Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Shqiperi mos ki frike, se ke çupat ne Amerike!“

Botuar në “Tirana Observer”, 4 nentor 2007

Forma e vërtetë e këtyre vargjeve të thurrura nga Fan Noli është “Shqipëri mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!” Dihet tashmë se në kohën e vet ky ka qënë një kushtrim, një parrullë mobilizimi, një kod solidariteti, një formulë kurajoje e besimi, një thirrje për mbrojtje të Shqipërisë. Krijesa fanoliane nuk është aq letrare sa duket fillimisht. Nuk ishte po ashtu, për kohën kur u hodh në letër dhe u përsërit gojë më gojë, gjë e pamundur, edhe pse SHBA janë shumë larg gjeografikisht, për të ardhur deri këtu duheshin shumë shpenzime, kohë e gjatë udhëtimi etj. Në dekadat e para të shekullit të shkuar nuk mund të ndodhte ajo që ngjau në vitin 1999, kur prej shqiptaro-amerikanëve u krijua deri edhe batalioni “Atllantiku”, i cili luftoi për çlirimin e Kosovës. Luftëtarët vullnetarë mbërrinin në aeroportin e Tiranës brenda një gjysme dite.
“Ke djemtë në Amerikë“ linte të kuptonte se shqiptarët si në legjendë do të kapërxenin oqeanin e do të ndodheshin aty, në hallin e madh të vendit të tyre. “Ke djemtë në Amerikë“ donte të thoshte se me Shqipërinë ishte shteti më i zhvilluar e më fuqishëm në botë. “Ke djemtë“ në gjuhën e kohës donte të thoshte po ashtu se luftëtarët e çështjes kombëtare ishin të përfytyruar si meshkuj, të gjithë të rinj në moshë. Edhe pse Fan Noli dhe e gjithë elita jonë e atyre viteve të shtyra thellë në shekullin e shkuar e dinin se femra shqiptare, vajzë apo grua, kishte qënë një luftëtare po aq e paepur sa edhe vëllai apo bashkëshorti i saj, paragjykimi i kohës peshonte jo pak. Kur Noli thurri ato vargje, madje edhe dy-tre dekada më pas, rolin e grave në pjesët teatrore të vëna në Shqipëri i luanin akoma meshkujt.
Mirëpo tani, kur bëhet fjala për SHBA-në, mund të shkruhet e përsëritet gojë më gojë varianti i ri i vargut fanolian: “Shqipëri mos ki frikë, se ke çupat në Amerikë!”
Bashkëkombaset tona, pas rënies së diktaturës, kanë emigruar e janë vendosur gjithkund nëpër botë. Nuk ka posaçërisht një përzgjedhje gjinore të vendit të tyre të stabilizimit. Femrat shqiptare nuk ka ndodhur të pëlqejnë më shumë nga gjinia tjetër, ajo e meshkujve, ta nisin jetën më shumë në Gjermani apo Itali dhe më pak në Greqi. Përzgjedhjet e tyre përcaktohen nga standarte të tjera. Kur janë gra ato shkojnë pas burrave dhe familjeve të tyre, kur janë vajza tashmë orientohen nga studimet e larta. Megjithatë në raport me vendet e tjera ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është disi më e veçantë. Atje bashkëkombësja jonë po përparon me një shpejtësi shumë më të lartë se gjetkë. Nuk është se ky lehtësim në SHBA u mohohet meshkujve. Edhe ata, falë kulturës kombëtare të amerikanëve dhe nivelit të ngritur të demokracisë, mbrodhësojnë më shpejt se, përshembëll në Greqi apo Francë. Por ndërsa për “djemtë“ kjo nuk përbën ndonjë lajm (ata përherë mbeten të privilegjuar) kumt shumë të gëzuar parathotë progresi i madh i bashkëkombaseve tona. Më saktë: i shqiptaro-amerikaneve.
Tek to një shoqëri si e jona, akoma në shpërget për të zbuar maskilizmin tradicional aziatiko-lindor, tashmë edhe i ngërdhedhur si gjoja modern, mund të dallojë shumë mirë se sa shkëlqim ka femra jonë. Shqiptaro-amerikanet të bëjnë të bindesh se sa hak u ka ngrënë atyre shoqëria jonë, paragjykimet që vegjetojnë në të. Shqiptaro-amerikanet të shtrengojnë të sjellësh ndërmend se të parfumuara dhe të veshura me elegancë ato kanë ditur të mos harrojnë se janë po ashtu Shote Galica. Kur Kosova kërkonte të bashkoheshin me çështjen e çlirimit të saj ato nuk u gjendën vetëm në demonstrime, mbledhje fondesh, shkrime nëpër gazeta e debate nëpër televizionet lokalë, por edhe në kampet e grumbullimit dhe të përkujdesjes për refugjatët bashkëkombas. Nga kjo eksperiencë ka dalë edhe libri “Children of Kosova-Stories of Horror” i njërës nga më të talentuarat shkrimtare shqiptaro-amerikane, Albana Lifschin. Ky libër tashmë është mes letërsisë që u rekomandohet nxënësve të shkollave të Nju Jorkut.
Po të kesh korespondencë me një nga veprimtaret më të spikatura të tyre, Merita Bajraktari McCormack, kupton menjëherë finesën e komunikimit dhe të bashkimit me njëri-tjetrin, me të cilën shumë nga ne, këtu në tokën mëmë, nuk po mësohemi dot ta bëjmë mirë. Duke jetuar në një vend me superteknologji dhe ku veprimtaria nëpëmjet internetit zë një vend të dukshëm, Merita me shoqet e saj shqiptaro-amerikane ka krijuar një forum, i cili quhet “Bota e Gruas”. Më shumë se për debat, atje ato shkembejnë për njohje krijimtarinë e tyre. Janë autore poezish, tregimesh, librash, reportazhesh, artikujsh problemorë. Quhen Aida Dismondy, Afërdita Dauti, Argentina Tanushi, Aneta Xhiku, Blerta Alikaj, Ejvis Maria Xhajanka, Eleonora Gjoka, Elmira Muja, Julia Gjika, Medije Vreniqi, Mimoza Dajçi, Teuta Shabani, Viollandi (Landa) Prifti. Pikërësisht në këtë forum aderon një nga poetet më të ndjera, Ilirjana Sulkuqi, bashkëpunon një nga zërat më të bukur, Justina Aliaj, jep ide të vyera Kozeta Zylo, vazhdon të jetë shumë e frymëzuar dhe penë e ngrohtë e njerëzore Rozi Theohari. Tek “Bota e Gruas” bën pjesë edhe Rajmonda Moisiu, tashmë një publiciste aktive, puna e bukur e të cilës, mes librave që ka botuar, është një cikël me intervista shumë të hollësishme për shqiptaro-amerikanet e spikatura. Kur e gjithë kjo punë të dalë në një libër, do të jetë një surprizë e kendshme dhe po aq dëshmi se tashmë ekziston një grup shkëlqimtar i diasporës shqiptare në botë, ajo e shqiptaro-amerikaneve.
Të jesh e tillë, pra shqiptaro-amerikane, do të thotë të të shkojë mendja edhe për gjëra që jo përherë u venë për mbarë burrave në vendin tonë, kur janë, por edhe kur nuk janë hipur në pushtet publik. Një nga librat e fundit që ato bënë sëbashku e titulluan “Antologji për Nënën”. Shumica ishin vetë nëna dhe me poezitë, skicat apo tregimet, u falnin mirënjohje nënave të tyre. Shqiptaro-amerikanet me spikatjen dhe autoritetin që po krijojnë në diasporën tonë në SHBA, edhe listë-forumet në internet apo shoqatat, ku grumbullohen, i emërtojnë me emrat e të shquarave Tefta Tashko Koço apo Motrat Qiriazi. Do të mjaftonte vetëm një pjesë e kësaj kulture të hynte në Shqipëri dhe do të shihnim si femra jonë do të shpëtonte përfundimisht nga gjysmerrësira e harrimit vlera shumë të mëdha kombëtare. Nuk qendrojnë të fshehura, sepse ka ndonjë politikë të posaçme shtetërore ndaj tyre. Shteti është fajtor e përgjegjës për pjesën e vet, pra për mungesën e pasionit të veçantë që t’i hapë rrugë të plotë femrës shqiptare, por gjithçka tjetër është mëkati ynë i përbashkët. Jemi ende shumë shpirtkërrusur nga paragjykimet ndaj inteligjencës, freskisë së mendjes, aftësisë organizative, talentit social e sidomos politik të saj.
Shqiptaro-amerikane do të thotë një shembëll, një sedër që duhet të ngacmojë e verë në lëvizje vendin tonë teksa lakmon hyrjen e shpejtë në Bashkimin Evropian. Nuk do të thotë, të jesh shqiptaro-amerikane, vetëm si pianistja e suksesshme Hermira Gjoni, e nderuar me medalje nga \\\\\\\"Federazione Campania - USA\\\\\\\". As si vetëm Merita Halili, tingulli i ëmbël i të zërit të të cilës me kohë ka dalë për publikin vendas. As si mjekja pediatre Linda Ciu (Afezolli), tashmë me klinikë për shqiptarët apo si doktoresha e re Lindita Çoku, profesionalizmi i mahnitshëm i të cilës u bë popullor edhe nga gazeta e shumënjohur “Illyria” në Nju Jork. Të jesh shqiptaro-amerikane po ashtu nuk do të thotë vetëm të kesh në krah një zonjë të të nderuar si Anna Cohen, me kombësi hebre, qytetare nderi e Vlorës, të cilën për vlera të veçanta dashurie për vendin tonë disa ditë më parë e priti dhe e përgëzoi posaçërisht Konsulli ynë në Nju Jork, Albert Jerazi.
Të jesh shqiptaro-amerikane nënkupton në fund të fundit të duash modelin Hillari Klinton. Kjo do të thotë se ato tashmë janë të vetëdijshme se e vlejnë më shumë nga sa u kemi dhënë, kur ishin këtu. Kjo do të thotë po ashtu se, po nuk u vonuam duke ua rikthyer të gjitha të drejtat reale zonjave dhe zonjushave që kemi në atdhe, ato do t’i marrin vetë. Duke qënë femra, pra edhe të buta e të ëmbëla, nuk do të ndodhë asnjë lloj lufte. Thjesht një mengjez do t’i kemi presidente apo kryeministre të vendit.


Ylli Polovina










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com