Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

RRËFIMET E BALLISTIT TË “KUQ”


(Botuar në gazetën “Shqip” më 14 mars 2015)

Pjesa e parë

Ndërsa bisedon me Avni Bejkovën nuk mund të bësh sikur nuk e përfill një deklaratë të tij, që enkas e përsërit: “Sa më shumë kohë shkon aq më tepër ballist bëhem”.
Për ta pohuar dhe mbrojtur këtë bindje ai ka pasur të gjitha vitet e mjaftueshme. Në 18 dhjetorin e kaluar mbushi nëntëdhjetë vjeç.
Ndërkohë Avni Bejkova zotëron një inteligjencë të bollshme për të kuptuar ngritje-uljet karakteristike të shoqërisë shqiptare. Po ashtu është shumë i zhdërvjellët për të mos u fundosur nëpër dallgët e saj të çoroditura dhe të dalë përherë mbi ujë.
Për nga natyra Avni Bejkova është tip triumfues, mendërisht dhe fizikisht. Edhe pse që në rininë e hershme i goditur nga një tuberkoloz i rëndë e tashmë i mbetur “me një çerek mushkrie”, ai vazhdon çdo ditë të dalë nga shtëpia. Bën nga pak jetë publike. Së paku, shkon në një kafene tek rruga “Sami Frashëri”, ku përzihet me miq të vet, të cilët për nga larmia e tyre ideologjike të bëjnë mjaft përshtypje. Siç të lë mbresë që aty nuk mungon Uran Kostreci, autor librash, sidomos i novelës “Pabesia”, ku dëshmohet persekutimi i një ballisti që kishte luftuar me armë jo vetëm italianët, por edhe gjermanët (Syrja Qafëzezi).
“Sa më shumë vite shkojnë aq më tepër ballist bëhem” mund ta kuptosh (ta pranosh apo jo është tjetër gjë) vetëm po të bisedosh disa herë me atë nëntë dekadësh. Avni Bejkova ka mprehtësinë për të bërë dallimin mes të mundurit dhe të dështuarit. Sepse të ndodh të mundesh, por kjo nuk do të thotë se ke dështuar. Madje të ndodh të mundesh dhe njëkohësisht të dështosh, por jo të kesh falimentuar.
Në një farë mënyre për Avni Bejkovën Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore u mund nga komunistët, por kauza e saj nuk pësoi as disfatë dhe as faliment.
Me disa muaj të rinisë së hershme, gjatë vitit 1942, simpatizant i ideve komuniste dhe më pas me vetëdijë të plotë i reshtuar në radhët e Ballit Kombëtar, Avni Bejkova përbën një rast mjaft domethënës për të kuptuar sa më plotë atë gjendje të ndërlikuar dhe të bërë lëmsh, e cila ndodhi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Si edhe më pas, patjetër, kur një dhunë sistematike, tepër e ashpër, dogmatike dhe brutale, përherë në rritje, duke mos pushuar gjatë gjithë pesë dekadëshit stalinist, ra mbi ndjekësit e dikurshëm të organizatës balliste. Duke i bërë të vuanin në tre gjenerata, ndërsa mund të ngjante e kundërta: hakmarrja ideologjike e kohës së luftës pas saj të zbutej gradualisht. Vëllavrasja e dikurshme të shndërrohej në vëlladashje.
Mirëpo sepse u ndodhi e anasjella e asaj që ka logjika e dinamikës së historisë, u dhunuan dhe u martirizuan në kohë paqeje, e drejta kaloi me ta.

ooo

Kolonja pranë Korçës është si Skrapari me Beratin apo Labëria me Vlorën: territore dhe popullsi krahinore me vullnet për protagonizëm politik më të madh se metropolet e tyre. Gjatë viteve tridhjetë të shekullit të shkuar në Ersekë kishte një dyqan-librari. Atje lexohej shtypi i ditës dhe mblidheshin intelektulët e qytetit. Vinin edhe veprimtarë të shumtë të fshatrave.
Kufiri grek qe fare afër. Kalonte si një rrymë elektrike mijravoltësh nëpër kuriz të malit të Gramozit, duke e bërë jo vetëm atë masiv, por gjithçka përreth të dridhej herë pas herë. Prej kësaj atmosfere përleshjeje të vazhdueshme me fqinjin tokëzgjerues, mbi Kolonjë qëndronte i tendosur ditënatë mobilizimi për t’i bërë atij ballë.
Pronari i dyqan-librarisë së Ersekës ishte Zenel Bejkova, i ati i Avniut.
Qe nip i Sali Butkës, në ato vise legjendë e mbrojtjes së kufirit amtar. Kur Sali Butka kishte një vit me eshtrat që i flinin në nëndhe, ndërsa vështrimi i kolonjarëve vazhdonte të qëndronte i ngulitur në majë të Gramozit, rreziku Shqipërisë i erdhi nga krahu i kundërt: prej detit. Në Ersekë demonstratat antiitaliane nisën më 5 prill 1939. Bashkë me qytetarët dhe banorë të fshatrave në rreshtat e para të tyre manifestonin edhe nxënësit e shkollës. Ajo vërtet nuk qe e mesme, por ata konsideroheshin si studentë të vegjël, ca më shumë të rëndësishëm sepse kishin edhe një konvikt me 150 të ardhur nga disa vise të vendit, sidomos prej Kosovës. Po ashtu kosovar ishte edhe drejtori i shkollës. Quhej Sadri Pejani. Qe i vëllai i Bedri Pejanit, nacionalistit që u bë kryetari i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Në 6 prill protestuesit kolonjarë u mblodhën tek bashkia. Folën tre vetë: një agronom, një avokat dhe një nëpunës. Ky i fundit ishte gjysh i Thaçit që sot merret me sipërmarrjen e naftës.
Folën njëmijë gjëra kundër Duçes. Pranë turmës së zëmëruar xhandarë në gjendje gatishmërie besonin se nga çasti në çast prej Naltmadhënisë do t’u vinte urdhri për të shkuar në mbrojtje të Shqipërisë. Prisnin makinat t’u vinin për t’i çuar nëpër pozicione, në bregdet. Përveç pushkëve që të gjithë mbanin hedhur mbi sup edhe një batanije.
Por ra nata e 6 prillit për t’u pasuar nga shtata dhe kamionët nuk u dukën. Të shkretët ata xhandarë sa u pikonte në zemër tek rrinin duarkryq!
Në shtatë prill aeroplanët luftarakë italianë fluturuan kërcënueshëm edhe mbi Kolonjë. Avni Bejkova, vetëm një katërmbëdhjetëvjeçar trupimtë, nisi, si shumë, të qajë me ngashërimë. Ishte një pushtim me paburrëri të dyfishtë: nga Roma, por edhe prej Tiranës, e cila iu shmang ndeshjes totale.
Njëmijë e nëntëqind e dyzeta dhe viti pasardhës kaluan duke ua shprehur protestën italianëve në një mënyrë krej të papritur: me mosangazhim në luftën kundër armikut historik të krahinës, Greqisë. Kolonjarët ato çaste kishin shpallur si akoma më të egër nga grekët fashizmin musolinian.
Sepse donte ta luftonte me armë dhe vendosmërisht Avni Bejkova u bashkua me ndjekësit e Partisë Komuniste Shqiptare. Nëpër vitin 1942 mblodhi ndihma për partizanët, veshje dhe ushqime. Atë kohë në popullin e thjeshtë për komunizmin sundonte idea se me të do të kishte një të ardhme lirie dhe mirëqenieje. Gjatë njëmijë e nëntëqind dyzetë e dyshit keq flitej për bashkëpunuesit me fashistët italianë, për Mustafa Krujën, Shefqet Vërlacin apo Xhaferr Ypin. Atë kohë gjithashtu kishte një emër të famshëm për trimëri me armë dhe shqiptarizëm: Abaz Kupi, i shumënjohur me emrin popullor Bazi i Canes.
Shfaqja në fundnëntor 1942 të emrit karizmatik Mitat Frashëri në krye të organizatës së tij patriotike Balli Kombëtar, e bëri të riun Avni Bejkova të ndiqte vetorientimin spontan: iku prej komunistëve dhe u bashkua me partinë e re. Por më parë këtë gjë e pati bërë i ati. Gjatë vitit 1943 Safet Butka, i cili sapo qe kthyer prej një internimi të gjatë në ishullin Ventontene, krijoi disa çeta nacionaliste. Zenel Bejkovën e ftoi të bëhej arkëtari i Ballit Kombëtar për tërë Kolonjën. Ky pranoi. Ndërkohë Safet Butka asnjëherë nuk ia qortoi të birin, Avniun, pse ishte bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe PKSH.

ooo

Avni Bejkova thotë se “shumica jonë po ta dinin se do të bënin burg aq sa bënë, me siguri do të vrisnin veten”.
Në familjen e tij këto vite të mbrapësht nisën me të atin. Për ironi të fatit në dyqanlibrarinë pluraliste të Zenelit huante fashikuj romanesh, duke filluar nga “Konti i Monte Kristos”, edhe ai që do të ishte një nga më të dhunshmit e diktaturës: Nevzat Haznedari. Nuk mungonte edhe një tjetër i ashpër, por i zgjuar: Myftar Tare.
Të atin e arrestuan sapo kapërceu 1944-ta dhe nisi moti pasardhës. Qe mënxyrë për Vit të Ri, në emër të Shqipërisë së Re. Nga Erseka Zenel Bejkovën e çuan në Korçë, ku funksiononte njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, si të ishte fabrikë me tre turne, një komision për krimet e luftës. Qe muaji maj i atij viti, 1945, kur u vendos se tashmë ishte koha e duhur t’i bëhej gjyqi. Bashkë me ballistë të tjerë kolonjarë i rikthyen në Ersekë. Dënimi do të jepej dhe shpallej atje, në vendlindje.
Salla ndodhej tek kazerma. Pjesëmarrësit mblidheshin në mënyrë të organizuar. Mes tyre nuk mungonte edhe një grup, i cili të pranguarit, tek hynin për t’u gjykuar, i qëllonte me vezë dhe domate të prishura. Po ashtu nuk pushonin edhe thirrësit e porositur: “Në litar, në litar!”
Veç në këtë skenë tronditëse Avniu nuk do të ishte i pranishëm. E patën arrestuar një javë më parë, saktësisht në 23 maj. Madje brenda atyre ditëve, rrufeshëm, edhe e kishin dënuar. Kur bëhej gjyqi i të atit në Ersekë, në Korçë i biri tashmë qe i dënuar me vdekje.
Kur e arrestuan ndodhej bashkë me të vëllanë më të vogël, Hasanin, të mbetur të dy jashtë sallës ku do të zhvillohej gjyqi për një grup tjetër nacionalistësh. Nuk i lejuan të hynin. Kur erdhën Muhamet Prodani dhe Sabri Pilkati qe akoma aty. Me Sabriun ishte jo vetëm bashkëmoshatar, por edhe shok.
Dy autoritetet komuniste e panë Avni Bejkovën dhe ndërsa ky priste në mos t’i hidhnin duart në qafë apo t’i shtrëngonin njëri-tjetrit pëllëmbët e duarve, të paktën ta përshendesnin me ndonjë fjalë mirësjelljeje, ata e shmangën takimin. U futën me ngut në sallë.
Nuk kaluan as pesë minuta kur tek dera erdhën dy ushtarë të Mbrojtjes dhe iu drejtuan: “Ti do të vish me ne!”
E morën para syve të ngrirë nga tmerri të të vëllait katërmbëdhjetëvjeçar dhe e çuan në komandën e vendit. E futën në birucë. Kaloi katër ditë pa asnjë hetim. Burgu i pushtetit të ri nuk garantonte ushqim dhe këtë ia sillte e jëma. Por ndërkohë përballë birucës së Avniut ndodhej grupi i ballistëve që po gjykohej aty, në Ersekë, ditën kur e arrestuan. Qenë tetë vetë. E ftonin përherë të hante bukë me ta.
Ditën e pestë, ndërsa grupi i ballistëve ishte dënuar, pjesa më e madhe me pushkatim, erdhi një kamion nga Korça me një grup tjetër. Mes tyre qe edhe i ati. Ishte ky, i cili i kërkoi komandës ta lejonin të takohej me të birin. Nëpërmjet një vrime të vogël të hapur në një derë u panë me njëri-tjetrin për vetëm tre minuta. Pothuaj nuk folën. Donin vetëm të ndiheshin afër.
Po atë ditë, me kamionin që solli babanë dhe ballistët e tjerë, bashkë me ata që u gjykuan dhe riktheheshin në burgun e Korçës, shkoi edhe ai. Pak pasi mbërriti e çuan në komandën e divizionit të Mbrojtjes. Këtu shumë shpejt të grumbulluarit e rinj për hetim dhe gjykim të shpejtë u bënë dyzetë ballistë. Atë e vendosën në një grup me pesëmbëdhjetë vetë.
Kur e thirrën për hetim, në tavolinë, në mes të disa oficerëve, qëndronte Sabri Pilkati. Me detyrën e kryetarit të hetuesisë ky nisi ta pyeste me ton të ashpër. “Ja do puna”, tha me vete Avni Bejkova. Pyetja e parë: “Ke thënë pse kërkojmë që Trieste t’i kthehet Jugosllavisë dhe jo Kosova Shqipërisë!” “E kam thënë”, iu përgjigj. “Patriot ti, qen! Por ke edhe plot të tjera! Je shprehur për ne se “këta për pak ditë janë”.
Kur i mbaroi pyetjet hynë dy shtatlartë e muskulozë. Ndërsa një i tretë ia lidhi Avni Bejkovës këmbët me rrip dyfeku, këta, gjithsecili me nga një hu, nisën ta goditnin në shputat e këmbëve. Pas pak minutash ato u nxinë deri në kupë të gjurit. Pastaj ngjyra e zezë e pragvdekjes u ngjit më lart. Rrahja vazhdoi dy apo tre orë e ndoshta më shumë. Dy trupfuqishmit i binin me hu, pastaj i hidhnin një teneqe me ujë të ftohtë e sërish e goditnin.
Natën e dytë i vunë përpara një tridhjetëvjeçar nga Vlusha e Përmetit. E kishin rrahur rëndë edhe atë. Do të qe dëshmitar për çfarë Avni Bejkova pati thënë. Por ky shumicën e akuzave i mohoi. Atëherë e shtrinë përdhe, i lidhën këmbët me rrip dyfeku dhe filloi goditja me hu. Me sytë e zgurdulluar nga dhimbja dhe tmerri, si të donte t’i lutej për mirëkuptim përse nuk mund të duronte dot më, ai shihte nga Avniu. “Thuaj çfarë të duash, i tha ky, shpëto shpirtin!”
Kështu erdhi dita e gjyqit, por Avni Bejkova nuk e kishte firmosur procesverbalin. Në sallë, si gjysma e parë e pesëmbëdhjetëshes së tyre, ishin tetë nacionalistë të akuzuar, që të gjithë të lidhur në mënyrë të dyfishtë, secilin me pranga dhe të tërë bashkë një pas një me të njëjtin litar të gjatë. Ishte mesditë. Avniut menjëherë iu afruan dy prej të arrestuarve, djem të rinj. Njëri quhej Lec Ndreca, muzikant nga Shkodra dhe tjetri Faik Tartari, djali i një avokati nga Tirana. I thanë me pothuaj pëshpërimë: “Ne do të vdesim, por duam që ti të shpëtosh. Ruaju nga ai!” Dhe treguan njërin prej të lidhurve. I dyshimti, me moshë rreth të njëzetave, iu avit Avni Bejkovës dhe nisi t’i bërbëlisë: “Unë akuzohem siç ju akuzojnë edhe juve. Pranova gjithçka më thanë ata”. Por e mori menjëherë përgjigjen: “Nuk kam çfarë pranoj, sepse nuk kam bërë gjë”.
Sapo mbaruan këto pak fjalë tek dera e sallës u shfaq prokurori Ziqiri Merjo, me gradën kapiten. Pyeti menjëherë “Kush është Avni Bejkova?” Pastaj: “Ti je i vendosur të heshtësh, por do të bëjmë ne të flasësh”.
Kur hyri trupi gjykues me kryetar Irakli Bozgo, ky e pyeti nëse gjithçka ishte gati. “Ende jo”, pohoi Sabri Pilkati dhe shpjegoi se njëri prej të akuzuarve ende nuk kishte firmosur. Bozgo i hodhi sytë dhe fjalët nga Avni Bejkova: “Fytyrë e poshtër! Je i rrezikshëm!”
E shtyu seancën gjyqësore për në mbrëmje. Pilkati ndërkohë urdhëroi të tijtë: “Merreni në pyetje, por mos e rrihni më!” E zgjidhën nga nyjet e litarit të gjatë, aq shumë i koklavitur sa u desh një gjysmë orë që nyja të shthurrej dhe ta lëshonte.
Pasdite bënë gjithçka që Avni Bejkova të firmoste një procesverbal tjetër, më të zbutur, i cili gjithsesi nuk e çlironte nga akuzat e mëparshme dhe për pasojë nga rreziku të dënohej me vdekje, por ai nuk pranoi. “Nuk dua të më vrisni me duart e mia!”, u tha. E hodhi firmën vetëm në një variant të hartuar siç deshte ai. Gjithçka u mbyll pak minuta para se të niste seanca gjyqësore.
Kur të tetët, njëkohësisht të lidhur secili me pranga dhe të gjithë njëri pas tjetrit me një litar, dolën para Irakli Bozgos, nëpër biruca, por edhe tashmë në tavolinën përballë, kishin vënë kopje të gazetës “Bashkimi”. Në faqen e parë të saj shkruhej për pushkatimin e ballistëve të gjykuar dhe të dënuar në Ersekë ditën kur Avniun e arrestuan.
Shumica e të akuzuarve nga grupi i tyre atë mbrëmje të vonë të Korçës prej torturave të mëdha fizike dhe nga lajmi që posaçërisht për terror psikologjik u ishte vënë para syve, e humbën shpirtin e qendresës dhe nuk u mbrojtën dot. Por Avni Bejkova gjeti fuqi dhe ia doli. Nuk i mbyllej goja. Gjykatësi bërtiste “Pusho!”, “Mos u ngri pa leje!”, “Mos fol, qen!”, por ai nuk u tund nga pohimi i tij se “Me Ballin kam qenë simpatizant, por jo ushtar aktiv”. Në të vërtetë në çetën e Safet Butkës dhe më vonë, pas vetëvrasjes së tij, në batalionin nacionalist që i mbante emrin, pati punuar në zyrën e propagandës.
Në grupin që u gjykua atë natë ishte edhe Fahredin Angoni. Ai kishte qenë në Korçë drejtor i revistës letrare dhe politike të qytetit “Fryma”, me platformë afër nacionalistëve.
“Do të bëj edhe një pyetje”, i tha Irakli Bozgo një çast Fahredin Angonit: Tradhtoi Balli?” Tjetri u përgjigj: ”Balli nuk tradhtoi. Balli dështoi në misionin e tij”. “Si, si e the, more qen?”, thirri Bozgo. Pastaj iu drejtua sekretarit të gjyqit: “Shkruaje fjalë për fjalë këtë që tha!” “Ta them edhe njëherë”, shtoi Fahredini dhe vijoi: “Ne u përpoqëm për mirë. Kishim disa objektiva, madje programi ynë ishte i majtë, socialdemokrat, por dështuam. Fituat ju. Ju fituat, ne humbëm, këtu është ndryshimi”.
“Qen, lëshoi zërin tjetri, edhe këtu mbron rrugën e tradhtisë!”
Kur prokurori Zeqiri Mero do të jepte pretencën tha papritur se i dhimbte koka dhe se gjyqi duhej të shtyhej për të nesërmen në mëngjes. Kështu të akuzuarit i çuan në birucë dhe kur sapo u hap dita e re i lidhën sërish me pranga dhe me litar.
U dha vendimi: prej tetë vetëve shtatë dënoheshin me vdekje. Mes tyre edhe Avni Bejkova.
Për Fahredin Angonin prokurori kërkoi 101, jo pushkatim, por gjyqtari i dha me vdekje. Bozgo dhe Angoni kishin qenë shokë klase në Liceun e Korçës.
Kur u shqipua edhe për të vendimi i dënimit me pushkatim Avniu çuditërisht nuk ndjeu as panik dhe as frikë. Pa nga salla e mbushur me disa dyzina oficerësh dhe asnjë civil, dhe dalloi midis tyre një vajzë të re. Ishte shumë e bukur. Ndoshta qe e fejuara e ndonjë ushtaraku të pranishëm. Shihte atë dhe nuk po e kuptonte dot veten. Sapo i ishte dhënë kobi, i qe shpallur fundi i jetës dhe atij i mbetën sytë tek vajza e hijshme!?
Çfarë po ngjet kështu me mua, i thirri i shtangur brenda vetes. E bukura përballë ia nguli edhe ajo vështrimin. Vetëm për një çast. Pastaj i hoqi sytë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com