|
Rikthimi i borgjezisë kombëtare
Botuar në gazetën “Shqip”, më 26 maj 2009
Dy javë më parë një harmonizim veprimesh mes Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme me ambasadën tonë në Athinë bëri të vinin në Tiranë katër bashkëkombës. Quheshin Ardian Daullja (Megaro), Ari Stefa (Athinë), Irfan Abazaj (Korinth) dhe Ëngjëll Mici (Larisa). E veçanta e tyre nuk ishte aq fort sepse që të katër në Greqi qenë me veprimtari sipërmarrjeje ekonomike apo se që të katër drejtonin nga një shoqatë të emigrantëve tanë në shtetin helen, as sepse që të katër patën themeluar Unionin e Shoqatave Shqiptare të Greqisë. Surpriza e shfaqjes së tyre në vendlindje qe tjetër gjë. Ata ishin shndërruar në “borgjezë”.
Këtu bëjmë një çast pushim sa për t’i dhënë ca kohë vetes dhe lexuesit. Fjala “borgjez” akoma tek ne, shqiptarët, pas përvojës një gjysmë shekullore të një regjimi tejstalinist, është e ngarkuar me nëntekst të rëndë ideologjik. Në të vërtetë në kuptimin fillestar borgjez do të thoshte njeri që vinte apo jetonte në një qytet (borg). Dy-tre shekuj më parë ata qenë përkrahës të kapitalizmit dhe rendin e mëparshëm feudal e rrëzuan me revolucion politik dhe me zhvillim.
Duke pranuar se terminologjia politike “kapitalizëm” dhe “socializëm”, “borgjezë” dhe “punëtorë” janë tashmë nocione në vjetrim dhe jo plotësisht të sakta për të përcaktuar një shtresë shoqërore e bërë një analizë korrekte, sërish deri në fund të këtij shkrimi do ta përdorim në mirëkuptim fjalën “borgjez”. Të katër bashkëkombësit që erdhën në Tiranë dhe u pritën nga dy drejtuesit kryesorë të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, prej dy krerëve pluralistë të Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, nga një titullar i Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, pastaj nga Kryeministri dhe Presidenti, kishin një nivel kulturor të dukshëm, një ndjenjë atdhetarie mjaft moderne, në raportet e marrëdhënieve mes dy vendeve një sens orientimi shumë të zhdërvjellët, devocion jashtëzakonisht emocionues për t’u angazhuar në ruajtjen e traditave tona mes popullit mik grek, një pasion të qartë largpamës në përpjekjet për të nxitur tek gjeneratat e reja të emigracionit mësimin e gjuhës shqipe. Që të katër kishin një aftësi mahnitëse për të bërë dialog dhe shkëmbyer qetësisht opinione nga më të kundërtat, shumë ngulëkëmbje për të investuar në atdheun e tyre. Ata nuk shprehën asnjë lloj xhelozie se cili do të qe kryetari apo kush do të hynte i pari në zyrat e larta të shtetit. Me një elegancë që gati të hutonte i hapnin rrugë njëri-tjetrit për të dalë mendimi dhe jo personi që e thoshte. Për ta problemi kryesor ishte misioni që i kishin vënë vetes: të punonin për një Shqipëri të zhvilluar dhe të fortë. Kur qenë në zyrën e Kryeministrit dëgjuan prej tij t’u thoshte se “sa më e zhvilluar të jetë Shqipëria aq më mirë do të ndihen bashkëkombësit tanë nëpër botë”.
Në dy ditë takime intensive qenë kuptuar menjëherë të dy palët, diaspora dhe shteti i tyre. Qenë takuar dy opinione të njëjta të formuara në mënyrë të pavarur mes dy elitave brenda dhe jashtë vendit. Ishte një sinkron mbresëlënës. Harmonizimi i veprimit të përbashkët të të dy palëve nuk është një shpikje propagandistike. Ka të bëjë me kuptimin e një momenti historik kyç, gjetjen e një kodi zhvillimi dhe forcimi kombëtar. Është momenti kur katër milionë e kusur këtu dhe një milion e gjysmë jashtë, të kemi vetëdijen që më shumë se kurrë na duhet borgjezia jonë, ajo me nacionalitet shqiptar.
Në të gjitha shoqëritë me zhvillim normal sipërmarrësit, investuesit, ata që hapin vende pune dhe çojnë përpara ekonominë e lirë private, janë në themel të zhvillimit. Nuk ka Shqipëri të fortë pa ta. Në një gjysmëshekull ata na munguan, madje u likuiduan posaçërisht. Ishte progromi racist më i tmerrshëm, gjenocidi më i madh. Kur me Lëvizjen e Dhjetorit nisi pluralizmi politik shqiptar kohën e re e nisëm nga zero, i hymë mëkëmbjes së kapitalizmit pa patur asnjë kapitalist. Për pesë dekada me radhë diktatura kishte hedhur hapa në arsimim e bërë shumë prapa në ekonomi (në fajet e saj nuk rresht lista e gjatë), por shfarosja e borgjezisë kombëtare, zhdukja e kapitalit privat ka qenë kryedhuna. Edhe ndaj të quajturve “armiq të klasës” u bë një lloj manovre, u zbatua një farë cikli shtrëngimi dhe lëshimi, por ndaj kapitalizmit nuk u bë asnjë lëshim.
Madje sapoardhësit e rinj në pushtet nuk e fshihnin dot një gëzim: projekti i tyre politik për Shqipërinë nuk do të ndeshte me pengesën e borgjezisë. Sipas tyre zhvillimi i pakët e vendit dhe prania e dukshme e strukturave, mendësive dhe familjeve feudale, i favorizonte të kapërcenin një fazë të zhvillimit të natyrshëm të shoqërisë njerëzore. Ata nuk qenë të trishtuar që po “e digjnin” fazën kapitaliste dhe kështu po bënin një përjashtim nga teoria marksiste (ajo dogmë e parashikonte shoqërinë komuniste të vinte pas saj). Duke ndeshur në vetëm elementë të veçuar të borgjezisë ende foshnjë hesapet me të u lanë me një shpejtësi radikale, të papërfytyrueshme deri atëherë edhe për vendet e tjera të eurolindjes që ranë nën komunizëm. I gjithë operacioni kundërborgjez zgjati vetëm dy vite. Kishte nisur që në ditët e para të janarit 1945 dhe më 28 tetor 1946 doli dekreti i fundit për shtetëzimin e industrisë së mëparshme. Në mbyllje të vitit 1946 i quajturi prodhimi socialist zinte 84.1 për qind të prodhimit të përgjithshëm. Në shkurt 1947 me një dispozitë ligjore të nxjerrë nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar postet komanduese kishin rënë tërësisht në duart e shtetit. Këto qenë 211 qendra prodhimi industrial: miniera, fabrika, stabilimente, uzina, shtypshkronja, frigoriferë. I gjithë “proletariati” shqiptar përfshinte në të gjithë sistemin e industrisë së kohës vetëm 1519 punonjës.
E gjithë drama dhe ironia e dhimbshme e kësaj që ndodhi ishte se Nako Spiro, ekzekutuesi profesional i operacionit, qe bir borgjezi. I ati i tij ishte pronar i fabrikës më të madhe të duhanit, “Stamles”, në Durrës. Atë kohë qe pothuaj ndërmarrja më e madhe kapitaliste e vendit.
Tani ka tetëmbëdhjetë e më tepër vite që po bëhen përpjekje për rikthimin e borgjezisë, që ajo të zëri vendin e saj. Ata katër bashkëkombës të Unionit të Shoqatave Shqiptare të Greqisë (por që mund të vinin edhe nga Italia, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.), dëshmuan se tashmë kjo borgjezi kombëtare nuk po rritet vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. Kjo do të thotë se ndërkohë që po kërkon hapësirën e saj vitale dhe të ligjshme, e shtrirë kudo ku ka shqiptarë nëpër glob ajo dëshmon se gjendet në përmbushjen e misionit të vet kombëtar.
Nuk ka si kuptohet ndryshe ai binom: Sa më e zhvilluar, e lirë dhe e fortë bëhet Shqipëria, aq më mirë ndihen bashkëkombësit tanë nëpër botë-Sa më të zhvilluar e të fortë janë shqiptarët nëpër botë aq më mirë ndihet atdheu i tyre. Pasi fatet e shqiptarëve morën rrugën e zgjidhjes në Kosovë e kudo ku janë në trojet e tyre, është radha e zgjidhjes përfundimtare të çështjes tjetër, ngritjes së vrullshme të rolit të diasporës. Ne nuk kemi aq traditë sa ta mbajmë të organizuar atë si izraelitët apo edhe si fqinjët tanë, grekët, por më shumë e më tepër se në gjendjen e tanishme i kemi të gjitha mundësitë. Kur thuhet se diaspora jonë duhet të marrë pjesë sa më shpejt me vota në zgjedhjet tona politike, me investime në zhvillimin ekonomik dhe me “tru” në superstrukturën e shtetit e shoqërisë, thjesht për këtë gjë bëhet fjalë.
Faza e re e progresit tonë tashmë e ka dhënë sinjalin. Ata katër bashkëkombas të ditur të Unionit të Shoqatave Shqiptare në Greqi thjesht na e kujtuan edhe njëherë tjetër.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|