Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Makinat, si armët pa leje

“Tirana Observer”, 4 tetor 2007


Për një njeri që ka vdekur thuhet zakonisht se ndërroi jetë. Për Syrja Hysin, një burrë të fortë tetëdhjetë e trevjeçar, ish-zëvendësrektor i Universitetit Bujqësor të Kamzës, mund të thuhet vetëm se ja morrën jetën. Ndërsa kalonte në një buzërrugë afër shtëpisë së tij në Tiranë, hipur mbi një biçikletë që nuk e kishte ndarë prej disa dekadash dhe e ngiste me shumë kujdes, një makinë me dy të rinj i turfulloi pranë dhe e goditi nga pas, duke e rrëzuar përtokë. Vetura e çakërdisur iku me ngut, pa qendruar për t’i dhënë ndihmë, kështu që plakun e rënë përdhe, tashmë me krahërorin të shembur, legenin eshtror të thyer dhe nëpër krahë mbushur me hematoma gjaku, u kujdesën kalimtarë të ndryshëm. Gjersa më në fund erdhi autoambulanca dhe e dërgoi në spital.
Pas këtij çasti ai jetoi vetëm pak ditë.
Kështu përfundoi kronika e njërës nga shumë vrasjet me makinë që ndodhin në të gjithë Shqipërinë dhe të cilat brenda në Tiranë dhe në autostradën për në Durrës, mbajnë vendin e parë. Në të gjithë botën, përfshi edhe vendet më të zhvilluara dhe me organizimim shtetëror nga më të efektshmit, makinat vrasin më shumë se armët. Janë pasoja të frikshme, pesëmbëdhjetë deri njëzetë mijë të vrarë çdo vit në Francë, Gjermani, Spanjë, Itali....Por po t’i shohësh me kujdes kolonat statistikore të atyre vrasjeve nuk konstaton vetëm se shumica kryhen në fundjavë, janë të rinj e ndodhin pas daljes nga diskotekat. Kryesorja është se këto vdekje të dhimbshme ngjajnë si pasojë e aksidenteve automobilistike. Një pjesë e humbin jetën se makinën e tyre e godit një tjetër, kurse shumica sepse vetaksidentohen. Pra shkujdesja e ngasësit, gjendja jo normale apo gabimet teknike bëjnë që të gjithë sa gjenden në makinë të vetvriten.
Në Shqipëri çdo statistikë që mund të bëhet publike nga policia përkatëse, pothuaj nuk ka asgjë të ngjashme me treguesit në vendet e tjera e sidomos në Perëndim. Nuk është fjala për atë të të vdekurve në fundjavë apo pas daljes nga diskoteka. Fjala është për një karakteristikë tjetër, të cilën mund ta gjesh vetëm mes nesh: më tepër se nga aksidentet vdekjet vijnë nga që këtu makinat të shtypin. Tek ne ato më shumë se të përplasen me njëra-tjetrën apo të vetaksidentohen, vrasin.
Në vendin tonë makinat janë armë.
Katër shkrime i janë dashur autorit të këtyre rradhëve për të denoncuar vrasjet që kanë kryer makinat në udhëkryqin para Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një çast të vitit të shkuar shifra e goditjeve të njerëzve nga makinat arriti në tetëmbëdhjetë.Gjysma vdiqën në vend apo në spital, të tjerët përfunduan të gjymtuar. Vrasjet ishin nga më të lemerishmet. Një gjashtëdhjetevjeçar e vranë në mes të vijave të bardha dhe këpucët e tij mbetën në anë të udhës, buzë Lanës, edhe gjithë ditën e nesërme. Një të ri me të fejuarën e tij, hipur në një motorrçikletë të vogël, e përplasën në asfalt duke ikur në mëngjes për në punë. Një tjetri i mbeti në mes të rrugës qeska me pazarin e ditës.
Për vrasjet në atë udhëkryq asgjë nuk ndodhi. Në të vërtetë ato janë rralluar, si edhe aksidentet. Kjo nuk ndodhi ngaqë u muarr ndonjë masë. Aspak. As e çau kokën ndonjë individ apo strukturë përgjegjëse. Ka shumë njerës të pazëmër në disa nga zyrat tona. Në atë udhëkryq të vdekjes, ku edhe diplomatët shqiptarë mund ta japin jetën si të gjithë, por kësaj rradhe duke lënë në buzë të udhës çantën e punës, me të cilat në dorë u ka ndodhur të lëvizin nëpër rrugët e të gjitha kontinenteve, ndodhi vetrregullimi. Veproi jo ligji i njeriut dhe i shtetit, por ligji i natyrës. Kalimtarëve iu mprehën reflekset e vetmbrojtjes dhe rritën shpejtësinë e kapjes së çastit të volitshëm dhe pastaj të vrapimit me një frymë për të kapërxyer rrugën. Një xhungël e vërtetë. Veprojnë dhe i shpëtojnë njerëzit vetëm instiktet. Bashkëkombas të tillë, të të gjitha moshave, me siguri i shihni si ia japin vrapit nëpër të gjitha udhëkryqet e kryeqytetit shqiptar. Asnjë makinë nuk hap udhë, kushdo prej tyre mund të të shtypë. Vrasjet me makinë janë refreni i metropolit tonë në vitin dymijë.
Policia Rrugore, e cila ka pjesën e saj të fajit është vetëm njëra anë e përgjegjësisë. Ajo këtë vit u kritikua edhe nga vetë eprorët e saj. Mirëpo problemi është më tepër se kaq. Që mes nesh nuk ka kulturë të mjaftueshme për të rekrutuar punonjës të përzgjedhur në një fushë të caktuar, kjo dihet. Francezët kanë të përzgjedhur për elitën shkollën e tyre të administratës dhe xhandarmërinë, anglezët BBC-në dhe universitetin e Oksfordit, italianët kanë trupa të zgjedhura karabinierët dhe amerikanët përveç universitetit Haward kanë trupat marins. Ne nuk kemi asgjë të dallueshme, asgjë të ngritur mbi parime e rregulla elite. Mund të ishte e tillë Policia Rrugore, mundej edhe doganierët, mbase edhe elita e mjekëve në shërbimin mjekësor etj etj. Por ne nuk zgjedhim, jemi ende shumë larg parimeve të meritokracisë. Ne nuk i përgatisim me cilësi drejtuesit e makinave, por ua dhurojmë patentat, si t’i duan ata. Dhe doemos patenta të tilla nuk janë gjë tjetër veç liçensa për të vrarë.
Autostradat nëpër botë kanë numura dhe deri emra poetikë. Kanë në emërtimet e tyre diellin dhe emrin e një peme, por autostrada jonë Tiranë-Durrës, ajo që është nyja më e madhe automobilistike e Shqipërisë dhe e zhvillimit ekonomik të vendit, mund të quhet pa mëdyshje autostrada e vdekjes. Madje ajo tashmë emrin e ka të fiksuar si të tillë në kujtesën e njerëzve. Ajo është autostradë e vrasjes, sepse atje më shumë se humbasin jetën nga përplasjet e mjeteve, makinat shtypin njerëz.
Kronikat televizive po dëshmojnë se edhe në autostradat e reja, madje edhe atje ku nxënësit e vegjël duhet të shkojnë e kthehen nga shkolla, nuk ka asnjë rrugëkalim. Nuk është parashikuar as në projekt dhe kjo përbën skandal. Mungesa e humanizmit nis nga vetë mënyra e të menduarit. Kështu edhe rrugët e reja po shndërrohen në autostrada të vrasjeve. Na ndodhi që njëherë një polic rrugor në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhjetra kalimtarë na futi e la në mes të lumit të makinave që uturinin në të dy krahët. Për pak na bënë palë fiku. Polici kujdesej vetëm për të organizuar lëvizjen e mjeteve. Kur i thamë përse vepronte ashtu, na u përgjegj gjithë seriozitet: Unë merrem me trafikun. Pra trafik ai konsideronte lëvizjen e makinave, jo të njerëzve. Aty ishte të rregullonte lëvijen e hekurave, jo siguronte kalimin e njerëzve, të pambrojtur e vetëm mish e gjak.
Prandaj edhe viktimën e fundit të kësaj egërsie dhe paqytetërimi, pedagogun universitar Syrja Hysi, nuk e lanë të vdiste prej ligjeve të natyrës. Atë e vranë me ligjet e xhunglës sonë. Askush nuk hetoi, askush nuk mblodhi të dhëna, askush nuk kërkoi fajtorët, pra vrasësit. Ata ikën brenda veturës së tyre me kondicioner dhe ku me siguri pas pak kanë hapur radion e dëgjuar muzikë zëlartë. Tani vrasjet janë “të pastra”. Nuk ka nevojë aq të ngutshme për pistoleta me apo pa silenciatorë. Nuk duhen as zbrasje automatikësh, as granata të hedhura tek kembët apo në dritaren e shtëpisë. Sot të vrasin me makinë. Kjo është edhe arma më “moderne” e fundit.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com