Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Skraparasit, sa pranë orakujve dhe historisë!”


Botuar nga gazeta “Dielli i Tomorrit”, nr.42, korrik-gusht 2008

Një natë, aty nga ora 12, pasi ktheva faqen e fundit të librit më të ri të publicistit dhe studiuesit të njohur, Ylli Polovina, “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, vendosa të flisja me të, jo me telefon, jo në ndonjë takim në ndonjë kafe, por on-ine me elektronikë. Fat i madh që edhe pse në moshë të dy,
si unë dhe ai, jemi aty te vjeshta, e kemi kapur këtë produkt të lartë të
mendjes njerëzore që na i ka thjeshtuar shumë punët.
Me Yllin njihemi qysh herët, kur ne të dy, në të njëjtën kohë, ishim kryeredaktorë të gazetave lokale, ai në “Kushtrimin” e Beratit dhe unë në
“Jehonën e Skraparit”.
Më pas puna e ka sjellë të takohemi rrallë, por, edhe pse në distancë, e kemi ndjekur dhe kemi pyetur për njëri-tjetrin. Më ka gëzuar çapitja e tij e matur
dhe e kujdesshme në jetë, vitaliteti i tij i tij krijues, me 16 libra të karakterit politik, historik, diplomatik dhe shoqëror të shkruar brenda një
dhjetëvjeçari, zëri i tij i ndjeshëm intelektual dhe polemist në shtypin e
përditshëm, suksesi i tij diplomatik në vitet që ai përfaqësonte vendin tonë në Itali; ashtu siç ka ndodhur edhe e kundërta: më kanë hidhëruar peripecitë e telashet e tij me politikën, kur trajta veprore është bërë për të pësore, uljet e ngjitjet e pamotivuara dhe ai pozicion i sotëm i një punonjësi të thjeshtë në
Ministrinë e Jashtme, në atë zyrë, që mezi nxë shpirtin bohem të një diplomati jo përherë me fat.
Nejse, ashtu siç thashë më lartë, në mëngjes hapa email-in dhe shkrova:

I dashur Ylli,
Mbrëmë mbarova librin tënd të fundit “Gjysma e harruar e Skënderbeut” dhe të them të
drejtën kisha shumë për të thënë. Por çuditërisht në mëngjes i harrova të gjitha. Kot s’thonë që nata të bën gjeneral dhe të gdhin ushtar. Megjithatë, hulumtimi dhe përpjekja jote është e admirueshme, me vlera të gjithanshme, madje edhe historike, që pasurojnë dhe ndriçojnë pikat më të errëta të
legjendës tonë kombëtare.
Ajo që do të theksoja dhe që më ka ngelur në mend, është se me atë urtësinë tipike të një beratasi të kulturuar dhe me nam modest siç je, e ke kapur mirë
fillin. Duke marrë spunto nga disa sharlatanë dhe shllapuritës që duan ta injorojnë dhe përbaltin figurën e Heroit Kombëtar, të cilëve ti s’denjon që t’u përmendësh as emrin (gjëja më e mirë që ke bërë), jo se druan apo se s’ke
guxuar, por se s’ke dashur, se ndryshe do të kishe rënë brenda dhe do t’u kishe rritur vlerat atyre që s’ia vlejnë.
Kam edhe të tjera për të thënë, por po e lë me kaq për Skënderbeun, ndërsa “Lamtumirë kallashnikov” sapo e kam nisur.

Ylli:
Mik e koleg i dashur,
Në të vërtetë ndodhi që ta “kalova”(?!) Ndërsa i shkëmbyem miqësisht në një ditë unë e mbarova librin tend “Orakuj të harruar” dy-tre dyzina orësh më parë se ti t’i jepje fund timit “Gjysma e harruar e Skënderbeut”. Siç e sheh që të dy shkruajmë për gjëra të shtrenjta që kanë rrezik harrohen nga poterja e ditëve të sotme dhe që të dy bëhemi një me ata bashkëkombas, të cilët nuk duan që kjo të ndodhë. I dashur skraparlli (ta dish se sa me qejf e shqiptoj këtë fjalë, si të jetë varg kenge!) i ke rrënjët në një truall me në gjoks Malin e Tomorrit. Ti dhe kushdo që është rritur pranë kësaj madhështie shkembi, pyjesh, ujrash e bore e di shumë mirë se nuk mund të lejohet të bëhet ai mal i lartë, ai rrokaqejsh, një kodër apo një pirg me dhe. Si mund të bëhet xhuxh historik Gjergj Kastrioti?! Nuk ka Skrapar e Berat pa Tomorrin, nuk mund të ketë Shqipëri pa Skënderbeun.
Ky është villimi im i parë për këtë temë, do të ketë edhe të tjerë në vazhdim. Në të paktën dy vëllimet e tjera që janë në endje, pra duke i shkruar e njëkohësisht pasuruar me dokumenta, besoj e dëshiroj të them gjëra që deri tani nuk janë dëgjuar. E them këtë jo sepse jam i zoti, por sepse lexuesi nuk ta ka ngenë po i the të rithëna. Kam një libër tashmë të shkruar prej katër vjetësh, por ende të pabotuar, për tre muajt që Gjergj Kastrioti i kaloi në mug të jetës e të fatit të tij në Romë, dhjetor 1466-mars 1467, duke kërkuar mbështetje ushtarake e financiare dhe....edhe këtu ka një gjysmë të pathënë që do të thuhet. Do të ketë një vëllim për raportet e politikanëve shqiptarë, veçanërisht Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës me emrin e veprën e Skënderbeut. Edhe këtu do të ketë më shumë se një gjysmë të pathënë, pra të harruar, madje kam bindjen se është bërë qëllimisht. Në vijim do të ketë edhe një libër tjetër, me lendë e dokumenta me kohë plotësisht të siguruar, për trashëgimtarët e tij realë (të harruar gjer pak kohë më parë) dhe ata falsët, që janë një lukuni e tërë. Ndërkohë po ta them intimisht, i miri Zylyftar, se do të ketë edhe një libërth për Skënderbeun dhe Beratin, ose më qartësisht për Kastriotët, zotërit e Krujës dhe Muzakët, zotërit e Beratit, të Skrararit dhe të Myzeqesë.


Me që e nisëm, kur kam qenë në pedagogjiken e Beratit, por edhe më pas, pasi unë kam pasur lidhje të vazhdueshme pune me Beratin, kisha dëgjuar se, në se të duhet të dish për familjet e njohura beratase, ato janë shumë, por nëse të duhen pesë apo gjashtë, në këtë numër ke pa diskutim Polovinat. Nuk e di sa e saktë është kjo, por unë veç teje kam njohur edhe një Polovinë tjetër, të cilin e kam patur kujdestar konvikti në pedagogjike, Pajtim Plovina e quanin, një burrë shumë-shumë i mirë, korrekt dhe me kulturë, nuk e di ku është tani.

Ylli:

Berati përherë e më shumë më mahnit me thesaret historikë që ka. Prej kohësh po pasuroj një arkivë personale me këtë temë. Duke punuar kam vënë re se janë me qindra familjet e nderuara të qytetit tim, janë aq shumë, i dashur Zylyftar, sa që Polovinat duken fare modestë, edhe pse kanë kontributin e tyre. Në librin tend një nga ato që më dha emocione, por edhe dituri, ishte citimi tend i pambaruar i fiseve, familjeve apo individëve që kishte jo vetëm qyteti, Çorovoda, por krahina juaj. E veçanta me Beratin është se pjesën më të madhe të bëmës historike ne e kemi në qytet, ju në rrethinat. Por sikur të bashkosh historinë e dy qyteteve dhe fshatrave tanë, pra të Beratit me të Skraparit, a e di çfarë mrekullie del? Sepse racat i kemi përzjerë dhe nga martesa mes një beratasi e një skraparlliu, të siguroj edhe pse ti e di mirë këtë gjë, minimalisht del një pasardhës i bukur fizikisht, që vishet mirë e po ashtu di të hajë me qejf, por mbi të gjitha që është i matur dhe i pangutur. Patjetër beratasit kanë patur fat me fqinjin e tyre, sepse urtësinë, ndonjëherë edhe në kuptimin e plogëtisë së veprimit historik, ja kanë pasuruar skraparllinjtë me pasionin për protagonizëm.
Më vjen mirë që kujton Pajtim Polovinën. Gjyshi im ishte vëlla i babait të tij. Me Galo Polovinën, veprimtar në “Vatra”, në emigracion, në SHBA dhe pastaj sepse e mbyti malli për vendin e tij u rikthye në Shqipëri, ne krenohemi. Pajtimi ka disa vite që nuk jeton më. Një sëmundje e papritur zemre e vuri poshtë atë njeri që nuk kishte lodhje e mundim njerëzor ta bënte të dorëzohej. Faleminderit që e kujtove!

Sa herë që kemi biseduar bashkë ti flet me shumë admirim dhe respekt për Skraparin dhe skraparllinjtë, mos nga që je dhëndër në Skrapar?


Ylli:

Po të përgjigjem shkurt, edhe pse diçka për këtë temë thashë më sipër: Unë jam e do të jem gjithë jetën krenar që vjehrrin tim, Skender Hysin, e kam bir të Skraparit. Ndihem i nderuar që kam marë vajzën e tij, Fatbardhën.


Faleminderit për telefonatën dhe mendimet për librin tim “Orakuj të Harruar”. Më fole me superlativa, por si publicist profesionist të kam marrë për të
vërtetë dhe që më nxit, mendimin për stilin dhe mënyrën e të shkruarit, i cili përputhet edhe me mendimet e disa miqve të mi, si Xhevahir Spahiu që e ka thënë që në parathënie, Fatos Baxhaku, Shaban Sinani, Naim Zoto etj. që i kanë
shprehur edhe në shtyp.

Ylli:

Ti je njeri i tokës, i tabanit. Ti je vërtet tomorrian. A nuk është tomorrian Xhevair Spahiu? Në çdo varg është i tillë, syth lulesh e oshëtimë mali, puhizë dhe fortune njëherësh. Tomorrian do të thotë forcë Anteu. Nëpërmjet librit tend kuptova më mirë sa afër legjendës dhe Dodonës hyjnore, sa afër orakujve dhe thellë historisë jeni ju, skraparllinjtë.
Tomorrian do të thotë edhe njeri i ngrohtë, i ëmbël. Në Shqipëri si malësorë të ëmbël unë deri tani kam njohur vetëm bashkëkombasit që janë rritur në krahinën tuaj.
Kjo ngrohtësi të ka bërë një reportazhier të spikatur, ndonjëherë edhe të mahnitshëm, zëdhënës të njerëzve dhe tokës, të qiellit dhe të malit, të burimeve dhe legjendave pagane, të kanioneve dhe lendinave. Kur unë ndërsa e lexoja librin tend dhe here qeshja e herë dënesja kjo ndodhte sepse vjen pikërisht nga magjia që ti ke, o njeri i njerëzve.

Ke një faqe interneti shumë të ngrohtë dhe intime. Aty, veç Bardhës që e kam njohur me kohë, u njoha edhe me gocat e tua, Albanën dhe Besjanën. U uroj sukses dhe fat në jetë!

Ylli:

Faleminderit, gëzime paç edhe ti në familjen tende!
I dashur Zylyftar, tani jetohet edhe në online, siç e di. Nëpërmjet webfaqes time dygjuhëshe përpiqem të komunikoj me të tjerët. Atje është vendosur pothuaj e gjithë krijimtaria ime. Kur ka kohë, dëshirë apo mundësi, secili mund të gjejë atje një tashmë një gjashtëdhjetëvjeçar që të paktën nuk i gënjen kurrë në ato të thotë.
Ndërkohë website im çdo muaj ka rritje të lexuesve të tij. Gëzohem për këtë, siç më shumë lumturohem që përveç shoqes time të jetës, dy vajzave që jetojnë e punojnë në Romë, kam foto dhe rreshta edhe për nipin tim, Emin.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com