Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MASKA ANGLO-AMERIKANE QE VURI ENVER HOXHA NE 28 NENTOR 1944


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 9 nëntor 2014)

Shumë shpejt, vetëm pak muaj pasi Josip Broz Tito kishte marrë pushtetin në Beograd, në 1945, njëri prej funksionarëve të lartë britanikë u shpreh i shtangur prej kursit prostalinist që mori menjëherë qeverisësi i ri i Jugosllavisë. Londra pati investuar për rezistencën partizane të këtij vendi pothuaj dy duzina me misione të SOE, Operacioneve Ekzekutive Speciale, madje pranë shtabit të Titos kishte sjellë, si këshilltar të posaçëm, deri edhe vetë të birin e kryeministrit Çërçill, Randolfin, dhe në të tëra herët, kur binte fjala për sistemin politik pas mbarimit të luftës, Tito qe zotuar pa asnjë mëdyshje se nuk do të krijonte aspak një shtet komunist.
Enver Hoxhën, duke filluar prej 8 nëntorit 1941 e deri në pragvjeshtë 1948 nuk mund ta kuptosh dot pa njohur shumë mirë, deri në hollësi, Josip Broz Titon dhe partinë e tij komuniste. Cili mendon se kryekomunisti shqiptar është krijesë autentike, një bolshevik origjinal, nuk do të gjejë dot prova jo vetëm gjatë “erës Tito” në Shqipëri, por edhe ndaj asaj Stalin.
Kur Hoxha dhe PKSH e vuri në duart e veta të gjithë pushtetin politik në Shqipëri dhe e shpalli këtë në Berat, në 20 tetor 1944, i vuri atij emrin Qeveria Demokratike. Madje botoi edhe një lloj Karte të të Drejtave të Njeriut. Në SHBA presidentët themelues Uashington apo Xheferson nuk kishin bërë më pak. Në Tiranën e rënë në duart e Enver Hoxhës dhe kolegëve të tij mungonte vetëm ngritja e një Statuje të Lirisë.
Kjo pamje e trukuar me shumë kujdes dhe jo pa inteligjencë do të merrte formën më të plotë dhe do të kulmonte në 28 nëntor 1944, kur në kryeqytetin shqiptar do të organizoheshin festimet dhe ku sytë e botës kishin mundësi të shihnin më shumë nga spektakli.
Ja përse në këtë shkrim do të përpiqemi ta deshifrojmë këtë hile të madhe, këtë lojë imazhi.

Zemra rreh për Moskën

Kur PKSH dhe tashmë shefi i saj vendosën që qeveria komuniste të hynte në Tiranë më 28 nëntor balanca e parashikimit për ndarjen e re të rendit botëror, si edhe atij ballkanik, edhe pse dukej si çështje e përfunduar, ende lëkundej nëpër erë si të qe gjethe vjeshte. Dihej fare qartë se Greqia u ishte lënë anglezëve dhe se në drejtim të jugosllavëve kishin epërsi sovjetikët. Shqipëria qe e lidhur pas fatit të fqinjëve të veriut, sepse në fund të fundit jo vetëm që amerikanët nuk kishin ndonjë interes për këtë vend (madje as për tërë gadishullin), por qenë të ftohtë edhe britanikët. Këta pëlqenin që kontrollin mbi trojet e shqiptarëve ta kryenin nëpërmjet Athinës dhe pasionit të saj të vjetër për të marrë dhe përfshirë në shtetin e tyre Vorio Epirin.
Në fund të nëntorit 1944, me pak fjalë, shteti i vogël me kryeqytet Tiranën ishte pothuaj një gropë gjeostrategjike. Dikush do të caktohej për ta mbushur. Gjasat më të shumta i kishte fuqia e madhe me emrin BRSS dhe kryekomunisti botëror Stalini.
Përderisa Lufta e Dytë nuk qe mbyllur dhe për pasojë ndarja zyrtare e zonave të ndikimit nuk ishte marrëveshur përfundimisht, siç bëri Tito në Beograd, veproi edhe Hoxha në Tiranë. Qëndruan pak çaste në pritje. Zemra, në të vërtetë, u rrihte për Moskën.
Në Tiranë e vetmja shenjë e sigurt se po vinin në pushtet mbështetës të komunizmit qe ylli i kuq mbi bustinat e uniformave të partizanëve, të cilët më 17 nëntor patën çliruar kryeqytetin. E mbante në ballë të shndritshëm e të bukur, ditën kur hyri në Tiranë, në paraditen e 28 nëntorit, edhe vetë Enver Hoxha (Por rripin e brezit dhe të krahqafës e kishte markë angleze “Brajën”).
Yllin e kuq e mbante edhe Koçi Xoxja i shkurtër, që i rrinte Hoxhës truplartë në të djathtë apo edhe Mehmet Shehu në rreshtin e dytë. Në grupin qeverisës dhe përfaqësues që erdhi nga Berati njerëzit me shenjën komuniste qenë fare pak. Përveç nacionalistëve të afërt me PKSH, që nuk e mbanin, mes të porsaardhurve ndodheshin edhe misionet e huaja ushtarake.
Sidoqoftë duhet thënë se mes popullit të thjeshtë shenja e yllit të kuq qe mjaft tërheqëse dhe e veçantë. Nuk të alarmonte aspak, në mos të joshte. Edhe amerikanët e kishin simbol kryesor këtë lloj ylli, veç qe i bardhë. Për shqiptarët ngjyra e kuqe brenda pesë cepave krijonte emocion të fortë pëlqimi sepse u kujtonte flamurin e tyre kombëtar dhe gjakun e derdhur për të qenë i lirë.
Ca më shumë nuk u dukej shqetësues sepse prej të porsaardhurve në pushtet, të cilët patën bërë një luftë të vendosur kundër pushtuesve, ylli i kuq me pesë cepa shpjegohej si shenjë e bashkimit të pesë kontinenteve, pra e të gjithë popujve të botës. Duke qenë se kundër fashizmit si rrezik total patën luftuar tërë popujt e globit ai yll në bustinën e Enver Hoxhës kuptohej pak a shumë si një simbol i ngjashëm me atë amerikan, fuqi e madhe aleate antifashiste. Pra linte përshtypjen e një shenje origjinale të ardhur nga Perëndimi.
Përveç atyre pakëve që e dinin mirë se çfarë përmbajtje dramatike ndrynte brenda pesë cepave të tij ai yll i kuq dhe se qe shenjë tërësisht e importuar nga Moska dhe Stalini, në 28 nëntor 1944 mbetej të ishte për shumicën një detaj i vogël aspak shqetësues.
Partizanët, gjithnjë sipas direktivave të PKSH-së dhe modelit sovjetik, nderimin ushtarak e kishin me grusht. Edhe këtë ua shpjegonin luftëtarëve të tyre si edhe mbështetësve nëpër fshatra e qytete, si shprehje të bashkimit të popujve në luftën për liri.
Megjithatë në 28 nëntor 1944, ndërsa trupat e ushtrisë nacionalçlirimtare parakaluan para udhëheqjes së tyre me në krye Enver Hoxhën, para tiranasve si edhe para popullit të grumbulluar, komandantët e njësive nderonin jo si Ushtria e Kuqe, por me pëllëmbë të shtrirë si anglo-amerikanët.

Tre 28 Nëntorë të vendosur sëprapthi

Caktimi i datës së 28 nëntorit si dita kur u shpall çlirimi i Shqipërisë dhe momenti i domosdoshëm kur u bë e ditur para opinionit publik ndërkombëtar se cili qe pushteti i ri politik në Tiranë, nuk ishte vetëm një mënyrë simbolike për t’i dhënë superpeshë kësaj ngjarjeje dhe po ashtu përdorur kapitalin atdhetar që ajo mbante, për të fshehur pas saj shndërrimet e ardhme bolshevike dhe veçanërisht diktaturën e rëndë që pasoi, por edhe sepse në kujtesën kombëtare Dita e Flamurit qe regjistruar edhe me një ndodhi të paharrueshme. Madje të fiksuar me këngë të ngritur nga populli: mbrojtjen që presidenti amerikan Udrou Uillson i kishte bërë sovranitetit të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në 1919, kur u bë ndarja e rendit botëror të pas Luftës së Parë, duke penguar fort projektin e copëtimit dhe asgjësimit të saj.
Do të kalonin vite dhe dekada dhe kjo lidhje e çiltër do të censurohej dhe shfrytëzimi i prestigjit të 28 nëntorit 1912, në 1944, do të kapërcente çdo cak vërtetësie historike. Regjimi do të përmbyste vetë thelbin e raporteve mes këtyre dy 28 Nëntorëve. Në tekstin zyrtar “Historia e Shqipërisë”, pjesa III, Tiranë 1984, shkruhet “Dita e 29 nëntorit 1944, dita e Çlirimit, është dita e fitores më të madhe, që ka arritur populli shqiptar në të gjithë historinë e vet”.
PKSH e kishte futur në radhë, pas vetes, edhe vetë Skënderbeun. Po ashtu edhe burimin, dita e çlirimit të Krujës nga pushtimi otoman, prej ku kjo datë pati fituar cilësinë e të qenit pikë kryesore referimi.
Në një farë mënyre ai i vitit 1944 qe Nëntori i Parë.
Kinostudioja “Shqipëria e Re” në fillim të viteve tetëdhjetë prodhoi një dyserial mjaft të bukur për ditëshpalljen e pavarësimit në 1912 dhe e titulloi “Nëntori i Dytë”. Kështu, të paktën sipas kineastëve, 29 Nëntori 1944 duhej të qe Nëntori i Tretë.
Por, siç paraqitëm më sipër fragmentin zyrtar dhe autoritar të librit të historisë tonë, duke qenë i pari ditëçlirimi 1944, ai i vitit dymbëdhjetë i dyti, i takonte që 28 Nëntori 1443, ai i Gjergj Kastriotit, të ishte i treti.
Tipike logjikë kokëposhtë!
Ndërkohë i ndodhi edhe një përdorim tjetër demagogjik 28 Nëntorit 1944. U shpall në emër të Demokracisë me firmë të Enver Hoxhës: “Me rastin e festës së 28 Nëntorit, me rastin e Çlirimit të Tiranës, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë bënë amnisti të përgjithshme për të gjithë pjesëtarët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit dhe të organizatave të tjera që bashkëpunonin me okupatorin: përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë kriminelët e luftës, ata që kanë vrarë, djegur, çnderuar dhe plaçkitur pasurinë e popullit”.
Kjo maskë në emër të qytetërimit perëndimor do të rrëzohej shumë shpejt, ende pa hyrë viti 1945.

“Në emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë!”

Komisioni për Organizimin e Festës së 28 Nëntorit përfshinte në programin e vet veprimtari në tre pjesë kohore të asaj dite: paradite, pasdreke dhe pasdarke.
Festimet më tresh, si të qenë frymëzuar prej trinitetit të shenjtë, do të vazhdonin pa pushim më 28, 29 dhe 30 nëntor.
Tre do të qenë edhe brigadat kryesore që do të parakalonin. Ishin ato që patën çliruar Tiranën: e Para, e Katërta dhe e Teta. Pritej të vinin nga Shijaku dhe Durrësi disa forca edhe nga e Dhjeta dhe e Dymbëdhjeta.
Ajo që do të ishte edhe më karakteristike për këtë frymë mistike e fetare do të ndodhte në 7.30 të 28 Nëntorit, çfarë qe edhe veprimtaria e parë jo vetëm e asaj dite, por e të gjithë ciklit treditor. Në Kishën Famullitare Katolike – Shëtitorja e Madhe, ku shërbente famullitari Dom Shtjefën Kurti, nisi riti i këndimit liturgjik “Te Deum”. Siç dihet kjo është një këngë e krishterë, e kompozuar në shekullin e katërt prej iliro-arbërit Shën Niketë Dardani.
Qenë të pranishëm Gjeneral Major Mehmet Shehu si edhe Ing. Llazar Treska, kryetari i pushtetit vendor të kryeqytetit.
(Dom Shtjefën Kurti do të dënohej më pas dy herë. Në të parin vetëm me burgim, në të dytin, më 1971, me pushkatim).
Pasi mbaroi ceremonia e krishterë, ende pa shkuar ora nëntë, në qiell, të dërguar posaçërisht prej komandës aleate në Bari, u dukës dhe fluturuan ultas, në mënyrë ceremoniale, gjashtë aeroplanë bombardues “Halifax”. Ata hodhën fletushka me urime nga tre aleatët antifashisté: Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Largimi nga qielli i Tiranës i gjashtë avionëve anglo-amerikanë u pasua nga 21 të shtëna gjëmimtare topash.
Në qendër të kryeqytetit shqiptar tashmë po hynte Enver Hoxha me njerëzit e vet si edhe misionet e huaja, ku në rreshtim binin në sy anglezët dhe amerikanët. Shumë i zhvendosur qe majori sovjetik Ivanov dhe pothuaj të padallueshëm jugosllavët.
Me këtë radhë dukshmërie u vendosën edhe në tribunën para hotel Dajtit.
Në sheshin përballë, ku qe grumbulluar populli dhe prisnin të gatshme të parakalonin kuadratet njëqindëshe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si edhe pas saj, përpara hotel Dajtit, siç edhe i gjeni me foto të ilustruara në këtë shkrim, qenë ngritur flamujt e tre aleatëve të mëdhenj. Duket fare qartë që një dorë e stërvitur për bërë imazh, në bulevard ka ekspozuar si më të madhin flamurin amerikan dhe para “Dajtit” atë britanik.
Kur në mbrëmje nëpër sallat e hotelit do të bëhej darka protokollare, të ftuarit e huaj, të cilëve vetë Enver Hoxha u dha reliev, duke qëndruar mes tyre më shumë se me tërë të huajt e tjerë, qenë britanikët.

Një Sorkadhe flamurtare e paradës

Simboli tjetër i një qytetërimi perëndimor ishte prania në krye të të gjithë trupës ushtarake parakaluese e një partizaneje, gjë tepër e rrallë edhe në vende të tjera të Evropës. Për shembull në Itali, kur pas 8 shtatorit 1943 e deri në përfundim të Luftës u organizua një rezistencë e fortë kundër fashistëve vendas dhe atyre gjermanë, në parakalimet e çlirimit nëpër qytetet kryesore u shmangën femrat partizane jo vetëm nga pozicione të dukshme, por edhe thjesht brenda rreshtave.
Arsyeja qe se nga një pjesë e opinionit konsideroheshin si të pakujdesura për moralin e tyre, madje si të dyshimta, vajza që kishin dalë në mal për të bërë qejf, seks dhe orgji.
Rivalët e PKSH, disa eksponentë të Ballit Kombëtar, u përpoqën ta shfrytëzonin vullnetarizmin e shqiptareve të reja për t’u rreshtuar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare duke e denoncuar si një formë putanerie. Ata shpesh hidhnin me romuz, në ngjashmëri me parullat partizane “Vdekje fashizmit!” dhe “Liri popullit!” edhe një të sajuar provokueshëm prej tyre: “Liri çupave!”
Por për mjaft arsye, mbi të gjitha sepse e vërteta qe se ato vajza rreshtoheshin në çetat partizane vetëm për të çliruar atdheun e tyre, por edhe prej disiplinës së hekurt që ekzistonte si edhe dënimin e ashpër që merrte çdo shfaqje imoraliteti, prestigji i femrave vullnetare qe aq fort i lartë saqë personi që, në pesëshen e parë, mbante flamurin kombëtar dhe konsiderohej kreu i paradës, u caktua Sorka Dhima.
Shtatlartë dhe e bukur, një nga trimet më të mëdha të Brigadës së Tetë, ku bënte pjesë, luftëtare e vijës së parë si edhe yll i dinjitetit moral, ajo që prej këtij çasti sublim do të mbetej në një këngë të ngritur nga njësia e saj ushtarake:
“Kush ishte flamurtarja me flamur,
Që zbriti si sorkadhe gur më gur?
E me të shtëna pushke malet mati,
Nga Zagori e saj tek Vishegradi.
Ajo që shkeli kryqet hitleriane,
Dhe priu ndër betejat partizane.
Në bash të luftës ish, në luftë s’ra,
Dhe emrin Sorka nga sorkadhja e ka”.
Sorka Dhima (Kureta, kur u martua), e paraqitur me një foto në këtë shkrim, nuk jeton më.
Çuditërisht pamja e saj në krye të paradës së 28 nëntorit 1944 u duk edhe për disa vite e pastaj u zhduk. Propaganda e regjimit e harroi. Më saktë nuk kishte më nevojë imazhi prej saj.
I duhej vetëm për 28 nëntorin 1944.
Ato çaste mbi tiparet e diktaturës së ashpër e të zymtë që po vinte, duhej të qëndronte maska anglo-amerikane e Perëndimit.

Ylli Polovina

Tiranë, më 4 nëntor 2014


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com