Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tre ditë jete me NATO


Botuar në gazetën “Shqip” më 10 prill 2009

Ja që në faqet e “Shqip” mori jetë edhe një debat i vogël për mënyrën se si ne reaguam për momentin procedurial, por edhe ceremonial, të anëtarësimit në NATO. Gjë e hijshme. Kështu vetemancipohemi. Demokracia, në hapat e para të së cilës jemi, merr formë dhe na e bën më të kuptimtë të ardhmen, nëpërmjet aftësisë që tregojmë për të reformuar vetveten. Sepse jemi kaq të ngavashëm e të ngurtë në këtë rishikim e ridimensionim të identitetit tonë sa që prej 1964-tës, kur u ndërrua vlera e parasë sonë, për plot dyzetë e pesë vite njëqindlekëshit të vërtetë akoma i themi njëmijë, këtij të fundit dhjetë mijë, dhjetëmijëshit njëqindmijë e kështu me rradhë. Me shifrat e vjetra jemi bërë shumica “milionerë”.
Pohoj se nuk ndjeva turp apo ndonjë siklet që këto ditë kreva këto veprime: Më 3 prill bëra një shëtitje të shpejtë në të gjithë qendrën e Tiranës dhe pashë mënyrën se si ngjarja e pritshme transmentohej vizualisht. Imazhi ishte shumë festiv, në ndonjë vend edhe i tejngarkuar, por megjithatë provova kënaqësi estetike. M’u dukën të gjetura jo vetëm valvitjet e flamurëve-banderola në bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit” (Shamps Elise-ja jonë e stilit parisian, të cilën bashkia për Vitin e Ri e bën të përralltë), projektimi i një spot-i të madh në një ekran gati qiellor në ndërtesën më të lartë të Tiranës, pothuaj grataçielin afër stadiumit Dinamo, një muzikë e qetë që transmentohej nga pajisje fonike para kryeministrisë dhe projektimet e pamjeve të simboleve të Aleancës Atllantike mbi fasadën e godinës së zyrave të Kuvendit. Më 4 prill ndjeva trishtim që festimi nuk u bë dot i përbashkët me të gjitha forcat politike. Do të ishte një miting mahnitës vëllazërimi. Duket sikur nuk jemi gati të mbajmë në një shesh të madh e në të njëjtën shëtitore përkrahës të të gjitha partive, por dita e hyrjes në NATO do ta kishte këtë autoritet e forcë uniteti. Duhej ta provonim. Nuk dëmtonte asnjë interes partiak dhe nuk gjymtonte asnjë elektorat.
Kështu atë ditë, ndërsa tek njëra nga rrugët e ish-Bllokut, një djalë i ri më zgjati dy copë fletë-volante të një thirrjeje të bashkisë për të marë pjesë në mitingun e saj, ndryshe nga herët e tjera kur i lexoj dhe më pas i hedh, i futa në xhep. Kisha emocion. Edhe tani akoma i kam në shtëpi mbi tryezën e punës. Nuk i flak dot, sepse dua së brendshmi të respektoj opozitën dhe popullin e saj. Në mbrëmje mitingun e ndoqa duke i kaluar afër, por pa u ndalur. Në statusin tim të nëpunësit nuk më lejohet të marr pjesë në veprimtari të tilla dhe, duke qënë se është një ligj i drejtë, e zbatoj pa u lëkundur. Më erdhi mirë që Edi Rama para njerëzve të tij nuk shqiptoi asnjë ngacmim ndaj qeverisë e shumicës politike. Atë mbrëmje pezmi përse ngjarja nuk u festua bashkë, bipartizan, m’u lehtësua. Nuk ishte keq që nga një ditë qendra e Tiranës tashmë po mbushej me festuesë në dy të tilla. Mund të jetë ca arkaizëm kjo shija ime për festime të dukshme, por e mbaj përgjegjësinë vetë.
Më 5 prill pasdite, e diel, zbatova lajmërimin zyrtar që na kishin bërë për të marë pjesë në veprimtaritë e tjera. Do të fliste Kryeministri dhe do të kishte koncert. Pjesëmarrjen në koncert e fshiva menjëherë nga kujtesa jo vetëm se në to prej kohësh luhet muzikë për të rinj, por edhe sepse para fare pak kohësh, akoma tetëmbëdhjetë vite pa mbushur, më ndërroi jetë një nip, shpirtbukuri Flladi. Por edhe pse ajo formë komunikimi me nëpunësit dhe përdorimi i tyre i pakujdesshëm nga politika nuk më pëlqen, shkova në aktivitet me ndërgjegje të qetë. Kryeministri Sali Berisha është kryeministri im, siç kanë qënë të tjerë e po të tjerë do të jenë. Ndërkohë mendoj se prej punës që kryej di mjaft gjëra për rolin e kontributin e tij të veçantë për këtë anëtarësim. Ai dhe partia e tij janë atllantistët e parë të Shqipërisë së pasvitit 1990. Ndërkohë kisha marrë edhe një vendim. Në çastin kur Kryeministri do të hidhte ndonjë fjalë për opozitën, unë do ta braktisja veprimtarinë festuese. Kështu me dy kolegë, para se të niste fjala e tij, shëtitëm nëpër qëndër të Tiranës dhe bëmë shumë foto. Bëra edhe kur foli Sali Berisha, edhe kur u hodhën fishekzjarrët. Madje regjistrova edhe njëmbëdhjetë video. Për arkivën time personale do të jenë të paharrueshme. Qëndrova deri sa nisi koncerti. Kryeministri u tregua korrekt. Nuk e lëndoi opozitën.
Atë mbrëmje, të nesërmen, pastaj më 7 prill, kur në Bruksel u ngrit flamuri ynë, gjithçka e ndoqa hap pas hapi, duke vëzhguar sidomos përhapjen dhe efektin e lajmit të anëtarësimit. Pashë nëpërmjet satelitit me dhjetra stacione televizive. Ishte një bum i vërtetë i imazhit të mirë të Shqipërisë. Nuk është vendi këtu të përshkruaj këtë sukses mediatik të kombit e vendit tonë. Ne ende nuk e kemi aq largpamës vështrimin për të ndjerë e kuptuar madhështinë e asaj që ndodhi, por televizioni franko-gjerman Arte, në një bisedë me analistë e ambasadorë perëndimore gjithë kohën nuk theksoi anën ushtarake të NATO-s, por atë të rolit të kësaj aleanca në mbrojtje të qytetërimit perëndimor. Për sytë e të huajve dhe mes nesh të ndonjë delikati në shije vërtet kishte ca foklorizëm në mënyrën tonë të të festuarit, por bota na kuptoi fare mirë. Tha se më 5 prill ne shqiptarët kishim hyrë zyrtarisht në qytetërimin perëndimor.
Më 8 prill prita të ktheheshin nga Brukseli, ku për të ndihmuar delegacionin e lartë nga Tirana, patën shkuar mes të tjerëve edhe tre kolegë të punës me NATO-n, Spiro Koçi, Agim Fagu dhe Eno Jegeni. Nga sa mësova bëri vaki të më jetë dukur i zbehtë festimi i Tiranës. Prej kohësh në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka patur një drejtori aktive për marrëdhëniet me Aleancën e Atllantikut Verior, por tani ajo është bërë një superdrejtori. Dyert e zyrave të kolegëve tanë nuk mbyllen dhe hapen më me çelsa të zakonshëm, nga ato që kemi ne të tjerët, por me pajisje të koduara elektronike. E përsëris: mbase jam anakronik, por kjo gjë më dha qetësi shpirtërore e krenari.
Tani që po i mbyll rradhët e këtij shkrimi, pasdite e 8 prillit, dua ta çoj pohimin tim gjer në fund. Pa nisur festimet kisha patur edhe dy ëndërra. E para kishte të bënte me një përkujdesje për të spikatur edhe disa politikanë e qeveritarë të tjerë që kanë punuar për këtë ditë. Aleksandër Meksi ka qënë e mbetet një atllantist i njohur, po kështu edhe Pandeli Majko dhe Ilir Meta. Nuk mund të harrohet presidenti Rexhep Meidani dhe as njeriu i afërt me këtë Aleancë, Alfred Moisiu. Nuk kemi të drejtë të lëmë pa nderuar as Fatos Nanon.
Ëndërra tjetër ishte takimi i Kryeministrit me punonjësit e ministrive dhe të institucioneve të tyre qendrore vartëse. Me rastin e anëtarësimit në NATO ajo bisedë e lirshme le të bëhej në Pallatin e Kongreseve. Atje edhe opinioni do të shihte se tashmë kemi një korpus administrativ të plotë e të përgatitur, të përzgjedhur dhe me përvojë.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com