Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një ambasador dhe dy albanologë në Vjenë


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, shtojca kulturore “Milosao”)

Nuk do të kishte asnjë lidhje e megjithatë për autorin e këtyre radhëve përbënte një tundim kërshërie përse ambasadori ynë në Vjenë në periudhën 2006-2009 do ta kishte emrin Valter. Ka një tingëllim gjermanik. Madje prej fundverës së vitit të shkuar ai, pas mbarimit të mandatit në kryeqytetin austriak, është tashmë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Berlin. Sigurisht që me detyrë në Vjenë ai nuk ishte caktuar sepse mbante atë emër. Do të ishte qesharake edhe çdo hamendje e përafërt. Valter Ibrahimi është një diplomat i vjetër që më parë se të drejtonte misione përfaqësimi diplomatik në Perëndim, ka provuar përvoja në lindje të kontinentit tonë, në Bukuresht apo në Pragë. Kur ka punuar në selinë qendrore të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë ai ka mbuluar dy sektorë të rëndësishëm që lidhen me Evropën dhe përtej Atlantikun, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Historia e emrit të tij Valter, edhe pse shenjë afërsie me dy vendet gjermanike ku ka punuar e punon, është fare e thjeshtë. Ka qenë dëshirë e të ëmës, ndërruar jetë dy vite më parë. Ajo vinte nga një familje tradicionale shqiptare nga Starova ku emrat me origjinë myslimane shkëmbeheshin miqësisht me ato të krishterë. Besimtare, por jo praktikante, plagët nuk i erdhën nga Zoti, por prej diktaturës politike. I ati qe pushkatuar në vitin 1947 me të ashtuquajturin “grup i Korçës”.
Kur ishte ambasador në Vjenë Valter Ibrahimi nuk e largoi kurrë interesimin e tij nga një veprimtari që kërkonte inteligjencë dhe përgatitje të madhe intelektuale: albanologjinë.
Në hapësirat e gjuhës gjermanike ka dy qendra të mëdha të diturisë që merren me studime për shqiptarët. Janë Mynihu dhe Vjena me katedrat e tyre të gjuhësisë. Porse në kryeqytetin austriak gjendet edhe një institucion i një rëndësie të veçantë për ne: Muzeu i e Historisë së Artit (Kunsthistorisches Museum). Tek Departamenti i Armëve të Ndryshme, sapo hyn në muze, në katin e parë djathtas, gjenden armët e Skënderbeut. Janë dy shpata të tij si edhe përkrenarja. Kjo e fundit konsiderohet e veçantë sepse një e tillë e dytë me kokë cjapi nuk ekziston në të gjithë botën.
Në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë ndodhet edhe një gravurë e një beteje të Skënderbeut me osmanët, ku ai në kokë mban të njëjtën përkrenare dhe në dorën e djathtë njërën shpatë që ndodhet e ekspozuar aty. Në atë krijim artistik Gjergj Kastrioti pasqyrohet me ngjyra të ndezura në mes të një beteje tepër të përgjakur, ndërsa godet me teh pushtuesit osmanë dhe i shpon ata me majën e shpatës. Te këmbët ka turq që japin shpirt. Në të gjithë Evropën nuk gjen një pamje të dytë të tillë të Skënderbeut. Është pamja e tij më luftarake në të gjithë Evropën, pse jo edhe më tepër se në pjesën dërmuese të pikturave të shekullit të njëzetë në Shqipëri. Kjo veçanti mund të shpjegohet vetëm me situatën që kalonte Vjena në luftë për të ndalur vërshimin e Perandorisë Osmane. Ne shqiptarët që mund t’i përfytyrojmë sadopak tre rrethimet e Krujës apo serbët qarkimet dhe betejat e njëpasnjëshme të Beogradit, mund ta kuptojmë sa shumë jetike qe për Evropën rezistenca e popullit austriak dhe e kryeqendrës së tij. Rrethimi i parë i Vjenës, i kësaj porte kryesore të brendësisë së kontinentit, u bë në vitin 1529. Rrethimi i dytë u krye më 1683. Prej këtij çasti të fundit osmanët e ndalën tundimin për zgjerimin e pushtimit dhe pjesa më e madhe e Evropës përfundimisht shpëtoi. Në këtë kapërcyell kohe prej më shumë se një shekulli e gjysmë Vjena ka jetuar në rrethanën e një qyteti në gjendje të jashtëzakonshme. Ja përse austriakët e sidomos vjenezët e mbajtën të gjallë Gjergj Kastriotin bashkë me armët e tij. Ato u shërbyen si inkurajim në të gjithë rezistencën e tyre të gjatë, plot nëntëdhjetë vite.
Pas Romës me emrin e tij në dy sheshe dhe një pallat në Kunsthistorisches Museum në Vjenë Skënderbeu ka strehën më të spikatur në kontinent. Prej shumë dekadash me dhjetëra mijëra shqiptarë që u ka rënë rruga apo kanë bërë zgjedhjen për të jetuar në kryeqytetin austriak janë kthyer me mallëngjim të madh në këtë muze për t’i parë nga afër ato shenja të kryeheroit të tyre. Vargje poezie, radhë reportazhesh, rreshta artikujsh apo mbresash, faqe të tëra librash artistikë e historikë kanë në qendër këtë faltore të shenjtë të shqiptarëve. Nuk ka kabinet qeveritar i çdo lloj sistemi e regjimi politik që ka kaluar Shqipëria, të mos ketë bërë një kërkesë këmbëngulëse që qoftë edhe për disa ditë ato dy shpata dhe ajo përkrenare vezulluese të ekspozohen në Tiranë. Ato asnjëherë nuk kanë gëzuar lejen e autoriteteve të Kunsthistorisches Museum, por kjo nuk ka shkaktuar asnjëherë tek shqiptarët humor të keq. Mbase një ditë ngjarja e bukur do të ndodhë, por rëndësi ka që armët e gjeniut tonë të lirisë janë aty, në zemër të Evropës, të kontinentit dhe të qytetërimit për mbrojtjen e të cilit luftoi gjer në fund të jetës. Do të ishim fatkeq jo pse ato armë nuk vijnë dot për disa ditë në Tiranë, por në rast se nuk do të ndodheshin të ekspozuara në mes të Vjenës, në këtë kryeqendër jo vetëm evropiane por edhe botërore. Në mungesë të këtij fati të madh do të kishim dashur të derdhnim shuma të stërmëdha financiare dhe nuk do të ja kishim dalë dot.

ooo

Mirëpo pikërisht në Vjenë, në këtë qendër të mbajtjes gjallë të imazhit dhe veprës së tij kontinentale Skënderbeu ka edhe një studiues që merret me të, madje në një mënyrë të veçantë. Është Oliver Jens Schmitt. Tashmë mes shqiptarëve emri i tij është bërë mjaft i njohur, përhapur skaj më skaj trojeve tona, është përcjellë gojë më gojë anë e kënd botës ku jeton diaspora jonë. Të paktën në dy dekadat e fundit mes historianëve vendas dhe të huaj ai mbetet emri më i cituar.
Sigurisht kjo gjeografi hapësirëmadhe e shtrirjes së emrit të tij nuk është shënuar në gjuhën e vet. Megjithëse një studiues punëtor dhe me aftësi të spikatur komunikimi Schmitt në gjuhën e vet ka një fond interesimi publik modest. Më së pari kjo ndodh sepse Austria apo përgjithësisht trojet gjermanike janë treva me prodhim intelektual shumë intensiv dhe të tërheqësh vëmendje kërkon mjaft gjenialitet. Ndërkohë tema e studimeve dhe e librave historikë të Oliver janë Ballkani, pak më tej tij, Turqia, si edhe “toka e premtuar” për të shpallur zbulime gjithfarë lloj dhe për të fituar publicitet: Shqipëria.
Efektin mediatik të tipit “bum” studiuesi vjenez Schmitt më së shumti nuk e ka prej simpatisë së shqiptarëve, por nga ndjenja e kundërt. Në një prej disa intervistave të tij ai i pohoi një gazetari të Tiranës se nuk e priste atë reagim kundërshtues. Në atë përgjigje delte jo fort e qartë në se Oliver Jens Shmitt e pëlqente apo jo atë rezultat mediatik, sepse në fund të fundit edhe antipatia mund të trajtohet si kapital publiciteti. Porse pjesa dërmuese e opinionit publik shqiptar, përfshi edhe shumë historianë, nuk e patën kritikuar studiuesin nga Vjena për çdo frazë që pati shkruar, për secilën tezë që parashtronte apo për të gjithë librin. E patën kundërshtuar vetëm në disa nga përfundimet e tij, të cilat i zunë në befasi, madje u gjendën gati gati si të kishin rënë në një pritë. Për ato që Schmitt paraqiti shqiptarët nuk qenë as të plotësuar diturisht, as të përgatitur shpirtërisht, as të dëshiruar. As historiani vjenez në librin e tij, madje më pas edhe në deklarimet e veta, nuk tregoi ndonjë kujdes të gjente rrugë të buta dhe të zhdërvjellëta komunikimi. Idetë e tij të porsa shpallura Oliver Jens Schmitt kërkoi t’i deklaronte me autoritetin se qenë vetë e vërteta kur normalisht ishin vetëm një burim i veçuar dokumentar apo hë për hë një hamendje, hipotezë. Kjo shkaktoi një kundërveprim më të fortë. Ditët dhe javët kur opinioni ynë publik ziente nga mospëlqimi qenë të mbushura edhe me plot fjalënaja, pasaktësi dhe hatërmbetje “patriotike”, por mes disa tezave të reja shqiptarët dy prej tyre nuk mund t’i gëlltitnin dot. Nuk i linte jo fanatizmi nacional, por vetë arsyeja. Schmitt shkroi dhe mbrojti pikëpamjen se faktor kyç që përcaktoi nisjen e luftës 25 vjeçare të Gjergj Kastriotit kishte të bënte me një gjest gjakmarrjeje klasike të viseve mesjetare shqiptare. Me rastin e botimit së fundi në gjermanisht të librit “Skënderbeu” kjo tezë u përsërit pak ditë më parë në një artikull të gazetarit zviceran Ekkehard Kraft botuar në të përditshmen e vendit të vet “\\\"Neue Zürcher Zeitung\\\". Atje shkruhet saktësisht “Sikurse njofton një dokument i kohës, gjakmarrja ishte motivi i mirëfilltë për luftën e tij: Murati ΙI kishte vënë të vrisnin Ivan Kastriotin”.
Është barrë e rëndë për logjikën të mendosh se hakmarrja personale e një lideri të jetë e mjaftueshme të hedhë në luftë një popull të tërë dhe ca më shumë të bashkojë rreth vetes në Besëlidhjen e Lezhës të gjithë kapedanët e princat arbër. Oliver Jens Schmitt madje edhe këtë aksion të madh historik nuk e emërton kryengritje, por vazhdimisht i hedh sipër mantelin e leshtë të fjalës “rebelim”. Mirëpo gjithsecili prej shqiptarëve e kupton fare mirë pse dhe ku qëndron ndryshimi i hollë mes emërtimeve “kryengritje” e “rebelim”.
Studiuesi nga Vjena jo vetëm në librin “Skënderbeu”, i cili duhet thënë se mes faqeve të tij ka analiza profesionale shkëlqimtare dhe mjaft talent të shkruari, por edhe më pas, në çfarë deklaroi, nguli këmbë po ashtu se aksioni ushtarak dhe politik i Gjergj Kastriotit përfundoi me disfatë. Madje duke e përshkruar këtë humbje e vlerësoi si një katastrofë humane të përmasave të tilla që solli si pasojë një masakër njerëzore pothuaj totale, me zhdukjen fizike të tre të katërtave të popullsisë arbërore që mori pjesë në rezistencë. E shpjeguar me hakmarrje personale në fillim dhe e mbyllur me konkluzionin se të njëzetë e pesë vitet e kryengritjes shqiptare përfunduan me një dështim, Oliver Jens Shmitt në thelb nuk kreu atë, që mbase e kishte pa të keq synim, heqjen e mbishtresës së mitizuar të bëmës së Skënderbeut, por tkurrjen, zvogëlimin e gjestit dhe të efektit historik në të vërtetë ngadhënjimtar që ai pati.
Në rast se në reagimin e opinionit publik shqiptar patën ndikim edhe mangësi të dhënash historike apo edhe stereotipe analizash romantike, Shmitt një çast mund të na lërë mënjanë dhe të sjellë në mendje se fare pranë, në qytetin e madh ku jeton dhe punon, gjendet Kunsthistorisches Museum. Kështu le ta harrojë për një çast poteren “patriotike” të shkaktuar në Tiranë apo Prishtinë dhe të rikujtohet përse pikërisht në Vjenë ruhen me aq shumë xhelozi tre shenjat e vetme origjinale në botë të Gjergj Kastriotit. Dhe në se ndonjë nga shpatat apo edhe vetë përkrenarja janë jo origjinale, por krijime të mëpasshme, ca më shumë bëhet e qartë se Skënderbeu nuk qe një betejëhumbur. Oliver Jens Schmitt më parë se neve për të kundërtën le t’ua mbushë mendjen bashkëqytetësve të tij

ooo

Mirëpo në rast se Schmit është i ardhur në kryeqytetin austriak prej viseve gjermanishfolëse të shtetit zviceran në Vjenë ka një studiues tjetër i lindur mirëfilli aty. Quhet Joachim Matzinger dhe është dyzetë e dy vjeçar. Në veprimtarinë e tij studiuese ka për model albanologun e madh Norbert Jokl, edhe ky vjenez. Pasi përfundoi në Gjermani për gjuhësi historike (në universitetet e Regensburgut dhe të Jenës) Matzinger iu përkushtua projekteve për studimin e sintaksës dhe të morfologjisë së gjuhëve indoevropiane, mes tyre edhe të asaj shqip. Që prej vitit 2006 punon në Universitetin e Vjenës në një projekt të financuar nga “Fondi për nxitjen shkencore austriake” të drejtuar nga Stefan Schumacher. Projekti ka për qëllim krijimin e një fjalori për të gjitha format foljore të dokumentuara të letërsisë së vjetër shqiptare. Bëhet fjalë për format e foljeve në të gjitha veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Matrëngës, Kazazit dhe Varibobës.
Kur ky libër, i shoqëruar me një cd-rom, do të botohet, me siguri për opinionin publik shqiptar (dhe jo vetëm atë), e ka të garantuar një status: nuk do të përbëjë më shumë se një lajm të mirë dhe për pasojë ngjarja mund të lindë e vdesë brenda një dite. Ndërkohë problemet e gjuhësisë janë shumë profesionale dhe tërheqin interesin vetëm të studiuesve të saj. Edhe në rast se në qarqet shkencore për të do të ketë ndonjë debat ai sërish do të “flejë“ mes tyre.
Kjo do të jetë një padrejtësi e madhe. Të paktën për dy arsye. E para sepse Gjuha Shqipe është më e madhe se Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Rezistenca shumëshekullore për ruajtjen e saj është më heroikja vepër e paraardhësve tanë. Shqipja përbën shtyllën kryesore të identitetit tonë, pa tjetër edhe të luftës për liri. Liria më e madhe nuk është lufta për mbrojtjen e disa kufijve fizikë, por e atyre shpirtërorë. E dyta arsye që nuk do të na e falë qëndrimin rutinor është se Joachim Matzinger në vijim të traditës së studiuesve vjenezë Majer dhe Jokl ka vënë në qendër të veprës së tij gjuhën e shkruar nga personalitete elitare të mesjetës tonë, pra në dëshminë e saj të kultivuar.
Ndërkohë nga vetë Matzinger nuk presim të bëjë potere. Protagonizmi nuk është fare në natyrën e tij. Ai ka ardhur shumë herë në Shqipëri pa bërë asnjë lloj zhurme, ka marrë pjesë në takime të ndryshme, ka blerë libra të vjetër, nuk mungon në të gjitha veprimtaritë shkencore ku ftohet, në Prishtinë apo Shkup, në Itali apo Gjermani. Thotë se në përzgjedhjen e shqipes mes gjuhëve indoevropiane është “autodidakt”, pra që e ka vendosur ne vullnetin e tij, i pashtyrë nga askush. Sipas tij “gjuha shqipe është shumë individuale, e veçantë”. Për Joachim Matzinger ajo nuk vjen prej ilirishtes, i ka rrënjët më të thella se kaq. Shqipja për të dëshmon një autonomi të madhe, ndihet mjaft e vjetër, është shumë e pasur nga ana gramatikore dhe e leksikut, zotëron një sistem foljor mjaft të zhvilluar.

ooo

Valter Ibrahimi i paraqiti letrat e tij kredenciale tek presidenti austriak Hans Fisher në 15 mars 2006. Ceremonia, ku përfshihet edhe biseda, e gjitha e zhvilluar në këmbë, zgjati 25 minuta. Që ato çaste ambasadori shqiptar pa se Fisher ishte një njohës shumë i mirë i jetës shqiptare dhe i mbushur me dashamirësi për ne. Më pas diplomati Ibrahimi do të shihte se e tillë qe edhe bashkëshortja e presidentit. Do të mësonte apo ashtu edhe një episod. Në vitin 1996, ndërsa Hans Fisher po udhëtonte për një veprimtari me Pjetër Arbnorin në qytetin e Salcburgut, e njoftuan se duhej të rikthehej urgjentisht në Vjenë. Kishte dhënë dorëheqjen kancelari Franc Vranicki dhe vendi mund të hynte në krizë. Megjithatë Fisher vendosi ta çojë deri në fund nderimin për mikun shqiptar. Arbnori atë ditë kishte ditëlindjen dhe presidenti austriak pati vendosur t’i shtronte një drekë. U rikthye në kryeqytet vetëm pasi mbaroi kjo surprizë që e mallëngjeu kryetarin e parlamentit shqiptar.
Tre vite më pas, ndërsa do të nisej në detyrën e re, ambasador në Berlin, në takimin e lamtumirës, në 9 maj 2009, biseda e Valter Ibrahimit me Hans Fisher zgjati shumë. Tashmë në ato vite të punës së tij në Vjenë diplomati shqiptar kishte qenë protagonist e dëshmitar se, edhe pse vend neutral, sa miqësisht shtypi, elita politike dhe opinioni publik austriak patën shoqëruar lajmin e hyrjes tonë në NATO. Ibrahimi e quan veten me shumë fat që punoi në kohën e lidhjes me Raiffeisen Bank, me kompani sigurimi si Unica Grup, Grupi i Sigurisë në Vjenë, në kohën e marrëveshjeve për financimin e hidrocentraleve të Devollit dhe të Vjosës, në zbatimin e regjistrimit të popullsisë sonë sipas një programi austriak.
Nga afro tre mijë e pesëqind shqiptarë, shumica të vendosur në Vjenë dhe në Grac, pranë Kunsthistorisches Museum me armët e Gjergj Kastriotit, pranë Oliver Jens Shmitt dhe librit të tij “Skënderbeu”, afër Joachim Matzinger dhe botimit të tij të pritshëm, katërqind nga bashkëkombësit tanë janë studentë. Përgatiten kryesisht në profile pragmatiste: drejtësi, ekonomi-biznes.
Thua një ditë kjo gjeneratë e re, të paktën nën frymëzimin që patën Eqrem Çabej apo Aleks Buda, do të kenë pak interes edhe për albanologjinë?


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com