Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu dhe njeriu që kafshoi qenin

Botuar në gazetën “Shqip”, 3 maj 2008

Tashmë dëshira për t’u bërë lajm edhe me Skënderbeun ka katër-pesë vite që në Shqipëri po korr sukses njëlloj si një dekadë më parë me fjalënajën se në një kthinë të një shtëpie të Fierit bëhej transplant organesh të brendshme të hequra ilegalisht nga trupa fëmijësh. Këtë teknologji të të bërit lajm e përsëriti së fundi edhe vetë prokurorja e njohur zvicerane Karla Del Ponte. Në librin e saj “Gjuetia” ajo gjeti një shtëpi të vjetër shqiptarësh në një fshat larg të gjitha rrugëve kryesore të komunikacionit dhe shkroi e zezë mbi të bardhë se gjatë luftës për çlirimin e Kosovës UÇK pati bërë transplant të organeve të robërve serbë.
Për ata që lakmojnë të bëhen lajm në kontinentin e madh evropian e përtej tij duhet të shpikësh gjëra të tilla. Pritet me vëmendje përshembëll edhe të “zbulosh” baza te terrorizmit fondamentalist islamik në të quajturin trekendësh Bosnjë-Shqipëri-Kosovë. Për t’u bërë lajm fuqiplotë për të paktën dy apo tre ditë çdo temë tjetër nga këto dy ka shumë më pak mundësi të mbijetojë. Tanimë edhe të të thuash mafioz nuk e arrin dot statusin të hysh në kronikë.
Ata që merren me median e dinë që nuk bëhesh dot lajm po të thuash se një qen kafshoi një njeri. E përfiton menjëherë këtë të padrejtë kur shpërndan gjithkund haberin se ishte një njeri ai që kafshoi një qen. Ata që merren me median dinë edhe mjaft “sekrete” të teknologjisë së bërjes së lajmit, siç edhe të tjerë që nuk merren me këtë profesion e dinë se kjo punë nuk është aq gjë e ndërlikuar dhe e vështirë. Shpesh është edhe më e lehta, sepse mjafton të thuash vetëm të kundërtën, kokëposhtën. Përshembëll në historiografinë për Skënderbeun nuk përbën lajm përpjekja e mjaft profesionale e Prof. Kristo Frashërit për ta parë Gjergj Kastriotin tashmë jo vetëm si prijës ushtarak a shtetbërës, por edhe thjesht si qënie njerëzore. Nuk përbën ngjarje të spikatur edhe një ripunim modern i romanit “Skënderbeu” nga autori, shkrimtari e politikani Sabri Godo, deri tani përpjekja më serioze në letërsinë shqiptare për ta sendërtuar Gjergj Kastriotin si njeri. Lajm bëhet menjëherë po të thuash a shkruash se Skënderbeu për cilësitë e drejtimit ushtarak ka qënë jo një general, por një \\\"hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve\\\", se nuk ishte aspak shtatlartë (siç ka të paktën katër dekada që është dëshmuar përfundimisht), por një xhuxh rondokop, se nuk ishte dinak (siç në të vërtetë qe, cilësi që u duhet patjetër politikanëve), por hileqar, se ishte karakter i pabesë apo se “nuk ishte luftëtar i vërtetë për liri kundër të gjithë pushtuesve, por përkundrazi, ishte i prirë për bashkëpunim me pushtuesit më të rrezikshëm, pushtuesit sllavë, kundër një pushtuesi tjetër, pushtuesit osman....”.
Tamam dy vite më parë, sapo e diktoi këtë prirje për ta përmbysur e kompromentuar figurën e Gjergj Kastriotit, në një intervistë dhënë një media të huaj Ismail Kadare pati deklaruar ”Janë bërë përpjekje për ta revizionuar figurën e Skënderbeut. Kanë qenë përpjekje shumë të shëmtuara, sepse binin ndesh me të gjithë frymën properëndimore të Shqipërisë. Skënderbeu është mishërimi i kësaj fryme dhe tamam në kohën kur Shqipëria u miqësua me Evropën perëndimore dhe kërkon të fitojë kohën e humbur, papritur doli një lëvizje në Shqipëri, hileqare do të thoshja, anadollake, një vazhdim i lëvizjes \\\"Haxhiqamili\\\", këtë herë më e sofistikuar, për të revizionuar Skënderbeun. Dhe kjo nuk u dënua në mënyrën e duhur…”.
Për të shpjeguar përse po djallëzohet Gjergj Kastrioti doemos nuk mund patjetër të shkosh deri te pragu i konkluzionit se teknologët e lajmit sipas modelit “njeriu kafshoi qenin” janë patjetër kundërkombëtarë. Do të ishte e tepruar të zbulonim te ta patjetër antishqiptarë apo vegla të të huajve. Ka që e bëjnë thjesht për protagonizëm, rënie në sy, interesa komerçalë apo për të dalë në reliev pas një pauze mediatike a krize individuale politike. Veç edhe në rastin më të pafajshëm të tyre me djallëzimin e Skënderbeut ata kryejnë një shërbim të keq jo vetëm kundër të vërtetës dhe historisë, por edhe ndaj bashkëkombasve. Ata duan personalisht të ngrihen e ringrihen lart, por duke na rrëzuar ne të gjithëve. Shqiptari i thjeshtë nuk ka mundësi të bëjë një emër e një biografi vetiake gjurmëlënëse. Në jetën e tij modeste, kudo që të gjendet në këtë glob, ai mbron identitetin e vet me simbolet më të mira të vendit të tij. Në Perëndim, atje ku duam të shkojmë dhe kemi të ardhmen, Skënderbeu është emri dhe vepra më e sigurtë që të jep krenari.
Që para vitit 1990 në ndërgjegjen kombëtare kishte lindur nevoja për ta ndërprerë mitizimin, idealizimin dhe zbukurimin laraman të jetës dhe gjurmës historike të Gjergj Kastriotit, prirje që më pas u bë më e plotë, por shëmtimi i asaj vepre është një sjellje jo vetëm frenuese, por edhe amatoreske. Nuk do të ishte e hijshme aspak t‘ua përcaktonim këtë sjellje lajmbërësve të modelit “njeriu kafshoi qenin” me sentencën e njohur “Falua o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”. Nuk kemi të drejtë t’i fyejmë, veç çfarë faji ka trashëgimia e vlerave shqiptare nga një ndërhyrje kaq brutale dhe e papërgjegjshme. Porse në këtë “transplant” të historisë kombëtare ka gjest të përçudnuar jo më pak se edhe në librin “Gjuetia”.
Duke besuar se në këtë marrëzi ka ndopak edhe mungesë informacioni po tregoj një episod të javëve të fundit, me shpresë që do të mirëkuptohem në idenë që revizionimi i shëmtuar i Skënderbeut po kryhet nga të paditur në fushën përkatëse, edhe pse në thelb nuk janë aspak bashkëkombas injorantë. Poeti italian Luixhi Manxi është mik tepër i ngushtë i autorit të këtyre radhëve. Duke qënë edhe një koleksionist shumë i njohur në Romë i librave të vjetër, në rastet kur gjen ndonjë botim të tillë me temë Shqipërinë, ai ja bën dhuratë. Pak javë më parë ishte libri “Italia dhe Jugosllavia” që pata gëzimin nëpërmjet tij ta vija në dorë. Botim tepër i rrallë, shtypur në vitin 1918 nga Libreria del Voce, në Firence, rreth intelektual mjaft i zëshëm në kohën e vet. Në të në analizën “Italia dhe Kroacia në shekullin XVII” me autor Ante Trumbiç, mes të tjerash flitej për familjen fisnike kroate Zrinski.
Nga historiografia shqiptare me temë Gjergj Kastriotin kjo dinasti njihet si kontribuese e një portreti të tij. Deri tani dihet që në Arkivin Shtetëror Kroat ruhet që nga mesi i shekullit XVIII një portret i Skënderbeut. Ai gjendet i futur në një kornizë katrore, me vija të dyfishta, të theksuara. Poshtë kornizës ka të shënuar me laps plumbi: “1580. Scanderbeg”. Vijon një tekst, i cili sipas historianëve tanë në gjuhën shqipe do të përkthehej me fjalët “Kontrafakturë e vërtetë e Skënderbeut në provincën e Pozhegës, të cilën e kishte me vete zoti kont Gjergj Zrinski, oficer i lartë, kur udhëtoi si i tillë më 30 shtator. Në vitin 1580 ishte bashkë me shumë turq të tjerë të shquar. Ata ishin mbi 4.000, nga të cilët ai vrau dhe zuri rob mbi 400”.
Konti Gjergj Zrinski ka qënë një ndër figurat më të rëndësishme të asaj periudhe në luftërat e kroatëve kundër osmanëve. Në vitet 1622-1626 ai u bë edhe ban i Kroacisë, Dalmacisë dhe Sllovenisë nën perandorinë Austro-Hungareze. Për studjuesit fakti që konti Gjergj Zrinski kishte me vete grafikën e Skënderbeut dëshmon se e konsideronte princin shqiptar jo vetëm si frymëzim në luftën kundër Perandorisë Osmane, por edhe idhull personal.
Kaq deri tani dihej, por në botimin që patëm dhuratë dashamire nga poeti italian Luixhi Manxi thuhet se familja Zrinski është shumë e vjetër. Rrënjët e saj shkojnë gjer në shekullin e njëmbëdhjetë dhe se për disa njëqindvjeçarë me radhë ka qënë shtylla e mbretërisë kroate. Mes mjaft të dhënave për të shkruhet se ajo në traditën e vet ka qënë shumë e shquar në përkushtimin për kombin të saj. Këtë vetmohim e ka kryer me shtetbërje dhe trashëgimi kulturore të spikatur. Në analizën e Trumbiç nënvizohet se “Zrinskët u mbuluan me lavdi në luftërat kundër turqve. Konti Nikolla, i cili ishte ban Kroacisë (qeverisës i saj-shënimi ynë), e mbrojti heroikisht vendin e vet duke u vethedhur në erë bashkë me kështjellën e tyre në vitin 1564, dhe duke gjetur kështu vdekjen bashkë me shokët e tij të armëve. U quajt Leonidha (si mbrojtësi i Athinës antike në betejën e Marathonës-shënimi ynë) dhe Skënderbeu i ringjallur”.
Gjer në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, kur kontit Nikolla iu tha Leonidhë apo Skënderbe i ringjallur, kishin bërë emër të madh historik me dhjetra të tjerë. E megjithatë kroatët në kujtesën kombëtare e dekoruan prijësin e tyre me emrin e shqiptarit Gjergj Kastrioti.
Pothuaj një shekull më parë nga ky gjest heroik mosdorëzimi para pushtimit osman, në 1580, dinastia e shquar Zrinski pati në kështjellën e vet mbretërore portretin e Gjergj Kastriotit. Vetë shqiptari i famshëm, idhull për këtë familje, kishte ndërruar jetë më tepër se një shekull më parë. Nga një arithmetikë e thjeshtë del se dinastia shtyllë e shtetit kroat e ka patur model e shëmbëll frymëzimi Skënderbeun për të paktën dyqind vite.
Zrinskët kanë qënë shumë të pasur e të ditur.
Sa keq kur të paditurin dhe të varfërin në shpirt e bëjnë disa nga ne, shqiptarët!

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com