Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“LAZARATI MAJA-MAJA, QËLLON ZEQUA ME MORTAJA”


70 vjet më parë

(Botuar në “Gazeta Shqiptare”, më 21 korrik 2014 me titullin “Inati i Enver Hoxhës me Lazaratin për ballistët)

Në letërsinë e njësive partizane shqiptare ndodhet edhe libri “Historiku i Brigadës 8-të Sulmuese”. E ka shkruar njëri pjesëtar i saj, tashmë tetëdhjetë e pesë vjeçar, me ende dy copëra predhash në kofshën e majtë: Naxhi Zhupa.
Deri tani është i vetmi libër i këtij lloji i publikuar pas rënies së regjimit të shkuar. U botua në 2002. Arsyeja: edhe pse u shkrua shumë vite para nëntëdhjetës, nuk i pa dot vitrinat e librarive sepse autorit autoritetet përkatëse i bënë disa vërejtje. Duhej, më së pari, të theksonte në hyrje dhe ku tjetër i krijohej mundësia, se brigada “nën udhëheqjen e Partisë e të shokut Enver”....Këtij qortimi Naxhi Zhupa iu përgjigj se nuk kishte shkruar një libër të dobishëm për propagandë, por për të nevojshëm për historinë. Në një farë mënyre këtë pikëpamje të tij ai e ka rishprehur në parathënien e shkurtër të botimit më 2002. Shkruan aty: “Rolin udhëheqës të PKSH në njësi, reparte e nënreparte e kam grupuar në një kapitull me qëllim që materiali të mos kthehet në një histori të vogël partie. Por kjo nuk do të thotë aspak mohimi i asaj të vërtete historike që organizatore dhe udhëheqëse e UNÇSH ishte PKSH”.
Vërejtja e dytë penguese për publikimin e librit kishte të bënte me listat e pjesëtarëve të brigadës. Aty, në çdo post ushtarak apo politik të kishin qenë, përfshiheshin edhe ata që më pas ishin dënuar si “element antiparti” apo nën çdo nofkë tjetër. I rreptë me ndërgjegjen e tij si ish-partizan, më pas oficer i lartë i Ushtrisë Popullore, po ashtu edhe studiues i artit luftarak, Naxhi Zhupa nuk pranoi të hiqte asnjërin prej tyre.
Vërejtja e tretë qe e gatuar prej një xhelozie të zakonshme mediokrish: pse ta shkruaj ai historinë e brigadës, kur atë kohë qe vetëm një partizan 15 vjeçar. Pra, për ta, autoritetet, vetëm një “pionier”.
Por pikërisht sepse është rrëfyer me sinqeritetin dhe përjetimin mbresëlënës e të jashtëzakonshëm të një adoleshenti në moshë, por burri të pjekur në logjikën e vet si edhe në fuqinë depërtuese të analizës, “Historiku i Brigadës 8-të Sulmuese”, është një dëshmi mjaft origjinale e Luftës Nacionalçlirimtare.
Brenda pothuaj një viti njësi e ndodhur në disa prej ngjarjeve më kyçe të kësaj kohe (Kongresi i Përmetit, shpallja e Qeverisë në Berat, çlirimi i Tiranës dhe parakalimi i 28 nëntorit, luftimet në Malin e Zi dhe në Bosnjën Jugore, me një kthim dhe qëndrim në Kosovë, libri përmban në faqet e tij edhe një episod, i cili këto ditë mbush shtatë dekada. Bëhet fjalë për luftimet çliruese të qytetit të Gjirokastrës në 19 korrik 1944. Po ashtu edhe të Lazaratit.
Të dy objektivat nuk u realizuan dhe rrëfimi i kësaj do të përbënte një pengesë tjetër për mosbotim para vitit 1990. Ndërkaq Gjirokastra do të shpëtonte nga pushtimi fashist gjerman dy muaj më vonë, më 18 shtator, sigurisht bashkë me Lazaratin.
Në historishkrimin e sistemit politik të shkuar ky mosrealizim, por që në të vërtetë nuk ishte dështim, do të mbahej vazhdimisht i fshehur. Tek botimi më i fundit zyrtar i saj, “Historia e Shqipërisë”, 1984, me tre vëllime dhe mbi 2200 faqe, gjithçka rrumbullakoset me tekstin e shkurtuar deri në pakuptim: “Brigada VIII u hodh në kundërmësymje më 30 qershor dhe vetëm brenda një dite çliroi të gjitha rajonet përqark Gjirokastrës, hyri në Përmet dhe në Libohovë dhe i goditi armiqtë brenda në qytetin e Gjirokastrës”.
Por ngjarja e vërtetë u zhvillua kështu:
Në mes të korrikut 1944 qe duke u fikur forca e madhe goditëse e operacionit gjerman të qershorit, i të quajturit me kod ushtarak “Kaprolli”, kur Shtabi i Përgjithshëm dhe Enver Hoxha urdhëruan kryerjen e një manovre të madhe kundërsulmuese. Nisi marshimi i disa njësive të rëndësishme partizane të jugut për të kaluar Shkumbinin dhe dëbuar gjermanët nga Shqipëria e Veriut. Po ashtu brigada të tjera me ritëm të lartë fillojnë çlirimin e qyteteve kryesore në Jug të vendit.
Kështu u planëzua dhe u krye përpjekja për të marrë nën kontroll qytetin e Gjirokastrës, çlirimi i të cilit nuk mund të realizohej dot pa dëbuar nga Lazarati mbi dyqind ballistë të fortifikuar aty, shumica vendas, por edhe të disa grupeve të armatosura jo për motive politike, por që ishin thjesht banda. Në Lazarat këtë kohë, prej nënprefekturave fqinje, qenë fshehur edhe disa kriminelë ordinerë. Në një rast njëri prej tyre pati shfarosur një familje të tërë.
Të gjithë këta ishin strehuar në Lazarat për të përfituar mbrojtje politike jo aq shumë nga gjermanët se sa prej Ballit Kombëtar, i cili e kishte këtë qytezë kështjellën e tij më të madhe në krahinë. Lazarati në çdo kohë ka ruajtur epërsinë e të qenit në një pozicion gjeostrategjik për rrugën e komunikimit të dy shteteve dhe vendeve, mes shqiptarëve dhe grekëve. Por në korrik 1944 kjo peshë speciale e tij qe shumëfishuar për shkak të interesit jetik nazist që të mbante të hapët, për tërheqjen e pritshme të trupave të tyre në trojet helene, të rrugës së kthimit drejt Evropës Qendrore dhe Berlinit.
Ndërkohë ishte çasti kur armata partizane, nën komandën ushtarake dhe politike të PKSH-së, bashkë me çlirimin territorial të Shqipërisë, po realizonte edhe asgjësimin luftarak e fizik të rivalëve për pushtet. Në mësymjen për në veri UNÇSH si detyrë me përparësi kishte marrë likuidimin e Legalitetit dhe të Abaz Kupit. Në Jug përparonte asgjësimi (dhe vetëdështimi) i Ballit. E tëra kjo provonte edhe një element tjetër: përveç përpjekjes për ta zotëruar të gjithë pushtetin e pasluftës, PKSH dhe armata e drejtuar prej saj, po vijonin instalimin e sistemit politik bolshevik, sovjetiko-stalinist.
Ishte kjo arsyeja përse në rastin e ngjarjes që po tregojmë dokumenti i Shtabit të Përgjithshëm thoshte “Çlirimi i qytetit të Gjirokastrës do të jetë fitore me rëndësi të veçantë politike për rritjen e autoritetit në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare të shtetit të ri demokratik të themeluar në Kongresin e Përmetit. Dhe ushtarake për prerjen e rrugës së komunikacionit Delvinë-Jorgucat-Kakavie-Greqi që përdorin trupat gjermane të vendosura në Korfuz, Sarandë e Delvinë…”
Marrja në zotërim e qytetit dhe e zonave përreth tij, po ashtu edhe e Lazaratit, qe e domosdoshme edhe për aleatët anglo-amerikanë, të cilët e mbanin veprues qëllimin për t’i coptuar pjesë-pjesë gjermanët dhe penguar të tërhiqen në qendër të kontinentit, ku do t’u sillnin dëme edhe më të mëdha trupave të tyre që prej 6 qershorit patën zbarkuar në Normandinë franceze dhe po i aviteshin kufirit gjerman.
Kështu antifashizmi dhe profashizmi, lufta kundër pushtimit dhe mbështetja e tij, në mes të korrikut 1944 qenë dy alternativat që përplaseshin fare qartas. Diferencimi midis tyre kishte arritur pikën më të lart. Me të parën mënyrë veprimi qenë partizanët, me të dytën gjermanët, mercenarët e armatosur të qeverisë së Tiranës si edhe jo pak njësi të Ballit Kombëtar.
Me të mbërritur direktiva për të sulmuar Gjirokastrën dhe Lazaratin Brigada e 8-të, e cila ishte forca kryesore luftarake për ta kryer aksionin, dërgoi zbuluesit në terren. Të dhënat e grumbulluara thoshin se në qytetin e gurtë gjermanët i kishin përqendruar forcat në Kala, në disa godina të gurta në qendër (hotel Ruajal, Prefektura, Komandatura, Gjimnazi, ish-selia e Ballit Kombëtar, Spitali), në fushë tek Aerodromi si edhe në kryqëzimin e rrugëve që vinin nga Tirana, Janina dhe Saranda. Në këto pozicione kyçe ishin të fortifikuar dhe të armatosur mirë (sidomos me mitraloza të rëndë) forcat gjermane të batalionit II të regjimentit 724. Ky varej nga korpusi XXII me qendër në Janinë. Sipas studiuesit Naxhi Zhupa dhe librit të tij, “Bashkë me ta ishin edhe afro 500 xhandarë qeveritarë si edhe ballistë”.
Në Lazarat, shkruan ai, rrinin të armatosur në mbrojtje të qytezës strategjike për gjermanët, dyqind ballistë. Sipas tij ky kontingjent qe “bashkëpunëtor i etshëm i pushtuesve”. Zhupa nuk është aspak ithtar ideologjik i termave radikalë kundër BK, madje bën mjaft kujdes në to. Por për të dyqind ballistët e Lazaratit atë mes korrik 1944 është i bindur në përcaktimin që përdor. Ai shton se Kalaja në Gjirokastër dhe pjesa hyrëse e Lazaratit me pamje nga rruga nacionale, u jepnin epërsi të madhe mbrojtësve mbi trupat partizane.
Urdhri i veprimit luftarak doli në 17 korrik. Përveç katër batalioneve të Brigadës 8-të do të qe edhe batalioni i parë i Grupit I-rë. Sulmi do të fillonte në mesnatën e 18 për 19-të. Lëvizja drejt objektivave nisi që disa orë më përpara. Batalioni i parë shkoi drejt Lazaratit. Detyra e tij fillimisht nuk qe sulmi mbi qytezë, por bllokimi i rrugës për forcat gjermane që, në ndihmë të atyre në Gjirokastër, mund të vinin nga Janina. Ky batalion kishte një tog me dy mortaja 82 m/m, komandant i të cilës qe Zeqo Malile, një njeri gazmor. Duke qenë se urdhri për të sulmuar dhe çliruar Lazaratin do të jepej vetëm pasi të garantohej zotërimi i Gjirokastrës, Zeqo u porosit që ta bënte dhe mbarte zjarrin e predhave vetëm në qendrat e rezistencës së ballistëve apo të grupeve të armatosura me kriminelë ordinerë, aspak mbi shtëpitë dhe banorët. Në të vërtetë ky urdhër i prerë iu dha edhe të gjithë partizanëve të tjerë, veç merak qe mos gabonte Zeqo Malile. Një gjyle mund të vriste shumë njerëz njëherësh.
Komandanti i togës së mortajave shkëlqeu me precizonin e hedhjes së predhave dhe nga entuziazmi që mbi popullin e thjeshtë nuk u shkaktua asnjë dëm, nisi të këndoheshin vargjet e thurura ato çaste “Lazarati maja-maja, qëllon Zequa me mortaja”.
Beteja për marrjen e qytetit të Gjirokastrës që nga pasmesnata e 19 korrikut 1944 deri në përfundim të ditës përmbajnë brenda vetes episode luftimesh profesionale dhe rrëfimi i tyre, mbështetur mbi librin e ish-partizanit Naxhi Zhupa, do të qe mjaft e dobishme për lexuesin e sotëm, i cili prej një gjysmë shekulli mbeti nën trysninë e glorifikimit propagandistik dhe pas vitit 1990 në atë të konfuzionit dhe mohimit. Veç për arsye hapësire botuese në këtë shkrim përshkrimi i operacionit të katër batalioneve për çlirimin e Gjirokastrës nuk mund të bëhet.
Kur në orën 10.00 u duk se pothuaj e tërë Gjirokastra po u binte në duar komanda partizane urdhëroi njërin nga batalionet që të shkëpuste kontaktin e luftimeve me armiqtë dhe të nisej për në Lazarat. Bashkë me njësinë pararendëse ata e mësynë qytezën me ndikim të fortë ballist, por rezistenca qe tepër e madhe dhe e ashpër. Këtë kohë ranë në pauzë edhe luftimet në Gjirokastër, sepse gjermanët dërguan tek partizanët një delegacion për të biseduar rreth kushteve të dorëzimit. Në të vërtetë ky qe një kurth. Nazistët donin të fitonin kohë. Forcave ndihmëse nga Janina u duheshin për të mbërritur aty 6-8 orë. Të lajmëruara në çastin e duhur autokolona ato momente duhej të qe duke hyrë në kufirin shqiptar.
Komanda partizane e kuptoi grackën, por tashmë ishte vonë. Lajmi i mbërritjes së autokolonës erdhi kur ende po bisedohej. Forcat që po vinin nuk ishin të zakonshme, por vetë Divizioni i Parë Malor, i famshëm në të gjithë Ballkanin për forcën e goditjes.
Dy batalionet partizane në afërsi të Lazaratit e pritën me luftime, madje makinat e para u hodhën në erë nga minat e vendosura me kohë në rrugë dhe të maskuara mjaft mirë. U hap zjarr edhe me të gjitha armët, deri edhe me një antitank. Kështu divizioni special gjerman përkohësisht u tërhoq, por pas një riorganizimi të shpejtë ia doli që me artileri të shumtë, me epërsi numerike dhe i ndihmuar nga dyqind ballistët e Lazaratit, të çajë drejt Gjirokastrës. Forcat gjermane të mbyllura për vetëmbrojtje në vetëm disa pika të qytetit, morën kurajë dhe shpërthyen kundërveprimin.
Kështu tre batalionet partizane të Brigadës së Tetë u futën mes dy zjarresh. Në orët e vona të natës së 19 korrikut, tashmë që raporti i forcave kaloi në favor të pushtuesve, u urdhërua tërheqja e tyre nga Gjirokastra.
Një dokument gjerman me këtë rast do të shënonte “Gjirokastra më datën 19-7-1944 në mëngjes u rrethua nga forca të mëdha të armikut dhe u sulmua në mënyrë koncentrike….”. Më pas: “Mbasi u thye rezistenca qyteti u mor përsëri prej nesh në orën 21 e 45 minuta, pas luftimesh të ashpra nëpër shtëpi… Humbjet nuk janë saktësuar ende…”
Dokumenti tjetër, ai i prefekturës, shkresë rezervat 58/9 e datës 22 korrik 1944, i bënte dijeni qeverisë në Tiranë: “…më 19 korrik 1944 partizanë kryen sulmin e fundit, që ishte nga sulmet më të mëdha e më të përqendruara. Merrnin pjesë 1450 veta të armatosur gjer në dhembë dhe të vendosur për vdekje. Pas një gjysmë ore komunistët mundën të pushtonin disa lagje të qytetit. Lufta vazhdoi 18 orë. Pas ndihmës ushtarake gjermane të ardhur nga Janina, partizanët u tërhoqën, por nuk u larguan m tepër se 5 deri 6 kilometra…Ata po përgatiten për sulme të tjera”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 korrik 2014



.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com