Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Një arbëresh dhe grekët


(Botuar në gazetën “Shqip”, më 24 prill 2010)

Ajo që përditë e më shumë në marrëdhëniet me Greqinë të vë në merak ka të bëjë me një dukuri disi kontradiktore. Raportet politike, pra ato ndërshtetërore, mes qeverive, shkojnë përherë e më tepër drejt mirëkuptimit, bëhen vazhdimisht më të qëndrueshme, rrisin shtat dhe forcohen, ngrejnë papushuar nivelin e bashkëpunimit, dëshmojnë miqësi, përpiqen të mos lënë asnjë hapësirë për t’u dëmtuar. Republika fqinje na mbështeti për t’u anëtarësuar në NATO, ministri i tyre i jashtëm nguli këmbë në përshpejtimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët dhe Athina zyrtare para gjithë opinionit publik botëror ka shpallur mbështetjen e integrimit të Tiranës në Bashkimin Evropian. Këto janë tre qëndrime kyçe, vetë kodet e provës se nga vendi në kufirin tonë jugor në këto kohë moderne nuk na vjen asnjë kanosje. Ndërkohë si për ta vënë në dyshim këtë të vërtetë të madhe dhe të gëzueshme e mbase për ta rënuar atë ndoshta posaçërisht, ngjajnë njëri pas tjetrit jo pak incidente. Dhe do të ishte e përballueshme për ndjeshmërinë kombëtare të gjithsecilit prej nesh, arbërorë apo helenë qofshim, në rast se këto do të ngjanin përshëmbëll) një herë në vit. Mirëpo në të vërtetë kanë një ritëm shumë më të shpeshuar, duket sikur na rrinë mbi kokë e na rrahin si çekan. Incidenti i fundit, ai i njësisë së zhytësve të flotiljes luftarake greke, të cilët pa u bërë syri tërr, në një paradë të jubileut të shtetit të tyre, para përfaqësuesve më të lartë të vendit dhe popullit të grumbulluar për t’i përshendetur, para gjithë kamerave të mundshme, thirrën me histeri se shqiptarëve, turqve dhe maqedonasve, pra pothuaj të gjithë fqinjëve të tyre të vitit 2010, do t’u bënin me lëkurët apo zorrët e tyre.... Ky marrsh ishte dëgjuar edhe dy vite të shkuara, por atëherë u tha se masat e mara do t’ia mbyllnin përfundimisht shansin e mbijetimit gjuhës së një moti kur bëhej luftë e ftohtë. Mirëpo “specialët” e zhytjes në det, të paktën komandanti i tyre, nuk pati kuptuar asgjë. E përsëritën turpin duke ecur me hap dhe kokën lart. Të thuash se këtë skenë tronditëse e dëshironte e ca më tepër e paska organizuar qeveria greke, pra Athina zyrtare, nuk vjen prej logjikës dhe nuk është e drejtë. Nuk është fare e dobishme. Nuk është as patriotike. E themi këtë të fundit, sepse vazhdon të jetë në modë një lloj patriotizmi i lehtë, sipërfaqësor, propogandistik e deklarativ, i cili edhe pse në rastet më të shumta i sinqertë, të zë sytë. Ne shqiptarët jemi lënduar shumë nga episodi i fundit dhe nga ato fjalë barbare akoma ndihemi të fyer, por po të gjenim ca më shumë forcë shpirtërore dhe të dilnim nga kjo gjendje, me atë që ndodhi duhej të kishim qeshur me të madhe, zënë mezin me duar dhe gajasur. Po a kishte komikë më të mëdhenj se ata parakaluesë? Ata qenë Don Kishotë. Zotoheshin se do të mundnin dhe poshtërronin jo vetëm shqiptarët (e kanë provuar dhe nuk kanë qënë fitimtarë), maqedonasit (këta jo vetëm nuk u tjetërsuan por tashmë janë shtet i pavarur), por edhe vetë turqit?!
Ja përse ajo që ndodhi, për fat të keq një ngjarje e rradhës, është për të qarë e për të qeshur. Në të dy vendet tona atë nuk e duam të na ngjajë sërish, prandaj duhet të bëjmë gjithçka, me të gjithë vullnetin qytetar dhe politik.
Shumë e ndërlikuar në pamje të parë kjo kundërshti, ajo e raporteve tona me grekët. Bëhet kujdes që marrëdhëniet ndërshtetërore e mesqeveritare të forcohen e ndërkohë ato bien viktimë ngjarjesh të rënda. Sigurisht mbi çfarë po ndodh peshon e kaluara, historia, ajo që është krijuar një shekull e gjysmë më parë, kur vendi fqinj formoi e shpalli shtetin e vet me hapësirat e tij të ligjshme, por duke zbatuar metodën e “faktit të kryer edhe për të zënë territore të tjera”. Historia ka peshë sa dhjetë mijë qeverira. Ajo bëhet ndërgjegje dhe nënndërgjegje në një popull të tërë. Ta çlirosh atë nga kujtimet e hidhura dhe ta ekuilibrosh duhet shumë kohë, mjaft angazhim, tepër largpamje, ikje nga ushtrimi i patriotizmit të lehtë, të përcipshëm. Nuk përjashtohemi edhe ne shqiptarët nga ky vetëlehtësim, por fqinjët tanë duhet të bëjnë më shumë. Fryma e mosbesimit që në trojet tona shpërndahet me një shpejtësi të madhe dhe gjen menjëherë inkurajim, edhe pse ndonjëherë është vetëm psikozë, ka nisur nga veprime që ndodhin përtej kufirit tonë. Vatra e madhe e lëndimit të raporteve gjeneron në grupe të caktuara të shoqërisë greke. Provokuesit përbëjnë pakicë, madje një pakicë të pakicës, sepse rradhët po u rrallohen, por gjithsesi forcën e lëndimit të marrëdhënieve mes dy popujve dhe elitave të tyre e kanë të furishëm. Forca e provokimit nuk ka të bëjë me numrat.
Me kokën të mizëruar nga efekti i ngjarjeve “mistrece”, ndërsa ndodh që në to përzihet edhe ndonjë nëpunës grek që e sheh Shqipërinë si oborr të vet dhe jo një vend që përditë e më shumë grumbullon forcë për të qënë sovran, tek jo pak prej bashkëkombësve nuk po lihet hapësirë qetësie për të kuptuar e pranuar se Greqia nuk është fatkeqësia jonë. Në gadishullin tonë jo vetëm historikisht, por edhe në aktualisht, fqinji ynë përbën një shoqëri me demokracinë më të zhvilluar. Kur ata qindra mijra shqiptarë pas rënies së diktaturës kaluan kufirin e shkuan drejt Greqisë këtë nuk e bënë sepse për shkak të kufirit tokësor kjo qe më e lehtë. Nuk gjendet vetëm ai shtet në kontakt tokësor me ne. Apo sepse qe i zhvilluar. Nuk kishin më pak mirëqënie popujt e tjerë fqinj në veri. Ata qindra mijra, jo pak por një e gjashta e popullit të Shqipërisë, u orientuan drejt Greqisë sepse e dinin që ai nuk ishte as popull dhe as shtet armik. Ishte mik. Me paragjykimet e veta, por gjithsesi Mik.
Ndërsa në vitet nëntëdhjetë ata rendën dhe u strehuan mes grekëve këtë gjë e kryen sepse kështu u kishte diktuar historia e dy popujve. E kaluara e marrëdhënieve mes arbërorëve dhe helenëve nuk është vetëm një apo dy shekuj të trazimit nga shovinizmi, por shumëqindra vjeçar, që në fillesë të qytetërimit. Grekët dhe shqiptarët janë në Ballkan popuj autoktonë, ata kanë dhënë e kanë marë prej njëri-tjetrit. Asnjëherë në historinë tonë nuk i kemi mohuar ngulimet e qyteteve antike helene, si na gjallëruan dhe zhvilluan. Kjo ndodhi edhe më pas, edhe në mijëvjeçarin e dytë, në mes të viteve të mesjetës, kur me mijra arbërorë u vendosën në Peloponez, në Atikë e gjer në mes të Athinës. Shkuan për një jetë më të mirë, më të shumtët të punësuar në kështjellat e zotëruara nga Republika e Venedikut.
Këta arbërorë bënë rezistencë kundër pushtimit osman dhe pas rënies së kalave një pjesë mërguan në Italinë e jugut. Këta bashkëkombës kanë pesëqind e më tepër vite që nuk jetojnë realitetin shqiptar, pra edhe periudhën e rëndë të ndikimit të atyre njëqind e ca viteve, kur shtetin e vet të natyrshëm grekët e ndërtuan duke u krijuar plagë shqiptarëve, popullit me të cilin deri ato çaste kishin bashkëjetuar në një harmoni të rrallë. Ky diferencim i padrejtë për një bashkësi bashkëthemeluese të Greqisë moderne, për njerëz besnikë të saj, nuk pati të ardhme. Ajo shkoi kundër kohës, kundër vetë progresit. Dështoi. Sepse e dinë këtë gjeneratat e reja të popullit helen kanë kohë që e mbajnë larg nga ditët e sotme këtë të shkuar. Megjithatë humbella ende mbetet, akoma zezon, ta kujtojnë ata “specialët”.
Mjaft ngjarje inkurajuese dëshmojnë se moti i lidhjeve të forta shpirtërore mes shqiptarëve dhe grekëve mund të rikthehet, madje jo vetëm e ka këtë proçes të nevojshëm, por edhe të natyrshëm, fiziologjik. I kërkoj ndjesë lexuesit që këtë shkrim do ta vijoj e zgjas edhe ca më tej, por për të qënë sa më shumë bindës në këtë ide do t’i drejtohem për simbolikë një arbëreshi, pra një dëshmitari që provon sa mirë kemi shkuar shekuj më parë. Ai quhet Papas Antonio Bellushi. Jeton e punon në Frasnita të Kalabrisë, Itali.
Shtëpia e tij ka një bibliotekë të madhe, çdo mjedis i saj është një muze i historisë së shqiptarëve. I lindur në vitin 1934, me gradë akademike në Filozofi dhe Teologji pranë Universitetit Gregorian të Romës, me shërbesa pastorale të ushtruara në disa qyteza arbëreshe, Doctor Honoris Causa në Etnologji nga Akademia e Shkencave e Tiranës, me Medalje të Artë të Lidhjes së Prizrenit, themelues revistash dhe mbi të gjitha autor i mjaft librave studimorë, Papas Antonio ka botuar edhe \\\"Fjalor Frazeologjik i shqiptarëve të Italisë dhe Greqisë\\\", \\\"Kërkime dhe studime mes arbëreshëve të Greqisë\\\" si edhe \\\"Arbëreshë-arvanitasit, një popull i padukshëm\\\".
Pra deri tani ai është njohësi më i mirë i arbërve të vendosur shekuj më parë mes popullit helen. Në një nga mjediset e shtëpisë së tij muze, në anët e një shkallareje të drunjtë që të çon nga një kat në tjetrin, Papas Antonio Bellushi ka ekspozuar një hartë angleze të Peloponezit të vitit 1634. E ka siguruar prej studjuesit arvanitas Jorgo Maruga, dokument të cilin ky e zbuloi në arkivat britanike në vitin 1996. Pothuaj e gjithë hapësira e saj është e mbushur me vendbanime që kanë shenjën identifikuese të shqiptarëve. Madje edhe në krye të hartës është vizatuar një arbëror me kostumin e tij tradicional. Kjo për treguar se atë vit Peloponezi ishte i banuar me shumicë prej tyre. Në librat e tij, frut dyzetë vjeçar i ekspeditave në Greqi (120 katunde të prekur me këmbë, 500 njerëz të intervistuar, dyqind bobina të inçizuara, 3 mijë toponime dhe mikrotoponime të regjistruara, pastaj anekdota, këngë, lojëra popullore, lutje arbërore, përralla, zakone jete), provohet se vendbanime arvanitase në vendin fqinj janë pothuaj nëntëqind. Shumëve u është ndërruar emri.
Të rikujtojmë se edhe në mes të Athinës, në shpat të Akropolit, pra në zëmër të kryeqytetit grek, grupet ardhëse arbërore kanë ngritur edhe lagjen “Pllaka”. Këtu, në këtë lagje të famshme për vajzat me nur të bukur, deri para pak dhjetëvjeçarëve herë pas here dëgjoje biseda në të folmen arvanitase.
Autorit të këtyre rradhëve i rastisi njëherë në Athinë të qe në shoqërinë e afro dhjetë redaktorëve të një gazete të madhe vendase dhe në intimitet prej shumicës së tyre u pranua se qenë arvanitas. Në fund të viteve tetëdhjetë ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës, Flamur Çani, u bë dëshmitar i pohimit të ministrit të Ekonomisë Jani Matas se “Sot në Greqi gjashtë ministra janë arvanitas”. Kënga himn e arbëreshëve, aq shumë popullore edhe kudo mes shqiptarëve, “Oj e bukura Morè”, frymëzimin e merr nga Moreja, truall helen me shumë shqiptarë që luftonin bashkë me vendasit për të mbrojtur lirinë.
Episode të tilla janë pa fund, gjithsecili nga ne di jo pak. Thelbi nuk është numërimi i tyre, por dëshmia se sa shumë kemi qënë pranë njëri-tjetrit dhe sa jemi dashur. Sa jashtë natyrshmërisë është klima e cingrisjes me gjeste mosbesimi. Sa partnere ka qenë dhe e barabartë kjo miqësi popujsh, pa u shpallur njëri i parë dhe as i dytë tjetri. Ku çdo hapësirë toke e gjithsecilit vend është e mira e të dyve.
Tradita është një këshilluese dhe orientuese e sigurt. Shtetet e Shqipërisë dhe të Greqisë janë në kufij të paprekshëm dhe ku të ndryshmit etnikisht, pra grekët mes nesh dhe shqiptarët mes helenëve, janë fate të mëdha. Janë mundësira të pashterura për të qënë miq, burime energjie për të përparuar e forcuar sëbashku. Janë ura të mëdha bashkimi. U veprua keq kur ato u goditën për t’i rrëzuar, ishte mbrapshti kur sektarët dhe vështrimshkurtërit u stëmunduan t’i homogjenizonin pakicat.
Në Greqi tashmë, jo si bumerang, por si shenjë e kumt i bukur, ndodhen mbi një gjysmë milioni shqiptarë. Ata do të shtohen. Nuk do të pakësohen. Madje as tani, këto kohë kur vendi e populli mik grek kalon krizë të rëndë ekonomike. Është e sigurt se bashkëkombësit tanë do të rrinë atje dhe sëbashku me vendasit do ta fitojnë ringritjen.
Është në logjikën e më të shumtës së historisë së tyre.


Ylli Polovina
















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com