Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pluralizmi i munguar i gjuhës shqipe


Botuar në revistën “Shqip”, mars 2009

Kur në vitin 1999 revista e shumënjohur e studimeve gjeopolitike në Evropë “Limes” botoi një numër të saj special për zhvillimet në Ballkan e në Kosovë, bashkëngjiti edhe një hartë të gjuhëve të kontinentit. Me gërma të dukshme në të ajo bënte të qartë shënimin se shqipja jo vetëm qe pjesë e padyshimtë e familjes linguistike indoeuropiane, por edhe ndër më të vjetrat e Evropës. Duke qënë se kjo e përmuajshme me përherë deri në treqind faqe në profilin dhe autoritetin e saj studimor është ndër më të rrallat e eurokontinentit, doemos që bërja publike e kësaj vlere shqiptare autorit të këtij shkrimi i shkaktoi një emocion të pazakonshëm.
Këtë fakt ai e dinte. Ja kishin futur në kokë në Tiranë, sidomos në periudhën e studimeve universitare. Mirëpo jo të gjitha sa të thuhen në vendin tend mund të besohen. Nëpër shkolla akoma breza të tërë edukohen deri edhe me mite e legjenda. Në një kufi të tillë për ne shqiptarët është çuar herë pas here, përshembëll, edhe çështja e bukurisë së gjuhës. Naim Frashëri ngulte kembë se shqipja qe një gjuhë perëndie. Ismail Kadare nuk ka mbetur më pas. Në librin e tij intervistë me Alen Boskenë ka shkruar se gjuha jonë është një ndër më të vjetrat e gjithë globit.
Por le të mbetemi tek harta e “Limes”. Ajo nuk ishte e hartuar prej saj, por e marë nga një institucion shkencor perëndimor. Si dokument autentik ajo na jep të drejtën të lëvizim lirisht e të bëjmë interpretimin tonë pa na u ngatërruar nëpër këmbë as zjarrmitë patriotike dhe as legjendat urbane.

ooo

Të kesh në përdorim një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit më e pakta do të thotë se Evropa është vendlindja tende. Pra të paktën etnikisht je evropian. Prej kësaj mund të shpjegohet dhe kuptosh përse në historinë tonë kjo prirje është e natyrshme dhe shpesh herë edhe shumë e ndërgjegjshme. Në rastet kur ka qënë orientim subkoshencial, thjesht gjest instiktiv apo spontan, akoma më tepër e ka dëshmuar këtë cilësi evropiane pothuaj genetike. Aq e thellë është kjo përkatësi sa që shqiptarit duhet t’i ndryshosh adn-në që të mund ta shndërrosh në një joevropian.
Me një status të tillë në historinë tonë shqipja nuk është thjesht një mjet komunikimi, as vetëm një ruajtëse e traditës dhe përcjellëse e kulturës, bartëse e vlerave shpirtërore dhe historike. Për këto cilësi që ka, si të gjitha gjuhët e popujve të botës, ajo është edhe pjesë e identitetit kombëtar. Të tëra këto standarte shqipja i plotëson më së miri, madje pa u merakosur fort se e pati të vonë një proçes të saj të shkrimit dhe të unifikimit kombëtar.
Madje raporti i saj me shkrimin dhe unifikim-standartizimin, siç do ta vëzhgojmë këtë temë më tej, na jep prova të tjera, më të shumta dhe më me autoritet se gjuha shqipe përfaqëson një vlerë kombëtare përtej asaj përmase që zakonisht një gjuhë ka në një popull.
Me statusin e njërës prej dy gjuhëve më të vjetra të Evropës kemi të drejtë të ravijëzojmë tezën se shqipja përbën pjesën më të rëndësishme dhe vetë themelin identitar të kombit. Më shumë se tek mjaft popuj të tjerë ajo është forca jonë e mbijetimit dhe e mosshuarjes. Grekët nuk mund të shfarroseshin dot kurrë jo për shkak të gjuhës së tyre, madje as të njerëzve, sepse është e vërtetuar që helenët e sotëm genetikisht nuk janë aspak grekët e lashtë. Që të mbijetonin dhe të ruanin një identitet të fortë karakteristik ata patën kulturën e madhërishme që në agim të shoqërisë njerëzore prodhuan si edhe modelin e sistemit shoqëror demokratik. Shqiptarët nuk mundën të krijojnë dot një qytetërim të tillë dhe për pasojë nuk e patën gëzuar dot imunitetin e mbrojtjes prej tij.
Por kishin gjuhën.
Në pamje të parë, si pasojë e një pamundësie të shumëve prej nesh për të depërtuar thellë të fshehtave të shqipes, kjo duket gjë e paqartë, në mos fare e pakuptueshme. Secili prej tyre mund të thotë se gjuha, madje në rastin shqiptar me shkrim shumë të vonuar vetëm e folmja, nuk është ndonjë meritë e madhe. E mëson bashkë me pirjen e qumështit të nënës dhe në atë gjendje mund ta përdorësh gjithë jetën. Vlerë e madhe është si ta mësosh gjuhën nëpër shkolla dhe universitete, ta shkruash në dokumenta e libra, ta pasurosh me kërkuesë e shkruesë të talentuar të saj.
Megjithatë në rastin tonë, pra të një gjuhe nga më të vjetrat e kontinentit, për pasojë siç pohon edhe Kadare, duke qënë e tillë pse jo edhe ndër dhjetra më të lashtat e botës, ajo ka marë përsipër të ruajë qytetërimin tonë. Ai nuk qe kurrsesi i përmasave helene megjithatë ishte qytetërim. Të paktën për aq sa ne i përkasim Evropës.
Sepse ishte i tillë, pra jo thjesht gjuhë apo e folme, por bartëse dhe ruajtëse e civilizimit të një populli autentik evropian, bankë të dhënash të identitetit tonë kombëtar, ka ndodhur që është mbrojtur të mos shuhet. Francezët apo spanjollët dhe jo vetëm ata, në gjuhë u latinizuan, pra e tjetërsuan të folmen e lashtë të tyre, por kjo nuk ua rrezikoi të ndërpritnin trashëgiminë e qytetërimit vetiak.
Me shqiptarët po t’u vdiste gjuha do të ngjante më e keqja: fikja kombëtare.
Ja përse tek ajo, duke patur vetë kodet tona të mbijetimit, kemi edhe misionin e madh që këtë traditë ta vazhdojmë. Në kushtet kur çështja e mosshuarjes së saj duket punë e zgjidhur, sepse tani kemi me dhjetra universitete, qindra radio e televizione, disa mijra libra të botuara në vit, gjuhëtarë e shkrimtarë, me mijra përdoruesë sqimatarë e profesionistë të saj, bëhet qartësisht e kuptueshme se gjithsesi misioni i saj nuk ka mbaruar. Vazhdon të jetë çështje e ditës si një apo disa shekuj më parë.
Që të mos e hutojmë dhe çuditim më kot lexuesin le të nisim ta shpjegojmë sadopak këtë ide emergjence.
Kemi një provë në dorë: është një fjalor i ri i gjuhës shqipe. Nuk mund veç të vlerësohet si pjesë e natyrshme e këtij misioni hartimi dhe botimi i një të tilli. Ca më tepër kur ai sjell fjalë të reja, pothuaj të papërdorura nga gjuha e standartizuar deri tani. Aq më shumë ngjarja bëhet jo e zakonshme kur ky përmbledhës fjalësh të reja numëron afro dyzetë e një mijë. Madje shumica janë të shoqëruara në kontekste të qarta frazeologjish popullore apo fragmentesh prej krijimeve të autorëve të ndryshëm.
Dhe ky fjalor nuk është anonim. E ka një emër. Nuk është emër akademie apo instituti, qendre studimore apo shoqate.
Ka vetëm një person, një individ.
Quhet Mehmet Elezi.

oooo


E theksuam fort që autori i këtij fjalori të madh është vetëm një bashkëkombas jo për të thënë se përderisa krijesa e tij është e njëjtë për nga vëllimi dhe numri i fjalëve me atë të vetë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, ky është një super njeri. Fjalori i Akademisë është një vepër shumë e vyer dhe e paçmuar pikërisht se përbën frut të një pune kolektive dhe të një grupi gjuhëtarësh profesionistë.
Kurse Mehmet Elezi nuk është gjuhëtar. Ai thjesht ka mbaruar fakultetin e Gjuhë-Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Që i ri ka qënë publicist dhe autor i një vëllimi poetik. Më pas është marë me politikë. Iu rikthye tërësisht letërsisë artistike dhe publicistikës pas rënies së diktaturës. Në një farë mënyre sapo nga shpina flaku atë pelerinë të rëndë të harxhimit të kohës me politikë u rikthye tek vetvetja.
Por me kaq, me sa dukej, këtë rikthim në identitet nuk e konsideronte të kryer plotësisht edhe pa kryer një veprim tjetër: Fjalorin e gjuhës shqipe. Mjafton të tregojmë si ka ndodhur kjo për të kuptuar sadopak përse qe Mehmet Elezi dhe jo ndonjë tjetër sipërmarrësi dhe hartuesi i tij.
Në të vërtetë ai është një misionar i çështjes kombëtare. Ja ka shkruar jeta në kodin e fatit. Ka lindur bashkë me këtë mision. Nuk do t’i shmangej dot këtij fati edhe po të ndodhte që “urdhëri” genetik t’i vinte njëzetë vite më vonë apo në pleqëri të thellë. I lindur në bjeshkët e Malësisë së Veriut, djepit të madh të eposeve shqiptare, ai e kishte brenda vetes të gjithë energjinë, pasionin, detyrimin, dijen dhe përgjegjësinë për të bërë këtë fjalor të rrallë e të munguar.
Që kur ishte i ri e shkruante poezitë apo reportazhet e para, prej viseve të veta i pajisur me shumë fjalë e shprehje të bukura që gjuha unike nuk i kishte, ai filloi të përdorte disa prej tyre. Ndërkohë shihte se si botuesit apo shefat e gazetave e revistave ia hiqnin. Arsyeja konsiderohej e thjeshtë: nuk qenë në fjalorin e gjuhës së standartizuar me një kongres të posaçëm në vitin 1972. Madje ndoshta ndëshkimin e merrnin edhe sepse qenë fjalë, shprehje apo struktura gramatikore nga gegërishtja. Standarti kishte kurorëzuar gjer në kufijtë e një autoriteti totalitar toskërishten.
Me këtë brengë të përhershme, por edhe shtysë të madhe intelektuale, në vitin 1997 Mehmet Elezi shkroi vetëm për tre vajzat e tij një libër kujtimesh nga fëminia e vet. Atje tregonte për viset, prindërit e të parët, bashkëkohës të tjerë e jo pak nga ata që nuk jetonin më. Duke qënë se ai libër nuk mund të shkruhej dot korektësisht edhe pa të folmen karakteristike të atyre anëve, që fëmijët, të lindur e rritur në Tiranë, të mund t’ia kuptonin, e shoqëroi edhe me një fjalor të vogël me rreth shtatëdhjetë fjalë e shprehje të reja.
Ky në të vërtetë ishte boceti i fjalorit të madh të ardhshëm.
Nga viti 1997 deri në 2005, kur u ngarkua me punë diplomatike në Zvicër, ja kishte mbërritur të mblidhte thesarin e dyzetë e një mijë fjalëve të reja. Ndërkohë mund të shtonte edhe shumë të tjera, por puna e re nuk i hiqte vetëm kohën e krijimit, ajo e shkëpuste edhe nga biblioteka e tij e madhe në shtëpinë e vet në Tiranë. Në zyrën e tij në Bernë i mungonin vëllimet e rralla që nga Gjergj Fishta, Anton Pashku, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Visaret e Kombit, Kanuni i Lekë Dukagjinit apo i Skënderbeut, Naim Frashëri e Migjeni, të gjitha veprat e Kadaresë apo Agollit...
Kështu ajo punë u ndërpre dhe për aq sa më në fund kishte marë formë u botua. Risia e ngjarjes qe e shumëfishtë. Nga ana profesionale sillte tre gjëra të reja: çdo fjalë kishte etimologjinë e saj, pra rrënjët nga vinte; në të gjitha rastet dëshmohej me emrin e autorit apo titullin e veprës ku ishte përdorur; futej edhe përdorimi i paskajores, strukturë gramatikore e përjashtuar nga gjuha e standartizuar shqipe që në vitin 1972 edhe pse gjendet plot hijeshi në vetë himnin kombëtar (“Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka me pritë!”).
Fjalori i qëndron tërësisht normës drejtshkrimore të standartit dhe nuk kërkon aspak ta thyejë atë. Synon vetëm ta plotësojë.
Kjo është e reja profesionale e Mehmet Elezit, të cilit në qoftë se do t’ja shohësh me cmirë këtë punë mund t’i nderësh përpara qortimin se nuk është gjuhëtar profesionist. Pra thjesht nuk është nga të Akademisë apo instituteve të tij.
Mirëpo pikërisht këtu është edhe thelbi i risisë së tij. Veprat e mëdha i bëjnë të guximshmit. Ai fjalor i përpunuar me kritere shumë korekte, pra si një njeri me kulturë të plotë gjuhësie, përmban një vlerë e fuqi të madhe për t’i qëndruar kohës e mbajtur shënim në histori: është vepër reformatore.

oooo

Gjuha është mbrojtur me këmbëngulje e vetmohim të rrallë sepse shqiptarët nuk kishin një teritor të bashkuar ku mund të jetonin e të vetrregulloheshin. Duke qënë një etni jo agresive dhe që nuk mësoi dot kurrë se ndonjëherë mbrojtja më e mirë është sulmi, me fat gjeografik por jo përherë me të tillë vlerësim gjeostrategjik, ata jetuan në një teritor-koridor. Nga lindja në perëndim dhe anasjelltas aty kalonin pushtimet e huaja dhe në pamundësi ta ruanin atë integritet trojesh e bënë këtë me gjuhën.
Ja përse gjuha shqipe ka qënë vetë shteti, administrata, gjyqet, ekonomia, pronat, shkolla, bilbiotekat, arkiva, ambasadorët dhe ushtria, gjithçka jetike për një komb.
Sepse e dinin këtë mision të madh të saj popullsia ardhëse sllave në shekujt VI-VII të mijëvjeçarit të parë e përhapi dhe e nguliti gjuhën e saj në çdo dokument, kanceleri, oborr feudal, emërtim fushe dhe lëndine, gryke lumi dhe korije borigash. Përleshja e parë dhe më e madhe për të mbijetuar shqiptarët para se ta bënin me armë e kryen me gjuhën e tyre.
Sepse e dinin këtë mision të saj edhe osmanët, tolerantë në punë besimi fetar apo vetadministrimi ekonomik, në çështje të gjuhës qenë ndër pushtuesit më totalitarë. Dy shenjat më kryesore të identitetit të shqiptarëve, shqipen dhe kujtimin e Skënderbeut, bënë gjithçka t’i shfarrosnin. Doemos që nuk ja dolën dot, sepse ishin pjesë të njëra-tjetrës. Jo më kot formula e pagëzimit u përkthye për herë të parë në shqip kur Gjergj Kastrioti ishte gjallë.
Gjuha shqipe është sulmuar edhe sepse përfaqësonte unitetin e të gjithë bashkëkombasve. Fjalori i Mehmet Elezit këtë mesazh ka, ruajtjen e bashkimit. Kur u hartua ai i standartizimit, vepër e padyshuar në misionin e saj unik, nuk kishte përfshirë mjaft pasuri gjuhësore të trojeve tona në veri dhe veçanërisht jashtë kufijve. Tani që Kosova është shtet i pavarur dhe bashkëkombasit tanë në Maqedoni dhe Malin e ZI me hapësira të dukshme lirie, standarti duhet të plotësohet patjetër, të hapet, të zgjerohet, të pasurohet. Në të secila krahinë duhet të gjejë veten. Kjo është urgjente jo vetëm sepse erërat e globalizmit nuk do të kenë shumë mëshirë për etnitë e vogla, më pak të zhvilluarat apo ato që janë ende të dobëta. Në pamundësi t’i asimilojnë mundet t’i dobësojnë më shumë, t’i nxjerrin fare në periferi të zhvillimeve dhe ndikimeve. Në këtë botë të ardhme ku kufijtë xhelozë të shteteve do të treten, bashkë me ta edhe kufitarët apo politikat e sovranitetit të rreptë, gjuha shqipe do të rikthehet me autoritetin e plotë historik të saj: të mbrojtjes së sovranitetit tonë kombëar. Shqipja është roja jonë e madhe.
Dhe që ta kryejë përherë e më mirë fjalori i Mehmet Elezit ka ardhur në kohën e duhur, siç në momentin e përshtatshëm edhe një konferencë e Qendrës Albanologjike e mbajtur në Tiranë, në mikpritje dhe analizë të tij, në korrik 2008. Në rast se gjuha e standartizuar në mes të viteve shtatëdhjetë, pak çaste para hartimit të kushtetutës tërësisht diktatoriale dhe valës së madhe të egërsimit të luftës së klasave, përjashtoi mjaft nga pasuria e mahnitshme e gegërishtes, tani ajo duhet t’i rikthejë. Logjika e djeshme përjashtuese duhet të zëvendësohet me atë gjithpërfshirëse.
Më në fund, ashtu si edhe sistemi shoqëror e politik në Shqipëri edhe gjuha e saj duhej të hyjë tërësisht në pluralizëm.
Ja përse Mehmet Elezi ka dëshirë të citojë një takim arkitektësh të mbajtur në Zvicër në nëntor 2008. Atje u fol gjatë për traditën e një kolegu të tyre të famshëm, i cili të gjitha ndërtesat i projektoi dhe zbatoi me një parim kryesor: nga çdo anë e tyre të futnin brenda sa më shumë diell.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com