Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FESTIMET E 28 NËNTORIT 1944, NJË BALLO ME MASKA


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 31 gusht 2014)

Pjesa e dytë

28 nëntori gdhiu një ditë e bukur, me qiell pothuaj tërësisht të kaltër dhe me vetëm ndonjë re që hallakatej kot, pastaj, si të qe tollombace, ngecte nëpër shkëmbinjtë e majëmalit të Dajtit.
Tirana qe e gjallëruar si kurrë ndonjëherë. Qytetarët dhe shumë të ardhur nga fshatrat përreth u grumbulluan në buzë të sheshit kryesor, tek Ministritë, por edhe në Bulevardin Musolini, siç quhej ende në kohën e pushtimit italian dhe gjerman, të cilit më pas pushteti i ri do t’ia këmbente emrin me “Dëshmorët e Kombit”.
Në orën 7.30 në Kishën Famullitare Katolike – Shëtitorja e Madhe, kur nisi riti i këndimit liturgjik “Te Deum”, qenë të pranishëm Gjeneral Major Mehmet Shehu si edhe Ing. Llazar Treska, kryetari i pushtetit vendor të kryeqytetit.
Më pas në qiell, të dërguar posaçërisht prej komandës aleate në Bari, fluturuan ultas dhe në mënyrë ceremoniale gjashtë aeroplanë bombardues “Halifax”. Ata shpërndanë fletushka me urime nga vendet e mëdha antifashiste, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përshëndetnin me këtë rast çlirimin e Tiranës si edhe festën e pavarësisë së Shqipërisë. Në vijim të këtij parakalimi ajror të gjashtë aeroplanët anglo-amerikanë në fushën e aviacionit hodhën pako me ushqime.
Me “Te Deum” të Selisë së Shenjtë dhe aeroplanë të demokracive perëndimore, saktësisht sipas programit të komisionit të lartë organizator, pati ardhur rradha e pikës kulmore të festimeve, e vetë superngjarjes: shfaqjes së qeverisë së re dhe të kryeministrit të saj. Kërshëria ndaj këtij personi, për të cilin njerëzit nuk dinin asgjë konkrete dhe më e pakta e tyre pati dëgjuar fjalënaja pa në thelb ndonjë informacion real, qe tepër tunduese. Kryeministri i ri nuk vinte nga emrat e familjeve të njohura, siç më parë Shqipëria, para dhe gjatë pushtimit, i kishte pasur kryetarët e vendit. Zakonisht shpjegimi më i shpeshtë për të rrëfyer origjinën e Enver Hoxhës, qenë fjalët e shkurtra “mësues liceu”.
Erdhi çasti, pra, i paraqitjes së këtij “profesori”, siç herë pas here thirreshin mësuesit e shkollave të mesme.
Largimi nga qielli i Tiranës i gjashtë aeroplanëve anglo-amerikanë, pa u vonuar shumë, u pasua nga 21 të shtëna gjëmimtare topash. Kjo donte të thoshte se Hoxha në krye të një njerëzve të vet, kishte hyrë në Tiranë dhe shumë shpejt do të dukej në sheshin pranë Ministrive dhe prej andej, duke ecur më këmbë dhe banorët e kryeqytetit, do të hipte majë një tribune festive të ngritur para hotel Dajtit.
I nisur nga qyteti i Beratit më 27 nëntor, pasdite ai, bashkë me ministrat, qe strehuar në Elbasan, në hotelin “Moderno”. Prej ballkonit të tij Enver Hoxha u pati mbajtur një fjalim entuziast banorëve të qytetit. Atë natë anëtarët e qeverisë së PKSH-së e kaluan aty dhe në mëngjesin e 28 nëntorit morën, nëpër Qafën e Krrabës, rrugën për në Tiranë. Një kryeartikull tipik i këtyre momenteve, “Pushteti dhe ne”, i cili qe botuar në Buletinin e Luftës Nacionalçlirimtare Nr. 6, mes të tjerash thoshte kështu: “Mijëra vjet zie muarën fund...Sot një epokë e re po çilet. Që sot historia e popullit ndahet më dysh: e kaluara shekullore e zezë dhe e ardhmja e shkëlqyeshme...”
Kur hyri në shtëpitë e para të Tiranës ardhësit me Enver Hoxhën në krye u pritën nga Mehmet Shehu dhe Myslim Peza. Duke u harmonizuar kujdesshëm me njëri-tjetrin ata i shpjeguan kryetarit të qeverisë dhe njëkohësisht kryekomandantit të ushtrisë, se si qe zhvilluar beteja e çlirimit të kryeqytetit. Një çast Mehmet Shehu tregoi me dorë edhe dy tanke italiane, që tashmë po drejtoheshin shkathtësisht prej partizanëve. Më pas, kur u rinisën, Myslim Peza kaloi në krahun e majtë të Hoxhës dhe Omer Nishanit, kurse gjeneral-major Shehu u vendos në rreshtin e dytë. Koçi Xoxe mbeti aje ku që në fillim pati qenë: në radhën e parë, në të djathtë të Enver Hoxhës.
Kështu u formua përfundimisht rreshti më kryesor i grupit udhëheqës të pushtetit të ri, ai më simboliku. Qenë vetëm katër persona: Xoxe, Hoxha, Nishani dhe Peza.
Shefi i Shtabit të UNÇl, gjeneral Spiro Moisiu, ndodhej në rradhë të dytë, ku nuk mungonte edhe Haxhi Lleshi, në qeverinë e re Ministër i Brendshëm. Në rreshtin e mëpasshëm, pra në katërshen e tretë, gjendeshin përfaqësuesit e misioneve ushtarake të vendeve aleate si edhe i dërguari jugosllav. Për shkak të uniformës së tij, një kapeleje dhe xhakete të meshintë piloti, me shenjë në sup flamurin amerikan, mes kësaj katërsheje spikaste një prej përfaqësuesve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptaro-amerikani Thomas Stefan.
Pasi zbritën në buzë të sheshit (“Skënderbej” sot) dhe në fillim të Bulevardit Musolini, pranë xhamisë me minare të këputur prej luftimeve dhe Kullës së Sahatit të goditur dukshëm nga predhat e mortajave, njerëzit e grumbulluar brohoritën menjëherë Enver Hoxhën. Shumica e tyre qenë të organizuar. Ky, shtatlartë dhe me uniformë mjaft elegante, me një rrip brezi “Brajën” dhe yll të kuq të madh mbi kapele, u drejtua për nga Hotel Dajti. Para se të ngjiteshin tek tribuna e stolisur me dafina dhe në fasadë një shqiponjë e madhe me germat VF-LP (“Vdekje fashizmit-Liri Popullit”!) grupit të qeveritarëve të rinj u dolën përpara disa nëna dëshmorësh. Pasi e përqafuan Hoxhën dhe pesë-gjashtë të tjerë e duke uruar “Të na rroni!” dhe “Të na rrojë Shqipëria e lirë!”, u tërhoqën për atje ku i kishin caktuar të ndiqnin ceremoninë: përballë tribunës. Aty pranë qenë edhe një grup grash e të rejash, të veshura me kostume kombëtare.
Pasi u shpalos një flamur kuq e zi dhe Enver Hoxha me të tijtë e nderoi solemnisht, në tribunën me dafina u krye rreshtimi i plotë protokollar. Gjithçka u risistemua, me pamje të qartë në rresht të parë të disa civilëve dhe femrave, por që nuk e ndryshoi aspak treshen Xoxe, Hoxha, Nishani. Nga përfaqësuesit e misioneve ushtarake ndodheshin në pozicione mjaft të dukshme, të rëndësishme jo vetëm majori Ivanov dhe shqiptaro-amerikani Thomas Stefani, përfaqësuesi i Francës, Koloneli Tesjé, por disa interpretues të kësaj ngjarjeje kanë hipur mbi tribunë edhe ata që do të vinin disa muaj më pas, shkurt-mars-prill 1945, kreu i misionit USA, Xhozef Xheikobs, britaniku Gjeneral Brigade Hudson apo edhe Harri Fultz.
Një përshkrim të këtij momenti pesëdhjetë vite më pas, kur ndodhej në burg për motive politike, por që juridikisht u formulua si për shpenzime të tepruara nga buxheti i shtetit (kafe të pira në takime apo pritje zyrtare të ndryshme) në librin e saj “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë, Nexhmije Hoxha shkruan: “Para popullit që buçiste nga brohoritjet, u paraqitën Enver Hoxha, dr. Omer Nishani, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Mehmet Shehu, Medar Shtylla e nuk mbaj mend kush tjetër”. Ndërsa jo pak interpretues të kësaj ngjarjeje ngulin këmbë se Nexhmija gjatë ceremonisë ndodhej në tribunë, në libër ajo pohon qetësisht të kundërtën, çfarë mund të jetë edhe e vërteta: “Unë dhe disa shokë e shoqe e ndoqëm ceremoninë nga ballkoni i hotel “Dajtit”.
Nexhmije Hoxha ka një kujtesë të shkëlqyer dhe të çudit përse, ndërkaq, nuk citon vendosjen e dukshme në tribunë të krerëve të misioneve ushtarake aleate. Ky qe njëri nga tiparet më kryesore të imazhit që PKSH donte t’i jepte festimeve të 28 nëntorit 1944. Doemos ajo nuk përmend as fluturimin e gjashtë avionëve anglo-amerikanë, gjë që e bën edhe Enver Hoxha bashkë me të gjithë historinë zyrtare gjysmë shekullore të para nëntëdhjetës.
Kujtesa e saj brilante e braktis, gjithashtu, tek përshkruan momente tepër mbresëlënëse, ngulitëse në tru, edhe në një rast tjetër. Nexhmije Hoxha shkruan “...kishin ardhur në këtë festë edhe disa nga ata “të mundurit”, që bashkë me mbarimin e luftës kishin humbur pushtetin politik dhe ekonomik, por midis tyre kishte edhe nga ata që nuk e kishin realizuar ende këtë kthesë. Më kujtohet që gjatë ceremonisë, kur në tribunë u ngjitën udhëheqësit e shtetit, ngjau një incident i vogël qesharak. Shohim që në anë të tribunës u ngjitën një...ish-ministër i Zogut, Ferit Vokopola, dhe një tregtar nga Tirana, Ali Bakiu. Unë i njihja të dy. Te tregtari blinim fletore e mjete të tjera shkollore. Po tek ai unë kisha blerë edhe violinën, që i kërkohej çdo nxënëseje që përgatitej të bëhej mësuese. Kurse ish-ministri, ishte babai i një shoqeje të klasës sime. Kur i panë ata, organizatorëve të ceremonisë u erdhi për të qeshur, por edhe u shqetësuan. Tregtari tiranas, në fakt, ishte antifashist, dhe kishte ndihmuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare, dhe ndoshta për këtë arsye ai u lejua të qëndronte, kurse ish-ministrin e Zogut, pasi i folën me mirësjellje se nuk ishte vendi i tij aty, zbriti nga tribuna”.
Por Ali Bakiu në 28 nëntor 1944 nuk qe thjesht një antifashist, por vetë shefi i kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Ai nuk hynte tek të mundurit, sepse luftoi. I takonte të qe njëri prej fitimtarëve. Ai u trajtua si i mundur, në mendësinë e zonjës Hoxha edhe në vitin 1998, kur e botoi librin e saj të kujtimeve, sepse u gjykua dhe u trajtua prej dogmës së ideologjisë që erdhi. Siç i ndodhi edhe Ferit Vokopolës, i cili me pushtimin fashist të vendit e braktisi ushtrimin e politikës dhe u mor tërësisht me studimin e fesë islame të shqiptarëve.
Shkruan sërish zonja Hoxha: “Populli e vështronte me vëmendje të madhe udhëheqësin, Komandantin, për të cilin kish dëgjuar aq shumë gjatë luftës dhe e ndiqte fjalën e tij me entuziazëm të paparë”.
Në bulevardin ende me emrin “Musolini”, pas fjalimit të Enver Hoxhës, u krye parakalimi i njësive partizane, shumica e të cilave të veshur me uniforma angleze. Imazhi anglo-amerikan i 28 nëntorit 1944 me në krye PKSH-në vijonte të sugjestiononte me sukses të plotë. .
Shënojmë me këtë rast se në krye të të gjithë paradës do të qe një vajzë heroike, luftëtare e vjetër e rezistencës antifashiste, Sorka Dhima (Kureta), partizane e Brigadës së Tetë. E panë të gjithë tek parakaloi e para, e përshëndetën të gjithë me gëzim të veçantë, u fotografua po ashtu disa herë. Disa vite më pas, kur kujtohej ky 28 nëntor, pamja e saj edhe u rishfaq. Më vonë u harrua.


Raportimin e festimeve për opinionin publik brenda vendit, por edhe atë jashtë kufijve të tij, Radio-Tirana e kreu nëpërmjet të porsaemëruarve Fatmir Gjata dhe Mark Gurakuqi. Për Associated Press qe Sid Feder, gazetar me rezidencë në Romë. Sipas tij “Duke folur nga tribuna në ballë të hotelit luksoz Sejti [Dajti], i cili ngjan disi me ato të Miami Beach, Hoxha iu drejtua një mase prej 30-40 mijë njerëzish në Bulevardin Musolini në kryeqytetin e parë në Europë të çliruar tërësisht nga partizanët e vet”. Po ashtu Feder raportoi se Hoxha “hyri në qytet duke ecur në këmbë gjatë gjithë gjatësisë së Bulevardit Musolini me stafin, oficerët Aleatë, përfshi edhe Kapitenin Thomas Stefan Laconian ose Laconjan, ndërsa turma hidhte lule dhe brohoriste”. Sipas gazetarit të Associated Press Enver Hoxha “hyri sot në kryeqytetin e çliruar me premtime sfiduese nga kryeministri i ri që Shqipëria është gati të luftojë për të mbrojtur kufijtë e saj jugorë me Greqinë”. Nuk harroi Feder të vinte në dukje se “Hoxha gjithashtu premtoi qeveri demokratike për Shqipërinë”.
Vëzhguesit e 28 nëntorit 1944 kanë vënë në dukje se “Radio reporteri Morris Rozenberg i Degës së Luftës Psikologjike (PËB) të OSS-it llogariste që turma përballë Hotel Dajtit ishte me rreth 30 mijë njerëz. Rozenbergu, në raportin e të njëjtës ditë për radio Barin, shkruan: “Hoxha tha se qeveria do të punojë për rindërtimin e menjëhershëm të vendit me reforma ekonomike, sociale dhe kulturore dhe populli do ta kontrollojë vendin në mënyrë demokratike. Lëvdoi aktet heroike të UNÇSH-së e cila tashmë po përzë gjermanët e fundit nga veri-perëndimi i vendit. I foli popullit për ndihmën e Aleatëve në çlirimin e Shqipërisë nga gjermanët dhe mburri në mënyrë të veçantë Ushtrinë e Kuqe dhe partizanët jugosllavë dhe tha se Shqipëria duhet të jetë aleate me Titon”.
Ndërkohë raportet jomediatike, pra ato të mbyllura, për kanalet zyrtare, vinin në dukje se “Hoxha bëri shumë lëvdata për Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk kishte kontribuar fare për fitoren e partizanëve, dhe mezi përmendi – pa le të falënderonte – Britaninë e Madhe ose Shtetet e Bashkuara që në të vërtetë kishin ndihmuar. Ishte një shenjë e qartë se të gjithë vëmendjen e kishte drejtuar për ta futur vendin në orbitën e Titos dhe Stalinit, larg perëndimit”.


Ndërkaq të porsaardhurit në pushtet, atë 28 nëntor, ditë e shenjtë e shpalljes së pavarësisë kombëtare, do ta çonin deri në fund përpjekjen e tyre për t’i dhënë pamjen perëndimore, idenë e hyrjes së vendit, më në fund, në një sistem demokratik.
Në hotel “Dajti” u dha një pritje e madhe. Në librin e saj Nexhmije Hoxha e përshkruan hollësisht këtë ngjarje, deri në detaje. Pohon se në ceremoni ndodheshin “edhe gjithë misionet aleate në Shqipëri, anglezë, sovjetikë, amerikanë e jugosllavë”.”Gjithë anëtarët e misioneve aleate ishin në qejf, veçanërisht anëtarët e misionit anglez që ishin në numër më të madh. …Bëheshin ca qesharakë, por edhe simpatikë, kur futeshin në mes të valltarëve labë e të tjerë dhe mundoheshin të hidhnin këmbët si ata. …Në këndin ku ishim ulur ne, Enveri e dr. Nishani iu qepën njërit nga përfaqësuesit të misionit anglez për të provuar sa do t’i rezistonte rakisë shqiptare. Për vete, ata të dy e kthyen gotën nja dy herë për festën e madhe, pastaj i thanë garsonit t’ua mbushte gotat me ujë. Kështu, ndërsa ata të dy pinin ujë, anglezi pinte raki deri sa erdhi në qejf e të dy palët qeshnin me gjithë zemër. Mysafiri rezistoi sa rezistoi, por në një moment nuk arriti më as të largohej dhe nxori gjithë ç’i kish barkut atë natë”.
Gjithçka që u bë në atë 28 nëntor 1944, me të vërtetë qe një ballo me maska.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com