Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vorio Epirin ta tregoj unë!

Botuar në revistën “Shqip”, gusht 2007

Kur bënim përpjekjen e parë për të ngritur shtetin modern shqiptar, pra afro gjashtë shekuj të shkuara, nuk do ta kuptonim dot se si lideri i kësej vepre historike, Gjergj Kastriot Skënderbeu, do të quhej dhe njihej në Evropë si princi i shqiptarëve dhe i epirotëve. Madje ndodhte më shpesh që të thirrej vetëm “princi i epirotëve”. Eshtë bërë e qartë nga historianët se atë kohë, kur bënim përpjekjen më të rëndësishme të formësimit shtetëror, shqiptarët në gjysmëpjesën veriore të hapësirës së trojeve të tyre thirreshin albanë dhe ata të gjysmëpjesës jugore epirotë.
Pas gjashtëqind vitesh përjetojmë një përmbysje të realitetit historik që Skënderbeu la pas. Lobe të fuqishme panhelene, pas tyre edhe mjaft mbështetës nëpër qendrat më të fuqishme të pushtetit global, nuk thonë vetëm se në kufijtë e shtetit të tyre modern aktual, pra në Greqi, kanë Epirin e Jugut, por kryejnë të gjithë presionin e mundshëm për të bindur opinionin publik botëror se hapësira prej tyre e thirrur Epiri i Veriut gjendet brenda kufijve të shtetit shqiptar. Në një farë mënyre arkitektura e arsyetimit të tyre është një krijesë surrealiste: Epiri është tërësisht tokë greke dhe padrejtësisht nga disa fuqi të mëdha evropiane afro një shekull më parë ai është ndarë përgjysëm. Të bindur në këtë tezë të tyre këto lobe kokëforta i shtyjnë ngjarjet në një mënyrë të tillë që Shqipëria të konsiderohet shtet përvetësues trojesh që nuk i takojnë dhe se pikërisht për këtë arsye nuk do të zbehet kurrë aspirata helene për ta çliruar këtë tokë të rrëmbyer. Këto pararoja radikale akoma shprehen lehtësisht se nuk do të kursejnë në përmbushjen e këtij misioni edhe përdorimin e armëve.
Në rast se themeluesi historik i shtetit tonë, Gjergj Kastrioti, do të ngjallej vetëm për disa çaste, ai do të shtangej nga habia. Pasardhësit e tij, pra brezat pasues të princit edhe epirot, do t’i rezultonin se kishin dalë të humbur jo vetëm me fqinjin e tyre, por edhe me vetë historinë. Epirot tashmë nuk do të thotë aspak shqiptar i jugut, por grek i veriut.
Një poet i njohur që është marrë edhe me marrëdhëniet ndërkombëtare, ca kohë më parë na thoshte se i gjithë faji është yni, i shqiptarëve. Kategorive historike që përdori Skënderbeu, pra “shqiptar” dhe “epirotë”, duhej t’u kishim qëndruar besnikë deri në fund. Jo për të thënë se Epiri i Jugut është tokë albanofone, por të paktën për të bërë të njohur para botës se Epiri i Veriut është tokë shqiptare.
Bashkimi Evropian që forcohet duke na hapur gradualisht kufijtë, nuk do të shqetësohej nëse brenda trupit të shtetit shqiptar do të kishte minoritet grek (siç edhe ka) dhe se brenda trupit të shtetit grek do të gjendej minoritet shqiptar (siç edhe ka e këta janë çamët). Në supershtetin BE këto dy pakica, që nuk vërtetojnë aspak territore shtetesh, do të përbënin pasuri, rezerva miqësie, ura komunikimi, zona paqeje, hapësira “guzhinetë“ ku tensionet e natyrshme të zhvillimit dhe garimit do të zbuteshin.
Mirëpo deri tani ka ndodhur pothuaj e kundërta dhe kjo do të ndodhë për sa kohë te fqinji ynë do të shkohet me idenë kryeneçe se “Epiri Verior” i tyre ndodhet nën sundimin e shqiptarëve dhe se kjo hapësirë përfshin më e pakta Korçën dhe Gjirokastrën. Më e shumta e fantazisë së tyre shkon gjer në bregun jugor të lumit Shkumbin.
Vorio Epiri tashmë, siç akoma përdoret nga grupe të gjëra të shoqërisë greke, është një ideologji ultranacionaliste. Ai nga fqinji ynë është shndërruar që prej një shekulli e gjysëm në një doktrinë. Shumë grekë janë doktrinuar me të dhe kështu kujtesa e tyre historike dalngadalë u është tjetërsuar, u është shtrëmbëruar. Të dy popujt tanë, shqiptarë dhe helenë, që të jenë më të lirë mendërisht e më të qetë shpirtërisht duhet të kalojnë nga një proçes të domosdoshëm çdoktrinimi. Këtë hall ne nuk e kemi tek çështja e nacionalizmit, por patjetër te niveli jo i lartë i qytetërimit. Grekët nuk e kanë te niveli i çlirët dhe i përparuar i qytetërimit të tyre, por te nacionalizmi. Doktrina e Vorio Epirit u ka mbetur atje, në civilizimin e tyre të zhvilluar, si një pykë që vështirëson lëvizjen përpara.

0000


Doktrinimet kërkojnë kohën e tyre që të çmontohen, të dobësohen e të mos jenë më faktorë ndikimi në jetën e një vendi dhe shoqërie. Çdoktrinimi nga e quajtura “çështje e Vorio Epirit” ka nevojë jo vetëm për realizëm, por edhe për mobilizim të elitave. Kërkohet patjetër vullnet politik dhe sidomos reflektim i Kishës Ortodokse, e cila është një nga përpunueset e ngulitëset kryesore të kësaj doktrine. Nuk duhet me këtë rast ndonjë kulturë tepër e thellë historike, sepse deri tani shumë historianë grekë e kanë lënë pasdore përzjerjen e tyre në falsifikimin e betejës false për Vorio Epirin. Ata e dinë dhe e kanë pohuar publikisht të vërtetën shkencore: hapësirat e Epirit të vjetër kanë qënë një territor me popullsi të përzjerë greko-shqiptare, ku në jug kanë në shumicë helenët dhe në veri arbërit.
Çmontimi i këtij doktrinimi duhet bërë nga politika e sidomos Kisha Ortodokse, jo vetëm se janë arkitektët e krijimit të këtij iluzioni, por aktualisht kanë ndikim shumë të fuqishëm mbi shoqërinë e tyre. Realisht në mendësinë e fqinjit tonë, popullit grek, ajo doktrinë shovene është vetëm një cipë, një shtresë aluvionesh propogandistike të mbetura prej një “shplarjeje trush”. Një shplarje të tillë të rendë e kemi patur edhe ne, shqiptarët, me realkomunizmin stalinist. Njeriu i thjeshtë helen është një qytetar shumë i emancipuar, jo më pak e hapur është edhe elita e vendit fqinj, përfshi pse jo edhe politikanët. Djallëzimi i vazhdueshëm i grekut si armik i shqiptarëve, duke mos qënë i vërtetë, e bën atë të mbërthehet më fort në tezat e tij nacionaliste. Kështu, përshembëll siç veprojnë disa tanët patriotë të thekur duke djegur flamuj kombëtar të popullit fqinj, doktrinës së Vorio Epirit i shtohet jeta.
Për të kuptuar sadopak një pamje të tillë të gjërave, po i tregojmë lexuesit një histori raportesh të një emigranti shqiptar, të quajtur Zaçe Islami, me pronarin e tij grek Aleksandër Fotaqi. Bashkëkombasi ynë kishte hyrë në vendin fqinj me vizë të rregullt më 15 mars 1991, pasi në korrikun e një viti më parë kishte qënë një ndër ata që mësynë ambasadat dhe kështu paralajmëruan rënien e diktaturës komuniste. Atëhere hyri tek Ambasada e Republikës Franceze, por kur mori vesh se sipas ligjeve të atij vendi do të trajtohej si refugjat politik dhe për këtë arsye nuk do të kishte të drejtë të shkelte në atdheun e tij, pas dhjetë ditësh doli. Ai donte të ishte vetëm emigrant ekonomik. Rrugën për të ikur në Greqi e zgjodhi për disa arsye. E njihte shumë mirë atë gjuhë, meritë kjo e vullnetit të tij, duke e mësuar nga i jati. Karafil Islami në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, pas një periudhe emigracioni në Kajro, shtatë vite të tjera kurbeti i kishte kaluar në Athinë. Ndërsa udhëtonte drejt vendit fqinj birit të tij Zaçe nuk mund t’i hiqej lehtë nga mendja ajo që i kishte ngjarë gjyshërve të tij në vitet e pavarësimit të Shqipërisë, kur, siç thoshte kenga popullore, ushtri andartësh grekë me dhunën e tyre bënë që “Gratë e Kurveleshit me foshnja në djep, i përzuri greku me urë në dorë, qaj, moj Shqipëri, qaj, moj e gjorë!” Vetë i jati i tij ishte në bark të nënës kur edhe familja Islami nga vendlindja e vet, Golemi i Gjirokastrës, u shpërngul si muhaxhir në Selenicë të Vlorës.
Nuk iu deshën shumë ditë emigrantit të ri të ardhur në Athinë nga Tirana për të kuptuar se shoqëria greke ishte një bashkësi qytetarësh interesantë, plot etje për zhvillim dhe mirëqënie, por mjaft kontradiktore brenda vetes. Para pothuaj dy vitesh, pra më 15 shtator 2005, i rikthyer përfundimisht në Shqipëri ai pohon se sa herë që kujton ditët e para të jetës në kryeqytetin grek emocionohet aq shumë sa ndjen në trup mornica. Me të mbërritur në Athinë menjëherë banorët fqinjë e ndihmuan me tesha dhe orenditë më të nevojshme që të sistemohej në apartamentin e vogël të zënë me qera dhe ku shumë shpejt do të vinte familja e tij. Kur pas një muaji me vizë të rregullt ja behën e shoqja me dy vajzat, komshijtë grekë bënë festë. Ata përgatitën një bukë të madhe, një tip çyreku mirseardhjeje dhe ndarjes së saj të gëzuar i bënë ceremoni.
Pamjen tjetër të gjërave emigranti i ardhur në Athinë nga Tirana e ndeshi me fillimin e vitit shkollor, në shtator-tetor 1991. Kur shkoi të regjistronte në klasën e parë vajzën e vogël, drejtuesit e shkollës i thanë se kjo punë nuk mund të bëhej sepse e bija nuk ishte e pagëzuar. Kur e panë të dëshpëruar, për ta ndihmuar sadopak, emrin e shqiptares së mitur ia shënuan gjithsesi me laps plumbi, por e siguruan se fuqi për të dalë jashtë rregullit shtetëror sipas të cilit çdo nxënës duhet pagëzuar në kishë, kishte vetëm një ndërhyrje nga Ministria e Arsimit. Duke qënë se prej andej, pasi familjarisht i bënë një letër, gjer në ditën e parë të shkollës nuk erdhi asnjë lëshim, Zaçe Islami e çoi në shkollë të bijën. Ishte festë, prandaj edhe i bleu të voglës një tufë me lule, çmimi i të cilës ishte sa paga e tij e një dite pune. Mirëpo shqiptaren e vogël me në zemër gëzimin e ditës së parë të shkollës e nxorrën menjëherë nga klasa. Ajo e papagëzuar nuk mund të bënte pjesë në lutjen e mëngjezit. Me tufën e luleve në dorë e vogëla qau me dënesë të gjithë atë ditë. Përballë një fati të tillë emigranti ekonomik shqiptar pagëzoi jo vetëm vajzën e vogël, por edhe të madhen. Nuk ndjeu se bëri ndonjën tradhëti ndaj besimit mysliman të prindërve të tij, por inat e zëmërim pati boll. Si qytetar i një shteti laik, siç ishte Shqipëria, ai nuk mund ta pranonte që kushtin e tjetërsimit fetar dhe të imponimit me forcë të vetëm një besimi ta bënte shteti. Një përdhunë të tillë nuk do t’ja duronte dot as Kishës Ortodokse, e cila gjithsesi për hesap të vetë mbase këtë gjest diktatorial mund ta kryente nën përgjegjësinë e saj. Episodi i tretë tronditës nuk vonoi shumë: ndodhi pas dy-tre javësh, në ditët e para të tetorit. Vajza e madhe, nxënëse në klasën e pestë, u kthye një ditë nga shkolla me çehre të prishur dhe i tha të jëmës plot dëshpërim “Mami, Tepelenën dhe Korçën e paskan marrë grekët!” “Ç’thua!”, kishte shtangur kjo. Por gjithçka ishte kthjelluar shumë shpejt. Atë ditë në tekstin e antologjisë së letërsisë greke klasa kishte patur për temë mësimi një vjershë të vitit 1940, në të cilën thuhej “Morrëm Tepelenën dhe Korçën dhe shumë shpejt do të ndodhemi në Tiranë”. Ngjarja e katërt shokuese Zaçe Islamit i ndodhi pas një muaji. Në kishë prifti, i cili në bisedë i ishte dukur jo vetëm njeri i zgjuar dhe zemërmirë, por edhe ëngjëll paqësor, gjatë meshës predikoi me thirrjen “Duhet të marrim pushkët dhe të çlirojmë vëllezërit tanë vorioepirotë, që vuajnë nga turkoshqiptarët!”
Kaq ishin të mjaftueshme për emigrantin ekonomik shqiptar në Athinë që të “ngrinte antenat” dhe të bënte kujdes jo vetëm të mos gjendej në ndonjë rrethanë të papëlqyer, por mbi të gjitha për të kuptuar se si ishte e mundur që një popull aq shendetshëm në kulturën e tij perëndimore, të mund të ishte njëkohësisht bashkëjetues me atavizmin e nacionalizmi të verbër, veçanërisht atij “vorioepirot”.
Por në rast se gjithçka e përshkruar më sipër përbënte “episode”, një ngjarje e vërtetë i vazhdoi bashkëkombasit tonë për vite me rradhë. Ajo iu zhvillua përditë në vendin e tij të punës, në një nga argjedaritë e mëdha të Athionit, fare afër sheshit të njohur Omonia. Punonte si orëndreqës, zanat i marë nga i jati, te greku Aleksandër Fotaqi. Ky në mënyrë kembëngulëse e cilësonte si “turkoshqiptar”. Ndërkohë i thoshte se Greqia ishte një vend paqësor i Bashkimit Evropian dhe nuk kishte ndërmend ta sulmonte ndonjëherë ushtarakisht Shqipërinë, por po të donte Vorio Epirin e merrte për katër orë. Kjo gjendje e përhershme i krijoi emigrantit ekonomik shqiptar nervozizëm, madje kthehej në shtëpi shumë i acaruar. Më në fund e shoqja i tha “Ti sikur e ke Vorio Epirin në xhep dhe ai ta kërkon “Nxirre!” dhe ti nuk e nxjerr?! Thuaji “Po ta mbajti shko merre!” “Po edhe kështu s’ma thotë goja”, i u përgjigj Zaçe Islami, “Si t’i them shko merre!”
Nuk po e shkruajmë, për t’i dhënë fund kësaj vuajtjeje shpirtërore, çfarë i tha një ditë pronarit të tij për ta siguruar se asnjë centimetër tokë shqiptare ushtria greke nuk e merrte dot dhe as po e përshkruajmë se si pas këtij çasti Aleksandër Fotaqi shtangu, duke iu përgjegjur “Këtu nuk më kishte shkuar mendja!” Pronarin i tij grek Zaçe Islami e donte, sepse ndërsa bënte vetëm këtë gabim, në gjithçka tjetër ishte jo vetëm korrekt, por edhe pas grindjeve më të mëdha që kishin kaluar për çështjen e Vorio Epirit, kurrë nuk i pati thënë “Tani lëre punën dhe ik, të kam pushuar!” Aleksandër Fotaqi ishte njeri me shpirt të madh. Një ditë të korrikut 1995 papritmas i tha të punësuarit të tij shqiptar “Bëje makinën gati dhe shko ndërrohu se do të kemi rrugë!” I dha edhe disa mijra dhrahmi për ta mbushur mjetin me benzinë, për të kontrolluar motorrin, frenat, fenerat. Pastaj saktësoi “Do të nisemi për në Tiranë”. Kështu në orën nëntë të darkës mbyllën dyqanin, e siguruan me alarmdhënësin dhe u nisën drejt kufirit shqiptar. Në mëngjez ishin në Kakavijë dhe kur mbaruan punë te dogana greke e dolën jashtë portës së kangjelltë të hyrjes në territorin shqiptar, Zaçe Islami fiku makinën, doli jashtë, hapi derën në krahun e Aleksandër Fotaqit dhe i tha greqisht “Mirse erdhe në atdheun tim!” Ky në fillim u trondit, mbase nga që në tokën shqiptare po hynte për herë të parë. “Përse ma bëre këtë?”, e pyeti i hutuar. “Sepse ke ardhur në vendin tim, ke ardhur në shtëpinë time”, u përgjegj i punësuari në argjendarinë e tij të madhe. Atëhere greku shqiptoi “Mirse ju gjeta!”. Pas kësaj emigranti ekonomik shqiptar u fut brenda në makinë, mbylli derën, ndezi motorrin, hapi një hartë të Shqipërisë që e kishte marrë posaçërisht me vete dhe vijoi: “Dëgjo, Aleko! Ky fshati i parë në këtë hartë quhet Vrisera. Që këtu e më pas do të t’i them të gjitha fshatrat ku shumica e banorëve flasin greqisht”. Tjetri tundi kokën i bindur. Për tre-katër orë Zaçe Islami e shoqëroi pronarin e tij athinjot në Vrisera, Jorgucat, Grapsh…Qëndruan në të gjitha fshatrat ku flitej greqisht, Aleksandër Fotaqi zbriti kudo, u fut në kafenenë më të madhe dhe komunikoi lirshëm në gjuhën e tij. Në një rast Zaçe Islami i tha pronarit të tij se shtëpitë e bashkëkombasve të tij në ato pak fshatra të Shqipërisë së Jugut ishin në kodrina, sepse kishin ardhur aty si argatë të punëdhënësve shqiptarë. Ishin këta që e kishin fushën. Kur makina iu afrua Derviçanit emigranti shqiptar foli “Këtu, i dashur Aleko, mbaroi ai “Vorio Epiri” tënd. Tani ke fshatra, qytete dhe vetëm popullsi shqiptare. Ti në këtë hartë vëre gishtin ku të duash dhe unë do të të çoj atje. Po dëgjove njeri të flasë greqisht, më thuaj!” Pronari grek nuk u përgjegj. Shqiptoi vetëm “Të besoj!” Në mbrëmje arritën në Tiranë dhe të nesërmen, krejt për rastësi, takuan në një bar të kryeqytetit ministrin e Jashtëm shqiptar Alfred Sereqi. Pinë sëbashku kafe, bënë humor, biseduan gjithçka, përveç politikës së jashtme dhe Vorio Epirit. Kur bashkë u rikthyen në Athinë ndodhi çudia: që prej asaj dite punëdhënësi i tij grek nuk e përmendi më fjalën “Vorio Epir”. Njeriu i mirë Aleksandër nga fjalori i tij nuk hoqi dot emërtimin “turkoshqiptar”, por edhe këtë e bënte për ta ngacmuar, miqësisht.

0000

Ajo që rrëfyem më sipër është një ndodhi mes dy njerëzve, ndërsa ajo mes dy vendeve është një kapitull i madh. Gjithsesi Greqia moderne mund të simbolozohet me Aleksandër Fotaqin fisnik dhe zemërgjërë, por që i duhet të çdoktrinohet nga dogma e Vorio Epirit. Gjatë gjithë dekadës së fundit të shekullit të shkuar, por edhe më pas, nuk është gjendur vetëm ndonjë repart ushtarak grek që ka kënduar refrenin “Kemi një motër të vogël që quhet Vorio Epir, të cilën e duam shumë”, porse në të gjitha rastet që në mediat athinase është hapur çështja e pavarësimit të Kosovës “gjuha” e debatuesve vendas ka shkuar e shkon ende te Vorio Epiri. Këtu vete kjo “gjuhë” edhe kur shqiptarët çamë nuk kërkojnë asnjë prishje të kufirit, por pronat e tyre të sekuestruara padrejtësisht dhe të qënit qytetar i Republikës Greke.
Në rast se mbahet për “politikë”, na vjen keq që e themi, e quajtura “çështje e Vorio Epirit” do të tretet si vesa e mëngjezit. Do të jetë tharë ditën që Shqipëria do të hyjë në BE.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com