Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mos me merrni driten!

“Korrieri”, 9 dhjetor 2006

Nuk është gjithnjë punë e arsyeshme të bësh një shkrim në vetën e parë. Në rast se zgjedh të komunikosh me publikun dhe merr përsipër të kryesh diçka të dobishme për komunitetin atëhere duhet të largohesh sa më shpejt nga “unë“. Duke besuar në mirëkuptimin e lexuesit po e nis këtë artikull për pak çaste në vetë të parë, sepse ka të bëjë me një problem, hall e mundim që e kam si gjithë të tjerët: me rifillimin e prerjes tradicionale të dritave. Në fakt duhet thënë “me prerjen e korentit”, sepse pritet ky pa ndodh që në shtëpitë tona, në të vetmet strehëza që kemi për të rigjeneruar forcat e rifilluar të nesërmen ditën e re të punës, nuk fiket vetëm drita. Me prerjen e korentit shuhet edhe televizori, burimi ynë i informacionit; nuk përdoret kompjuteri, mjeti ynë i punës së përditshme; ndalet kondicioneri, pajisja që na ngroh në dimër. Bëhen të papërdorshme edhe pajisje të tjera të shtëpisë dhe me një levë që ulet a buton që shtypet në një dispeçeri të Koorporatës Energjetike Shqiptare, kthehemi sa hap e mbyll sytë njëqind vite mbrapa. Fuqi të tillë si e korentit që pritet për të të hedhur në regres mbase vetëm lufta apo trazirat e brendshme e kanë.
Pasi kishim rreth dy muaj që në zonën ku banojmë në Tiranë energjia elektrike ikte dhe vinte pesë a gjashtë herë në ditë, një të hënë të kësaj jave, më 4 dhjetor, pasi ishte festuar Dita e Flamurit, ajo ja mbathi edhe në orën 19.30. Pritëm të vinte, telefonuam, ata që dinin ndonjë thashethem rreth kësaj që na kishte rënë hall qetësuan se gjithçka do ishte vetëm një masë kursimi një orë në ditë. Mirëpo korenti mbërriti për të na dhënë dritë vetëm pas dy orësh. Saktësia ishte proverbiale: 21.30. Ndjenja e poshtërimit që provova gjatë gjithë kësaj kohe ishte e rendë. Stresi nga dy orë jetë e pune normale që më kishin marrë ishte shtypës. Të nesërmen, ditë e martë, që të mos provoja pikërisht atë ndjenjë poshtërimi që më shburrëronte dhe më bënte njeri pa vlerë, nxitova që pas punës të mbërrija në shtëpi me dritë. Mund të ndërrohesha me dritë llambe, mund të sistemoja ndonjë gjë në kompjuter ose të paktën bukën ta përtypja duke e parë. Pastaj le të ndërpritej. Sigurisht ishte një koiçindencë, por saktësisht sapo u ula në tavolinë para një pjate gjellë, të vetmes që ha në njëzetë e katër orë, drita iku. Ngaqë provova fyerje pyeta veten (që të mos ulërija mu në fytyrë të të tjerëve) përse ma marrin dritën. Kush ua jep këtë të drejtë që bashkë me dritën të më marrin edhe orë të tëra të jetës? Luftë nuk ka, përkundrazi Ballkani përjeton një paqe të trandafiltë. Si shumica e bashkështetasve e paguaj në kohë energjinë e konsumuar, madje kësaj rradhe për shkak të shtrenjtimit nga prodhuesi (KESH-i), edhe pse ishte një faturë pothuaj dyfish, rregullisht shlyem detyrimin. Thonë se na e presin sepse tejnxehen pajisjet e koorporatës, porse kjo është një gënjeshtër e rendomtë dhe u bë burim barsaletash. Dritat na ikin sepse thjesht nuk kanë mundësi apo gjendje malli korent që të na furnizojnë. Kjo tashmë në vitin 2006 është për t’ja dhënë kujës. Pas gjashtëmbëshjetë viteve ekonomi të hapur në Shqipëri nuk mungon asgjë. Tregu i konsumit për nevojat njerëzore lulëzon, në disa raste edhe shkëlqen cilësi e shërbim. Vetë shqiptari e ka kryer këtë realizim, veçse kur është privat. Kur është shtet nuk ka zotësi të të furnizojë lirisht dhe lehtësisht me “mallrat” që prodhon. Nuk e kemi fjalën këtu as me listat zgjedhore, mall kaq herë i pasaktë dhe i kontestuar nga një legjislaturë në tjetrën. As me çertifikatat, as me kartat e identitetit apo me dhjetra lloje vërtetimesh. E kemi fjalën se është i pazoti të na furnizojë me ujë dhe me korent. Këta dy janë binjakë siamezë, nuk ndahen dot nga njeri-tjetri. Uji në çesmat tona hyn me elektropompa dhe me t’ja mbathur korenti thahet edhe lëfyti i tyre. Pa ujë dhe pa drita shtëpitë na kthehen në shpella.
E nisa nga episode të vetes këtë shkrim për të thënë jo vetëm se një gjendje e tillë i ka kapërxyer disa herë kufijtë e mirëkuptimit për hallet e shtetit. Si shumica edhe unë deri tani kam thënë se duhet të duroj pak, trashëguam një kapacitet energjetik që në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë nuk përmbushte dot as nevojat e atëhershme modeste të pajisjeve të pakta elektroshtëpiake. E konsumonte pjesën e luanit industria joefikase e kohës. Tani kërkesat për energji elektrike janë shumëfishuar, pajisjet vjetëruar. Po a mund të kendohet për gjashtëmbëdhjetë vite po ky avaz? Kush të mëson të nanuritësh kështu për 16 vite mund të të detyrojë edhe për 32 të tjerë. Historia e korentit në Shqipëri tashmë është si “Legjenda e misrit” e Migjenit. Ajo të shtyn drejt varfërimit material e shpirtëror. Te ne do të përfundojnë në blofe të gjitha llojet e strategjive kundër varfërisë apo të mbrojtjes sociale po nuk u zgjidh njëherë e përgjithmonë çështja e furnizimit njëzetë e katër orësh me energji elektrike. Do të përfundojnë të parealizuara të gjitha projektet për ritme të larta zhvillimi ekonomik.
Mosmobizilimi total për të zgjidhur këtë urgjencë dhe nevojë jetike do ta bëjë korentin një protagonist ekskluziv të jetës politike. Në historinë e vendeve normalë me statusin e protagonistit politik ka qënë përshembëll çështja e reformës agrare apo e ndarjes së pronave, ajo e bukës apo e papunësisë së madhe. Kurrë nuk ka qënë çështja e energjisë elektrike. Kur u ndanë dy botët dhe sistemi i vjetër komunist po binte, u fut në mes për të kryer ndryshimin e madh jo dëshira për veturë personale por nevoja për korent. Aksionet e para të Lëvizjes së Dhjetorit, e cila këto ditë mbushi shtatëmbëdhjetë vite të plota, u nxitën mes të tjerash nga ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike në Qytetin Studenti. Për shkak të krizave të vazhduara energjetike analistët thonë se ka patur disa vite më parë edhe rënie të një kabineti qeveritar rozë. Nuk i dimë me shifra ndikimet e rasteve të tjera të mungesës së tij në përmasat e konsesusit politik për këtë apo atë parti, por po të bëhen studime korenti dhe mungesa e tij mund të konsiderohen edhe sot protagonistë të zëshëm, opozita reale. Por kujt i duhet kjo lloj “opozitë” mbi opozitë!? Për kë e është e dobishme kjo pothuaj krizë energjetike paralel me zhvillimin e zgjedhjeve vendore? Askujt nuk i duhet, as partive politike dhe ca më pak Shqipërisë që edhe sherret e përditshme e mospajtimet i ka në përmasë të disafishtë mbi normalen. Një tension social që vjen nga ndërprerjet e padurueshme të furnizimit me korent mbi një shtresë tjetër tensioni që akumulohet nga fushata elektorale akoma më pak i duhet çështjes kombëtare, e cila është në mpik të zgjidhjes së madhe dhe historike të saj. Dhe për të ardhur keq që të gjitha këto tensione mblidhen e mpiksen në një hapësirë kohore sa një sy cikloni: 20 dhe 21 janar 2007.
Një popull i mençur dhe një shtet funksional bën të kundërtën e kësaj që bëjmë ne shqiptarët. Ne i vetshtojmë artificialisht mundimet dhe hallet, të tjerët i lehtësojnë ato që realisht e natyrshëm kanë. Muk ka asnjë arsye përse të zgjatet kjo vuajtje që u bëhet padrejtësisht shqiptarëve. Energjia është mall dhe atë ka plot subjekte që mund ta prodhojnë, shtet, privatë a të dy bashkë. Përderisa edhe vetë KESH e shtrenjton energjinë elektrike me synim të hapët që të mbërrijë koston e prodhimit nga hidroçentralet tanë të vjetër, çfarë ndryshimi ka për ne, konsumatorët, kur këtë objektiv do të ketë edhe privati? Madje për shkak të teknologjisë së re apo edhe të konkurencës kostua e prodhimit të tij për kilovatorë mund të jetë më e ulët se e asaj që prodhon grehina e sotme e vetme dhe na mban nën monopol.
Rastin personal në fillim të shkrimit ku zotërisë në fjalë na i qenka fikur përveç dritës edhe kompjuteri apo kondicioneri, e vendosëm jo për të anashkaluar vështirësitë dhe mundimet që u krijohen atyre familjeve të shumta që nuk kanë hall të parë të shkruajnë, por të kenë ujë të ngrohtë për fëmijët e vegjël, të kenë dritë për një të moshuar apo për një të sëmurë. Nevojën për punë me kompjuter (në Tiranë shiten 4500 kompjutera në vit) e theksuam për të treguar se shoqëria shqiptare ka ikur larg, po shkon drejt standarteve shumë të përparuara, kurse po thellohet distanca e saj me aftësinë e shtetit të vet për ta ndihmuar në këtë progres. Mirëpo në kohët moderne me individ të lirë nuk ta ka ngenë njeri ta pengosh. Dje shqiptarët e dinin se kishin diktaturë e për rrjedhojë shtet jo miqësor me njeriun, por tani kur shteti nuk është armik i individit, por synon t’i bëhet mik, raportet e shqiptarit me shtetin e vet, tamam për shkak të energjisë elektrike, mund të përjetojnë krizë akoma më të rendë se gjysmëshekulli më parë. Eshtë një paradoks i padëshiruar kjo që themi, por të hysh apo të të shtrengojnë të hysh në raporte mosbesimi me shtetin e një sistemi të lirë përbën shqetësim. Veç korenti ta bën edhe këtë “hata”, ftohjen me shtetin tend. Pèr të provuar këtë mjafton dëshira e dikujt për të hartuar një fjalor sharjesh dhe mallkimesh me rastin e prerjes së dritave. Do të siguronte një qindrafaqësh të suksesshëm në treg.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com