Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pak Shkodër për Akademinë Maqedonase


Botuar në gazetën “Shqip” më 2 tetor 2009

Të udhëtosh nga Tirana drejt Shkodrës do të thotë të lëvizësh nëpër atë hapësirë në të cilën shumë shekuj më parë paraardhësit tanë përpiqeshin me mund të krijonin shtetin e tyre. Kur ai mori formën e parë zyrtare ose të paktën të njohur botërisht, kësaj radhe me mbështetje të një mbreti francez të kohës, u quajt Arbëri. Arbëri thirrej kjo hapësirë edhe kur në këto troje provën e radhës për të bërë shtet unik e kreu Gjergj Kastrioti. Edhe në këtë tentativë u gjendën pranë vende perëndimore të Evropës.
Qenë shumëpamës pasrilindasit tanë të vitit 1920 kur në Kongresin e Lushnjës vendosën të kenë si kryeqytet të tashmë shtetit real shqiptar Tiranën. Pothuaj një duzinë kilometrash ajrore larg nga Kruja, në njëzetë e pesë vitet e rezistencës antiosmane kryeqendra politike dhe administrative e Arbërisë së çliruar, qyteti i vogël dhe i përhumbur pranë tij, shtriqur përtueshëm në këmbë të malit të Dajtit, qe mezi i artë në gjeografinë e Shqipërisë, “kërthiza” e trupit të saj. Me siguri edhe për shumë lexues të këtyre radhëve, kur kanë qenë në moshë të vogël, u ka ndodhur të kujtojnë se kryeqytetet duhet të jenë patjetër në mes të shtetit. Në të vërtetë nuk është fare kështu. Me zgjedhjen e Tiranës shqiptarët e shekullit të njëzetë e bënë këtë veprim për shumë arsye gjeostrategjike, njëra prej të cilave qe ta kishin kryeqytetin siç në kraharor rri një zemër. E aftë të pulsonte jetë të barabartë për të gjitha gjymtyrët e vendit.
Duke udhëtuar drejt Shkodrës, këtij qyteti që ruhet në histori me hiret e një qendre të madhe iliriko-arbërore, nëpër ultësirën ku kalon, sheh se kjo tashmë depërtohet nga rrugë të reja që po ndërtohen. Këtu gjithçka po rilind. Këtu gjithçka të rikujton se kjo hapësirë mund të quhet pjesa shqiptare më e pleksur në kontakt me Perëndimin. Kur në këto anë u zhvillua lidhja lezhiane e fisnikëve arbërorë dhe epopea skënderbejane kishte të paktën mbi një gjysëm shekull që Durrësi, Lezha dhe Shkodra qenë nën qeverisjen dhe ndikimin e Republikës së Venedikut, pra Mittel Evropës, Evropës Qendrore, siç thirret ndryshe edhe “zemra e kontinentit”.
Tirana doemos është kryeqendra e Shqipërisë së sotme, por gabojmë shumë pak po të themi se Arbëria e djeshme, e mesjetës, pra para Shqipëria, kryeqendër ka patur Shkodrën. Ky duket si mendim ekstravagant, thjesht për të shkruar një “çudi”, por nuk ka tjetër qytet në vendin tonë të ketë peshë historike aq sa Shkodra. Që nga mbretëresha Teuta. Ndërkohë nuk ka tjetër qytet në historinë tonë që nga madhësia e pesha gjeostrategjike, duke shkuar dekadat dhe afruar viteve dymijë, të ketë humbur më shumë rëndësi se ajo. Nuk kemi ndërmend për këtë gjë t’ia vëmë fajin Tiranës, e cila me privilegjin e të qenit qendra administrative përthithi me të drejtë e pa të drejtë, në masë dhe me zullum, gjithçka, që prej kulturës e deri në ekonominë e vendit. Këtë frymë e ngutje, këtë lakmi, ajo e ka edhe tani, ndërsa i themi metropol dhe gëzohemi që po shton përmasat pa u ndalur.
Mirëpo ka ardhur koha të merakosemi e projektojmë më shumë rritjen largpamëse të qyteteve të tjera, atyre që në historinë tonë kanë një jetë qindravjeçare. Kur disa nga profesorët e Akademisë së Maqedonisë bënë “shkencë“ me të kaluarën fshatare të shqiptarëve e kishin të gjithë hallin të na paraqitnin si popull dhe hapësirë etnike pa qytete. Të mos jesh i zoti të ngresh jetë urbane deri në nivelin e qyteteve do të thotë të jesh një popull shumë i prapambetur, mjaft larg zhvillimeve moderne.
Kur prej Tiranës në këtë fundshtator 2009 udhëton drejt Shkodrës dhe më në fund hyn në këtë qytet të gjitha faqet e enciklopedisë maqedonase të mbushura me paragjykime për ne të duken vërtet të rënda, shumë qëllimkëqija, më të liga se të mjaftohesh duke i emërtuar për shembull pasaktësi, gafa apo lajthitje. Ata kanë synuar të bëjnë zero qytetërimin tonë. Të ndjerë superiorë gjer në delir deri edhe me grekët që janë trashëgimtarë të një civilizimi themeltar për atë botëror, harrojnë se shqiptarët duke mos qenë të këtij niveli gjithsesi kanë një qytetërim sa për veten e tyre. Ai është modest por gjithsesi quhet civilizim.
Akuzës së pabesë dhe që më në fund u tërhoq, të paktën nga raftet e librarive, Shkodra na ndihmon t’u japim një përgjigje plot dinjitet. Jo vetëm me historinë e të kaluarën e saj, por edhe me të sotmen, me atë që po ndodh tani, këto ditë, këto orë. Qyteti i madh i veriut tonë, pas përfoljeve për vite të tëra se nuk është më i dikurshmi, thënë shpesh me fatalitet, ka nisur të japë shenja të sigurta për të kundërtën. Atje po ndodhin gjëra mjaft inkurajuese dhe disa dyshime, të cilat i kemi shndërruar në legjenda urbane, duke u pajtuar me to, duhen korrigjuar. Shkodranët përherë e kanë quajtur qytetin e tyre djep, veçanërisht të kulturës, por nuk kanë përtuar edhe më tej, ta thërresin edhe djep të trimërisë, të heronjve, të humorit, të tolerancës ndërfetare, të demokracisë shqiptare. Deri edhe djep të futbollit kombëtar i kanë thënë vetes. Sigurisht ka një ekzaltim në të gjithë këtë vet e mbi vlerësim, por fjala djep gjithsesi mbetet reale. Shkodra mund të quhet djep i qytetërimit shqiptar. Jo sepse ka mbi njëzetë e katër shekuj jetë qytetare, por për mjaft cilësi të përputhshme me çdo qytet të vjetër të Evropës.
Shkodra di të rilindë, të krijojë e rikrijojë jetë. Traumatizimet e saj më të forta kanë ndodhur gjatë diktaturës, ku iu prenë deri përgjakshëm të gjitha lidhjet tradicionale me Perëndimin. Si kudo në Shqipëri, por në Shkodër më shumë, u godit elita. Më saktë u godit vetë Shkodra që të mund, nëpërmjet tjetërsimit ideologjik, të krijohej një Shkodër tjetër. Por qyteti mbijetoi. Trauma tjetër erdhi në fillim në të viteve nëntëdhjetë nga dyndja e banorëve të rinj. Më shumë se ardhës nga qytetet këta qenë bashkëkombës nga fshatrat, madje shumë të thella ndër male. Duke qenë aspak e krahasueshme me atë të komunizmit, ndërsa Shkodra kishte filluar sadopak ta homogjenizonte popullsinë e saj heterogjene, goditi vala e re e shkaktuar nga trazira e vitit 1997. Tiranën e shumuan grupe elitash të qyteteve të zhytura në anarki, mijëra intelektualë dhe sipërmarrës, masivisht shtresë e mesme, dhe që i dha hop, kurse në Shkodër, por edhe në Korçë, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Durrës kishte ngjarë e kundërta. Elitat e ikura drejt kryeqytetit u zëvendësuan këtu me popullsi të ardhur nga rrethinat e fshatrat e largëta të tyre. Qenë humbella të mëdha që pështjelluan jetën tradicionale të këtyre qyteteve antikë të Shqipërisë, dëshmia jonë e madhe e pranisë së një civilizimi normal.
Pranvera Dibra, pedagoge në Universitetin e Shkodrës, thotë se nuk ka një provë, por shumë që inkurajojnë prirjen e rikthimit të qytetit në shkëlqimin e vet historik. Shkodranëve u është rritur shpresa dhe vijnë në të jetojnë në qytetin e tyre jo vetëm prej brenda vendit, por edhe nga emigracioni. Toleranca fetare, jeta e gëzuar, humori fin, të gjitha janë ringjallëruar. Prej Shkodrës, referon ajo dokumentacion të arkivës së Foreign Office, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë, udhëtarët e huaj në fillim të viteve njëzetë të shekullit të shkuar hetonin dhe gjenin fatin e zhvillimeve politike të Shqipërisë. Qyteti qe një barometër shumë i saktë i të ardhmes. Ky është vetë thelbi i një qytetërimi.
Në qoftë se, i dashur bashkëkombas, bën një udhëtim në Shkodër, mos mungo jo vetëm në shëtitoren tashmë të rikonstriktuar buzë Bunës, pra atje ku shumë dekada më parë gjendeshin deri 3000 dyqane, por mbi të gjitha tek Pedonalja. Është rruga e dikurshme e quajtur Piaca. Ajo e gjitha është ribërë duke e zhvilluar traditën. Atje mund të mahnitesh. Ndihesh sikur të jesh në pjesët më të bukura të Vjenës apo Venecies. Me një finesë perëndimore po ngrihet edhe kompleksi artistik tek hyrja e qytetit, atje ku qenë Heronjtë e Vigut. Për fat të keq historia jo e ridimensionimit, por e keqtrajtimit të kësaj vepre, në të vërtetë të vetë ngjarjes, vazhdon të ketë frymë jo perëndimore. Tek Pedonalja ka një dyqan me emrin e Çe Guevarës, rast unik në të gjithë Shqipërinë, çka dëshmon shkallën e lart të tolerancës politike të qytetit. Kur është Guevara përse jo djemtë tanë?
Shkodra po rilind e po vetorientohet drejt vlerave të saj historikisht të mëdha. Ky kryeqytet i madh i Arbërisë, tashmë i lidhur fort me lidhje ekonomike e shpirtërore edhe me Kosovën, traditë shekullore e saj, i ka të gjitha të drejtat të bëhet një qendër e madhe jo e pallateve të xhamtë, por e thelbit që mbart nëpër qindvjeçarë: civilizimit shqiptar.
Thua do të gjendet dikush në Shqipëri t’i ftojë miqësisht shkruesit në Shkup të e arbërve si fshatarë malesh që të marrin rrugën, në një udhëtim njohës, për në Shkodër. Prej atje në Durrës, në Berat, në Korçë, në Gjirokastër, në Vlorë.....

Ylli Polovina

















Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com