive faturash nuk është veç një qiri i ndezur tek koka e Shtetit, e Shoqërisë shqiptare, një përshpirtje mortore në buzë të rrugës së nisur nga të gjithë ne për t’u integruar në komunitetin e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Asnjë inskenim politik nuk ka për ta shpëtuar nesër këtë veprim të shumicës së shkodranëve. Do të jetë bumerang edhe për ata opozitarë që të venitur nga fantazia për t’ja gjetur pikat e dobëta një qeverisjeje dhe goditur fort, propozojnë antikulturën anarkiste.
Situata është e ngrirë, është bërë gur e shkemb. Duket se më kot pritet se kush do ta bëjë hapin e pare të mënçurisë e të vetkoregjimit: KESH-i duke e furnizuar normalisht qytetin apo vetë qytetarët duke shkuar kolektivisht e paguar detyrimet. Në këtë stanjacion mund të ecet edhe me muaj, ndoshta me vite. Ndërsa duhet të ndodhë që mbi këtë ngjarje të pazakonshme që po ndodh në Shqipërinë e vitit 2003, në vend të një qiriri propogandistik duhen ndezur projektorët e vëmendjes mbi të gjithë Shkodrën dhe problemet e saj. Eshtë punë komplekse të dilet nga kjo krizë e panevojshme. Eshtë urgjente të shihet me përparësi, qortim e dashuri, ky qytet me histori e trashëgimi të vyer, kjo kryeqendër e madhe e historike e kulturës kombëtare, kjo perlë e humorit pozitiv, ky bastion gjeostrategjik i shqiptarëve në rajon, ky komunitet plot vitalitet dhe lidhje civilizueze shumëshekullore me Evropën Qendrore.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com