Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Fshatformues apo qytetformues janë shqiptarët?

Botuar në revistën “Shqip”, shtator 2008

Me sa duket për shqiptarët kanë mbetur edhe dy vepra kryesore që të mund të hyjnë përfundimisht në normalitet dhe natyrshmëri. Së pari ata, duke qënë të administruar nga qendrat përkatëse të qeverisjes publike si Tirana, Prishtina, Shkupi dhe Podgorica (patjetër e mbi të gjitha edhe nga Brukseli), duhet të harmonizojnë e ngjizin jetën kulturore, historinë e tyre, identitetin kombëtar, të bashkërendojnë ekonominë dhe forcojnë frymën e solidaritetit etnik. Së dyti u duhet që nga “fshatarë“ të shndërrohen në “qytetarë“.
E zgjedhur si temë të këtij shkrimi po qëndrojmë tek e dyta.

ooo

Katër dekada më parë Mao Ce Duni vinte në jetë në viset e vendit të tij të madh tezën “fshati të rrethojë qytetin”. Kjo donte të thoshte që në të quajturin prej tij revolucion kulturor banorët e fshatit duhej të zbrisnin në qytet dhe atje të “rrethonin” intelektualët, profesorët e universiteteve dhe të gjithë ata njerës të ditur që nuk e duronin dot jetën e tharë dhe uniforme të shoqërisë komuniste. Ky ishte një nga rastet e shumta të shpërdorimit jo vetëm të përmbajtjes së koncepteve “fshatar” dhe “qytetar”, por semantikisht edhe të vetë fjalës. Kur në Shqipëri po binte diktatura dhe nëpër disa qytete kryesore “veprat” e diktatorit i flaknin që nga dritaret drejt e në rrugë, për të ndalur këtë stuhi kundërshtimi komitetet e partisë nëpër rrethe mobilizuan banorë të fshatrave për të hyrë në qytete e demonstruar përkrahje me regjimin. Vetë themeluesit e marksizmit kur formuluan thirrjen për të ngritur shoqërinë e “diktaturës së proletariatit” parrullën kryesore e ndërtuan vetëm me fjalën “punëtorë”. Kërkonin që vetëm këta të bashkoheshin në të gjithë botën dhe të merrnin përsipër ngritjen e “shoqërisë së re pa shfrytëzues e të shfytëzuar”.
Politika për kaq shumë breza nuk është e treguar gjithnjë e sinqertë me atë që në të vërtetë ishte një fshatar apo një qytetar. Madje këto terma janë aq shumë relativë sa që nuk mund të merren si kategorikisht përcaktues të faktit që personi i parë banon në fshat dhe i dyti në qytet. Ndryshimet e mëdha të cilat kanë përfshirë botën që prej dy shekujsh fjalës qytetar i kanë dhënë një domethënie të lartë sociale. Qytetar konsiderohet ai individ, i cili është shumë i përgjegjshëm për fatet e vendit dhe të popullit të tij. Si e tillë një kulturë e vërtetë qytetare mund të gjendet edhe në një familje që banon në një fshat. Historia e njerëzimit ka dëshmuar që mjaft nga emrat e mëdhenj e ndikues pozitivisht në progresin e tij kanë ardhur nga teritore në periferi shtetesh, shumë larg kryeqyteteve, madje prej provincash të humbura.
Ndërkohë ne shqiptarët kemi një defekt, të cilin shumë popuj të tjerë nuk e kanë. Kur ne themi “fshatar” kemi parasysh persona me një zhvillim më të ulët se ai, të cilin i vëmë emrin qytetar vetëm se ha, pi dhe fle në një qytet. Kjo përbuzje e pakuptimtë është e thellë, të paktën përtej shekullit të shkuar, pjesë e një kohe ku disa bejlerë apo agallarë anadollakë njerëzit i numëronin me fjalët “frymë”, pra “unë kam kaq frymë” dhe “ti ke aq apo kaq”. Me këtë defekt serioz, i cili duke mos qënë për fat racist, gjithsesi e bëri humnerë hapësirën e dallimit mes fjalës “fshatar” dhe asaj “qytetar”. Në realkomunizëm shqiptarët hynë me këtë barrë diferencimi, ndërkohë që repartet e njësive të armatosura të komunistëve dhe të ballistëve i mbushën pikërisht këta “fshatarë”. Në të njëjtën kohë regjimi i ri i ardhur në Tiranë kishte ideologjinë e “proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni”, ç’ka do të thoshte se koncepti “punëtor” zëvendësoi atë “qytetar”. Kështu që fjalën dhe përmbajtjen “fshatar” nuk e solli dot në normalitetin e saj si në të gjithë vendet e zhvilluara të Perëndimit, ku nuk ndjejnë asnjë nënvleftësim kur thonë se kanë lindur në këtë apo atë fshat.
Kështu me ideologjinë staliniste shqiptarët humbën edhe afro pesëdhjetë vite të tjerë për t’u bërë e ndjerë si qytetarë, prej kushdo vendbanimi të vinin. Madje regjimi, edhe pse i rriti konturet e qyteteve, krijoi qytete të rinj e deri të tipit industrial, i urbanizoi këta, por edhe fshatrat e mëdhenj, shumica të quajtura “ferma shtetërore”, sërish nuk e bëri dot qytetar të mirëfilltë shqiptarin. Përgjëgjësinë sociale ia reduktoi dhe mpiu, duke e bërë më të shumtë atë kontigjent që thirret qytetar thjesht se banonte në një qytet.
Në një gjendje të tillë na zuri sprova e re për ta ndryshuar më në fund këtë anomali, pra mundësinë për t’u ndjerë e bërë të gjithë qytetarë të Republikës së Shqipërisë.

ooo

Qytetërimi ynë, i cili vjen prej atij ilir, nuk e ka patur karakteristikë themelore jetën në qytete në atë mënyrë dhe përmasë që dallohet tek grekët e vjetër apo edhe, trashëguar fuqishëm prej këtyre, ndër romakët. Duke qënë fare afër këtyre dy qytetërimeve të mëdhenj sigurisht jemi ndikuar pozitivisht. Nga kjo periudhë shumëshekullore jo vetëm na kanë mbetur traditë qytete me jetë qytetare të mirëfilltë si Durrësi, Shkodra, Berati, por edhe të tjerë, më pas të zvogëluar apo me jetë të ndërprerë, si Bylisi apo Apollonia. Dy shekuj më parë kemi arritur të ngrejmë edhe një qytet gati fantastik për nga rezatimi kulturor si Voskopoja.
E megjithatë fiset ilire për nga rrjedhim ne, shqiptarët e sotëm, kanë qënë banues malesh dhe vendqendrimesh të vogla e shumë të lëvizshme. Në një farë mënyre, për ta thënë vetëm në mënyrë figurative, shqiptarët modernë vijnë nga fshati. Kjo nuk na bën patjetër “fshatarë”, në atë kuptimin e shtrembër dhe dashakeqës që më lart denoncuam. Popull që vjen kryesisht nga fshati i malit është edhe ai zviceran e megjithatë ka një kulturë qytetare shumë të ndjeshme. Kulturë përgjegjësie për bashkësinë kanë patur edhe paraardhësit tanë, por ndërsa në popuj të tjerë ky virtut u mbështet dhe ndihmua nga vetia e kolektivitetit, tek ilirët dhe pasilirët kjo gjë nuk ndodhi. Stërgjyshërit tanë janë të shquar për luftën e madhe mes njëri-tjetrit, ku secili donte të qe i pari. Këtë trashëgimi e kemi të paprishur edhe sot.
Mirëpo frymën e kulturën qytetare ta forcon dhe ta ruan aktive vetëm jeta në bashkësi. Që nuk kemi dashur të rrimë shumë afër njeri-tjetrit, por secili atje ku mund të vinte të tjerët nën komandë ose ku shpëtonte nga pushteti arrogant i tjetrit, e ka vërtetuar edhe rezultati i mosngritjes së qyteteve të mëdhenj. Nuk na kanë ndikuar në këtë mangësi vetëm pesëqind vitet e trazuara të pushtimit osman, ku çdo gjë në vend të rritej ngrinte e mbetej atje ku kishte qënë jo vetëm një vit, por edhe një shekull më parë. Turqit anadollakë nuk ngrinin as qytete, nuk hapnin as rrugë të mëdha. Pasionin e ndërtimit ata e kishin vetëm për hamamët, fortifikimin e kështjellave dhe shumimin e xhamive.
Për herë të parë qytete të lirë e të kompletuar me sa më shumë përbërës të një qyteti modern bashkëkohor po përpiqemi t’i bëjmë tani, pas viteve nëntëdhjetë. Kësaj rradhe, në shansin e madh që kemi për t’iu afruar dhe pastaj bashkuar BE-së, do të na duhet njëherësh të bëjmë dy gjëra: të ngrejmë qytete të vërtetë dhe në të njëjtën kohë ta bëjmë veten qytetarë. Sepse mund të ndodhë, në këtë transfomim historik që po kalojmë, të ndërtojmë qytete me ndërtesa shumëkatëshe dhe pallate të xhamtë, rrugë të mbushura fyt me makina të markave të fundit, diskoteka, dyqane dhe klube e sërish ai të jetë një fshat shumë i madh. Ose një bashkim fshatrash.
Si është e vërteta? Le t’i hedhim një sy Tiranës, atij që ne e quajmë jo pa krenari si metropoli më i madh i shqiptarëve. Tirana është qyteti i parë i madh që në historinë e tonë po ngrejmë. Nuk e kishim këtë fat e aftësi ta ngrinim me kohë si italianët Romën apo Milanon, grekët Athinën apo Selanikun, serbët Beogradin dhe fqinjët e tjerë Dubrovnikun apo Zagrebin.

ooo

Kryeqyteti i Shqipërisë, po të lexosh disa libra të botuara sëfundi ose edhe thjesht të marrësh të dhëna nga faqja e internetit të bashkisë së saj, të ngulit përshtypjen se është një krijesë urbane fare e re. Në website-n e bashkisë shkruhet drejtpërsëdrejti kjo frazë e parë: “Tirana u themelua në 1614 nga Sylejman Pasha nga fshati Mullet”. Thoni po të doni që Tiranën nuk e ka krijuar fshati?! Pra deri para këtij viti qe një fshat dhe më në fund erdhi themeluesi i saj nga fshati tjetër dhe e shpalli qytet. Të dhënat e shpërndara zyrtarisht për publik thonë se Sylejman Pasha me këtë rast bëri veprën e parë ndërtimtare: një hamam. Mirë një qytet mund ta nisësh nga ngritja e një hamami, por të tregosh se ke kulturë qytetbërëse është krejt tjetër gjë.
Doemos që Tirana si vendbanim është shumë herë më i vjetër se historia e atij hamami. Sipas po të njëjtës faqe online të bashkisë “në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica)”. Ndërkohë muret e një kalaje të lashtë dolën para syve të njerëzve disa muaj më parë, ndërsa po zgjerohej dhe modernizohej një rrugë atje ku ndodhet pjesa më e lartë e relievit të fushës së saj, pranë Parlamentit dhe Akademisë së Shkencave. Nuk dimë sa do të vazhdojë të quhet ditëlindja fizike e kryeqytetit shqiptar viti 1614, sepse ajo zyrtare shënon vetëm 1920-ën, por hapësira urbane ku tashmë ndodhen treçerek milioni nga ne ka qënë fshat, u themelua nga një fshatar dhe ka vazhduar në gjendje gjysmë fshat dhe gjysmë qytet deri sa u shpall qendra administrative e shtetit të porsapavarur. Nisi të bëhej një lloj qyteti me Ahmet Zogun, madje udhëtarët e huaj kanë shkruar se Tirana kishte një mënyrë jetese prooksidentale. Pamjen e një qyteti më tepër se vendasit e dhanë disa ndërtime të kryera nga italianët. Me regjimin komunist mori përmasat e një qyteti të vërtetë, ku nuk munguan dy universitete, një kinostudio apo stacioni i trenit, veç ku ishin të prera gjymtyrë jetikë të një kryeqyteti normal si aeroporti civil me lëvizje të shumta njerëzish, makinat private, vilat, pallatet e larmishme të banimit, agjensitë e udhëtimit, diskotekat, koncertet e lira të këngëtarëve vendas apo të huaj....
Por duke u bërë qytet deri në vitin 1990 Tirana nuk ishte sidoqoftë qytet i madh. Qe thjesht më i madhi i Shqipërisë. Mirëpo në kohët moderne dhe në këtë proçes globalizimi konkurenca dhe zhvillimi maten me hapësira përtej kufijve shtetërorë. Tani, duke u mbyllur viti 2008, mund të themi se Tirana po bëhet një ndër qytetet më të mëdhenj të gadishullit dhe kjo gjë nuk ka përse mos na inkurajojë ta bëjmë të ballafaqueshëm me Athinën apo Beogradin e Zagrebin. Mirëpo kur bëhet fjalë për konkurim me metropole të mëdha të qytetërimit ballkanik dhe më pas edhe evropian rreziku që kryeqyteti ynë të mbetet një fshat i madh me pallate të xhamtë nuk është kapërxyer ende.
Qytetërimi i qytetit të Tiranës, ja cili është problemi që kemi përballë dhe ndaj të cilit nuk mund të rrimë mënjanë. Po ndodhi kjo, pra po u punua posaçërisht dhe me vëmendje për këtë kah të zhvillimit të vërtetë, mund të ndodhë një proçes shumë i shpejtuar i qytetërimit të Shqipërisë. Tirana ka qënë e mbetet modeli, ajo ka patur dhe ca më shumë ka tani ndikim tek të gjithë shqiptarët e vendbanimet e tyre. Për keq apo për mirë ose për të dyja bashkë të gjithë ia njohim forcën e shembullit Tiranës. Qytetërimi i saj mund të na qytetërojë të gjithëve, sepse këtu çdo vit për të filluar studimet e larta nga rrethet vijnë disa mijra, për të vazhduar shkollat apo kurset e ndryshme janë mijra të tjerë. Në Tiranë përditë vetëm për të sjellë furnizim dhe marë mall nga të gjitha anët e Shqipërisë hyjnë e dalin katër mijë mjete, pra edhe drejtuesë të tyre. Udhëtarët që vijnë për një apo disa ditë sërish janë në shumë mijra.

ooo

Mirëpo në Tiranë mund të ngjajë fare lehtë që një kalimtar të kthejë për pak çaste nga trotuari e shëtitores së Buzë Lanës dhe të futet në një kembë ure, ku pa e bërë qejfin qeder të derdhë me nge ujin e hollë. Madje ka që nuk fshihen fare, por gjejnë menjëherë ndonjë nga pemët apo kaçubat e bukura që janë mbjellë dhe e mbarojnë aty gjestin e mësuar në pyll. Në Tiranë në mes të gjindjes së madhe që nxiton mbi trotuar jo vetëm një e dy, por një masë e dukshme, nuk e kanë për gjë të pështyjnë përdhe. Flakja e paketave të zbrazura të cigareve, e mbeturinave të frutave apo të çdo lloj ushqimi, jo pak edhe të mbetjeve të disa tregëtarëve ambulantë, është pamje kaq e zakonshme sa të duket e pashpresë nëse do të arrijmë një ditë kur të gjithë do të mësohen t’i hedhin në vendet e posaçme (por edhe kosha ka pak, siç nuk gjen banja publike). Në Tiranë ka edhe dyqane të mëdhenj e të pastër, në të cilat gjen të gjitha llojrat e mishrave dhe të produkteve të tij, por bashkë me to janë me dhjetra e dhjetra kthinat e kasapëve. Këta çdo ditë e sidomos të shtunave, sjellin që pa gdhirë dele, dhi, viça e lopë dhe pasi i lidhin me ca kapistallë të yndyrtë në ndonjë shtyllë ndriçimi në buzë rrugëve, fillojnë therrjen aty, jashtë. Është një pamje e tmerrshme, e rëndë psikologjikisht, barbare, po kush pyet. Tirana është qyteti ku pikat e karburantit kanë zënë trotuaret dhe kalimtarët duhet të kalojnë nëpër po atë hapësirë ku hyjnë mjetet për t’u furnizuar, patjetër duke rrezikuar të pësojnë ndonjë aksident. Tirana është qyteti ku akoma në katet e para të shumë pallateve bashkë me dyqanet normale të tregëtimit janë monstrat, kthinat ku magazinohen e shiten bombolat me gaz, përherë të mjaftueshme që si pasojë e një pakujdesi apo cilësie të ambalazhit, të shpërthejnë e hedhin në erë jo vetëm një pallat. Tirana është qyteti ku pluhurit i bëhet në të rrallë luftë me ndonjë autobot që nëpër rrugë derdh ca ujë dhe pastaj, pas e shumta dhjetë minutash reja e hidhët sërish ngrihet mbi kokat e njerëzve. Tirana është qyteti ku shiten në buzërrugë nga çdo njeri që ka diçka për të tregëtuar ushqime nga më të dyshimtat dhe ku gështenja apo misri piqet mbi ndonjë mangall të shtrembër e të dërdëngur me qymyr të helmët. Tirana është akoma qyteti ku shërbimet funerale kanë zënë pikat më të dukshme (të gjitha në rrugët më kryesore, në sheshe e madje deri edhe në shëtitore). Por të gjitha nuk mjaftohen me tabelën e dyqanit apo reklamat e shkruara ku të zotohen se mjafton të vdesësh, madje mezi po presin, për të dëshmuar një shërbim të shkëlqyeshëm. Pasi kanë shtrirë para dyqanit, mu në buzë të trotuarit ku njerëzit shkojnë në punën e tyre dhe jo rrallë edhe tek vete dera e tij, makinën e transportimit të të vdekurit nuk harrojnë të bëjnë edhe një kryevepër tjetër tmerri dhe prapambetjeje. Çdo ditë në mëngjez, si të jenë fruta të freskëta dhe me aromë, nxjerrin arkivolët dhe njeri pas tjetrit i rreshtojnë në këmbë para dyqanit. Tirana është qyteti ku klubet poshtë pallateve mbeten të hapura deri pas mesnate dhe të gjithë klientët mund të bëjnë potere me zë të lartë pa u merakosur se bashkëkombasit në apartamentet e tyre duan të flenë. Tirana është qyteti ku fëmijët sidomos në pushimet e verës formojnë tufa të mëdha të zhurrmshme në të vetmet hapësira të mbetura të lira: hyrjet e pallateve.

ooo

Patjetër qytetërimi i qytetit të Tiranës do të na ndihmonte të kapërxenim më shpejt prapambetjen e trashëguar. Qytetërimi i Tiranës si një aksion posaçërisht i orientuar në thelbin e vet, pra tek rritja e përgjegjësisë qytetare ndaj të ardhmes, do ta ngrinte ndjeshëm aftësinë tonë të vetkritikës e vetkoregjimit dhe për pasojë energjinë e zhvillimit pozitiv. Sepse duke qënë një popull mjaft vital ne shqiptarët kemi stoqe të tëra me energji për të ndërtuar, por edhe për të prishur.
Qytetërimi i qytetit të Tiranës mbetet jo vetëm rregulli i bashkëjetesës publike, por edhe arti politik i kultivimit të demokracisë. Kryeqyteti shqiptar herë pas here shpërndan tek të gjithë kumte pozitive politike, siç ka nisur në prag të këtij viti elektoral gara e dy partive të mëdha, blu dhe rozë, për të ndërtuar sa më tepër rrugë dhe shkolla, sa më shumë objekte publike.
Me Tiranën kemi një rast të dëshmojmë se kudo ku kemi lindur dhe jetojmë, fshat apo qytet, ne shqiptarët kemi aftësi qytetformuese. Pra qytetërimformuese.

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com