Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A u ringjall vertete “Republika e skafeve“?


Dita,14 janar 2004


Tragjedia që ndodhi më 9 janar në brigjet detare afër qytetit të Vlorës, një ngjarje që tronditi shpirtërisht të gjithë shqiptarët dhe vuri edhe njëherë në lëvizje të zhurrmshme e shurdhuese mekanizimin tashmë të ndryshkur të pjesës më të madhe të koruselit të klasës sonë politike, rikthen në analizë disa shqetësime kombëtare. Më kryesori: a është Shqipëria e quajtura në shkurtin e vitit 1999 nga revista më e madhe italiane “Panorama” si “Republika e Skafeve”? Kjo nofkë që i vunë vendit tonë mbijetoi për shumë vite në median e gadishullit Apenin dhe u përhap lehtësisht në të gjithë kontinentin. Në terminologjinë e deri atëhershme e kishin patur “fatin” e prosperitetit në fjalorin e opinionit botëror përcaktime si “Republika e Bananeve” (referuar vendeve politikisht të shumëvarura nga shtete të tjera të fuqishëm) dhe “Republika e Drogës” (kur citohet Kolumbia). Duke u mbyllur shekulli i vjetër dhe çelur i riu, Shqipëria konkuroi globin me emërtimin “Republika e Skafeve”. Kur lulëzoi kjo nofkë e merituar vetëm për popuj që bëjnë një jetë shumë larg rregullave dhe standarteve më elementare të një vendi normal, kishte pothuaj gjashtë vite që nga brigjet shqiptare, kryesisht nga Vlora, të niseshin drejt Italisë dhe Evropës nga njëzetë e deri edhe pesëdhjetë gomone né ditë, të mbushura plot me klandestinë. Shqiptarë né fillim dhe më pas mafia ndërkombëtare i mbushi skafet me kurdë, senegalezë, eurolindorë e deri kinezë. Mirëpo bumi i këtij trafiku pak nga pak, duke filluar nga viti 2000, nisi rënien. Rezultat i drejtpërdrejtë i luftës që iu bë nga Roma dhe, nën nxitjen e mbështetjen saj, edhe nga Tirana zyrtare. Dekadencë, e cila u shkaktua edhe nga konkurenca që i bënë korridorit të Otrantos, të tjera shtegdalje ilegale si ato nëpërmjet Beogradit apo shteteve të tjera rajonalë që në Evropën qendrore brenda një hapësire të ngushtë e shumë manovruese bëjnë që më shpejt dhe më me pak rrezikshmëri jete të hyhet fshehtas në Italinë e veriut, në Zvicër e Austri, me një kërcim të mëtejshëm edhe në Francë, Germani e Vendet e Ulta, prej këtej më ngulëkembësit hidheshin deri në Britaninë e Madhe. Pikiada e trafikut të klandestinëve nëpërmjet gomoneve që kapërxenin Kanalin e Otrantos u shkaktua edhe sepse kjo kontrabandë kryesisht lokale, jo fort e bindur për të respektuar rregullat e rrepta dhe hierarkike të mafies ndërkombëtare, u braktis nga kjo e fundit. Ishte shumë kompromentuese për të. Trafiku i klandestinëve kërkonte më shumë siguri e fshehtësi, më pak kontroll dhe përgjim, ai ishte bërë global, për të Evropa perëndimore nuk ishte veç pikëmbërritja më e afërt. Tani bëhej fjalë për struktura klandestine që përcillnin emigrantë ilegalë né të gjitha kontinentet. Këtë “modernizim” të këtij trafiku e dëshmoi para opinionit tonë disa muaj më parë né dhjetra intervista televizive edhe një “i penduar” publik i këtij rrjeti që funksiononte pa as më të voglën zhurrmë nga aeroporti i Rinasit. Provë e këtij transformimi dhe njëkohësisht mbijetimi të suksesshëm të korridorit të trafikimit që kalon nëpër Shqipëri e provon edhe fakti se masa e vetme e marë sëfundi ishte arrestimi dhe burgosja e protagonistit të “penduar”. Që tashmë klandestinët nga vendi ynë e kanë braktisur kapërximin e detit me gomone e vërtetojnë edhe efektet më shumë propogandistike të disa operacioneve sporadike kryesisht në portin e Durrësit: këtu, “kur e do politika”, kapen njëherësh në vetëm një imbarkim trageti nga njëzetë e tridhjetë klandestinë, jo pak edhe shqiptarë të Kosovës, të mbërritur edhe nga korridori i ri i Prishtinës. Që trafiku i klandestinëve vijon i sofistikuar dëshmohet nga funksionimi i rregullt i disa skafeve “turistike” për ditën, por që netëve të errta transportojnë drejt anijeve të peshkimit klandestinë, të cilët zbarkojnë në portet italiane.
Të paktën në këtë kuptim e në këto rrethana të reja korridori i kontrabandës nëpërmjet Kanalit të Otrantos duke u reduktuar e mpakur, ka bërë riorganizimin e vet e ka riseleksionuar përparësitë e destinacionet, duke hequr dorë nga trafikimi i qënieve njerëzore dhe përqendruar tek droga e rendë. Për ata të paktë që e kanë ruajtur kurajën për të drejtuar një gomone nën kontrollin e rreptë të dhjetra radarëve të fuqishëm italianë, të cilët kontrollojnë detin që lag brigjet e Pulias apo nën vëzhgimin e Rojeve Bregdetare e të Financës të bazuar në Sazan, trafikimi i drogës, gjithnjë në bashkëpunim me mafien e gadishullit apeninas, është shumë më fitimprurës.
Vlora nuk është më porti i madh ilegal i skafeve “taksi”, qyteti i bukur i Jonit tashmë ka jetë e psikologji tjetër. Këtë gjë e ka vënë re me gëzim këto ditë edhe media italiane, ajo që krijoi e përhapi nofkën akuzuese për Shqipërinë si “Republika e Skafeve”. Vendi ynë për gazetarët e përtej detit “po tregon një fytyrë tjetër”, “Vlora u mblodh e gjitha dhe shkoi në mol e hodhi në det tufa me lule”. Edhe Shqipëria nuk është më “Republika e Skafeve”. Kjo “Republikë” ka vdekur, u dënua nga koha dhe zhvillimi. Përse, me këtë rast, të mos kujtojmë se edhe qeveritë tona, duke filluar nga ajo e kontrolluar nga ish-Presidenti Berisha e deri në ato Majko, Meta dhe Nano, kanë dhënë kontributin e tyre modest. Këtë njerëzillëk dhe ekuilibër, kaq të nevojshëm né momente të vështira dhe të dhimbshme, ka tre ditë rresht që e bën shtypi italian, vendi që e ka vuajtur agresivitetin e trafikut të klandestinëve nëpërmjet gomoneve.
Për ta, por edhe për ne, shifrat janë kokëforta: në brigjet e Pulias në vitin 2000 u regjistruan 18.900 klandestinë të ardhur nga Shqipëria, një vit më vonë kjo shifër ishte 8. 546, më 2002 ra në 3.372 dhe vitin e porsambyllur pësoi të tatëpjetën: vetëm 137. Prej këtyre shumica ishin kurdë, të dyshuar se vinin jo me gomone nga brigjet tona, por me anije me vela nga një korridor që rridhte prej Turqisë dhe hynte né Jon pa shkelur në tokë shqiptare.
Ajo që ndodhi më 9 janar dhe që dëshmoi madhështisht progresin e maturimit të shoqërisë shqiptare, demokratizimin dhe rritjen e saj, nuk e meriton që për qëllime dhe nevoja të luftës së brendshme politike të ringjallë brenda vendit dhe të eksportojë jashtë, nëpër kontinent e nëpër botë, idenë apo dyshimin se në Shqipëri po ringjallet sindroma e “Republikës sé Skafeve”. Kjo do të ishte një vetëvrasje kombëtare, e provokuar pacipësisht në çastet më jetike të lëvizjes sonë aq shumë të dëshiruar drejt eurointegrimit. Eshtë absurde, jologjike dhe kontradiktore të nxitësh rinjollosjen e vendit tonë si “dele e zezë” e trafikimit të klandestinëve dhe në të njëjtën kohë të kërkosh mundësinë e lehtësimit të regjimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Ajo që mbetet rruga më gjakftohtë është shkatërrimi real i rrjetit që u përpoq të ringjallte tashmë të vdekurën, trafikun e klandestinëve nëpërmjet gomoneve. Këta keqbërës të mbështetur edhe nga struktura të Policisë dhe Shtetit mbeten disa të çmendur nga ethet e korrupsionit, të marrë po aq edhe né aventurën e tyre kriminale. Çmimi disafish i trafikimit, papërvoja e përdorimit të skafit, nisja né det të shumëtrazuar dhe çdo element që shoqëron ngjarjen e fundit tragike dëshmon se né “mjeshtërinë” e tyre banda e re qendron shumë larg “shkollës vlonjate” të dikurshne të skafizmit.
“Republikë të Skafeve” nuk ka më dhe nuk duhet lejuar asnjë tentativë tjetër, sado e paskrupullt, e fshehtë dhe e mbrojtur nga zyrtarë të jetë. Dështimi tragjik i tentativës që ndodhi mund të ishte shmangur, aq më tepër që dëshmohet se një apo dy gomonet vrastare u nisën “para syve të policisë”. Për këtë arsye ato u nisën “para syve të Shtetit”. Dhe të Qeverisë, e cila si asnjëherë tjetër tregoi se ka né përbërje të saj njerëz që kanë zemër t’u dhembë dhe shpirt për të ndërmarrë gjeste humanizmi. Pranisë sé mahnitshme të opinionit pranë dhimbjes sé përgjithshme të familjeve që humbën pjesëtarët e tyre të shtrenjtë, kësaj rradhe nuk i mungonin asgjë për një vend normal veç gjestit të mosndërprerjes sé menjëhershme të pushimeve apo kurimeve nga Kryeministri dhe politizimit të shfrenuar nga një pjesë e opozitës.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com