Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vizat,vizat,vizat!


(Botuar në gazetën “Shqip”, 10 prill 2010)


Këto kohë tema e liberalizimit të vizave, duke përjetuar çaste vendimtare, zotëron mes nesh epërsi të plotë ndaj shumë çështjeve të tjera të ditës. Duke qenë i tillë, i gjithgjendshëm nëpër biseda, i kudondodhur në media, i dendësuar me informacion të freskët dhe jo rrallë i zbrazur nga arsyetimi korrekt, i dëshiruar të ndodhë sa më shpejt e ndërkohë i qarkuar nga fjalënaja se do të shtyhet, një e vërtetë e madhe dhe e padiskutueshme, reale por edhe po aq një ëndërr, ajo i ka të gjitha gjasat të përftojë formën e logjikën e një legjende urbane. Kjo do të thotë se përherë e më shumë pritet të jetë e deformueshme dhe e manipulueshme nga humore të ndryshme, e infektueshme veçanërisht nga diversione të mbrapshta. Atje ku akoma punojnë pa pushuar motorrat e përbaltjes shqiptarëve, pra atje ku na përshkruajnë si ende të pazhvilluar apo të përfshirë në zakone barbare si gjakmarrja, të vizatuar si autorë të dogmës ultranacionaliste të Shqipërisë së Madhe apo si popull pa kurrfarë rregulli e disipline të brendshme, mbajnë aktive edhe një shpifje. Sipas saj shqiptarët veçanërisht pas pushtimit osman kanë vepruar sistematikisht kundër Evropës.
Duke qenë relativisht larg trojeve tona, shpesh në mënyrë të justifikueshme edhe të painformuar mirë për historinë tonë, disa funksionarë të kontinentit duhet të kenë mirësinë të kuptojnë e të jenë të bindur se është diametralisht e kundërta e përfoljes tinëzare. Shqiptarët jo vetëm janë një popull me orientim të palëkundur Evropën, por edhe i vetmi në Ballkan që e ka mbisundues këtë prirje. Deri edhe për alfabetin, kodin jetik të gjuhës sonë, që ai të mos ishte nën shenja të lindjes, por vetëm të kontinentit amë, është derdhur gjak. Në rast se ndokush mendon që të jesh i lidhur pazgjidhshmërisht me Evropën do të thotë të kesh pasur me kohë hekurudha apo universitete, autostrada apo aeroporte, nuk është plotësisht i saktë. Ato nuk janë lidhje të domosdoshme. Shqiptarët nuk e bëjnë këtë gabim duke gjykuar se ky apo ai popull tjetër ballkanik, duke përdorur alfabetin cirilik, është patjetër pa orientim perëndimor.
Duke qenë pazgjidhshmërisht komb proevropian ne e kuptojmë që për liberalizimin e vizave në vendimet e Brukselit dhe të qeverive përbërëse të Bashkimit Evropian peshojnë shumë jo vetëm faktorë teknicistë e politikë, sigurimi i kufijve e lufta kundër krimit e korrupsionit, vetë cilësia e pluralizmit dhe hapësira e zgjeruar e shtetit ligjor, por edhe kriteret gjeopolitike. BE duhet të përfshijë në “perandorinë“ e tij të ndritur çdo hapësirë të natyrshme të kontinentit, gjithçka që ia jep gjeografia. Asnjë metër katror me rëndësi jetike strategjike nuk duhet ta humbasë. Për momentet që kalojmë kur Brukseli vendosi të liberalizonte vizat edhe me Serbinë, ne nuk shprehën asnjë pakënaqësi, asnjë fije xhelozie. Shqiptarët e kuptuan Bashkimin Evropian në gjestin e tij largpamës, në përparësinë që i dha vlerësimit gjeopolitik. Ne duam një Serbi proevropiane. Kur Zëvendëskryeministri ynë dhe Ministri i Punëve të Jashtme shkoi së fundmi në Beograd, këtë kumt kishte me vete, këtë provë e dëshmi dha.
Nëse këto ditë në vlerësimet e reja gjeostrategjike të Brukselit ka marrë epërsi edhe inkurajimi proevropian i Bosnjë-Hercegovinës shqiptarët ndihen gjithashtu të mirëkuptuar. Ata nuk duan që rendi i brendshëm delikat i këtij vendi e populli mik të anojë në të kundërt të interesave të BE-së dhe të Perëndimit. Ata do të bënin gjithçka që kjo të mos kishte asnjë shans të ndodhte, as sot dhe as nesër. Madje shteti i tyre pikërisht për t’i ardhur në përkrahje këtij dimensioni të popullit boshnjak ka marrë së fundmi vendimin e ngritjes në Sarajevë të një përfaqësie diplomatike dhe ka projektuar për atje një ambasador me mendësi të qarta proevropiane.
Ndërkohë në rast se favorizimi i liberalizimit të vizave për Bosnjë-Hercegovinën shoqërohet me një anashkalim të përkohshëm të këtij procesi me shqiptarët, pra më parë do të hapen kufijtë tek populli mik boshnjak dhe shqiptarëve do t’u jepet mundësia më pas, atëherë kryhet një gabim po ashtu i përmasave gjeostrategjike. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët do të pezmatohen rëndë me kontinentin amë dhe për pasojë do t’i përfshijë fryma antievropiane. Kjo gjëmë nuk ka ndodhur as në momentin më të rëndë të fatit të tyre, atëherë kur fuqi të mëdha kontinentale e ndanë përgjysmë. Shqiptarët nuk u bënë antievropianë as në një gjysmë shekulli diktaturë bolshevike e modelit moskovit. Nuk u fundosën në këtë kënetë as kur i pushtoi dhe i sundoi për mbi pesë shekuj Perandoria Osmane, madje nxorën nga radhët proevropianin më të madh të tyre, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Prirja absolute prokontinentale është e padeformueshme mes shqiptarëve.
Duke qenë e tillë, pra e sigurt dhe pa asnjë rrezik anësimi kundërevropian, a mos ndokush në vendet e fuqishme të BE-së gjykon se Shqipëria pret, arsyeton që tani për tani u duhet të “shuajnë” apo “zbutin” terrenet gjeopolitike që nëpërmjet një pjese të opinionit publik të vendit kërcënojnë raport mosbesues me kontinentin?
Ndërkohë a nuk është e drejtë që shqiptarët të gëzojnë inkurajimin e vlerës së tyre gjeopolitike të palëkundur proevropiane?
Do t’u ishim mjaft mirënjohës të gjitha qendrave të rëndësishme të kontinentit që të mund, për ta përparuar në verë liberalizimin e vizave, të kryenin procedura të përshpejtuara, të afronin mbledhje forumesh që kompetencën e miratimit sipas protokolleve të deritanishme e kanë në fillim të vjeshtës apo në fund të vitit.
Edhe logjika më e ftohtë burokratike e çel këtë udhë. Sidomos Historia, të cilës i takon tërësisht ajo që do të ndodhë.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com