Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dasmë e shumëpritur në Nju Jork


Botuar në gazetën “Illyria”, Nju Jork, 10 tetor 2009

Të dy fiset e njohura dibrane, Lleshët dhe Jegenët, u lidhën për herë të parë në fund të viteve tridhjetë të shekullit të shkuar. Qe Haxhiu, njëri nga djemtë e Halit Lleshit, që u martua me Haxhiren, vajzën e Tofik Jegenit. Në të vërtetë nusja e porsahyrë tek Lleshët pati qenë bijë e të vëllait, Eqeremit. Tofiku e kishte patur një vajzë, por ajo u sëmur nga tuberkolozi dhe me gjithë kurat që i bënë në Beograd dhe pastaj në Vjenë, ndërroi jetë. Kur dhimbja prej mungesës së të bijës iu bë e padurueshme Tofiku iu lut të vëllait t’i jepte njërën nga vajzat e tij. Kështu Haxhireja, më vonë gjer në vitin 1982 edhe gruaja nën diktaturën komuniste e ish-presidentit formal të Shqipërisë, u bë përuruesja e parë e lidhjes mes dy fiseve dibrane me shumë emër.
Haxhireja do të kishte një fat të ndërlikuar, veç si të një heroine të heshtur. Në vitin 1976 Haxhi Lleshi do të binte dakord me vendimin e marrë për ta internuar të birin e tij, Reshitin, në fshatin Mollas të Elbasanit. Haxhireja e kundërshtoi menjëherë dhe duke parë tek i shoqi një fanatik politik të komunizmit dhe të idesë staliniste të luftës së klasave, e braktisi atë duke shkuar në Mollas, tek djali nga Tirana i përzënë për motive politike. Iku për të mos u rikthyer më, deri sa ndërroi jetë, në shtëpinë ku rrinte gojëkyçur dhe si memec ish-shoku i saj i jetës, bashkëkrahinasin me të cilin në fund të viteve tridhjetë kishte bërë dasmën e bujshme në Dibër të Madhe.
Por historia e Haxhiut dhe e Haxhires, si të jetë fragment i një balade malesh, është e gjatë për t’u rrëfyer dhe shumë e ngatërruar për t’u treguar “me një frymë”. Deri në vitin 1976, kur u rrënua, pra dyzetë vite pas dasmës, ajo jetoi apo u zvarrit tepër gjatë dhe pritej që një ditë të shpërthente. Goditjen e parë, të rëndë dhe të pandreqshme e kishte marrë në ditët tronditëse të shkurtit 1951, kur ndodhi ngjarja e shpërthimit të një eksplozivi në Legatën Sovjetike në Tiranë dhe në kundërveprim të saj regjimi, në bazë të tre listave të parapërgatitura, në datat 20, 21 dhe 22 shkurt, në tre vale represioni, kreu arrestimin e 102 personave, njëzetë e tre prej të cilëve të shënuar anash edhe me një kryq me laps blu. Kjo donte të thoshte se qenë caktuar të pushkatoheshin. Atëherë zyrat e Tiranës qenë furnizuar me lapsa sovjetikë kuq e blu. Ajo ngjyrë e përdorur për të dëshmuar vendimin e marrë jashtë të gjithave të drejtave më elementare njerëzore, madje edhe vetë ligjeve që Shqipëria komuniste kishte atë kohë, qe kuptimplote. Po vazhdonte asgjësimi fizik i “gjakut blu”, i familjeve të djathta, i atyre nacionaliste.
Dhe krimi shkoi gjer në fund. Në 25 shkurt prokurori ushtarak hartoi akuzat për 22 të parët. Sipas tyre ata qenë vënë në shërbim të agjenturave të huaja imperialiste, ishin anëtarë të një organizate terroriste dhe patën bërë propagandë për rrëzimin me dhunë të “pushtetit popullor”. Madje u paskëshin bërë thirrje fuqive të huaja kapitaliste që të shpërthenin një luftë kundër Shqipërisë dhe çlironin atë.
Të njëzetë e dytët u pushkatuan në prag të gdhirjes së 26 shkurtit. I njëzetë e treti, i shënuar me kryq blu, si pasojë i një ndërhyrjeje, shpëtoi. Ndërsa të vrarët pabesisht kishin mbi njëzetë e katër orë nën lagështinë e dheut u komunikua edhe vendimi i dënimit të tyre me vdekje. Atë kob e kishte firmosur kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake si edhe një anëtar i saj, por qe refuzuar prej dy të tjerëve. Para kësaj këtë masakër regjimi e kishte paraprirë me një shkelje tjetër të përdhunshme. Pak orë para se natën e 20 shkurtit të niste vala e represionit qe mbajtur një mbledhje e ngutshme e Byrosë Politike. Ishte në krye të saj vetë Enver Hoxha, por fjalën kryesore e pati mbajtur Mehmet Shehu. E kishte nisur duke thënë “Çështja qëndron këtu. Mbrëmë në orën 7 e 47 minuta nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, penxheret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë kanë vajtur forcat për ndjekje, por nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje... Duke patur parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, por një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi”.
Në atë seancë mbledhjeje të vetëm pak minutave në proçes-verbal nuk gjenden të jenë shqiptuar më shumë se një katërqind fjalë.
Mes njëzetë e dy të pushkatuarve janë edhe dy vëllezërit Jegeni. Myftari ishte 36 vjeç, Gafuri 43. Që të dy kishin mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali dhe më 7 prill 1939 patën marrë pjesë, bashkë me Abaz Kupin, në rezistencën kundër pushtimit fashist. Pas luftës, ndërsa nuk ishin përlyer me kolaboracionizëm, u tërhoqën në jetën private, sepse në të vërtetë nuk dëshironin t’i shërbenin komunizmit.
Kur në Tiranë u hodh bomba dhe u krye pushkatimi pa ligj Haxhi Lleshi ishte me kurime në Karlovi Vari. Ndërkohë rikujtojmë lexuesin se Gafuri dhe Myftari qenë kunetërit e tij, pra vëllezërit e Haxhires. Me këtë plagë, atëherë edhe “njollë në biografi”, mbijetoi edhe për njëzetë e pesë vite të tjera martesa e presidentit formal të Shqipërisë me të bijën e Jegenëve. Pastaj lidhjet mes dy fiseve u ftohën, pothuaj ngrinë. Të dy familjet e të pushkatuarve u internuan.
Rigjenerimi i lidhjeve njerëzore në Shqipëri nisi pas vitit 1990, kur diktatura ra. Në fillim u bënë të ditura të gjitha rrethanat e masakrës së 26 shkurtit 1951. Në maj 2008 ndodhi edhe kompensimi më i dukshëm moral. Presidenti shqiptar dekoroi familjarët e njëzetë e dy viktimave. U shpreh drejt për së drejti \\\\\\\"Në shoqërinë tonë ndodh që historia ka qenë shumë e dhimbshme për gjenocid por asnjëherë pjesa më e shëndoshë e shoqërisë sonë nuk është mposhtur. Përfaqësuesit më dinjitozë të familjeve tuaja, njerëz që kanë ditur të përballojnë dramat e kohës kanë mundur të rikuperohen dhe të ripërtërihen dhe sot të kenë përfaqësues të denjë në shoqëri\\\\\\\".
Ndërkaq ngjarja që do ta rivërtetonte përfundimisht mbylljen e plagës së krijuar në vitin 1951 nga komunizmi mes Lleshëve dhe Jegenëve dhe përtëritjen e lidhjeve të natyrshme mes familjeve historike shqiptare ka një datë të mëvonë, të vetëm dy muajve më parë. Në gusht të këtij viti, 2009, në Dibër të Madhe u mbush me hare një dasmë e madhe. U martuan me njëri-tjetrin Albert Lleshi dhe Mimoza Jegeni. Që të dy jetojnë në Shkup. Djali tridhjetë vjeçar, i diplomuar për mjekësi dhe që punon si kirurg në spitalin publik të kryeqytetit maqedonas, profesionist shumë i mirë, i diplomuar në Universitetin e Tiranës. Arsimimi në Shqipëri ka qenë edhe për Jegenët tradita e tyre që prej viteve tridhjetë të shekullit të shkuar. Vinin në Tiranë që nga Dibra e Madhe edhe për t’u mbrujtur e edukuar me patriotizëm.
Vajza e bukur e Jegenëve, Mimoza, punonjëse në Western Union të Shkupit, laurimin e kishte mbaruar në Universitetin e Tetovës, qendër e re e shkollimit kombëtar të shqiptarëve.
Dasma, e bërë ditën e enjte, qe aristokratike. Kishte luks të dukshëm dhe shumë dinjitet. U kënduan gjithë kohën motive nga të gjitha trojet nacionale.
Nga Tirana ishte i pranishëm Reshit Lleshi, dikur i internuari bashkë me të jëmën në Mollas të Elbasanit. Haxhireja e paharruar kishte ndërruar jetë më 17 tetor 1985, kurse Haxhi Lleshi kishte ikur nga kjo botë në 1 janar 1998.
Kështu djali i tyre me dikur “gabime politike”, siç kaq shumë ja kishte dashur zemra, u bë dëshmitar i rilindjes së miqësisë mes dy fiseve. Nuk deshte më shumë nga jeta.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com