Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dea thotë se Shqipëria do të bëhet


Botuar në “Tirana Observer” më 25 nëntor 2008

Sipas fjalës më të lehtë që do të na vinte ndër mend dymbëdhjetë vjeçarja Dea do të quhej jetime. I jati i saj, Skerdilaid Llagami, ka shtatë vite që nuk jeton më. Mirëpo në të vërtetë ajo vajzë me sy të kadiftë dhe mes flokëve të zinj me një fjongo rozë si trëndafil të çelur, e gjitha një ylber i vogël vezullues, nuk mund të quhet e tillë. I jati i saj ka rënë në Maqedoni si luftëtar atë kohë i Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare. Duke qënë se në Tiranë Skerdilaidi është shpallur dëshmor i kombit Dea është bijë dëshmori. E ka këtë status me një dokument special. Të quajtur zyrtarisht bijë dëshmorësh ne shqiptarët deri tani kemi patur kryesisht prej të rënëve për çlirimin e vendit në Luftën e Dytë Botërore. Mjaft prej këtyre bashkëkombasve janë të moshuar. Pastaj kemi edhe brezin e dytë të dëshmorëve, atyre që thirreshin për një gjysëm shekull si dëshmorë të socializmit. Nuk qenë shumë, kryesisht të rënë në kufi, por edhe jetëhumbur në luftën me grupe të armatosura antikomuniste në vitet e para pas çlirimit. Ka patur edhe disa të titulluar dëshmorë të rënë në punë. Pas shembjes së diktaturës, sidomos vitit 1992, u bë publik brezi i tretë i dëshmorëve. Qenë ata të vrarë nga regjimi komunist për vetëm arsye desidence. U thirrën “Martirë të Demokracisë”.
Brezi i katërt i dëshmorëve dhe i bijve të tyre është kjo Dea, të cilën në një nga kafet e qendrës së Tiranës e “marr në pyetje”. Duke qënë se nga vendi ynë në luftrat me armë për çlirimin e Kosovës, shpëtimin e Luginës së Preshevës dhe të sigurimit të të drejtave të plota kombëtare në Maqedoni nuk kanë rënë më shumë se tridhjetë tetë vetë dhe pastërtisht në betejë të drejt për drejtë vetëm shumë pak, kuptohet që bijtë e këtyre dëshmorëve të pragvitit dymijë janë shumë të rrallë. Ja pse jam i gëzuar që e kam njohur Dean. Në takim ka ardhur me të jëmën, Irisin, një grua ende me kumtet e rinisë në të gjithë qënien e saj. Ka sjellje zonje, hire të plota nëne dhe gjykim intelektual. Punon në një institucion special për sigurinë e vendit. Më ka dhënë fjalën të më ndihmojë të zbuloj të veçantën e vajzës së saj të vetme, dritës së saj të syrit.
Dea ka trashëguar të gjitha tiparet e të jatit. Kërkoj ndonjë shenjë fizike nga e jëma dhe mbetem ngushtë. Si është e mundur që një i rënë në luftë të mund ta rikrijojë pamjen e vet kaq të plotë, tamam si të ringjallet. Dea kur i jati mori rrugën e betejave për zgjidhjen e asaj që akoma thirret “Çështja shqiptare”, ishte vetëm katër vjeçe. Nga imazhi i fundit mban mend vetëm ngjyrën e syve dhe nga bisedat telefonike zërin e tij. Pastaj e pa vetëm të ardhur në formën e fotove nëpër gazeta dhe më në fund në ceremoninë zyrtare të kthimit të eshtrave të tij nga Maqedonia. Në sallën e Shtëpisë së Ushtarakëve të Tiranës kujtimi i të jatit ato çaste qe tretur në foto të mëdha. Pastaj, tek mbërriti arkivoli...
Kjo ishte edhe pjesa më e vështirë e bisedës, por që nuk mund të shmangej. Deas ngashërimi i vjen si shfrim furtune. Buzët i dridhen, lëkura e brishtë e fytyrës i përmbytet nga lotët. Qan me dinjitetin e një njeriu që tashmë ka parë shumë nga jeta. Vetëm pak çaste shkuar, kur e pata pyetur se si ndihej me dymbëdhjetë vitet e saj të njoma më qe përgjegjur “Ndonjëherë e rritur, ndonjëherë e vogël”.
Megjithatë takimi me të jatin tashmë vetëm një arkivol e ka traumatizuar dhe vuajtja e vajzës duhet të ketë qënë ato çaste dhimbje gjer në shkulje të zemrës nga gjoksi. Ndoshta fillimi i lehtësimit i ka ndodhur kur ka nisur të puthë pa pushuar buzët e arkivolit. Më pas ka qënë butësia e mënçur e të jëmës, mbulimi me të puthura përditë nga të dy gjyshërit, prindërit e Irisit, lulet që herë pas here çon tek i jati në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Në një nga shtjellat e bisedës i kisha bërë të voglës pyetjen si mendonte se bëhej Ballkani një tokë për t’u jetuar. Më qe përgjigjur pa mëdyshuar asnjë fraksion sekonde: “Vetëm me paqe”. Më pas pak e nga pak e bëri të qartë atë që donte të thoshte. U shpreh e pa lëkundur “Nuk më pëlqen lufta, nuk e dua gjakderdhjen. Po nuk qemë dakort për një gjë ta zgjidhim me bisedime”. Tek tha këto fjalë vështrimin e kishte të mbytur nga ëndërrat. Kisha qënë unë që prej parajsës së tyre e pata zbritur në ferrin e takimit të saj me arkivolin e të jatit. “I pamëshirtë”, për të zbuluar sa më shumë nga identiteti i saj, i qesh kthyer sërish të njëjtës pyetje. Por edhe pas kujtimit të asaj që provoi në sallën funerale të Shtëpisë së Ushtarakëve të Tiranës Dea kembëngul sërish se është kundër luftës. Nuk i pulson asnjë ndjenjë hakmarrjeje.
“A i do të gjithë popujt e Ballkanit?”, e pyes. Pohon duke e tundur kokën. “Të gjithë, të gjithë?”, ngulmoj unë. Sytë e Deas nuk turbullohen. “Edhe serbët?”, provokoj unë. Fytyra e bukur e bijës së dëshmorit tashmë bëhet e gjitha ajo e të jatit. Duket sikur përgjigjen do të ma kthejë Skerdilaidi. Një çast tiparet i tendosen dhe nuk e gjen dot përgjigjen. Duket sheshit se mendjen e ka të kthjellët, por po i dhemb shpirti. Më në fund bën njëherësh disa gjeste që duan të thonë as po dhe as jo. Duket serbët i ka akoma disi “inat”, por nuk i urren dot. Që prej stërgjyshit të saj Moçi, treqind vite të shkuara bir nga Bjeshkët e Rugovës, pothuaj për të gjitha gjeneratat e fisit të të jatit, Llagamëve, me serbët kanë rrjedhur ngjarje të trazuara. Moçi e braktisi vendlindjen dhe hyri në brendësi të trojeve shqiptare, sepse u përplas me armë me ta. Një pasardhës të shquar të tij, rilindas, kur në nëntor 1913 serbët e pushtuan Tiranën, e patën poshtërruar publikisht në sheshin qendror të qytetit. I jati sepse donte që serbët të largoheshin nga trojet e stërgjyshit të tij, kishte shkuar në Kosovë e luftuar.
“Por babi tënd mund t’i shmangej vrasjes”, ndërhyj, “Ishte mirë në shtëpinë e tij. Mund të mos ishte dëshmor, sepse mund të mos jesh dëshmor dhe e do po aq shumë Shqipërinë”. Duket sikur Irisi e vogël bie prehë e asaj fraze të ndërlikuar që i them, por nuk ndodh aspak ashtu. Përgjigjet “Jam e lumtur që e dha jetën për atdheun”. Pastaj vijon “Shqiptarët e duan shumë tokën e tyre dhe janë krenarë për kombësinë. Ua cënuan me armë, prandaj u ngritën për ta mbrojtur po me armë. Shqiptarët janë popull bujar, jo luftënxitës”.
Çfarë brezi është ky, them me vete, tashmë krejt në admirim të logjikës të dymbëdhjetë vjeçares. Kuturis ta zhbirroj më tej. E pyes se po t’i vinin përpara dy kuti votimi, një do të ishte për Evropën dhe tjetra për ShBA-në, ku do ta hidhte pëlqimin e saj. Heziton. Ndoshta një pyetje e tillë nuk qe për moshën e saj. Pendohem. Megjithatë Dea për të larguar çdo paqartësi shton “Do të votoj gjithnjë për Shqipërinë”. Nuk kishte përgjigje më inteligjente. Kjo donte të thoshte se në jetën e saj do të nisej vetëm nga dashuria për atdheun e vet. Do të donte çdo shtet që kishte në zemër mëmëdheun e saj.
Në bisedë marrim vesh se Dea dëshiron të bëhet politikane. Këtë e thotë në fund. Sqaron se nuk i pati shkuar në mendje një ide e tillë, por disa kohë e zgjedhur senatore e klasës së saj dhe një ditë mësuesja që faqe të gjithëve i pati thënë se kishte dhunti të një politikaneje, e kishin tunduar. Mirëpo e jëma, Irisi përherë e vëmendshme që e bija e vetme ta mbajë më të vetkontrolluar pasionin e trashëguar nga i jati të protagonizmit politik, ndërhyn e thotë se Dea fare mirë mund të bëhet edhe një interprete në organizma ndërkombëtarë. Dymbëdhjetëvjeçarja deri tani flet shumë mirë tre gjuhë. Pastaj shton se megjithatë e bija nuk dëshiron të shkojë jashtë vendit, jo vetëm për të jetuar, por as përkohësisht për studime. Nuk do ta braktisë për asnjë çast vendin e vet. Kjo mua më duket disi e skajshme, sepse Shqipërisë mund t’i shërbesh me shpirt edhe nga mijra kilometra larg. Mirëpo Dea e ka zgjedhur këtë alternativë jo sepse nuk i kupton këto gjëra, por zjarrmon nga dëshira t’i japë një provë besnikërie atdheut të vet.
Tani ka ardhur koha e pyetjes së fundit: “A të duken patriotë shoqet e shokët klasës dhe të shkollës?”. I qesh fytyra menjëherë: “Po, janë patriotë”. “Domëthënë Shqipëria do të bëhet”, më kap mua një ngazëllim i beftë. Tashmë në fytyrën e saj bëhen një i tërë Irisi dhe Skerdilaidi. Thotë solemnisht “Shoqet dhe shokët e mi e mendojnë dhe e besojnë këtë gjë. Ne diskutojmë se tani jemi në hapat e para, por nesër do të bëhemi më të fortë”.
Kjo bisedë, e cila u mbyll me këto fraza të fundit, u krye diçka më shumë se një muaj më parë dhe shkrimi mund të bëhej menjëherë. Megjithatë hedhjen e tij në letër e lamë për ta shkruar vetëm në prag të 28 nentorit.
Dea ka lindur për Flamur.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com