Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Udha e shkronjave shqip nëpër botë


Botuar në revistën “Shqip”, gusht 2008

Shqiptarët, edhe pse njihen si njerëz të lidhur fort me trojet e veta, nuk kanë qënë asnjëherë të ndryrë në hapësirat e tyre etnike. Ata kanë lëvizur e janë zhvendosur nëpër botë, duke lënë gjurmë nga Australia deri në Alaskë. Madje me Apollo 14 në vitin 1971 kanë ngritur edhe një flamur kombëtar në Hënë.
Duke qënë një popull jo emigrues e ca më pak shëtitës apo ikës, shqiptarët megjithatë kanë prodhuar një sasi jo të vogël emigrantësh. Gjithsecili prej nesh që e njeh historinë tonë, ka vënë re se valët e këtij emigrimi kanë qënë të përmbajtura dhe përherë të rregulluara prej nevojave ekonomike. Edhe në rastet kur bashkëkombasit tanë, duke ushtruar në mesjetë një nga zanatet më të dashura për ta, luftëtarin profesionist, stradiotin (jo mercenarin), me shërbim jo vetëm në hapësirat fqinje si në Greqi, por deri edhe në veri të kontinentit tonë, në Gjermani, këtë gjë e kanë bërë thjesht për motive jetese.
Duke iu drejtuar sërish bashkëkombasve që e njohin mirë historinë tonë, në këtë biografi të emigracionit shqiptar do të dallonim dy valët më të mëdha të ikjes. I pari ka qënë një dallgëzim i pashuar për gati njëqind vite, me kulm pasvdekjen e Skënderbeut, dhe që u shkaktua nga luftrat e rezistencës kundër pushtimit osman. Superdallga tjetër, një sunami mbi brigjet e Italisë dhe kufijve tokësorë grekë, nisi në gusht 1990 dhe përfundoi pas më shumë se një viti, për të vijuar pa pushim dhe masive, me anije, vaporë e sidomos skafe, gjer në prag të vitit dymijë. Edhe në këtë rast dalja jashtë normës së zakonshme emigruese të përmbajtur të shqiptarëve ndodhi për shkaqe jashtë vullnetit të tyre. Kjo dallgë e dytë e madhe emigrimi në vitin 1990 u shkaktua për shkaqe mirëfilli politike, duke u shënuar në historinë tonë edhe si protestë antikomuniste.
Kështu dy ikjet më të mëdha kanë qënë prej shtrëngimit. Ato doemos i kanë gjetur të papërgatitur shqiptarët për të përballuar më pas, në dhe të huaj, dy problemet më kryesore: jetesën ekonomike dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Të dyja ishin pjesë të mbijetesës së tij. Nuk mund të jetohej vetëm duke ngrënë apo duke u veshur, as vetëm duke dërguar fëmijët në shkollat vendase, as duke përparuar në karrierë. Duhej më së pari të mbrohej e ruhej identiteti, vlerat që sillnin me vete. Ose ky identitet duhej të jepej, të lëshohej, të bjerrej. Në fillim të bashkëjetonte me identitetin e popullit ku tashmë gjendeshin për t’u tretur më pas e më vonë zhdukur tërësisht. Kështu në të gjitha kohët e valët e emigrimit, për shkaqe ekonomike apo prej rrethanave politike e ndërrimeve gjeostrategjike, kishte nga ata që e dorëzuan identitetin, të veçantën e të ndryshmen që patën, siç të tjerë me vetëdijë dhe vullnet kryen rezistencën e qendresës.
Treguesët kryesorë të një identiteti kombëtar janë teritori, gjuha dhe tërësia e zakoneve të jetës. Shqiptarët gjatë historisë së tyre kanë patur merak që këta tre përbërës të mos i ndajnë nga njëri-tjetri. Edhe pse komb i vogël dhe shpesh pa elitë të shquar në krye ata nuk e kanë zbrazur asnjëherë teritorin etnik. Kur fuqi të huaja të mëdha ushtarakisht ua kanë pushtuar ata kanë luftuar për ta ruajtur tërësinë e teritorit me të gjitha mënyrat e mundshme. Një rezistencë të tillë e kreu edhe kultura e tyre e jetesës, veçanërisht ajo shpirtërore. Me një të kaluar të shndritshme qëndrese ka qënë edhe epopeja e mbrojtjes së gjuhës. Mes shqiptarëve ajo është mbrojtur gjer me sakrificën më sublime: jetën. Shqiptarët nuk kanë vetëm dëshmorë për mbrojtjen e kufijve të tyre tokësorë, por edhe të gjuhës.
Mirëpo me të emigruar një njeriu i rrëzohet menjëherë njëra nga të tre shtyllat mbajtëse të identitetit kombëtar: teritori. “Toka është si Anteu” mëson një legjendë antike greke. “Guri i rëndë peshon në vendin e vet” kembëngul një fjalë e urtë shqiptare. Me të ikur nga vendi i tij i emigruari nuk ka bërë gjë tjetër veç ka shkulur një pjesë të rrënjëve të veta. Ja edhe pse ikja dhemb e therr në shpirt. Ndryshe nga kohët e mëparshme në të tashmen një bashkëkombas i emigruar për një, dy apo tre dekada, ndoshta për aq kohë sa edhe vetë është gjallë, ka mundësi të rikthehet herë pas here në atdhe, por më pas kjo rrugë do të jetë në mos e mundësi e shuar tepër e rrallë. Thjesht e bërë për motiv nostalgjik a romantizëm. Fëmijët e tij, të lindur e të rritur në një përkatësi tjetër teritori, do të fillojnë që prej këtij elementi të formojnë e ngjizin identitetin e ri. Midis këtij identiteti dhe të mëparshmit, në ndeshje apo bashkëjetesë, nis revanshi i ngadhnjimit të të parit. Është një rrugë pa kthim. Është një fitore e ditur. Për identitetin prurës të emigrantit edhe një humbje po aq e ditur.
Fushëbeteja e dytë ku zhvillohet lufta mes dy identiteteve është gjuha. Të ikurit nga Shqipëria gjuhën e vendit të tyre e kanë të pamundur ta harrojnë, edhe pse për ta ruajtur të pastër jo rrallë nuk gjejnë brënda vetes aq shumë vullnet e dije sa duhet. Fëmijët e tyre të lindur në tokën ku kanë emigruar i jepen menjëherë mësimit të gjuhës së re, sepse ajo gjendet në çdo hap të tyre. Ajo është jetike. Me të bëhet shkolla, kryhet puna, realizohen shërbimet publike, ndërtohen marëdhëniet me shtetin e shoqërinë, punojnë zyrat, në pjesën dërmuese ndërtohet edhe familja e tyre e re. Gjuha shqipe që prej këtij çasti mund të jetë dashuri për dheun e prindërve, mall për gjyshërit e largët, nostalgji përkatësie, por kurrë më nuk ka statusin e vlerës jetike.
Shoqëritë e vetorganizuara shumë mirë apo shtetet me traditë efektshmërie të lartë pikërisht në këtë çast kyç ndërhyjnë për të mos ndodhur çarja e madhe. Distancën e gjërë mes dy brezave (të emigruarve dhe të lindurve prej tyre në tokën e re) në të vërtetë mes dy identiteteve, ata arrijnë ta zbutin, ta bëjnë tranzicion më gradual e më të ekuilibruar. Ka një përmasë ku të dy identitetet mund të qëndrojnë pa dëmtuar njëri-tjetrin e të bashkëjetojnë miqësisht. Patjetër duke ndihmuar integrimin e shpejtë të të emigruarit në tokën e shoqërinë e re. Do të ishte gabim fatal çdo projekt apo përpjekje pseudopatriotike që ruajtja e identitetit të mëparshëm kombëtar të kryhet duke iu mënjanuar takimin e lirë e dashamirës me identitetin e rid he përvetësimin e tij.
Për këtë vepër largpamëse më shumë se komponenti i teritorit dhe ai i tërësisë së mënyrës së jetesës është gjuha. Ajo është një “diplomate” shumë e mirë për të realizuar bashkëjetesën aktive të të dy identiteteve.


ooo

Në ditët e para të korrikut të këtij viti në Tiranë mbërriti bashkëkombasi Vlashi File, emigruar prej kohësh në qytetin Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Autor i disa librave, sëfundi i romanit “Guva e pyllit”, ai është edhe një ndër përkujdesësit e shkollën shqipe \\\"Gjuha Jonë\\\", e cila në këtë qytet mbushi vitin e pestë dhe këtë shtator nis të gjashtin. Shkolla “Gjuha jonë” është një sipërmarrje e suksesshme, nga më të mirat në të gjitha diasporën shqiptare. Merita e parë i takon gazetarit Llazar Vero, një nga veprimtarët më të veçantë për shpirtin e lartë vetmohues dhe largpamjen që ka.
Në Filadelfia shoqata e drejtuar prej tij “Bijtë e shqipes” ka blerë një ndërtesë dykatëshe, në katin e parë të së cilës përveç ekspozitave funksionon edhe shkolla. Ka mbi dyzetë nxënës si edhe katër mësues. Ajo punon vetëm një ditë në javë, të dielave paradite. Për dy vite me radhë mësuesit punuan gratis. Pagesa e tyre tani realizohet nëpërmjet fondit të grumbulluar nga kuotat e anëtarësisë në shoqatë dhe nga donacionet. Shkolla është katërvjeçare dhe për librat mësimorë me abetare, libra gjuhe dhe leximi, në fillim ja dolën. I sollën nga Shqipëria. Më pas nëpërmjet një bashkëkombaseje “të shkathët” arritën t’i shumëfishojnë nëpërmjet fotokopimit. Por duke qënë se ishte një punë e bërë disi fshehurazi erdhi çasti kur edhe u ndërpre. Kështu të rrezikuar seriozisht për të mos e nisur mbarë vitin e gjashtë të shkollës “Gjuha jonë” Llazar Vero nisi për në Tiranë mikun dhe bashkëpunëtorin e tij.
Vlashi Fili në kryeqytetin e atdheut të tij nisi kërkimin e njëqind e dyzetë librave jetikë. Nuk është punë aq e lehtë sa duket. Zotohet se shpenzimet do t’i paguajnë vetë, përfshi edhe koston jo të vogël të transportimit për në SHBA. Kjo punë do të bëhet privatisht. Në ndonjë zyrë të shtetit mund të gjejë disa abetare falas, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme edhe ndonjë transport gratis brënda kontinentit, por nuk ka të parashikuara financa të tilla që të mund të përballojnë postimet masive përtej oqeaneve.
Mësimi i gjuhës shqipe në këtë shkollë të Filadelfias kryhet nëpërmjet edukimit të dashurisë për Shqipërinë dhe identitetin e saj. E kanë gjykuar si rrugën më të mirë e më të sigurtë, përvojë që e konfirmojnë edhe të tjerë. Duket jo pak e vështirë të bëhet ky proçes si vetëm mësim në vetvete, pra si akt teknokratik, përshembëll duke shpjeguar se “kjo është gërma “a”, “kjo shkronja “b”, “c”-ja, “d-ja” e kështu me rradhë. Po këto gërma kanë të gjithë të folurat e botës, por gjuha është tjetër gjë. Ajo është mëmëdhe. Në një vend tjetër, gjuhë e zakone të tjera, fëmijët duhet të nxiten për të mësuar të lexojnë e shkruajnë shqip vetëm nëpërmjet motivimit kombëtar. Një emigrant ka nevojë ta ndjejë e ta përcjellë të gjeneratat e reja se në origjinën e tij i përket një atdheu tjetër edhe pse me të gjithë shpirtin do t’i përkushtohet jetës së tij në vendin e ri. Ky vend i ri i ka të gjitha të drejtat të quhet atdhe u dytë dhe nesër, për brezat e lindur aty edhe atdhe i parë. Por nuk duhet të humbasë Shqipëria nga statusi i tokës mëmë, i dheut të të parëve.
Edukimi me këtë ndjenjë atdhetarie përdoret me inteligjencë në shkollën “Gjuha jonë“, në Filadelfia. Kur nxënësit mbyllin vitin mësimor organizohet një ceremoni e veçantë. Të grumbulluar në krye të sallës, para se të japin programin e tyre me kengë e recitime, fillohet me himnin e flamurit. Shpesh ndodh që bashkë me fëmijët në grup nisin të këndojnë edhe prindërit, të cilët menjëherë ngrihen në këmbë. Më pas programi ka edhe këngën e gëzueshme satirike \\\"Macja ime ka që mbrëmë\\\", por edhe solemnen \\\"Për alfabetin\\\". Pas koncertit një nxënës i veshur me bluzë të kuqe me shqiponjën dy krenare në gjoks vendoset në krye të sallës dhe merr flamurin tonë kombëtar. Tek ai fëmijët afrohen me radhë dhe Llazar Vero u thërret emrin. Secili prej tyre ulet në gjunjë para flamurit duke shqiptuar \\\"Të falem, o flamur\\\". Pastaj e puth dhe e vë në ball. Në fund merr zarfin në të cilin është dëftesa, vlerësimi për rezultatet e arritura dhe një dhuratë nga shkolla.
Ardita Demneri, drejtuesja në Italinë e veriut e një shkolle shqip, në kuadrin e projektit “Hapu Sezam!” (“Apriti Sesamo!\\\") për mësimin e gjuhëve të emigrantëve, duke qënë se gjithsecila përkatësi etnike do të vendosë emrin e vet, kërkoi mendim se si do të quhej. Dëshironte një shprehje tipike shqiptare dhe në mendje i erdhën fjalët \\\"Tungjatjeta\\\", \\\"Mireseerdhe\\\", \\\"Mëmëdhe\\\", \\\"Zemër e bardhë\\\", \\\"Bukë e kripë e zemër\\\". Të gjitha emrat e përzgjedhur prej saj janë simbolikisht.

ooo

Sigurisht edukimi i ndjenjës së atdhetarisë nuk mund të kryhet me format e vjetra, as me patetizëm dhe as me kulturë folklorike. Njeriu i sotëm dhe ca më tepër ai i nesërmi do të jetojnë në një shoqëri përherë e më shumë të globalizuar, epokë ku patriotizmi i lidhur tërësisht vetëm me trojet e lindjes e ka sovranitetin të kufizuar. Njeriu i vitit dymijë është qytetar i botës. Patriotizmi i tij është më së pari të dojë e t’i përkushtohet njerëzimit, aspiratave të tij humane. Një identitet i tillë global nuk lyp ruajtjen e një identiteti kombëtar të vetmbyllur e të papërshtatur me rrethanat e reja. Identiteti shqiptar do të rezistojë nëpër botë vetëm në rast se do të dijë t’i hapë vendin e duhur identitetit të vendit ku jeton si edhe atij të qytetarit të botës.
Kjo është edhe arsyeja përse mësimi i gjuhës amtare për emigrantët kudo në botë nuk realizohet dot vetëm me librat e abetares. Ajo që bëhet emergjente në këtë brez të dytë të emigracionit shqiptar është më së pari ruajtja e të folurës shqip. Këtë gjë duhet ta sigurojë familja, sepse asnjë shtet në botë, sado i fuqishëm të jetë, nuk e bën dot sikur edhe me dhjetra milionë abetare të prodhojë e shpërndajë.
Kur problemi kalon nga ruajtja e të folurës në atë të mësimit të gjuhës për ta lexuar e shkruar atëhere familja mbetet një faktor me peshë, por jo i vetmi. Ajo inkurajon, por nuk vendos dot pa bashkëpunuar me shoqërinë dhe shtetin ku ndodhet. Në këtë kapërxyell gjendet situata tani dhe për ne shqiptarët. Bashkëkombasit tanë nga shteti i Kosovës, duke qënë se kanë një emigracion të gjatë e të vijuar këtë fazë e kanë kapërxyer. Për arsye që dihen, mësimit të gjuhës shqipe si pjesë të lirisë deri tani ata i janë përkushtuar me vullnet e zgjuarsi të veçantë. Po ashtu kanë shpenzuar financiarisht, janë një popull që për shkollat kanë dhënë çdo muaj nga të ardhurat e tyre private. Në Zvicër (dhe jo vetëm këtu) mund të shohësh se çfarë organizimi shembullor kanë bashkëkombasit e Kosovës për mësimin e gjuhës shqipe.
Ndërkohë në bashkëpunimin me shoqërinë dhe shtetin ku jetojnë disa veprimtarë të pasionuar të emigracionit kanë gjetur lehtësitë ligjore për të shfrytëzuar mjediset e fondet publike. Në të gjitha rastet kur gjuha shqipe është futur brënda programit të shkollimit vendas ja ka dalë të ruhet në mënyrë të sigurtë. Një rezultat të tillë e gjen shumë të prekshëm në Vendet Nordike, por edhe në Britaninë e Madhe, në Gjermani, Austri, Francë. Kjo synohet edhe për vendet e tjera dhe mund të arrihet. Ja përse janë të rendësishme jo vetëm gatishmëria e shteteve dhe shoqërive pritëse, por edhe roli i shtetit shqiptar, aftësia e tij ndikuese e bashkëpunuese, vendosja e kësaj detyre në rendin e parë të ditës.
Në këtë tranzicion të brishtë mes dy gjeneratave të emigracionit shqiptar kanë dëshmuar efektshmëri bashkëpunimi i familjes me shoqatat dhe të gjitha organizimet kolektive. Në shumicën e rasteve janë shoqatat e shqiptarëve që kanë ndërmarrë e kujdesen për shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Një nga dëshmitë më të qarta ndodhet në Greqi, ku tridhjetë klasa janë frut i këtij bashkëpunimi. Në Greqi funksionon si një organizëm aktiv edhe Këshilli Pedagogjik i Mësuesve Emigrantë, i cili drejtohet nga mësuesi veteran Jovan Mëhilli. Ai ka zhvilluar edhe seminarin e parë kualifikues me praninë e mësuesve shqiptarë nga të gjitha klasat e mësimit plotësues që funksionojnë aktualisht në Greqi.

ooo

Për shqiptarët periudhë rilindjeje është edhe tani. Për ata që janë në emigracion ka nevojë për abetare po aq sa para një shekulli. Porse tani jo vetëm në formën e një libri të thjeshtë. Sot ato botohen edhe me shërbime teknologjike të larta, me „mësues“ me vete. Një zë të shpjegon gjithçka. Ndërkohë shkrim-kendimi shqip mund të mësohet nëpër kurse televizive, siç tashmë bëjnë disa nga televizionet tona. Madje këto televizione kombëtare po i zgjerojnë transmentimet e tyre edhe përtej Evropës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Argjentinë.
Gjuha e mësuar për t’u shkruar e lexuar më pas ka nevojë të ruhet e zhvillohet. Kjo bëhet vetëm nëpërmjet kulturës. Ndikojnë mjaft transmentimet cilësore televizive, koncertet, pse jo edhe vështrimet historike, pasqyrimi i traditave. Ndikojnë po ashtu librat dygjyhësh të autorëve shqiptarë, dukuri që po merr përmasa inkurajuese. Influencojnë në emigracion edhe botimet e gazetave në gjuhën shqip, edhe të radiove, edhe të televizioneve të diasporës.
Mes tyre edhe kjo revistë, në të cilin po botojmë këtë shkrim për udhëtimin e shkronjave shqip nëpër botë. E shpërndarë jo vetëm në trojet amtare, por edhe në një pjesë të vendeve të perëndimit, ajo është një lloj „abetareje“ moderne.
Madje edhe emrin në këtë mision e ka domethënës: “SHQIP“.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com