Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tiranë-Tel Aviv

Botuar në gazetën “Shqip” më 10 maj 2008

Tani që shteti i Izraelit mbushi gjashtëdhjetë vite të ekzistencës së tij shumë popuj e vende kanë gjetur një rast reflektimi, çka po e bëjnë maturisht edhe shqiptarët. Me këtë ndjenjë nuk kuptojmë aspak vetëpendimin. Shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje e ndikim në atë që u ngjau ebrenjve plot dymijë vite më parë, duke i lënë jo vetëm pa mundësi krijimi shteti, por edhe teritori gjeografik ku mund të lidhnin frutet e punës e të dashurive të tyre. Jahuditët, pra ebrenjtë, për nga natyra e tyre nuk janë popull endacak, siç të tillë edhe sot ka dhe nuk është e metë, por thjesht karakteristikë. Ebrenjtë nuk kanë qënë as popull me temparament mjaft lëvizës, siç edhe ka patur në antikitet e ka të tillë edhe sot, në kohët moderne. Jahuditët kanë qënë e janë një popull i lidhur fort me tokën e tyre, me traditat. Ata përherë kanë dëshiruar të kenë rrënjë të thella. Shkulja e tyre në kohën e vet, njëzetë dekada shkuar, ka qënë një krim i madh, tepër vonë i koregjuar.
Në këtë 60 vjetor të shtetit të Izraelit kanë të drejtë e mbase edhe detyrë të reflektojnë për një përmirësim të komunikimit dhe bashkëpunimit për paqe jo vetëm mjaft shtete e qeveri në Perëndim e Lindje, por edhe vetë kabinetet drejtuese të administratës së Tel Avivit. Porse në këto gjashtë dekada të shtetit izraelit ne gjejmë rastin të ndalemi një çast dhe të nderojmë popullin jahudit. Siç edhe ata, patjetër, duke u shprehur mirënjohje mjaft popujve nëpër botë, e kanë bërë e do ta bëjnë këtë gjë edhe për shqiptarët.
Historia nuk gjykon vetëm individët dhe veprat e tyre, por edhe kombet. Që pas krimit të madh të shkuljes së dhunshme të të gjithë kombit ebre, shqiptarët dëshmuan për plot dymijë vite se iu gjetën afër këtij populli të dhunuar padrejtësisht. E dëshmon këtë gjë edhe një sinagogë e gjetur në Sarandë, një tjetër, të cilës po i kërkohen gjurmët në Berat...

ooo

Në fundjanar 1953 një ambasador yni në një kryeqytet të rëndësishëm të Evropës Lindore, atëhere komuniste, pyeti kolegun e tij sovjetik se si duhej të vepronte në përgjigje të ftesës së ambasadorit israelit për të qënë i pranishëm në paraqitjen në atë vend të Letrave Kredenciale. Sovjetiku e këshilloi “Po të pati ardhur, shkoji!” Formula që i dha përfaqësuesi i vendit prej ku Shqipëria e kohës merrte modelin e qeverisjes staliniste, do të ishte më elastik nga ai i mbërritur më pas nga Tirana. Këta ishin kategorikë. Më në fund në 25 maj diplomati ynë i raportoi qendrës: “Më 20 prill më ftoi Ministri i Izraelit (kështu thirrej ambasadori-shenimi ynë), por unë as vajta dhe as iu përgjegja”.
Qirjako Kureta, aktualisht diplomat i lartë në ambasadën tonë në Tel Aviv, thotë se gjatë kohës së diktaturës të gjithë Shërbimit të Jashtëm Shqiptar i jepej porosia e prerë që të mos ua jepte dorën (edhe kur ua zgjazte tjetri) përfaqësuesve të vetëm tre shteteve: SHBA, BRSS dhe Izraelit. Kur shteti izraelit u krijua në vitin 1948 qeveria e Tiranës e bëri deklaratën që e njihte dhe përfaqësi të saj në vendet përreth mblidhnin herë pas here të dhëna, por vetë asnjë herë nuk inkurajuan e lidhën marrëdhënie diplomatike. Gjer në vitet nëntëdhjetë Tirana zyrtare përshtati një qëndrim shumë të afërt me mjaft popuj e shtete arabë dhe mori krejtësisht anën e çështjes së Palestinës. Duke e tepruar në këtë të drejtë të saj, por edhe simpati që edhe tani për këtë popull të shumëvuajtur shqiptarët ruajnë, u shkua gjer aq sa në vende të fshehta u instruktuan e stërvitën grupe të armatosura palestineze.
Kështu, rreptësisht të ftohta, të mbyllura dhe armirësore, u mbajtën raportet mes dy vendeve, edhe pse duhet shënuar se gjatë regjimit komunist hebrenjtë e mbetur në vendin tonë u trajtuan miqësisht e në barazi të plotë me vetë shqiptarët. Ndaj tyre jo vetëm nuk pati frymë antisemite apo shfrim të ndonjë ideologjie përdhunimi a nënvleftësimi, por asnjë shenjë trajtimi si qytetarë të dorës së dytë. Kjo është dëshmi tepër kuptimplote e thellësisë së tolerancës fetare te shqiptarët, e peshës së madhe të traditës së respektit për hebrenjtë. Kështu do të ndodhte përderisa edhe një ideologji e fortë dhune, që thyente gjithçka, siç ishte realkomunizmi, nuk mundi dot të mposhtëte prirjen e përgjithshme të shqiptarëve për ta dashur popullin që e kishin lënë pa truall amtar e shndërruar në mërgimtar shekullor nëpër botë.
Duhet të lexosh librin e Tulli Zevit, njërës prej figurave më interesante të ebrenjve në Evropë, për të kuptuar se fryma antisemite në Perëndim e Lindje të kontinentit nuk ka qënë e është e njëllojtë në çdo shtet e komb. Ajo herë ngjyroset fort dhe herë zbehet. Ose mbetet e bardhë. Teritoret e banuara nga shqiptarët në këtë provë për të dëshmuar shkallën e frymës antisemite në Evropë mbeten të bardha krejtësisht. Pa asnjë njollë. Të vjen keq që, edhe pse me dëshirë të mirë për të luftuar ndjenjën tonë të vetpëlqimit, kërkohet këtu për të gjetur ndonjë “mëkat”. Fakti që udhëheqësit komunistë shqiptarë, një grup shumë radikal ideologjik, nuk u doktrinuan me frymë antisemite, tregon se ata ishin mëkuar që fëmijë me këtë ndjenjë respekti për hebrenjtë dhe idetë politike që morën nuk arritën dot të ndikonin. Nazizmi mori hov dhe i kreshpëroi flakët e persekutimit mizor pikërisht në mjedise ku ushqehej antisemitizëm. Është një histori komplekse se si te ne nuk zuri vend fashizmi, por edhe në rastin e imagjinuar të marrjes së shtetit prej tij, në variantin shqiptar kishte për të qënë ndër të rrallët (sepse nuk është e hijshme të themi i vetmi) që nuk do të kishte asnjë intolerancë ndaj ebrenjve.
Nuk kemi pse çuditemi apo frenohemi nga mosbesimi se si edhe disa qeveritarë bashkëkombas kolaboracionistë me pushtuesit fashistë gjermanë, për aq sa patën mundësi dhe sa u lejuan rrethanat, i ndihmuan ebrenjtë. Autori i këtij shkrimi mendon se në Shqipëri nuk gjen si antisemit madje as edhe ndonjë mafioz.
Shqipëria mund të jetë dhe madje ka qënë e akoma mbetet aspak vend i bekuar për të vetët, por për popullin jahudit ai historikisht ka qënë i tillë, siç po ashtu do të mbetet. Respekti për ebrenjtë ka qënë e mbetet në kromozonën e tij.


ooo

Për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Izrael u çel në vitin 1999. Kishte objektiva të qarta: zhvillimin në rritje të të gjitha llojeve të bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve me interes reciprok. Ambasadori ynë i parë në Tel Aviv u bë Dashnor Dervishi, diplomati që në vitin 1991, duke qënë drejtuesi i misionit tonë në Romë, mori porosi nga qendra dhe kreu bisedimet paraprake për fillimin e marrëdhënieve diplomatike. Po këtë vit, më 1991, u bë edhe deklarata e çeljes së ambasadave, por do të pritej viti 1999 që kjo të ndodhte realisht. Është kompleks interpretimi bardhë e zi i kësaj periudhe të ndërmjemë, kohe pezull, por një gjë dihet fare qartë: më në fund kishte nisur ngrohja. Në të vërtetë, për atë që merret me punën e diplomatit, më shpesh është më frytdhënëse të ngrohësh marrëdhëniet se sa patjetër të çelësh godinën e zyrat e një ambasade. Afrohen zemrat, pastaj vijnë shkresat. Në vitin 1991 kishte ngjarë pikërisht e para.
Sidoqoftë hapësira e paplotë e tetë viteve u mbush sadopak, duke filluar nga 1992, prej Rafael Faust, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Izrael. Vazhdon të jetë edhe tani, hebre mik, jurist, pikë referimi për të gjitha dërgatat e grupet që vinin nga vendi ynë. Që prej këtij çasti do të dukej se do të afrohej dita kur drejt Shqipërisë do të aviteshin edhe bisnesmenë izraelitë. Nuk janë punë aq të lehta. Hebrenjtë e ndjejnë shumë shpejt aromën e parasë, por po kaq intuitivë janë për të kapur që në ajër rrezikun që fitimit të tyre mund t’u vijë nga mungesa e legjislacionit, e energjisë elektrike, e pastabilitetit të brendshëm.
Pas një viti e gjysëm pune në Tel Aviv Dashnor Dervishin e zëvendësoi një koleg tjetër: Bashkim Dino. Kjo konsiderohet edhe si periudhë e lulëzimit. Të dy kolegët kishin ndihmuar njëri tjetrin, hapur e zgjeruar rrugë, siç do të ndodhte që edhe i treti, ambasadori ynë që aktualisht është sot në Izrael, Tonin Gjuraj, do të përbënte një risi e vërtetë.
Por ndërsa marrëdhëniet shqiptaro-izraelite ishin përfshirë nga fryma e entuziasmit në Tiranë në vitin 2003 nisi në disa mjedise të mbyllura debati, që në kuadër të kursimeve financiare dhe të një harte më të efektshme të veprimit të shërbimit tonë të jashtëm, ambasadat në Slloveni dhe në Izrael të mbylleshin. Nuk ishte fjala aspak për të kufizuar marrëdhëniet apo për t’i zbehur e ftohur. Kërkohej e kundërta, por tashmë pa bërë ndonjë shpenzim të posaçëm. Veç si mund të ndodhë mrekullia e rritjes së pandërprerë të marrëdhënieve me një shtet pa të paktën një përfaqësi të vogël në të. Në Tel Aviv personeli i ambasadës ishte një plus një, që në gjuhën e organikave do të thotë një ambasador dhe një diplomat i dytë. Patjetër edhe një shofer.
Sepse ishte një debat i nisur nga një logjikë normale (kursimet apo shpenzimet në një vend e rajon tjetër), por në përmasën e raporteve ndërkombëtare aspak racional, ca me tepër që binte ndesh me një lidhje të fortë historike mes dy popujve, ndodhi që urdhëri i mbylljes së përfaqësisë tonë në Tel Aviv doli zyrtarisht, por nuk u zbatua kurrë. Thjesht u krijua një hapësirë e dytë e pezulltë. I paharruari Bashkim Dino (ai nuk jeton më, një sëmundje e rendë e ndau nga familja dhe shokët pak vite me parë) i bëri një një letër qendrës. Ishte plot analizë dhe argumenta (lidhjet historike, respekti tradicional i shqiptarëve për hebrenjtë, interesat politike dhe ekonomike të vendit tonë, dashamirësia e izraelitëve për shqiptarët, momenti kur hapi i çartur po mendohej të hidhej, keqkuptimi mos konsiderohej kthim mbrapa...). Letra bëri të vetën: punën e dobishme të mbajtjes hapët të ambasadës. Diplomati Tonin Beci që u dërgua nga Tirana posaçërisht për ta kryer aktin e mbylljes së përfaqësisë në të vërtetë kreu misionin normal të të Ngarkuarit me Punë.
Në vitin 2006 u bë fare e qartë se tashmë as që mund të bëhej fjalë për pauza e mëdyshje të tjera. Tonin Beci u ndërrua me Qirjako Kuretën. I mbërritur në Tel Aviv në tetor 2006 ky që në çastin e parë deklaroi se mes të tjerash kishte ardhur edhe për të përgatitur mbërritjen sa më të shpejtë të ambasadorit të ri të Republikës së Shqipërisë në Izrael.

ooo

Në Yad Vashem, në Jeruzalem memoriali i madh i kujtimit të Holokaustit, në tendën akoma modeste të Shqipërisë janë shkruajtur me statusin e mirënjohjes nga populli hebre edhe emrat e 61 familjeve shqiptare. Në Yad Vashem po ashtu shënohet se në këtë vend numuri i hebrenjve të para lufte me ata që mbetën pas saj ka qënë i njëjtë. Në mungesë të shkembimit të të dhënave për një gjysëm shekulli, kur u ngrit kjo përmendore e madhe, shteti izraelit informacionin e pati marë të paplotë nga burime të treta. Veç megjithatë që në ngritjen e themeleve të Yad Vashemit për një gjë mbetej i sigurtë: gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nuk ishte dorëzuar nga popullsia vendase apo vrarë asnjë bashkëkombas. Kur në Yad Vashem këtë të vërtetë, nëpërmjet një ekspozite fotografike të titulluar “Besa-Kodi i Nderit”, e paraqiti dhe e argumentoi një amerikan, diplomati Kureta në përshëndetjen e mbajtur rreshtoi njëri pas tjetrit kodin e vërtetë të shqiptarëve: e kanë bërë këtë mbrojtje jo thjesht për arsye fetare, por sepse kanë moralin e ndihmës së posaçme për mikun, sidomos kur është i huaj e në vështirësi, se besën nuk ua japin armiqve, por vetëm miqve dhe se këtë ndihmë nuk e kanë dhënë për të kërkuar shpërblim financiar. Pastaj tha “Shqipëria dhe Izraeli nga pikëpamja gjeografike janë dy vende të vegjël, por njëkohësisht me histori të madhe”. Kjo shprehje u konsiderua e qëlluar dhe e shumëpëlqyer. E botoi të nesërmen gazeta më e madhe e vendit.
Mes dy vendeve e popujve ka një dëshirë të madhe për ta shtuar miqësinë e bashkëpunimin. Nga Tirana zyrtare mbështeten menjëherë të gjitha propozimet dhe projektet që i vijnë nga përfaqësia e saj në Tel Aviv. Ndërkohë vetëm pak javë më parë, me një fytyrë të gëzuar dhe gjeste mjaft të çiltëra, u duk ambasadorja e Izraelit për Shqipërinë, zonja Amira Arnon. Sipas një karakteristike të sistemit të tyre të shërbimit të jashtëm ambasadorja rezidencën e saj e ka në Tel Aviv dhe prej andej mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Bosnjë-Hercegovinën. Por zonja Arnon e do posaçërisht Shqipërinë dhe në një rast riorganizimi apo rindarjeje të detyrave diplomatët tanë në Tel Aviv bëjnë me të shakanë se ndoshta ajo në një ditë të tillë do të zgjedhë vetëm vendin tonë.
Kur ambasadori Tonin Gjuraj në 17 shtator 2007 i paraqiti Letrat Kredenciale presidentit të Izraelit, nobelistit Simon Peres, në dhjetë minutat e bisedës protokollare ky nxorri një fije letre dhe nisi të recitonte vargjet e Bajronit për Shqipërinë. Pak çaste më parë, në momentin e takimit, kishte shqiptuar dashamirësisht fjalët “Kam dëgjuar fjalë të mira për Shqipërinë. Ka shumë zhvillime pozitive. Më vjen mirë”.
Në vitin 1993, ndërsa Peres ishte ministër i jashtëm i vendit të vet dhe festoi ditëlindjen, kur një diplomat shqiptar iu afrua dhe e uroi, ai menjëherë pati thënë “Unë i dua shqiptarët për dy arsye: i kanë ndihmuar hebrenjtë në një situatë të vështirë dhe e dyta, sepse janë muslimanë liberalë”.
Ndërkohë artikujt e ambasadorit dhe studjuesit Tonin Gjuraj në debatet për çështjen e Kosovës dhe të imazhit pozitiv të shqiptarëve, përballë sulmeve që aty herë pas here na bëhen prej ndonjë lobi jashtëqeveritar promillosheviçian, rezëllijnë nga finesa, inteligjenca dhe shkathësia e aftësisë për ta neutralizuar e mundur akuzën se jemi vend fondamentalist islamik. Kjo tezë bajate, në të kundërt të ndjesive qetësuese që ne marrim brenda vendit tonë, përtej kufijve tanë akoma nuk ka pak mbështetës dhe veçanërisht provokatorë.
Dhe me që ky shkrim për kohën e kursyer të lexuesit vajti pak gjatë, po e mbyllim me një ndodhi shumë kuptimplote. Të paktën që e gjejmë të dobishme për tezëhedhësit e teorisë se myslimanët ose të paktën myslimanizmi na paska mbetur “njollë në biografinë” kombëtare. Kur ishte përuruar ekspozita e amerikanit për ndihmën e madhe të muslimanëve shqiptarë për hebrenjtë që persekutoheshin nga nazistët, ishte i pranishëm edhe ministri izraelit i kulturës. Ishte palestinez. Pas përshendetjes publike të diplomatit shqiptar ai i zgjati gëzueshëm dorën dhe e përshendeti me fjalët “Selam alek!” Qirjako Kureta vuri buzën në gaz dhe i tha miqësisht se ishte personalisht vinte nga një mjedis të krishterësh ortodoksë, kurse shefi i tij, ambasadori, i cili ato ditë kishte shkuar në Tiranë për një takim vjetor pune, ishte një i krishterë katolik. U bë gati edhe t’i thoshte se ambasadori i parë shqiptar në vendin e tyre e kishte mbiemrin Dervishi, por u mjaftua me përgjigjen se në Shqipëri ka tre fe, ato janë shumë tolerante dhe shteti nuk ka asnjë paragjykim apo ushtron ndonjë privilegj fetar për nëpunësit e vet.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com