Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJĖ SURPRIZĖ QĖ FSHIHET NĖ JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NĖ NUMRIN E SAJ TĖ 28 NĖNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e dytė
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e parė
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ NĖ DURRĖS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tre kinezë të çuditur në Tiranë


Botuar në gazetën “Shqip” më 15 qershor 2009

Arbër P., një menaxher që vetëm një vit më parë ka mbaruar Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, atij publik, si edhe një koleg i tij jurist, të dy të punësuar në një firmë private që kryen veprimtari në energjetikë, i pritën të tre kinezët në mesnatë. Avioni i ardhur nga gjysma tjetër e globit i kishte zbarkuar në aeroportin e Rinasit dhe që prej një gjysme orë ata qenë ulur në një poltron në buzë të kufirit doganor, pa mundur dot të dilnin nga salla e pritjes dhe të hynin në territorin shqiptar. Autoritetet policore të aeroportit nuk i lejonin pa u paraqitur tek ta personat që garantonin se të porsaardhurit nuk ishin grup i trafikuar për të hyrë ilegalisht në Evropë. Pak më tej tyre nëntë kinezë të tjerë po i futnin në një furgon policie dhe dikush nga njerëzit me uniformë, në një gjendje të eksituar humori, njërit prej të dyshuarve për trafikim, me emrin Rui Xhu, i thërriste Ruzhdi.
Kur Arbër P. dhe kolegu i tij i gjetën tre kinezët e tyre këta i kishin vështrimet të turbulluara. U bënë menjëherë garantë dhe sqaruan se miqtë nga vendi i largët, prej qytetit Nanxhing, qenë dy inxhinierë dhe një ekonomist, të cilët do të merreshin me montimin e transformatorëve në Kalimash, pra në rrugën Durrës-Kukës. Sapo u shqiptuan këto fjalë, si të qenë prej magjie, e gjithë trupa doganore dhe e policisë u vu në gatishmëri të plotë. Për dy specialistët shqiptarë kjo nuk ndodhte për herë të parë. Kur firma e tyre kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që ambasada në Pekin t’u jepte vizën, e gjithë procedura u krye me një frymë, brenda dyzetë e tetë orëve. Në fillimin e ditës së tretë pasi kishin paraqitur pasaportat ato u erdhën në dorë me lejen për të hyrë sa më shpejt në Shqipëri. Kur në portin e Durrësit patën zbarkuar dy transformatorët për në Kalimash në dispozicion për ta kryer operacionin sa më shpejt dhe mos u penguar asnjë minutë u vu edhe vetë drejtori i portit.
Tashmë të shkëputur nga kujtimi i largët i pauzës së dyshimit, në udhëtimin për në Tiranë, në orën një të natës, ndërsa patën kaluar mbikalimin e Kamzës, saktësisht kur makina me tre kinezët u gjend në rreth-kalimin që në periferi të kryeqytetit thirret “Tek Dogana”, njëri prej ardhësve tha se patjetër tashmë ndodheshin në qendër të Tiranës. “Përse mendoni kështu?” pyeti juristi dhe kinezi u përgjigj se ashtu i dukej. Kur rrugëtimi vazhdoi më tej, pra kur iu avitën zonës që mund të quhet qendra e Tiranës, të tre kinezët vështronin gjithçka me habi. Hoteli ku i sistemuan, komod dhe i rehatshëm, po ashtu i bëri të kundronin përreth pa folur. Atë që kishin patur në kokë ato çaste e pohuan në mbrëmjen e të nesërmes, pasi Arbër P. dhe kolegu i tij i shëtitën nëpër pjesët më të veçanta të Tiranës, në buzë të Lanës, në ish-Bllok, tek Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit”, tek shatërvani i madh dhe pasi të tre kinezët kishin bërë qindra foto. Kryeqyteti shqiptar i kishte lënë pagojë. Spikatnin ndjenjën e mikpritjes dhe sidomos të respektit për ta, të cilën ua patën lexuar vendasve në sy. Admironin gjelbërimin dhe veçanërisht qetësinë. Tek kjo fjalë e fundit juristi nguli këmbë për ta kuptuar saktësisht, sepse qe i bindur që nëpër rrugët e lokalet tona gjithnjë ka potere, të folur me zë të lartë, lëvizje e trafik të zhurmshëm, pra nuk ka qetësi. Por të tre kinezët sqaruan se me fjalën “qetësi” nënkuptonin sigurinë. Kur qenë nisur për në Tiranë eprorët e ndërmarrjes së tyre u kishin dhënë porosinë që në Shqipëri, për shkak se rendi publik sipas tyre gjykohej në nivelin “e paqëndrueshme”, nuk duhej të lëviznin asnjëherë vetëm dhe të pashoqëruar nga vendas. “Mirëpo këtu nuk të trazon asnjë njeri”, shpjeguan, “Përkundrazi shqiptarët na shohin dhe na buzëqeshin”.
Ndërsa në Kalimash një ekip specialistësh shqiptarë po kryente punën përgatitore të montimit të dy transformatorëve dhe ditën e katërt pas mbërritjes në Tiranë duhej të vinin tre kinezët për të bërë proçesin e quajtur ansamblim, pra një lloj kolaudimi, Arbër P. dhe juristi i shëtitën miqtë e tyre edhe ditën e dytë. Madje i çuan deri në Durrës. Këtu ata vetëm hoqën këpucët dhe futën këmbët në det, duke mbetur të mrekulluar. Dita ishte plot diell dhe qielli i kaltër. Tashmë pas dyzetë e tetë orësh në Shqipëri të tre kinezët shprehën më në fund opinionin e tyre. Thanë se çdo gjë u dukej e bukur, e gëzueshme, plot shije jete. Në të vërtetë të dy shqiptarët shoqërues nuk e pritnin entuziazmin e tre kinezëve dhe këtë gjë për një arsye të thjeshtë. Patën menduar se ata, duke patur një mënyrë jetese shumë larg nga e shqiptarëve, do t’u dukej e papërshtatshme ajo e Tiranës. Kur tre muaj më parë, pas qëndrimit të shkurtër në Pekin, një qyteti me dritë dielli dhe në jo pak banorë edhe mënyre jetese të afërt me atë evropiane, hynë në Nanxhing, për të blerë dy transformatorët, ky qytet u kishte bërë shumë përshtypje. Të sistemuar nga pritësit në katin e njëzetë e katërt të një hoteli shumë luksoz, ndërsa nga dritarja e dhomës së tyre shihnin jashtë një pyll të tërë me grataçielë, qyteti i mbushur po ashtu me uzina dhe fabrika, kishte shtatë milionë banorë. Megjithatë gjatë tërë ditës pothuaj nuk panë njeri nëpër rrugë. Qetësia qe absolute, befasuese. U shpjeguan se të gjithë ishin në punë. E papritura shqiptarëve u ndodhi në orën tetë të mbrëmjes, ndërsa po shëtitnin nëpër qytet dhe ato kohë gjendeshin para një qiellgërvishësi, i njohur si grataçieli i katërt më të madh në botë. Dëgjuan një tingull sirene dhe brenda vetëm një tufe sekondash nga të gjitha ndërtesat shpërtheu një lumë i madh njerëzish. Ndërkohë, si të mbirë nga dheu, qenë shfaqur trena, autobusë dhe tramvaje. Batica e kinezëve ishte aq e madhe dhe e vrullshme sa grupi i shqiptarëve, për të mos i marrë e vënë përpara ajo dallgë, u tërhoqën dhe mbështetën shpinat pas një muri. Trenat, autobusët dhe tramvajet u mbushën plot dhe sa hap e mbyll sytë u nisën. Pas dhjetë minutash e gjithë batica njerëzore u tret pas dyerve të shtëpive dhe qyteti sërish ra në qetësi të plotë. Gjatë gjithë javës së qëndrimit në Nanxhing grupi i ardhur nga Tirana pa edhe shumë gjëra të tjera që nuk ngjanin fare me jetën në vendin e tyre. Qyteti i madh industrial kinez në brendësi të vendit ishte përherë gri, me një qiell që nuk dukej. Kur një ditë filloi të binte borë ajo la përshtypjen sikur niste prej asaj masa të paformë, që me sa duket një përzierje lagështie, mjegulle dhe smogu e mbyllte nga sipër qytetin si një kapak. Ushqimin nëpër restorante shqiptarët nuk e pëlqyen, sepse mbi të gjitha qe edhe pa kripë. Askund nuk kishte bare apo kafene. Vendasit ushqeheshin në mensa apo në restorante. Siç tre kinezët në ditët e qëndrimit në Shqipëri ua shpjeguan ata nuk e kishin zakon të humbnin kohë. Kështu vetëm me një veprim, pra restorantin apo mensën, kryenin dy gjërat e nevojshme: ushqeheshin dhe bisedonin. Kurse ju, u thanë, këtë punë e kryeni me dy veprime. Në restorant apo në shtëpi ju hani, pra nuk ushqeheni, sepse i shijoni deri në fund dhe me ngadalë pjatat, pastaj pa u ngutur pini kafe, duke shkuar në një lokal tjetër, në një bar. Këtu ju kryeni punën e dytë, bisedoni. Ne flasim për punën, kurse ju për gjëra të tjera.
Kur në Tiranë dy shqiptarët shoqërues menduan se prej zakonit të tyre për të ngrënë ushqim pa kripë, tre kinezëve do t’u ndodhte po e njëjta gjë, ata iu turrën qofteve. “Lëpinin gishtat” pas ushqimeve me kripë të bollshme. Dëshminë më të fortë se qenë të joshur nga mënyra shqiptare e jetës tre kinezët e dhanë ditën e tretë. Duke qenë se atë ditë Arbër P. dhe kolegu i tij jurist për shkak të një pune të ngutshme në firmë nuk mundën dot t’i shoqëronin, në mbrëmje, kur u ritakuan, miqtë u raportuan me gëzim: “Sot kemi jetuar si shqiptarë” dhe qeshnin me të madhe, shumë të gëzuar e të kënaqur. Pa u vonuar edhe u shpjeguan. Paradite patën shkuar në katër lokale, ku patën shijuar kafe, pije, pasta dhe akullore, pastaj në një restorant kishin ngrënë drekën. Më vonë ritin e të jetuarit si shqiptarë e pasuan me dy orë gjumë. Thanë se, edhe pse vetëm, askush nuk i pati trazuar. Tashmë qenë gati të provonin edhe ca jetë nate.
Por ditën e nesërme tre kinezët u nisën për në Kalimash dhe pas një jave e kishin kryer me saktësi profesionistësh ansamblimin e dy transformatorëve për rrugën e madhe të shqiptarëve, atë Durrës-Kukës. Me shpejtësi dhe korrektësi të madhe ata kishin sjellë edhe transformatorët. Kur i gjithë proçesi në vende afër nesh mund të zgjaste deri nëntë muaj, i livruan brenda tre të tillëve që nga dita e porositjes. Në këtë afat të rrufeshëm përfshirë edhe njëzetë e pesë ditë transporti oqeanik.
Kur u ndanë në aeroportin e Rinasit tre kinezët tundnin pa pushim duart dhe përsëritnin në shqip fjalën “Faleminderit!”
Ndërkohë edhe ne mund t’u jemi mirënjohës. Bënë diçka të dobishme për boshtin kombëtar të shqiptarëve, autostradën Durrës-Kukës. Ranë në dashuri edhe me Tiranën.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com