Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg mbret!?Dy herë gënjeshtër


(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, 11 dhjetor 2011)

Më kot kishim shpresuar që të gjitha mediat tona, të shkruara apo elektronike, do të dinin të shpërfillnin një email të shpërndarë për to në 2 dhjetor prej një të paudhi bashkëkombës, i cili jeton në Kanada dhe që vetëm pak kohë më parë, në muajin tetor, me po të njëjtën mënyrë, nga vrima ku gjarpëron, pati kërcënuar se qeverinë Berisha do ta rrëzonte me forcën e armëve. Nuk duam t’i kujtojmë lexuesit se ky provokacion kryhej ndërsa pozita dhe opozita politike shqiptare patën rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi që të shpejtonin procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, ngjarje të bukur që e pamë edhe të firmoset dje, më 9 dhjetor, në Bruksel.
Që prej kësaj date të 2 dhjetorit mesazhit të lig të personit, emrin e të cilit nuk do ta përdorim thjesht sepse ai popullaritet kërkon, asnjë gazetë apo media elektronike nuk i hapi vend. E papritura, madje çudia, ndodhi dje, në datën dhjetë, pas plot tetë ditësh nga shpërndarja e palodeklaratës. Një prej të përditshmeve, titujt e faqes së parë të së cilës lexohen rregullisht çdo mëngjes nga mbi njëzetë televizione, pati vendosur në faqen e parë dhe me hapësirë pothuaj sa një të tretën e saj, bashkë me një foto të hijshme të heroit tonë kombëtar, edhe titullin shumë germë dukshëm “Duam mbretëri! Pasardhësit e Skënderbeut kërkojnë referendum”. Nuk mungonin në këtë faqe të parë edhe foto e Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, i cili në qershor të këtij viti, bashkë me të shoqen, Stefaninë, erdhën për herë të parë në një vizitë malli për Shqipërinë, si edhe e dy djemve të tyre, Filippo dhe Alessandro.
Në rrethana të tilla, duke qenë se inkurajues i asaj vizite isha unë, por edhe sepse tre vite të shkuara, në 2008, si autor i librit “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, kam parashtruar dhe mbetem mbrojtës i idesë se Kastriotët e mërguar nga atdheu i tyre në Mbretërinë e Napolit, në Itali, në pranverë 1468, të shuar si trashëgimtarë ligjorë megjithatë pasardhës në gjak dhe në prejardhjen gjenetike familjare, gjithnjë vetëm me statusin e një fakti historik dhe kulturor e asnjëherë politik, ende ekzistojnë, më duhet të ndihmoj për sqarimin e të pavërtetës së shpërndarë nga kolegët e të përditshmes, të cilën, për të qenë i drejtë, e lexoj dhe e arkivoj përditë, duke e çmuar për maturinë e saj në marrje-dhënien e informacionit.
Veç këtë herë ajo ka gabuar shumë, rëndë. Shpresojmë për arsye rutinore, dëshire tirazhi me çdo kusht. Duke qenë se Xhorxho Maria Skënderbeut i është kryer një provokacion i tillë në Itali në vitin 1997, tamam kur Shqipëria digjej dhe ndonjë “kurvë krihej”, pra duke ditur se pas ngjarjeve të tilla jo patjetër ka lajthitje të rëndomta, por fshihen interesa okulte, detyrohem të kryej sqarimin e mëposhtëm.
Email-i i ardhur nga vrima e gjarprit në 2 dhjetor edhe në adresën e një miku dhe kolegu tim, u gjet nga ai në postën elektronike në 5 dhjetor, ora nëntë e një çerek e mëngjesit, ditë e hënë. I drejtohej mjaft njerëzve të medias. Iu luta të ma postonte menjëherë. Teksti i mbërritur vetëm pak minuta më vonë qe ky:
SHOQATA “MBROJTJA E TE DREJTAVE CIVILE”
NJOFTIM
Shoqata “Mbrojtja e te Drejtave Civile” permes ketij Njoftimi per
Median mbeshtet kerkesen per te mbajtur nje Referendum popullor mbi
vendosjen e Monarkise Kushtetuese ne Shqiperi, me mbret Lartmadheria
e tij George Maria Castriota Scanderbeg. Theksojme se, pas nje
emigrimi te detyruar 650 vjecar, familja Mbreterore Shqiptare
Kastrioti te kthehet ne Shqiperi, dhe te gezoje te Drejten e Fronit
Mbreteror, Pronat, dhe detyrat shteterore qe rrjedhin nga Froni.

STAFI DREJTUES I SHOQATES “MBROJTJA E TE DREJTAVE CIVILE”
DATA 2 DHJETOR 2011”
Tekstin ua paraqitëm siç erdhi, pa germën “ë” dhe me injorancën historike për të quajturin emigrim 650 vjeçar, sepse po të qe kështu i bie që Gjon Kastrioti Skënderbeu, i lindur në 1455 dhe nisur në ekzil të detyruar në 1468, ta ketë kryer këtë veprim të fundit mbi një shekull më parë, në vitin 1361.
Sigurisht që ajo e cila thuhej në atë lloj “Njoftimi” ishte një mashtrim, sepse dy degët e Kastriotëve në mërgim, mjeku shkencëtar Alessandro Castriota Scanderbeg dhe punonjësi drejtues i një dege Banke në Itali, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg, që prej vitit 2005 e deri tani, kur i kemi shoqëruar në Shqipëri, në konferenca shtypi apo intervista, takime me drejtues institucionesh publike dhe shkencore, në të gjitha veprimtaritë ku kanë marrë pjesë, asnjëherë nuk e kanë shprehur se pretendojnë ndonjë fron. Madje ndryshe nga ndonjë pasardhës fals prej atyre që vjen nga Italia, i cili në Muzeun e Krujës ka bërë foto kujtimi i ulur në fronin e Skënderbeut, të ekspozuar aty, as doktor Alessandro dhe as bankieri Giorgio nuk e kanë kryer këtë gjest. E kanë refuzuar me vendosmëri. Ata janë qytetarë italianë, por ndërkohë shpirtërisht ndihen shqiptarë në rrënjët e origjinës së tyre. Ata qëndrojnë jashtë politikës. Kur e prekin këtë temë ajo shkon gjer në gëzimin e tyre të sinqertë dhe urimin për anëtarësimin tonë sa më të shpejtë në BE.
Në atë të hënë të mbërritjes së njoftimit të gënjeshtërt, në orën 09.59, i nisa Xhorxho Marisë këtë email: “Sapo një e vetthirrur Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile ka komunikuar në media kërkesën e saj për një referendum që ti personalisht të jesh Mbret i Shqipërisë. Tre ditë më parë vdiq Leka Zogu.
Është një provokacion i pastër....Më shkruaj menjëherë çfarë mendon...”
Përgjigja erdhi në orën 14.14: “...Jam në punë, por duke e marrë në konsideratë urgjencën e email-it tënd ia dërgova menjëherë Stefanisë. Në rast se e kam kuptuar mirë Leka Zogu ka ndërruar jetë tre ditë më parë. Para së gjithash i paraqis ngushëllimet e mia familjes dhe po ashtu siguroj, se kurrë, dhe rithem kurrë, nuk kam dhënë ndonjë intervistë rreth mundësisë për të mbajtur ndonjë referendum për të kërkuar dhe marrë ndonjë të drejtë në Shqipëri.
Unë jam një Kastriot Skënderbe, por kurrë nuk kam deklaruar se kam synim të përfitoj të drejtën e shpalljes së një referendumi për t’u bërë mbret i Shqipërisë!!
Imazhi im është po ai të cilin populli shqiptar e ka njohur nëpërmjet medias dhe në përmbajtjen e intervistave, në të gjitha takimet në të gjitha nivelet që kam kryer, të cilat përherë janë bërë me sinqeritet: atdhedashuri, gatishmëri për të dhënë ndihma humanitare dhe krenari që jam përfaqësues i Gjergj Kastriot Skënderbeut....
Sipas teje, në fund të fundit, a të duket e besueshme që një njeri si unë, i cili nuk njeh as gjuhën mëmë shqipe, mund të kërkojë shpalljen e një referendumi për t’u bërë mbret i Shqipërisë? Ylli, shumë i dashur, familja jonë prej afro pesë shekujsh jeton në Itali, nuk e kemi harruar kurrë Shqipërinë dhe origjinën tonë, por jemi aq inteligjentë të qëndrojmë me këmbë mbi tokë dhe të mos shohim ëndrra që nuk janë zakon në familjen tonë.
Rroftë Shqipëria, rroftë Skënderbeu! Republika Shqiptare bëftë përherë përpara! Prej nesh ajo mund do të ketë vetëm një angazhim moral për zhvillimin e saj.
P.S. Mbaj në dijeni se unë nuk njoh dhe nuk jam kontaktuar prej asnjë që vetëthirret “Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave Civile...”

Ylli Polovina

Tiranë, 10 dhjetor 2011, ora 09.43

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com