Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Devijimi partiak i levizjeve qytetare


Sot, 10 shkurt 2004

Pas pothuaj një dyzine vitesh pasdiktatorialë pluralizmi shqiptar më në fund tentoi të mirëorganizojë dhe hedhë në veprim mekanizmin demokratik të lëvizjes qytetare. Kjo risi ndodhi pak muaj më parë nëpërmjet përshfaqjes spektakolare të MJAFT! dhe rigjallërimit të hovshëm të Zyrës së Mbrojtjes së Qytetarëve. Ndërkohë edhe më parë ajo ka bulëzuar me anë të disa shoqatave jashtëqeveritare e mbi të gjitha nëpërmjet prononcimit në media të mjaft intelektualëve jokonformistë, publicistë, analistë dhe studjues të ndryshëm. Madje edhe nga disa politikanë.
Duke realizuar efekte jo të vogla në zgjimin e ndërgjegjes qytetare dhe sidomos në aftësimin e saj për të luftuar zakonet kombëtare regresive dhe protestuar ndaj mënyrave jo të drejta të qeverisjes, edhe pse jo edhe të ushtrimit të opozitës, të dy lëvizjet grumbulluan autoritet dhe karizmë mes të gjithë grupmoshave. Kjo spikatje e papritur dhe e pandalur disi e nervozoi partinë në pushtet, por ajo ndërkaq nuk lëvizi në shtratin e konfrontimit me protagonistet e reja të vendit. Zgjodhi formulën e vlerësimit të tyre publik si edhe presionin e butë për t’i anashkaluar e amortizuar. Një takim i Kryeministrit në zyrën e tij me disa përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile ishte në thelb një mënyrë soft për t’i identifikuar e barazuar lëvizjet qytetare MJAFT! dhe ZMQ me disa fondacione të njohura gjer atëhere për misione ndërgjegjësimi shoqëror, por aspak mbartës lëvizjesh qytetare.
Ndërkaq përpjekja për të zbutur e mënjanuar praninë dhe autoritetin e këtyre dy lëvizjeve si edhe e të tjerave që po e shfaqin këtë ambicie, ishte më e madhe në frontin politik opozitar. Kjo është e kuptueshme: ndërsa për çdo qeveri do të ishte e nevojshme të ulnin e qetësonin presionin kritikues të aksioneve qytetare, për opozitën do të ishte më e frutshme koordinimi i veprimtarisë kundërqeveritare me to. Po të ecte, edhe një bashkim do të ishte i mirëpritur, një “tretje” e lëvizjeve brenda materies së nxehtë të politikës opozitare do të dukej akoma më e pëlqyer. Mirëpo punët nuk ecën aq inkurajueshëm për këtë variant fatlum. Një pëpjekje në mes të janarit për ta mbushur me simpatizantë demokratikas një miting proteste të MJAFT! para selisë së Kryeministrisë jo vetëm e vuri në pështjellim aftësinë e saj për të mbajtur nën kontroll vetveten, por edhe e kompromentoi. Eshtë ky çasti kur një analist i vëmendshëm i së djathtës konkludoi se MJAFT! dhe ZMQ ishin në identitetin e tyre lëvizje relativisht të majta dhe kishin për synim ruajtjen në pushtet e në qeverisje të koalicionit aktual. Vëzhguesi i mprehtë shkonte edhe më tej: ai propozonte që një aksion për largimin e rozëve dhe aleatëve të tyre do të ishte rezultativ vetëm nëse do të përfaqësonte një lëvizje masive protestash e drejtuar nga partitë e bashkuara të opozitës.
Në këto fragment, hapësirë kohore jo më e madhe se dy javë, ndërsa ZMQ e kishte zhvendosur veprimtarinë e saj nëpër rrethe, jashtë Tiranës, dhe MJAFT! u kontraktua dhe u mpi nga përkujdesja e tepruar për të mos shkelur ndonjë “kembë” politikani e veçanërisht për të mos lënë publikisht shkak se manipulohej nga ndonjë apo grup partish, nëpërmjet një veprimi shumë të shkathët u hodh në betejë menjëherë Partia Demokratike. Nëpërmjet kryetarit të saj u formulua lëvizja “Nano Ik!”, aksion që shmangu nga vëmendja dhe veprimi dy lëvizjet e njohura qytetare dhe e detyroi një pjesë të opinionit të pakënaqur të ndjekë, të paktën vizualisht, projektin e ish-Presidentit. Ky, mjaft spektakolar, e shpalli atë sapo zbriti në Rinas nga një kuvend partish evropiane të qendrës së djathtë, duke lënë e shpërndarë përshtypjen se ishte konsultuar më parë e gjetur mbështetje tek aleatët e tij, një pjesë ndoshta edhe nëpër disa nga zyrat e larta të Brukselit. Mënyra si emërtohej veprimi i ri i opozitës paraqiste interes jo thjesht për formulimin relativisht të kulturuar të devizës (mund të ishin përdorur edhe togfjalësha mjaft gjuhë ashpër, siç i konsumon përditë), por mbi të gjitha cilësimi i tij si Lëvizje Qytetare. Tanimë nga zoti Berisha si edhe nga stafi apo këshilltarët e tij thuhet, rithuhet, përsëritet, citohet, theksohet., kembëngulet, deklarohet papushim: Lëvizja Qytetare “Nano, ik!”.
Në rast se vënia nën kontroll e MJAFT! dhe e ZMQ do të emërtohej një devijim, ky i cilësim i fundit përbën një falsifikim të dukurisë. Dy lëvizjet e njohura janë realisht qytetare dhe synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë për të përballur demokratizimin e vendit dhe eurointegrimin e tij, kurse lëvizja “Nano, ik!” është thjesht një aksion politik. Mund të quhet fare mirë edhe një lëvizje përderisa arriti më dukshëm se herët e tjera, të kompaktësojë të djathtën dhe të grumbullojë një sasi të konsiderueshme manifestuesish. E megjithatë deri tani është dhe mbetet një lëvizje politike. Kjo jo për shkak të objektivit të saj, rrëzimit të kabinetit Nano dhe shkaktimit të zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse këto janë synime pastërtisht politike, në rast se do të bëheshin dëshirë, aspiratë e mision i masave të mëdha qytetare ato nuk do të ishin veç lëvizje qytetare. E pranuara tashmë si Lëvizja e Dhjetorit ka qënë pastërtisht një lëvizje qytetare me objektiv të qartë politik: rrëzimin e diktaturës komuniste. Ishte ajo që i nxorri partitë dhe pasi përfundoi këtë mision të saj ajo mbaroi së ekzistuari. Ishte sistemi politik pluralist që e zëvendësoi dhe arriti për disa kohë të shprehë, me sa mundej, kërkesat qytetare. Kur ky sistem hyri në krizë, dy-tre vite më parë, nisën të krijohet, për ta kompensuar mungesën, atmosfera dhe terreni inkurajues për lëvizjet qytetare. Në një moment të caktuar, jo forcërisht dhe “me porosi”, këto të fundit mund të bëhen edhe përcjellëse dhe madje ekzekutuese objektivash politike, veç gjithnjë kur këtë gjë masivisht e kërkon qytetaria dhe jo parti politike të veçanta.
Në këtë kuptim rigoroz lëvizja “Nano, ik!” akoma nuk është një lëvizje qytetare dhe kjo jo thjesht se udhëhiqet nga një parti historikisht rivale e Kryeministrit aktual apo se në krye të saj është një politikan i mirëfilltë që ka interesa të ngushta partiake. Në manifestimin e saj të së dielës ajo mbartëte me vete një mungesë të ndjeshme qytetarësh. Pra, jo banorësh të qyteteve, sepse autobuzat e ardhur nga rrethet kishin edhe të tillë, por sepse kurkund nuk u panë “qytetarët”, njerëzit e shoqërisë civile, përfaqësuesit e saj të spikatur. Madje mungonin edhe të vetëm krahut të djathtë. Që kishte një dificit qytetarie u kuptua nga mënyra se si protesta u shthurr dhe përfundoi me një sulm të marrë e të palogjiktë ndaj xhamave e mureve të selisë së Kryeministrisë. Që Lëvizja “Nano, ik!” e kishte humbur logjikën qytetare, por edhe politike, u kuptua menjëherë përderisa synoi hyrjen brenda një godine që nuk e kishte në asnjë qoshe njeriun e kërkuar për ta shpallur publikisht të rrëzuar. Në Gjeorgji, shembullin e shpërdorur kaq shumë për analogji, demonstruesit Shevarnacen e gjetën në parlament dhe atë simbolikisht e detyruan të ikte nën mbrojtjen e truprojave. Pra i dhanë mesazhin e “dëbimit”. Një imitim primitiv i hyrjes së demonstruesve të djathtë në selinë apo zyrën e Kryeministrit, kur ai ishte në një takim ndërkombëtar pune (në një kuvend Internacionaleje Socialiste, ku nga një incident i tillë, po të ndodhte, do të gëzonte solidaritetin dhe mbrojtjen ekskluzive të të majtës botërore) do ta zhndërronte shumë shpejt ngjarjen demokratikisht të paqytetëruar në një barsaletë të bujshme.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com