Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Qazim Mulleti, i persekutuari edhe me një komedi


Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 15 nëntor 2011)

Kur poeti mërgimtar Gëzim Hajdari, autor i shumë librave në shqip, italisht e në gjuhë të tjera, së fundi edhe i përmbledhjes rrëfyese e studimore “Gjenocidi i Poezisë“, me emrat dhe historinë e poetëve bashkëkombës të keqtrajtuar prej pushtetit politik në vitet njëzetë e tridhjetë e të përndjekur egërsisht veçanërisht në gjysmëshekullin e gjatë stalinist, kreu me dëshirën e vullnetin e vet gjetjen në qytezën Roka di Papa në periferi të Romës të eshtrave të Qazim Mulletit, u vu re se çfarë bëri nuk u shndërrua dot në lajm. Pra nuk u bë dot informacion që mund të lëvizte për disa çaste, një apo dy ditë, nëpër medie të ndryshme. Pa tjetër modestisht, pa bërë zhurmë të panevojshme, i transmetuar thjesht sa për t’u marrë vesh. Kaq dëshirohej, jo më shumë, sepse Shqipëria ka edhe hallet e të gjallëve.
Si autor i shkrimit mbi këtë ngjarje të veçantë, botuar më 3 tetor në një të përditshme të rëndësishme (“Panorama”), doemos nuk pretenduam që lajmi të depërtonte deri në mjedise të caktuara të jetës së vendit, atje ku fuqia e ndikimit dhe e veprimit mbi opinionin publik apo strukturat e shtetit është e madhe. Mund ta bëjnë të tjerë këtë vepër.
Megjithatë e kishim ëndërruar që gjetja e eshtrave të bashkëkombësit Qazim Mulleti, protagonist politik i njohur, të binte sado pak në sy jo vetëm sepse gjatë diktaturës u gjykua si armik i popullit dhe i vendit dhe për pasojë ai e sidomos familja, madje i gjithë fisi, vuajtën një dënim të rëndë. Ngjarjen e spikatëm as sepse rastit të tij, tragjikisht i njëjtë si i jo pakëve, i duhej ndonjë favor mediatik. Kumtin e dhamë mbi faktin se me jetë të ndërruar në 28 gusht 1956, në ora dy pasdite, dhe i varrosur në Cimitero Comunale San Sebastiano Martire të qytetit Rocca di Papa, ai qe strehuar në nëntokë deri në vitin 2004 dhe më pas u zhvarros. U vendos në një arkë të thjeshtë alumini. Kur ia hapën atë kuti mortore Gëzim Hajdarit ky pa atje një grusht kockash, pak shenja të dhëmbëve, gjurmë të tretura të një tufe flokësh, dy mbetje të shprishura këpucësh dhe copëra të imëta çorapesh. Atë arkë gri në 2004 e futën në një magazinë në territorin e varrezës, si edhe shumë të tjera, jo për ta diskriminuar, por sepse për mungesë të vendit një ligj lokal detyronte pas tridhjetë vitesh heqjen e eshtrave nga nëndheu. Njeriu që e ka zënë tani strehën e mëparshme të eshtrave të Qazim Mulletit është një vendas me emrin Françesko.
Nuk ka ndodhur kjo me shumë të tjerë, në Itali e gjithkund në botë. Fat mjaft ndryshe ky i pinjollit politikan të Mulletëve, shumë i dhimbshëm. Tani ai është pa varr. Rri në disa rafte magazine të mbyllur. Si mall. Më i harruar se më parë, kur të paktën mund të shkoje mes varreve e kur ta gjeje të ndaleshe pak çaste e po të dëshiroje t’i blatoje edhe një tufë me lule. Në Roka di Papa të Romës kjo mundësi e thjeshtë humane nuk krijohet dot më.
Por në vendin e tij, në 2011, koha dëshiron e po provon të eci në rivlerësim të shumë të mohuarve e të denigruarve politikisht, kështu që ish-kryebashkiaku dhe prefekti i kryeqytetit shqiptar në vitet 1939-1944, një periudhe shumë problematike e të ndërlikuar për të ruajtur drejtpeshimin dhe identitetin kombëtar jo vetëm për protagonistët e atëhershëm, por edhe për interpretuesit sot, meriton të mos degdiset në harrim. Mundësisht të ndodhë e kundërta.
Qazim Mulleti përbën një rast shumë ndryshe nga të tjerë të përbuzur e të dënuar për një gjysmë shekulli edhe për një rrethanë tjetër të fatit të tij, nga më të rrallat në faqe të globit. Përveç masës së ndëshkimit klasik stalinist, si për asnjë shqiptar e njeri tjetër ai u ndëshkua nga pushteti politik i kohës edhe me një dënim të pazakonshëm, gati-gati të papërfytyrueshëm e të paimagjinueshëm edhe për shtatë rrathët tmerronjës të ferrit dantesk. Ishte një shpikje persekutimi e përdhune mjaft djallëzore dhe shumë e sofistikuar. Para saj edhe qelia e mbushur gjer në brez me ujë apo prerja e mishit copa-copa nuk janë asgjë.
Vegla torturuese që u përdor kundër tij ishte një vepër artistike. Ndërsa në historinë e botës dhe të vetë artit krijimet janë thurur për t’u dhënë kënaqësi shpirtrave!
Nuk qe libër apo dramë, poemë apo film. Ishte një komedi. Të tërë ia dimë titullin përmendësh dhe që të gjithë e kemi parë disa herë: “Prefekti”. Kështu kundër Qazim Mulletit u përdor jo kritika apo denoncimi, kurrë analiza dhe as rrëfimi i jetës së tij me të mirat e të këqijat, vlerat dhe fajet, por vënia në lojë, tallja, provokimi mbi të i qeshjes dhe i përqeshjes së dhjetëra e dhjetëra mijëra spektatorëve, nxitja e të gajasurit. Madje kjo përtallje masive e organizuar nga shteti i diktaturës së vetëquajtur proletare, e nisur që prej vitit 1949 me shfaqjet e para të komedisë, iu bë familjarisht, me emrat realë të bashkëshortes dhe të djalit të vetëm, jeta e të cilit më pas nëpër internime përbën një dëshmi drithëse. Një regjisore sovjetike që punonte këtë kohë në Teatrin Popullor, ku u bë shfaqja, shtangu e shqiptoi fjalët “Këtë gjë Stalini nuk do ta lejonte!”.
Përqeshja politike kundër familjes Mulleti vijoi gjer në ditën e grahmës së fundit të diktaturës “proletare”. Këtë çast u duk sikur ajo torturë do të ndalej. Mirëpo kur në 20 shkurt 1991 monumenti i Enver Hoxhës binte përdhe, “Prefekti” ende shfaqej. Nuk luhej në skenë, por qe hedhur në shirita filmi. Në 1991 apo 1992, në 1997 apo 1998, në 2001 apo 2011 ajo komedi nuk u pa më në salla teatrosh, por tashmë shumohej e shumohej në gjithfarë televizionesh dhe veçanërisht në internet. Sot “Prefekti” është bashkëngjitur në dhjetëra e dhjetëra website dhe nga shikuesit është ndër më të klikuarat dhe më e kërkuarat vepër komike e skenës.
Ky lloj persekutimi, tashmë jo politik, aspak shtetëror, madje as i shtyrë nga dëshira apo trysnia e ndonjë cope të opinionit publik, është tërësisht rutinë, inerci. Por edhe diversion, bombë me sahat e të kaluarës, e lënë pas për të “gjakosur” jo vetëm disa bashkëqytetarë e bashkëkombës, por tërë shoqërinë, aspiratat e moralin e saj për drejtësi, identitetin e një populli dhe elite që ngul këmbë të rishohë e të riformatojë veten.
Kjo komedi, “Prefekti”, ashtu gjenialisht e mizorisht si është shkruar e interpretuar në skenë, duke u shndërruar në shfaqje brilante dhe pothuaj bestseller, nuk ka asnjë gjasë të ndërpritet ose të korrigjohet edhe për shumë vite të ardhshme. Kjo është një padrejtësi e re, sepse politika që atë e ideoi dhe e plazmoi (jo teatri kombëtar apo aktorët, mes të cilëve edhe talenti i ndritur Robert Ndrenika) nëpërmjet fuqisë magjike të artit dhe duke e shpërdorur atë në mënyrën më cinike, përveç krimit ndaj personit kanë kryer edhe shumë falsifikime historike.
Qazim Mulleti, fanolisti i shquar, me zgjedhjen e tij politike pas pushtimit fashist italian u rreshtua në anën e gabuar të Luftës së Dytë Botërore, por ndërkohë ka kryer edhe mjaft vepra të mira. Për njohjen e këtyre të fundit ka vepruar pasiviteti, shkujdesja, pse jo edhe mendësi ende të ngrira në motin nismëtar të shpëtimit, 1990. Tani, në vitet dymijë, para historisë së vendit dhe kombit të vet Qazim Mulleti është përgjegjës dhe i qortueshëm më pak se ata, përkrahësit e komunizmit stalinist, të cilët në atë përleshje globale me armë qenë në anën e drejtë, por gabuan shumë rëndë më pas. Si një krijesë e pasaktë dhe madje e gënjeshtërt në mjaft nga gjymtyrët e saj prej aktadopi propagandistik, komedia “Prefekti”, nuk ka të drejtën morale të ndikojë akoma, qoftë edhe në masën e vogël të një çike.
Në pamundësi të ndërhyhet administrativisht, çka do të qe shkurtpamje, mes mjaft mënyrave të çliruara nga logjika e mbrapsht politike që e ka thurur, një veprim mund të kryhet mirësisht: sjellja e eshtrave të tij nga magazina e mbyllur e qytezës italiane Roka di Papa në varrezat e Tiranës, të qytetit që e deshi dhe për të cilin punoi me shpirt. Qazim Mulleti i ka të gjitha të drejtat të rikthehet në tokën e atdheut të vet. Të mos harrojmë që në vendin më të bukur të kryeqytetit, në Kodrat e Liqenit Artificial, kemi varrosur ushtarët e oficerët gjermanë dhe me këtë veprim human kemi shkëlqyer.
Sigurisht ky gjest, ku edhe politika e shteti do të dinë të gjejnë përmasën e duhur të prononcimit dhe të pjesëmarrjes, por ku aspak nuk duhet të jenë mungues, do të shkaktojë debat dhe polemika. Kjo do të jetë mundësia më e natyrshme për të bërë të ditur cilat qenë gabimet dhe veprat e vyera të ish-kryebashkiakut dhe prefektit të Tiranës në vitet e pushtimit italian dhe gjerman. Të gjithë do të marrim pjesë në të, historianë, lexues të thjeshtë, gazetarë, politikanë. Po pararegjistrohem edhe unë në këtë punë të dobishme, për derisa, duke filluar nga veprimi i bukur i poetit Gëzim Hajdari, morëm guximin për një “kolaboracionist” të shpallim ato që sapo shkruam më lart. Autori i këtyre radhëve për mjaft kohë ka mbledhur dhe siguruar provat e mjaftueshme.
Po citoj vetëm dy. Në listën e kriminelëve të luftës që menjëherë pas çlirimit të vendit qeveria komuniste u kishte dorëzuar organizatave ndërkombëtare, material në 39 faqe, ka 176 persona. Ajo nis me Mehdi Frashërin, Eqerem Libohovën, Mustafa Krujën, Shefqet Vëllacin, Mitat Frashërin, Xhaferr Devën, Ali Kërlcyrën...Qazim Mulleti është i tridhjetë e nënti. Ja çfarë shkruhet për të, pra ja akuza kundër tij: “Nga fshati Mullet i Tiranës. Duke qenë kundërshtar i Zogut ai emigroi në 1924 dhe jetoi jashtë. Ai e miratoi agresionin fashist italian kundër Shqipërisë dhe u kthye në Shqipëri. U emërua prefekt kuisling i Tiranës. Bëri famë të keqe për operacionet, krimet, aktet e terrorit që kreu në të gjithë zonën e Tiranës. Pas kapitullimit të Italisë ai i vazhdoi funksionet e tij si prefekt i Tiranës dhe njëlloj si më parë ishte dora e djathtë e gjermanëve në aksionet e terrorit dhe në disa ekzekutime në 4 shkurt 1944, 26 shkurt etj”.
Cili zotëron dokumente autentikë, për shembull, që Qazim Mulleti ka marrë pjesë së hakmarrjen terroriste të Xhafer Devës në 4 shkurt mund t’i paraqesë publikisht, ndihmon shumë për të vërtetën. Vetë Enver Hoxha në vitet e mëpasshëm nuk pretendoi që kjo të shkruhej nëpër tekstet mësimore të shkollave.
Ndërkohë në Raportin Final të Vermahtit Gjerman në Shqipëri, viti 1945, në paragrafin “Situata në kryeqytet“ mes të tjerash thuhet “Edhe pse ne ishim në gjëndje të tërhiqnim trupat tona sipas planit, situata në Tiranë qe shumë e tensionuar. Duke filluar që nga fundi i gushtit, të gjitha bandat e armatosura dukej sikur po i drejtoheshin kryeqytetit. Suksesi i tyre këtu ngjante edhe më i lehtë për t\\\'u arritur si rezultat i mosorganizimit të dukshëm të autoriteteve të qeverisë shqiptare. Të gjitha postet drejtuese të administratës shqiptare duheshin plotësuar menjëherë. Prefekti Mulleti, një figurë që nuk i zinim besë, e kishte braktisur postin e tij dhe qe arratisur në Gjermani. Zëvendësi i tij Pekmezi, që cilësohej nga shumë si komunist, do t\\\'i bashkohej më vonë bandave të armatosura gjatë pushtimit të Tiranës“.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com