Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Egersimi i armeve pa leje




Sot, 15 gusht 2003

Një opinion i preokupuar se si kaq shpesh dhe mizorisht një baba i zbraz vajzës së vet, për hir të një dashurie “të ndaluar”, breshëri të gjata plumbash kallashnikovi, se një grua në Shllak të qarkut të Shkodrës mitralon me të njëjtën lloj arme për motive të dobëta bashkëshortin e vet të dhunshëm apo se një baba së fundi në Durrës vret sërish me kallashnikov djalin e tij, jo gjithnjë ka patur, për shkak të tronditjes së përgjithshme, një çast më tepër vëmendjeje për pamjen tjetër të dukurisë: përse vijojnë të mbeten në duart e bashkëkombasve tanë kaq shumë armë? Të gjitha pa leje. Mjete vrastare të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, nga veriu në jug, tepër bollshëm për të patur kujdes që një polemikë e zakonshme me fqinjin, i cili bën zhurrmë gjer pasmesnate apo me një drejtues veture që e nget si i marrë makinën dhe për pak të shtyp, të mos përfundojnë me një grykë arme të nderur para syve. Kronikat na kanë zbrazur para ekraneve edhe absurdin tjetër të shkaktuar nga kjo përhapje e madhe e armëve pa leje: vëllai vrau vëllanë për një pulë që kapërxeu gardhin dhe i hyri në oborr. Bollëku i armëve pa leje po furnizon si asnjëherë fragmentin gjakmarrës të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Një gjysëm shekulli më parë do të mjaftonte një apo dy plumba, tani i zbrazin viktimës karikatore të tëra automatiku, janë përdorur tritoli dhe deri antitanku.
Dhe ndërsa shumica e shoqërisë shqiptare ndihet e shqetësuar dhe proteston, media nuk rresht së denoncuari, intelektualë apo pajtimtarë gjaqesh enden derë më derë për të pakësuar këtë egërsi, PNUD vijon pa shumë publicitet veprën e saj të nxitjes së dorëzimit të armëve, politika rreshtohet në fund të të gjithëve. As ka denoncuar, as ka bërë thirrje, as ka shkuar në terren, as ka programuar ndonjë betejë të saj. Nga kjo pandjeshmëri nuk e ka zgjuar as fushata e afërme elektorale.
Pasojë e mallkuar e vitit 1997, kur mes një kolapsi të madh kombëtar shqiptarët pranuan hapjen e depove ushtarake dhe rrëmbimin e armatimit, viti 2003 duket se nuk qendron shumë më pas nga bëma e gjashtë viteve më parë. Ka të shpërndara tepër më pak armë të mbajtura pa leje dhe në kundërshtim me ligjin, por megjithatë të mjaftueshme që mes qetësisë relative, e cila ka përfshirë aktualisht Shqipërinë, të kryejnë vrasje me ritmin e një lufte të heshtur. Dhe e kemi fjalën për armën pa leje që ndodhet në shtëpinë e jokriminelit, të jovrasësit. Këta njerëz të thjeshtë që nuk kanë lidhje as me krimin e organizuar dhe as me atë të rrugës, armët i mbajnë të fshehura nën tokë, në faqet e mureve brenda shtëpive, nën tavan, në oborr, në pyll apo gjithkund ku mund të mbahet larg syve të njerëzve. Të sigurtë se një ditë do ta nxjerrin prej andej, edhe pse shumica e tyre nuk e dëshirojnë mbërritjen e kësaj ore fatale. Orë dramatike që nuk ka të bëjë me ndonjë sulm të nesërm për të përmbysur rendin demokratik në Shqipëri. Ose një qeveri të caktuar e person në krye të saj. Për fat, por edhe si një frut i merituar i forcimit të stabilitetit të vendit, në evidencat e Ministrisë së Rendit Publik për vitin 2002 janë shenuar vetëm tre akte terrorizmi, kurse gjatë gjashtëmujorit të dytë të këtij viti grumbullimi i informacionit kundërterror duket më i arrirë. Mirë bën që në raste të tilla politika nuk ka gjumë, shumë mirë që sokëllihet kur armët tentojnë pushtetin, por përse se nuk ndodh e njëjta gjë kur armët i bëjnë atentat shoqërisë?.
Paraliza e veprimit politik kundër dukurisë së mbajtjes së armëve pa leje nuk mund të justifikohet me logjikën e vetë armëmbajtësit, i cili më së shumti arsyeton se hekurin njerivrasës e mban të fshehur me arsyen më se të zakonshme dhe mjaft të rëndomtë se ajo i duhet për sigurinë e familjes, shtëpisë, pronës private e zakonisht dyqanit të mbushur me mall. Në pamje të parë motivi i sigurisë në skaje rrugësh të rrahura pak, në ndonjë periferi të braktisur qyteti apo në një banesë në mes të humbëtirës së një mali apo të një fushe, duket i pranueshëm. Por gjithsesi logjikën e arsyeshme të kësaj teze mund ta gjykojë Shteti dhe institucioni i tij përkatës, i cili rregullon dhënien e armës me leje. Veç nga kronikat e zeza që përditë na sulmojnë, është e vështirë të identifikosh raste të dukshme dhe problematike të një sulmi të armatosur ndaj një shtëpie thjesht se ajo gjendet në një territor larg mundësisë që atje, për të rivendosur sigurinë, të ndërhyjë policia. Më shumë se për t’u mbrojtur nga hainët e plaçkitësit (vjedhjet me dhunë e armë gjatë vitit 2002 përbënin 214 raste dhe vetëm në gjashtë prej tyre kanë përfunduar me vdekje, ruhet e njëjta tendendencë edhe për gjashtëmujorin e parë të këtij viti) arma e fshehur tek shqiptari i zakonshëm po përdoret gjithnjë e më shumë për të vrarë një qënie të pafajshme njerëzore, kryesisht pjesëtar familjeje.
Për shoqërinë tonë të brishtë dhe që përjeton edhe drama të tjera të dhimbshme për pasojë të kulturës së shumëpërhapur të padrejtësisë, këto armë pa leje duhen konsideruar po aq të rrezikshme sa edhe në duart e bandave kriminale. Shqipërisë tashme mund t’i pranohen me gëzim disa arritje dhe vlera inkurajuese përparimi, por përshkrimi i saj rozë dhe sidomos parfumimi qeveritar i pjesëve të lakuriqta e të pista nuk i bën mirë indiferencës para zjarrit të përditshëm që po vjellin grykat e armëve pa leje.
Kjo armë jashtë kontrollit të evidences së Shtetit e sidomos e dalë jashtë vetkontrollit të një mendjeje të përmbytur nga dallgët mbytëse të kokëshkretësisë së grefosjes, raptuseve të zemërimit, paragjykimeve të vjetra apo kanunit, sot është rizhndërruar në një mjet mjaft agresiv pasigurie shoqërore, pse jo edhe kombëtare. Jetët e mara me armë të mbajtura pa leje nuk kanë zhurrmën mediatike ndërkombëtare si në vitet 97 apo 98, ato janë të kyçura në kronikat e brendshme, ku edhe krismën e kanë të butë, të shurdhët, si të jenë plumba të hedhur me silenciatorë.
Duke qënë një mjet dhe faktor me efekt të lartë pasigurie ka ardhur koha që armëmbajtja pa leje të rigoditet në mënyrë më të vendosur dhe të organizuar. Duhet rizgjuar kujtesa e Shtetit për vrastaret me emrat TT apo Kallashnikov. Në një kronikë ku banorët e një fshati, në përfitim të një fondi për ujësjellësin nga PNUD dhe në zbatim të ofertës “zhvillim në kembim të armëve”, ndërsa para kamerave rreshtoheshin armët pa leje që dorëzoheshin, mes tyre u panë edhe mitroloza Dektarjov. Ndërkohë në statistikat e Ministrisë së Rendit Publik, në katër kolonat “armë të ndryshme”, “municione të ndryshme” janë edhe zërat “municione xhenjere” dhe “fitila zjarrpërcjellës”. Në rast se konstaton që mezatarisht Shteti shqiptar arrin të mbledhë nga armët pa leje çdo muaj 1300 të tilla, rifut në depot e tij po kaq e në mos më shumë fitila dhe dhjetë here më tepër municion xhenjer, pra eksploziv. Një tepricë e tillë lendësh shpërthyese tronditi dhe theu së fundi xhamat e shumë banesave në qytetin e Fushë Krujës. Eshtë po ai eksploziv dhe po ai mentalitet i mbajtjes pa leje që disa banorë të një fshati të Kukësit e përdorin ciklikisht prej vitesh për të hedhur në erë tubacionin e furnizimit me ujë të qytetit, duke lënë fare lehtësisht e si të jetë një shaka, plot 25 mijë njerëz.
Në mënyrë “soft”, pra vendosmërisht por butë, apo në mënyrë më të ashpër, të fortë dhe radikale, siç opozita me kohë ka propozuar ngritjen e një brigade xhandarmërie çarmatosëse, aksioni i grumbullimit të armëve pa leje, shoqëruar pse jo edhe me ndëshkimin përkatës, duhet të rizgjohet. Duke u merakosur me këtë rast realisht edhe për zgjedhjet, sepse është në favor të zhvillimit të tyre normal përderisa ka ndodhur që ndonjë simpatizant i kësaj apo asaj partie, i ka shtuar votës së vet në kutinë përkatëse edhe ndonjë plumb në kofshë apo në shpatull rivalit të tij politik.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com