Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një imam me motor në Tiranë


Botuar në gazetën “Shqip”, më 7 gusht 2009

Njeriu përballë, i cili gjithë kohën përpiqet të tregohet i qetë ndërsa në të vërtetë zien përbrenda, për të mbrojtur pikëpamjen e tij ngul këmbë në dy argumenta. Tema e bisedës që e ka ngacmuar po ai, ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për hyrjen e shqiptarëve në hapësirën Shengen, pra në Evropën kontinentale. Flet, të dëgjon, tund kokën me miratim, por shpesh herë kundërshton. Dëshiron po ashtu të të mbushë mendjen se thelbi i shtyrjes prej fundit të këtij viti deri në mbarim të tjetrit nuk janë ngjarjet politike në Shqipëri, të cilat i vlerëson si të pranueshme, por dy “sekrete” të Brukselit. Sipas tij Evropa e ndjen më të afërt Serbinë, kjo për arsye historike, por edhe të pragmatizmit ditor. Pastaj të thotë se në rivalitetin mes Lindjes dhe Perëndimit Beogradi me grupe udhëheqësish politikë që e tërheqin vendin po aq fort në njërin krah sa edhe në tjetrin tashmë ka për Bashkimin Evropian një vlerë dhe emergjencë gjeostrategjike shumë më të madhe se trojet e hapësirat shqiptare, palëkundshëm në krah të Perëndimit.
Bashkëfolësi i fyer nga shtyrja në kohë e liberalizimit të vizave hyrëse në BE nuk është aq kokëfortë sa për të mos rënë dakord se qenë rrethana të kombinuara të mbrojtjes humane të popullit të dhunuar shqiptar të Kosovës, të parimeve demokratike dhe të interesave gjeostrategjikë rajonalë dhe globalë ato që bënë fuqitë e mëdha të NATO-s të ndërhyjnë me forcën e armëve për t’i çliruar bashkëkombësit tanë. Tani është radha t’i jepet një ndihmë, pra t’i bëhet një “lëshim”, Serbisë, duke ja përshpejtuar heqjen e vizave për në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Mes shumë argumentave që mes njëri-tjetrit japim e marrim, jo të gjitha për t’i rrëfyer publikisht, bashkëkombësi në njërin nuk jepet dhe nuk dëshiron të bëjë asnjë lëshim. Ai dyshon se në nënndërgjegje, në statusin e një gjëje që nuk duhet pohuar publikisht, mes disa politikanëve apo mjediseve vendimarrëse në zemër të kontinentit ka një frenues: meraku se Shqipëria është një vend i bindur mysliman. Duke qenë se Evropa historikisht është një bashkësi popujsh të krishterë, ndaj atyre që mendohen se i përkasin me shumicë një feje islame bëhet në parim kujdes dhe mbahet një distancë sigurie.
Pak e vështirë të pranohet se gjithçka që ka të bëjë me shtyrjen e përkohshme të liberalizmit të vizave për në BE ka të bëjë drejtpërsëdrejti me një paragjykim fetar. Në qendrat kryesore të pushtetit në Bruksel Shqipëria konsiderohet vend me vlera tolerance fetare, pra shumë i dobishëm për të bërë murin, pengesën e depërtimit të islamizmit radikal. Paragjykimi mund të lëvrijë në mendje apo zyra pa peshë kryesore, ca më shumë që në betejën për të bllokuar konsensusin global për pavarësimin e Kosovës po punon non stop e gjithë propoganda radikale serbe. Ajo e ka çështje jetike dhe mobilizimi i saj duhet përfillur. Janë “drithë” mjaft i mirë për t’u bluar e bërë “miell” në faqe të para gazetash se si shqiptarët gjoja bëjnë pjesë në një “trekëndësh të blertë“, në një hapësirë e cila pykëzon që prej Prishtinës deri në Bosnjë dhe që nuk na qenka gjë tjetër veç një thikë myslimane në ije të Evropës së krishterë. Kjo është një tezë shumë e dashur për ata që duan t’i djallëzojnë shqiptarët, ka të paktën dy shekuj që ka marrë formë zyrtare. Njëzetë e katër orë për njëzetë e katër mbahet e gjallë edhe fantazma e një gjoja trafikimi organesh të robërve serbë nga UÇK gjatë luftës ndërkombëtare për shpëtimin e Kosovës. Dhe sa të tjera!
Makina e madhe dhe e lubrifikuar mirë për të delegjitimuar atë që ndodhi në pranverë të vitit 1999, pra zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan, punon nga pak me të gjitha sajimet. Forca e saj nuk shkon dot deri në zotërimin e pushtetit mbi vendimet e Brukselit apo të vendeve të tjera kryesore të saj, por gjithsesi diku e mbjellin farën e hidhur. Ato kurrë nuk mund ta shtyjnë pa fund çështjen e paragjykimit si joevropianë të shqiptarëve, por ne që kemi nevojë të mos humbasim jo një muaj, por edhe asnjë orë nga çasti i liberalizimit të vizave hyrëse në BE, mund të tregohemi më të vëmendshëm për të mos lënë të humbasin në rutinë ngjarje që na dëshmojnë ashtu siç jemi, pra shumë të pranueshëm për mjedisin kontinental.
Ditët e fundit, të shtunën dhe të dielën që kaloi, më 1 dhe 2 gusht, u zhvillua në vendin tonë një turne i mbi 100 motoristëve shqiptarë nga diaspora (Finlanda, Anglia, Gjermania, Zvicra, Italia etj.) dhe nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Mes organizatorëve, ku përfshihej edhe një ministri, qe edhe Klubi i Motoristëve “Shqiponjat” në Zvicër. Motoja kryesore e asaj veprimtarie ishte përhapja e imazhit dhe e vlerave pozitive të Shqipërise dhe shqiptarëve në botë, pra promovimi modern i tyre. Për t’i dhënë një jehonë sa më të madhe publike gjestit të njëqind motoristëve bashkëkombas intinerari i lëvizjes së tyre që nisi nga zemra e Evropës në grupe të veçanta rinisi kompakt e i plotë në rrugëtimin Prishtinë-Prizren-Kukës-Tiranë-Tetovë dhe rikthimin në kryeqytetin e Kosovës. I paraqitur në kufirin e Shqipërisë në orën 14.00 të 1 gushtit pasdite grupi i motoristave veshur me shaje apo bluza të kuqe dhe mbi to shqiponja të zeza, hyri në Sheshin “Skënderbej”, parakaloi Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u ndal tek Sheshi “Nënë Tereza”. Prej këtej të nesërmen në orën 11.00 vijuan nëpër intenerarin e paracaktuar.
Duhet thënë se kësaj radhe kjo ngjarje nuk gjeti vëmendjen e duhur të medias, e cila në raste të tjera ka dëshmuar atdhetarizëm të thellë. Mund të ketë patur shumë arsye, patjetër të rutinës, por duke e ditur se gjithsecili prej nesh, atje ku për një çast mundon një kamera apo një penë gazetari, duhet ta zëvendësojë atë, i ra autorit të këtij shkrimi ta çojë gjer në fund atë ide që parashtroi që në titull. Nga njëqind motoristat grupi më i madh qe ai i ardhur nga Zvicra. Ishin plotë pesëdhjetë të tillë. Qenë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, në një rast dikush kishte marrë me vete edhe nipin, në një motor udhëtonin edhe dy të fejuar. Megjithatë më i veçanti ishte drejtuesi i këtij grupi. Quhej Bekim Alimi. Ky ishte një hoxhë, klerik mysliman në nivelin e imamit.
Ai nuk qe modern sepse përdorte një motor shpejtësie. As sepse pasi në vitin 1998 përfundoi në Kajro Univerzitetin “Al-Azhar ” dhe u diplomua si teolog, vijoi në Kajro duke u lauruar në Univerzitetin Amerikan për çështjen e sistemit demokratik në peshoren e mendimeve islame. Ndryshe nga një shqipfolës tjetër jashtë kufijve të Shqipërisë e trojeve tona, çuditërisht me një emër e mbiemër shumë të ngjashëm, i cili në internet shpërndan idenë fondamentaliste se “demokracia është shpikje e shejtanit”, Bekim Alimi thotë të kundërtën: se demokracia dhe feja bashkëjetojnë në paqe dhe mirëkuptim. Imami ynë me motor nuk është modern vetëm sepse në kryeqytetin e Zvicrës, në Bernë, është regjistruar në universitetin publik. As sepse si hoxhë është njëkohësisht edhe mësues i gjuhës shqipe, as sepse si nënkryetar i bashkësisë islame në Zvicrën lindore është edhe anëtar i Shoqatës Myslinane-Krishterë në Zvicër.
Tridhjetë e gjashtëvjeçari Bekim Alimi që është imam qytetin Wil, në xhaminë e ndodhur në rrugën Titlisstrasse 3a 9500, është shumë i njohur si bashkëpunues me Mr.Don Marjan Markun, klerik i shquar katolik në qytetin Sirnach apo me misionarin e kësaj kishe në Argau, Dr.Don Mikel Sopin.
Imami ynë me motor, për një pakujdesi apo rutinë, nuk gjeti dot vend në ekranet e televizioneve të Tiranës. Ai të nesërmen iku. Por kur kishte hyrë në kufirin shqiptar i kishte rënë në sy, për fat, një grupi gazetarësh gjermanë, të cilët udhëtonin në një autobus.
Duke e fotografuar të hipur mbi motor ata shqiptuan disa herë fjalën “euromuslimani shqiptar”.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com