Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Simbolika e një 2150 vjetori

Botuar ne \"Korrieri\", 16 shtator 2004

Ngjarja spektakolare, për të cilën do të flasim, ka për të ndodhur nentorin e ardhshëm, në atë hapësirë të quajtur gjeografikisht Italia e Veriut. Qyteti thirret Gubio. Ndodhet afër Peruxhës së shumënjohur. Në Gubio pas dy muajsh, siç e kanë bërë traditë të pabujshme çdo vit, do të mblidhen shumë arbëreshë. Riti i tyre, i cili akoma nuk ka hyrë në vëmendjen e shqiptarëve të përkëtej detit, ka të bëjë me një ceremoni përkujtimore që lidhet me një figurë tepër të largët, të para lindjes së Krishtit. Saktësisht të vitit 148 para Erës së Re. Personi quhet Mbreti Genc i Ilirisë dhe këtë vit ka ndërruar jetë larg vendit të tij. Shumica e shqiptarëve që kanë mbërritur normalisht gjer në fund të periudhës së detyruar të sistemit tonë arsimor e dinë që ilirët, pararendësit tanë, kanë patur dy mbretër krenarë e të famshëm: Teutën dhe Gencin. Sipas rreshtave të librave tanë mësimorë Teuta ishte kaq shumë kryelartë dhe e pamposhtur saqë bëri, me një urdhër, të arrestohen konsujt që Roma perandorake kishte sjellë si dërgatë për të biseduar dorëzimin e saj. I paepur është përshkruar edhe Genci. Shqiptarët aq fort i çmojnë këta dy mbretër të bashkësisë së atyre popujve antikë, prej të cilit rrjedhin, sa emrat Teutë dhe Genc vijojnë prej më shumë se një shekulli të pëlqehen për gjeneratat e tyre të reja.
Gjatë diktaturës një vapor i madh mallrash u thirr Teuta. Nëpër Shqipëri ky emër mund të jetë gërvishur edhe mbi ndonjë fasadë ndërtese. Këto kohë edhe në gërmat e neonta të ndonjë restoranti apo bari. Kurse mbreti Genc është akoma më i munguar. Gjithnjë mes nesh do të jetë e pranishme një humbellë mes asaj që thërritet propogandë dhe vetë historisë. Rasti i Teutës dhe i Gencit të arkivuar nëpër disa rreshta librash shkollorë është vetëm një dëshmi e kulturës sonë të zhurrmshme të fjalëve e shumë pak të veprave nderuese. Përfaqësues nga arbëreshët e Italisë shkojnë çdo vit në Gubio për të nderuar ilirin e famshëm Genc. Kësaj rradhe do të shkojnë më shumë, sepse ngjarja del nga rutina. Sovrani i fundit i Ilirisë ka 2150 vjetorin e vdekjes. Në ngjarjen e shenuar do të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora e re e pasvitit 1990, duke u bërë nismëtarë të veçantë nën siglën “Lidhja Kombëtare e Shoqatave Shqiptare dhe Arbëreshe në Itali”. Pelegrinazhi përkujtues këtë vit ka edhe një risi të re: veprimtaria do të kryhet nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano.
Në një ditë të nentorit të vitit 148 para Erës së Re, muaj e vit ku dokumentarisht provohet vdekja e Mbretit Genc, kortezhi i një diaspore shekullore të shqiptarëve në Itali, do të shkojë në Gubio, në Mauzeleun ku ruhen eshtrat e sovranit të fundit ilir. Do ta nderojë mbretin e vet, siç shkruan në lajmërimin e vet publik, në emër të “frymëzimit evropian, i cili përherë ka karakterizuar pasardhësit e ilirëve të famshëm (shqiptarët e tanishëm), popull i lidhur me një vëllazëri të thellë me atë italian”.
Me këtë shkrim në “Korrieri”, në një të përditshme të shumëlexuar edhe nga mjaft bashkëkombas përtej kufijve të vendit tonë, qëllimi ynë modest është ta popullarizojmë sa të jetë e mundur më shumë këtë ngjarje që nuk mund të mbetet e mbyllet në vetëm kronikën e një episodi të ndodhur në Itali. Në një përpjekje për të bindur sadopak lexuesin tonë për nevojën e përhapjes së gëzuar të mesazhit të ceremonisë së thjeshtë përkujtimore në Gubio, po përcjellim një informacion disi më të plotë mbi temën. Jo për të rikujtuar lexuesin tonë se Perandoria Romake në dy shekujt e fundit të periudhës së quajtur Para Erës së Re, në ekspansionin e saj në Ballkan, u ndesh me dy bashkësi e mbretëri të fuqishme siç ishte Maqedonia dhe Iliria. As për të qartësuar se atëhere me Maqedoni kuptohej një hapësirë e madhe, ku sot banojnë edhe grekët modernë dhe se me Iliri përfshihej një territor i gjërë poshtë Danubit, në të cilin sot banojnë kroatët, boshnjakët, serbët, malazezët dhe shqiptarët. Dihet po ashtu që ndonjë degëzim e familjes së madhe të popujve ilirë në këtë epokë të largët depërtonte pjesërisht deri edhe në Italinë e veriut. Ndërsa në verë të vitit 171 para Krishtit konsulli romak Publio Licinio Crasso, me një flotë të përbërë nga dyzetë anije dhe një ushtri me dyzetë mijë frymë, nisej nga Brindisi për të filluar Luftën e Tretë Maqedonase, në pranverë të vitit 167 konsulli Lucio Emilio Paolo, zbarkonte në Greqi. Një pjesë e ushtrisë së tij të madhe mori drejtimin e Shqipërisë së Veriut, aty ku është edhe sot qyteti i Shkodrës. Atëhere vetë kryeqendra e Ilirisë. Qyteti më i parë i gjysmës së Ballkanit, streha ku sovrani Genc kishte rezidencën e mbretërisë së tij që përfshinte pothuaj të gjithë veriun e gadishullit. Dhe ku nën sulmet e romanëve (ishte në vijim Lufta e Tretë Ilirike) ishte fortifikuar me shpresën e tij të fundit për të ndalur pushtimin. Konsulli i rreptë ushtarak Lucio i bëri kryeqytetit ilir një rrethim të fortë dhe pas tridhjetë ditë luftimesh Shkodra ra. Iliria mori fund. Mbreti Genc u kap rob dhe bashkë me gruan e fëmijët e tij, madje edhe bashkë me të vëllanë, Karavancio, u mbart drejt gadishullit Apenin. Robin e shquar e vendosën në qytetin e Gubios, i cili duke qënë tradicionalisht aleat besnik i Romës, mori përsipër ruajtjen e sigurtë të tij.
Kështu ndodhi që iliri dhe pararendësi ynë i shquar, pasi mbeti i pavdekur në historinë e popullit të vet dhe të të gjithë botës për rezistencën që u bërë romanëve, i rrezatoi famë dhe pavdekshmëri edhe qytetit italian të Gubios. Ai ishte rob i Romës së fuqishme, por edhe Roma dhe sidomos Gubio mbetën “rob” të tij. Në kryeqytetin Italian, në kompleksin Monumental të San Mikeles, pranë Kishës Shpëtimtari i Madh, në vitet 2001-2002 u ekspozua për shumë kohë afresku “Pompeu përballë Mbretit Genc”, vepër e piktorit të shquar Ludovico Karaçi. Ajo ruhet në Bolonjë, në Pinakotekën Kombëtare. Kurse në Gubio një ndër objektet historike më të njohura në guidën turistike të qytetit, krahas Teatrit Roman, Mureve Ciklopike dhe Tavolinave Eugubine është edhe Mauzoleu.
Ky është një ndërtim i çuditshëm, i karakterit funeral, i ngritur në kembë, sipas të dhënave, në shekullin e parë para Krishtit. Shumica e studjuesve të historisë në vendin fqinj në këtë Mauzole mendojnë se janë ruajtur eshtrat e Mbretit ilir Genci.
Por fama e robit të shquar shkon deri edhe në emërtimin e një bime kurative, të cilën që prej dymijë vitesh italianët e quajnë xhenciana (genziana). E thërresin në emër të Gencit. Një hipotezë e zbehtë se kjo bimë, e përhapur shumë në Gubio, ka marrë emrin e një mjeku vendas, nuk besohet më prej askujt. Madje as nuk duan ta besojnë. Nuk mund të kembejnë famën e një mbreti të paepur të Ballkanit me një doktor province. Xhencianën italianët e lidhin me ilirin Genc, duke thenë se banorëve të Gubios ishte ai që ua bëri të njohur vlerën shëruese të saj. Kjo bimë mjaft kuruese, e cila në shqip thirret sanëz, e përpunuar me uthull, atëkohë luftonte me sukses të gjitha sëmundjet ngjitëse. Konsiderohej mjaft “luftarake”, duke simbolizuar me këtë cilësi edhe virtutin trimëror të mbretit Genc. Madje atëhere, sipas kronikave të kohës, thuhej se mjaftonte që çdo ditë të përtypje një copë gjethe xhenciane për shijuar “një jetë të gjatë dhe pleqëri të bardhë”.
Në nentor të këtij viti, vetëm pas dy muajve, shqiptarë emigrantë në Itali dhe arbëreshë, do të shkojnë tek Mbreti Genc, me rastin e 2150 vjetorin e vdekjes. Jo vetëm se ai përfaqëson pararendësin e ligjshëm të tyre, por edhe bashkësinë e djeshme dhe të sotme të popujve të Ballkanit. Pak rendësi ka që kroatët apo serbët janë ardhës të mëpasshëm në këtë gadishull dhe prej vendasve antikë kjo trashëgimi u ka mbetur historikisht shqiptarëve. Të vetmëve pasues të drejtpërdejtë të ilirëve. Rëndësi ka që në më të shumtat e librave historikë të vendit fqinj thuhet se “ilirët, të cilët banonin hapësirën nga Triestja e Danubi deri në kufi me Greqinë, kishin sovranë që dalloheshin për kurajën e tyre”.
Genci është i të gjithëve në këtë Ballkan që po bën përpjekje sëbashku të eurointegrohet. “Robi” i famshëm i romanëve dhe po aq edhe “robëruesi” i madh i tyre përkujtohet në një kohë shumë fatlume.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com