Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Fati i tretë gjeostrategjik dhe viti 2010


Botuar në gazetën “Shqip” më 6 janar 2010

Jo fatin e shteteve të vogla e të brishta, por edhe të atyre disa herë më të mëdhenj e më të fortë, në momente të ndryshme të historisë ia kanë përcaktuar supershtetet, kombet e stërfuqishëm, elitat e pushtetshme që ata kanë. Në kontinentin tonë (dhe jo vetëm në hapësirën e tij) për afro një shekull janë kryer tre luftëra botërore. Pas përfundimit të tyre fuqitë fitimtare kanë ndarë rregullisht zonat e ndikimit. Në nëntëdhjetë e shtatë vitet e fundit rendi global, ai kontinental dhe po ashtu rajonal, pra ballkanik, është riformuar tri herë.
Prej ndarjes së parë ne shqiptarët fituam pavarësinë, çfarë nuk është pak. Dihet që ky poçes mëvetësimi nisi publikisht në 28 nëntor 1912 dhe përfundoi zgjatshëm deri në vitin 1920 kur u njohëm nga Lidhja e Kombeve të Bashkuara. Për këtë periudhë të rindarjes së parë ne e kemi bërë traditë të qahemi dhe Evropës për atë kohë t’i hedhim mallkim-sharjen “kurva plakë”. Sidoqoftë në rast se prej ndarjes së parë të rendit ballkanik vetja na është dukur krejtësisht e pafat, patjetër këtu kemi gabuar. Kemi pasur një gjysmë fati, ndoshta pak më shumë se kaq. Mospërfshirja e gjysmës së trojeve, patjetër një padrejtësi e madhe, na e ka mbajtur të hidhëruar shijen për gëzimin e madh të së drejtës që fituam për të krijuar një shtet. Pak na ka shkuar sot ndërmend se dje qemë aq të dobët sa mund të na ndodhte edhe më keq: të na ndanin nëpër fqinj. Modelin e Kosovës nën Beograd mund ta përsëritnin për të gjithë shqiptarët mbi Shkumbin dhe nën Athinë për gjithë të tjerët poshtë tij.
Kjo është periudha kur në gadishullin tonë ajo që përpiqej të bënte ligjin, sipas një tradite të saj tepër ambicioze për mundësitë dhe kulturën e parealizuar të bashkëjetesës që kishte, qe Jugosllavia. Në të gjithë gjysmë shekullin e kaluar, por edhe mjaft më parë, në gjeopolitikë ishte krijuar zakoni i mbrapshtë sipas të cilit shqiptarët kishin më të dobishme për progresin e tyre tutelën e sllavëve të Ballkanit. Madje edhe Karl Marksi që përzierë në këtë fyerje. E ka të shkruar se ne duhej të edukoheshim me rregullat e qytetërimit modern nëpërmjet tyre.
Kur pas Luftës së Dytë Botërore u bë rindarja tjetër e rendit botëror, kontinental e atij ballkanik, sërish mbi fatin tonë ra dora jugosllave. Në të vërtetë kjo kishte nisur që përgjatë luftës, kur njëra nga tre fuqitë e ardhshme të bllokut antifashist, Bashkimi Sovjetik, vendosi që lëvizjen komuniste shqiptare ta ndihmonin të mëkëmbej, fuqizohej dhe më pas të merrte pushtetin, pikërisht stalinistët jugosllavë. Nga tre fitimtarët mbi fashizmin, në Jaltë, shteti shqiptar me vetëm gjysmën e trojeve të tij të merituara, iu dorëzua zonës së ndikimit sovjetik me gjakftohtësinë dhe indiferencën më të madhe.
Deri në vitin 1948, kur mes Moskës dhe Beogradit plasi konflikti i mospajtimit, superfuqia sovjetike ia besoi fatin tonë Jugosllavisë. Po të ndodhte që dy palë sllavët të mos hynin në mosmarrëveshje më e lehta fatkeqësi që do të kishim, do të qe federatimi në Jugosllavinë e Titos. Deri sa të vinte ndarja e re e zonave të ndikimit, pra kur në Evropën Lindore të binte perandoria e sllavokumunizmit, do të kishim për ca kohë mbi krye një kopje të Sllobodan Millosheviçit. Kështu për t’u çliruar të gjithë shqiptarët do të duhej të kryhej, në rastin më të lumtur, ajo që ndodhi vetëm me Kosovën.
Ndryshe nga rasti i parë relativisht pozitiv dhe shpëtimtar i riformatimit të rendit rajonal, kontinental e global, këtë herë të dytë mund të quhemi se ishim tërësisht të pafat. Madje nuk kishte më keq. Projektet jugosllave të kohës për ta gëlltitur të gjithë shtetin dhe të grekëve pjesën e jugut qenë shumë agresive, të kryera pa pushim ditë e natë, të guxuara deri para syve të botës. Veç rindarja e re e rendit nuk u jepte shans. Nga tre fuqitë e mëdha ngadhënjimtare të Luftës së Dytë Botërore ishte vendosur që Shqipëria të ekzistonte. Ose të paktën ata patën gjykuar që ajo të mos prishej. Ndërkohë për fatin e Kosovës nuk qe konsumuar asnjë fjalë, sepse tashmë Jugosllavisë i ishte dhënë një mision special: të qe urë lidhëse, gjysmë me Perëndimin kapitalist dhe gjysmë me Lindjen komuniste. Për ne nuk kishte asnjë detyrë. Në ekuilibrat e rinj rajonalë duhej vetëm të ekzistonim.
Ndërkaq Tirana kishte rënë tërësisht në duart e ashpra të komunistëve. Nga jugosllavët e përkëdhelur me statusin se do të qenë kujdestarët tanë ishte vrarë që në embrion, përgjatë luftës së rezistencës antifashiste, mundësia e vetme e brendshme për të pasur një lloj fati: bashkëpunimi i të gjitha orientimeve politike për të realizuar çlirimin e vendit dhe më pas mëkëmbur një sistem shoqëror liberal.
Kështu ndodhi që edhe pas vitit 1948 edhe pse të ndarë bujshëm me Beogradin zyrtar dhe pas 1961-it po kaq vrullshëm edhe me sovjetikët, mbi shqiptarët në të vërtetë nuk u hoq realisht sundimi i të dy palëve. Bëri jetë të gjatë fatkeqësia më e madhe që kur Shqipëria qe shpallur shtet i pavarur. Në mënyrë të tërthortë dhe po aq të drejtpërdrejtë sundimi jugosllavo-sovjetik jetoi nëpërmjet sistemit shoqëror komunist. Madje në Beograd dhe në Moskë regjimi mori forma më të buta, kurse në Tiranë përherë e më shumë u bë i vrazhdë dhe i pazemër. Për një gjysmë shekulli pavarësia jonë territoriale qe vërtet e dukshme, por realisht na kishin pushtuar nga brenda, nëpërmjet ideologjisë. Kjo e kreu aq përsosur punën e tyre të dobësimit tonë sa mbase edhe u kurseu një pjesë të mirë të fondeve që do të harxhonin në rastin kur pas lufte Shqipëria do të kishte zgjedhur rrugën e bashkimit me modelin demokratik perëndimor. E nënvizojmë këtë gjë, sepse edhe në një rrethanë të tillë Jugosllavia nuk kishte për ta lëshuar në lirinë e vet Kosovën. E pamë këtë gjë pas vitit 1990, kur tek ne u shemb diktatura ideologjike dhe u çel rruga për bashkëjetesën pluraliste. U desh nga bashkëkombësit tanë një rezistencë paqësore e tejskajshme dhe nëntë vite më pas një superluftë me armët më moderne që liria t’u vinte.
Nuk kishte fat gjeostrategjik më tragjik se yni pas Luftës së Dytë Botërore ndërsa kishim qenë ndër fitimtarët e saj. E kishim luftuar fashizmin botëror jo vetëm gjatë gjysmës së parë të viteve dyzetë, por as qeverisësi ynë i mëparshëm, Ahmet Zogu, nuk e pati lejuar në Shqipëri atë ideologji totalitare të bëhej sistem shoqëror.
Tani jemi në ditët e para të janarit 2010. Sapo të gjithë kemi rinisur vitin e ri, me urimet për mbarësinë e të cilit mbushëm qindra mijëra kartolina, mesazhe telefonike dhe në internet, i shtrënguam duart njeri-tjetrit dhe në mesnatën e 31 dhjetorit u përqafuam. Në këto dy dekada të fundit jo secili vit në historinë tonë ka qenë për t’u shënuar dhe jo të tërë të ngarkuar me kaq shumë rëndësi gjeostrategjike për të ardhmen tonë si 2010.
Është çasti që më shumë se çdo herë tjetër t’i tërheqim vëmendjen vetes për një rrethanë, ndaj të cilës nuk jemi sa duhet të vetëdijshëm: Në qoftë se në rindarjen e parë të rendit global dhe ballkanik kishim qenë me një gjysmë fati, herën e dytë pa asnjë fat, ky na erdhi i plotë, madje me bollëk, në rastin e tretë, me shembjen e ideologjisë bolshevike dhe të perandorisë sovjetike, me shpërbërjen e Republikës Federative të Jugosllavisë. Në Ballkan tashmë janë në lulëzim të plotë shtetet e lirë e të pavarur që nga Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia, deri edhe vetë Serbia. Këto tre të fundit sapo iu gëzuan liberalizimit të vizave për në hapësirën Shengen.
Kjo do të ndodhë edhe me ne, ka shumë të ngjarë në prag të pushimeve verore të këtij viti, kur me dhjetëra mijëra shqiptarë do të nisen jo vetëm për t’u çmallur me të vetët e emigruar nëpër kontinent, por edhe për turizëm e harxhuar euro. Kjo liri lëvizjeje nëpër Evropë, kaq shumë e ëndërruar dhe e pritur, do të ndodhë sepse historikisht është e pakthyeshme, pra më së pari fryt i fatit të tretë gjeostrategjik.
Vuajmë nga shumë defekte, por kryesori mbetet pazotësia për të mos e paranderë këtë lloj fati në kohë, për të mos e kuptuar, për të mos e kapur dhe mos e shfrytëzuar në momentin e duhur. Për fat të keq ne shqiptarët më shumë se fatet publikë kuptojmë fatet personalë.
Tani më tepër se kurrë është koha të përdoret maksimalisht inteligjenca e gjetjes racionale të hapësirave ku ndeshja politike, kaq jetike që të funksionojë fati ynë i mbarë i pas vitit 1990, pra sistemi shoqëror pluralist, të jetë e dobishme kombëtarisht. Dymijë e dhjeta është kryeviti i dy dekadave të fundit. Nuk është magjik, por me shumë forcë të magjishme ndryshuese. Me kufijtë e hapur drejt Evropës tek shqiptarët do të krijohet një gjendje shpirtërore e barabartë me ngadhënjimin e një çlirimi të madh. Sado të përpiqemi këto ditë të para të janarit 2010 nuk mund ta përfytyrojmë dot çfarë do të përjetojmë në mes të tij.
Ngjarjen e madhe, pak merita jonë dhe dy herë më shumë fat gjeostrategjik, secili prej nesh ka të drejtë ta gëzojë dhe askujt t’i mohohet apo të vetpërjashtohet. Asnjë nuk e ka tagrin që për çdo lloj projekti tjetër ta pengojë apo zvarritë. Asnjë i vetëm, parti apo politikan, nuk e ka të gjithë meritën. Kurrkujt që drejton sot një forcë politike nuk i tolerohet që këto çaste të veprojë në një mënyrë të tillë që për këtë arritje të madhe kombëtare ta bëjë të pandjeshme kontributin e drejtuesve të mëparshëm të saj.
Sepse dihet që fati të ndihmon, por edhe duhet të ndihmohet.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com