Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dy pinjoj Vrionas dhe Shqipëria e humbur


Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”, më 27 shtator 2009


Duket sikur nga familja e njohur e Vrionasve, Jusufi, i madhi përkthyes frankofon e po aq shpirtshqiptar i ndritur, ka qenë i fundit njeri i kulturës i saj. Është e vërtetë që prej kësaj dere, në fushë të diturisë, ai është më i madhi i të gjithë gjeneratave vrionase, të trazuara me atdhetarë të shquar, nëpunës të lartë shteti, por edhe me shumë të paemër. Ndërkohë madhështia e Jusuf Vrionit nuk mund të na joshë aq tepër sa të mos pohojmë se janë në jetë dhe në veprimtari artistike, pra bashkëjetojnë me ne, edhe dy pinjoj të tjerë të kësaj dere. Njëri quhet Eshref dhe tjetri Qerim. Për një rastësi të habitshme të dy janë fotografë, madje shumë të pasionuar dhe me talent.
Eshref Vrioni është një burrë rreth të shtatëdhjetave me pamje të një fisniku, të një “gjaku blu”. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në qytetin e Beratit, aty ku Vrionasit kishin sarajet e larta, një kompleks i tërë arkitektonik, të cilat pas çlirimit, nën ekstazë e drogim ideologjik, turma fanatikësh i shkatërruan, duke e privuar Shqipërinë nga një trashëgimi e jashtëzakonshme. Eshrefit i ka pëlqyer përherë fotografia artistike moderne, ajo me pamjen e ditës. Ndërkohë Qerimi i përkushtohet edhe fotos me subjektin e të sotmes, por mbi të gjitha ka merak studimin e fotografisë së vjetër shqiptare. Ai ka lindur në Berat, veç shumicën e jetës e ka kaluar dhe e shijon në Vlorë.
Kështu Vrionasi me emrin Eshref, mbrujtur me klimë Berati nuk ndihet publikisht, i shmanget vëmendjes së opinionit. Madje nga pasivizmi ndaj tij, qëndrimi e lënia mënjanë, trishtohesh edhe më shumë, kur e sheh se po i ndodh një dramë: vështrimi po i dobësohet me shpejtësi dhe tanimë nuk mund ta vendosë dot syrin në objektivin e aparatit. Ndërkohë Vrionasi me emrin Qerim, i rritur dhe i pjekur fort me diell të nxehtë Vlore, gjendet vazhdimisht i pranishëm në veprimtari e gjurmëlënës në media. Gjesti i tij i fundit publik qe i para një muaji, kur në Prishtinë iu bë promovimi i librit për 150-vjetorin e fotografisë shqiptare dhe ku në një takim të veçantë e priti edhe ministri kosovar i kulturës. Këtë foto takimi ajo ministri e vendosi në faqen e saj web, duke e shumuar dhe shpërndarë në internet.
Për fat Qerim Vrioni, i cili tashmë do edhe fare pak vite për të kapur të shtatëdhjetat, mbahet si “djalë i ri”, është plot gjallëri dhe ambicie profesionale.
Pa harruar të shumëtalentuarin Eshref në kapërcyell të shkrimit tonë do të ngasim më afër bëmën studimore të Qerimit, sepse ajo na ndihmon shumë të dalim në një ide dhe mesazh mjaft simbolik: Njohja me Shqipërinë e humbur.


ooo

Një popull që sheh mbrapa, thotë urtësia njerëzore, nuk mund ta gjejë dot rrugën e të ardhmes. Në të shkuarën gjendet vetëm historia. Mirëpo ka një pasuri të së shkuarës, që pa e kthyer kokën fare pas, të shërben të ecësh përpara. Një mrekulli të tillë e bën vetëm kujtesa kombëtare.
Sa më të lirë nga paragjykimet ta kesh këtë kujtesë, sa më të zhdërvjellët e të manovrueshme, sa më të lehtë për t’u kuptuar e mbartur nëpër vite, dekada e shekuj, sa më të komunikueshme dhe mobilizuese, aq më tepër do të ndjesh se është ajo që gjendet para teje, që vrapon të të prijë. Ja përse kujtesa kombëtare nuk gjendet kurrë prapa një populli, veç në rastet kur vetë ai, për një zgjedhje të gabuar apo padituri, e kryen këtë akt verbërie.
Këtë cilësi të saj, pra që varet nga njeriu dhe vetë populli ta trajtojë si lëndë të vdekur apo si krijim të gjallë, mund ta kuptosh edhe duke vëzhguar historinë e fotografisë shqiptare. Ajo ka mrekullinë e të vërtetës të ekzistuar realisht dhe për pasojë edhe të mos ngrirjes në formë dogme. Përdhunuesit e saj, të cilët asnjëherë nuk mungojnë, e kanë më të vështirë ta manipulojnë, ta kontrollojnë të tërën. Kjo kujtesë me anë të fotos nuk rri vetëm në arkiva, madje këtu ajo qëndron më pak. Ndodhet kudo, familje më familje. Brenda kufirit shtetëror e përtej tij. Një ndër koleksionistët më të mëdhenj të saj është greku me origjinë shqiptare Panajoti Koliomihalis. E ruajtur në një nga bankat më të mëdha e të sigurta të Athinës do të jetë e paharrueshme dita kur ajo dëshmi e madhe e historisë sonë do të bëhet publike.
Sepse, duhet ta pohojmë, ka një Shqipëri të humbur dhe kjo nuk është e vogël. Ndoshta përbën pjesën më të madhe të historisë sonë.
E kemi humbur për një defekt nacional apo sepse qëllimisht na e kanë krijuar humnerën disa shovenë të huaj, kjo nuk ka rëndësi të dorës së parë. Ajo që peshon rëndueshëm për të ardhmen më të sigurt të shqiptarëve është fakti se që prej ditës kur ra diktatura e fundit shqiptare ka mes nesh një përpjekje të vetëdijshme, edhe pse akoma të vagëllt, për të gjetur, mbledhur dhe vendosur në pjesët e zbrazura të kombit copërat e humbura të kujtesës së tij. Në këtë vepër komplekse, ku nuk është aspak i vetmi dhe doemos as më shkëlqyesi, por patjetër një ndër më të sinqertët e më të palodhurit, ndodhet edhe Qerim Vrioni. Tashmë autor i librit “Fotografia-një grusht diell“ si edhe i botimit më të fundit “150 vjet fotografi shqiptare”, ky bashkëkombës që mbledh me pasion gjymtyrët e humbur të trupit të kujtesës sonë, të fut menjëherë në mendime. Në jetën e tij ka një fakt shumë kuptimplotë: Impulsi, shtysa, i ka ndodhur në 1997, pra në vitin më problematik të pluralizmit. Më parë, për shumë vite, e kishte ushtruar fotografinë pothuaj thjesht si një shkrepës i pasionuar i aparatit. Kapte një perëndim dielli, një portret njeriu, një shpend në fluturim a një gjethe e degë peme që lulëzonte apo në valët e detit të gjirit të Vlorës një shkëmb mbi ujë.
Kur në hobin e tij qe aq i shkujdesur ngjau viti 1997, i cili e trazoi së thelli. Pinjolli i familjes së njohur të Vrionasve, me të atin, burrë me pamje sugjestionuese, që bën ballë në Berat në një foto “Xhimitiku” të vitit 1936, në rreshtat e para të ceremonisë së përcjelljes për në Gjirokastër të eshtrave të dëshmorëve Muço Qulli dhe Çerçis Topulli, Qerimi nuk mund ta pranonte dot rrezikun e dobësimit të fuqisë së vendit, anarkinë e rënë si korb i zi mbi të, as nxitjen tinëzare për t’ia turbulluar mendjen e futur në vëllavrasje. Duke jetuar në një qytet me pozicion mjaft strategjik për Shqipërinë dhe për pasojë të lakmuar edhe nga interesa joshqiptare, ai e lexoi krejt ndryshe nga më parë një foto të vjetër të Kel Marubit, të cilin ja kishte sjellë nga ShBA në vitin 1999 një shok i vjetër që nga gjimnazi, përfshirë në albumin fotografik “The Photo Book” të Shtëpisë Botuese londineze “Phaidon”. Qenë në të pesëqind fotot më të zgjedhura të të gjitha kohëve. Për befasi në këtë album ishte edhe fotoja e Kel Marubit “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” e vitit 1922. Me ta parë Qerim Vrioni e thirri me emrin “Çarmatimi”. Nën këtë kënd edhe nisi ta analizojë dhe më pas idetë e tij t’i hidhte në letër. Kështu fotoja e mbetur në të kaluarën u rikthye në ditët e sotme, dha kumtin shoqëror që pas armatosjes së trallisur të vitit 1997 duhej të çohej gjer në fund aksioni i çarmatimit.
Kështu Qerimi kishte zbuluar kodin e ri me të cilën mund ta bënte fotografinë e të shkuarës një kujtesë kombëtare që i shërbente viteve dymijë. Me këtë feksje ideje kuptoi se nuk mund të qe ndryshe nga patriotizmi me të cilin në traditën e familjes së tij qe edukuar. Ndërkohë kur dëgjon që Vrionasit tashmë deri edhe zyrtarisht i emërtojnë “Familje e madhe” Qerimi nuk ndihet aq entuziast. Kërkon për formulim terma më të buta, më modestë. Ndërkaq është i vëmendshëm të mos u mohohet atyre, siç për fat të keq u bë për një gjysmë shekulli të tërë, ndjenja e kombëtarisë.
Duke qenë se vitet e fundit gjashtë muaj i kalon në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bibliotekën e pasur të Schuller Books & Music qëndron përditë orë të tëra dhe prej kësaj këmbënguljeje ka kryer edhe një zbulim tjetër. Sipas kërkimeve të tij në vendin e madh të amerikanëve ndër emrat më të njohur të shqiptarëve janë katër persona. I pari është Ismail Kadare. I dyti nuk është shkrimtar, madje as sportist dhe as këngëtar apo aktor. Janë që të tre fotografë. Quhen Dhimitër Mborja, Gjon Mili dhe Kel Marubi.
Kështu në atë kontinent të madh Qerim Vrioni kuptoi se në botën moderne fotografia ishte shumë e vlerësuar jo vetëm si art, por edhe si themel i identitetit kombëtar të një populli. Kështu dalloi edhe më shumë që në vendin e tij ndaj fotografisë nuk tregohej aspak kujdes sa e meritonte, madje kishte një lloj anashkalimi, rrëshqitjeje, bezdie e pothuaj harrese. I gjetur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me katër emra bashkëkombësish të cituar, tre prej të cilëve fotografë, Qerimi do të protestonte më pas ku vuri re se ngjarja e 150 vjetorit të fotografisë shqiptare, 2008-ta, ndërsa me nismën e tij u përkujtua në Galerinë Kombëtare të Arteve, në formën e një veprimtarie të shoqëruar me videoprojetktimin e rreth 70 nga fotot më të vjetra shqiptare, kaloi si të qe dita më e rëndomtë e një kombi. Nuk pati vizita e prani autoritetesh.
Doemos që bëjmë mirë që shtetin nuk e lëmë edhe pa ditëlindjen, përshëmbull, të Artilerisë, por të mungojë ajo, të paktën dy herë më e madhja në moshë, e fotografisë, kësaj “arme” në ruajtje dhe mbrojtje të kujtesës kombëtare, përbën shenjë të mbrapsht. Duke qenë se ka një Shqipëri të humbur dhe rikthimin e saj po e kryen, mes mjeshtërive të tjera, edhe fotografia e studiuesit e saj, atëherë një përvjetor aq shumë jubilar, 150, që të vjen vetëm në një gjysmë shekulli, nuk mund të braktisej ashtu.
Nga një lloj moskuptimi i misionit të fotografisë mund të ngjasë që të përfundojnë nëpër thellimat e arkivave pamje të Urës së Vezirit, të ndërtuar nga Bushatllinjtë, në veri të vendit, një kryevepër arkitektonike, por që tashmë ekziston vetëm nga që u fiksua në celuloid rreth vitit 1905 nga Baron Nopca dhe dhjetë vite më pas u shkatërrua posaçërisht nga trupat pushtuese sërbe. Një urë e tillë, më e vogël, është simbol i njohur në të gjithë botën i librit nobelist boshnjak “Ura mbi Drin”. Vetëm nëpërmjet fotove mund të bëhet e gjallë Bashkia e Tiranës, edhe kjo e prishur, ndërsa ky qytet me moshë të re mund t’i mbushë hapësirat e veta me pallatet më të xhamtë, por sa më tepër shtohen ata aq më klithëse do të ndihet mungesa e godinave simbole të së kaluarës. Pjesë e një lufte për pushtet në vitin 1937 atje ku sot në Vlorë është lulishtja kryesore, kanë qenë sarajet e Vlorajve. Pas Frashëllinjve ka të ngjarë që kjo familje të jetë dinastia më gjurmëlënëse në historinë tonë, por mbi pinjojtë e tyre dhe mbi atë histori do të binte pa pushim, sidomos gjatë periudhës staliniste, një çensurë e manipulim i rëndë. Vetëm nëpërmjet fotografisë mund të ringjallet në kujtesë Mauzoleu i Nënës Mbretëreshë në Tiranë, i dinamituar menjëherë pas çlirimit të kryeqytetit.
Fotografi Jani Ristani ka fiksuar kongresin e çamëve në ullishten e Vlorës në vitin 1945 dhe në 1928 Ahmet Zogu gjendet në një pamje të rrallë uniteti mes katër përfaqësuesve të feve. Ndërkohë shumë nuk e dinë që pamja aq fort e njohur e Ismail Qemalit, për autorin e të cilës nuk kujdesemi fare ta dimë cili ka qenë, e ka një emër të plotë e të padyshimtë. Ky është fotografi Vani Burda, deri në vitin 1920 emigruar në Rumani. Befasia do të jetë më e madhe po të thuhet se falë punës së koleksionuesve dhe studiuesve të fotografisë është zbuluar se pamja mjaft e parë e Shpalljes së Pavarësisë, me Ismail Qemalin dhe bashkëpunëtorët e tij në ballkonin e ndërtesës së qeverisë, e garantuar deri tani se është pikërisht e 28 nëntorit 1912, në të vërtetë ka kohë realizimi një vit më pas, 1913, çast kur u krye ceremonia e përvjetorit të parë të pavarësimit. Habia nuk do të shterë po të vihet në dukje se vitet e komunizmit kanë patur në ushtrim edhe një zanat të padëgjuar, një lloj çensori shumë special, i cili thirrej zyrtarisht retushues.
Fotografia mund të jetë e një cilësie të mirë ose të keqe dhe çdo ndërhyrje profesionale në të kryhet për të përcjellë pamjen e vërtetë. Ca më tepër kur kemi të bëjmë me një dëshmi historike, pra me një fragment të identitetit tonë. Retushuesi i regjimit ndërhynte tek e vërteta, e manipulonte, e shndërronte në një gënjeshtër. Nga pamjet e luftës antifashiste apo të vetë diktaturës nuk u hoqën vetëm ata që në këtë periudhë të gjatë u shpallën “armiq” ideologjikë, por edhe bashkëkombës e ngjarje të viteve tridhjetë, njëzetë e më tej, më poshtë. Dora e retushuesit shkoi gjer në foton simbolike të ditës së pavarësimit. Njeriu i urdhëruar atë kohë të bënte pastrimin e imazheve, P.S., nga që fshiu shumë prej bashkëveprimtarëve kombëtarë të Ismail Qemalit, në hutim e sipër, harroi disa gjurmë të krimit të kryer. I zhduku të gjitha pamjet e “armiqve”, por u harroi duart mbi parmakun e ballkonit. Fotografia e manipuluar me porosi nga lart ashtu edhe u publikua e qarkulloi, gati si të qe fantazmagori, pjesë e një filmi “horror”.
Ishte koha kur gënjeshtra nuk kishte as frikë dhe as turp. Në një fjalim të mbajtur në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, përfaqësues ato çaste solemne i djalërisë gjirokastrite, do të retushohej sikur të kishte qenë i vetëm. Gjithë të tjerët që ishin në ballkon e atë ditë atdhetarie patën folur, firuan si të përfaqësonin jashtëtokësorë.

ooo

Dimensioni i Shqipërisë së humbur përditë e më shumë po bëhet më i ngushtë, më i vogël. Kështu rikthehet në përmasën e vetë Shqipëria e vërtetë, e plota. Siç po e rikthen në hapësirë të natyrshme kombëtare pavarësimi i Kosovës, korridori Durrës-Prishtinë apo “Rruga e Arbrit”.
Shumë mbresëlënëse që në këtë vepër të madhe ringjalljeje ndodhet edhe një Vrionas, Qerimi.
Pa harruar tjetrin, Eshrefin, tek i cili zbehja e vështrimit, aq pikëlluese për një fotograf të talentuar, na sëmbon në zemër dëshirën të ndërpritet dhe t’ia kthejë sa më shpejt çastin fatlum të vendosjes së butë e të ëmbël të syrit në qelqin konkav të objektivit të aparatit.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com