Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

RRËFIMET E “BALLISTIT TË KUQ”


(Botuar në gazetën “Shqip” më 15 mars 2015)

Pjesa e dytë

(Vijon nga numri i kaluar)

Të porsadënuarit i rikthyen në burg. Ata që ishin me vdekje, pa ja hequr as prangat dhe as zgjidhur nyjet e litarit, i ndanë në një birucë më vete. Në qelinë fqinjë vendosën ata që nuk do të vriteshin. Të nesërmen ndodhi çudia. Avni Bejkovën bashkë me një tjetër e hoqën nga lista e të pushkatuarve. Përfundimisht qe dënuar me 101. Nga dhomat e izolimit të Divizionit të Mbrojtjes e dërguan menjëherë në burgun e madh të Korçës.
Ndërkaq për Fahredin Angonin u hapën fjalë se një ditë pati shkuar i biri për të ditur si qe i ati dhe autoritetet e përcollën pa i dhënë asnjë lajm. Pasi e pushkatuan u kujtuan të thërritnin të shoqen. Ia thanë çfarë pati ndodhur. Ajo e ngratë pak ditë më parë kishte parë rastësisht një kamion me ushtarakë dhe në mes të tyre civilë dhe vetëtimthi iu bë se njeri prej këtyre i ngriti dorën. Pati bërë një shenjë që donte të thoshte se po e çonin për ta vrarë. Por e shoqja nuk e kishte kuptuar dot. Apo shpirti i saj nuk donte ta besonte.
Po si u vranë ata të gjashtët?
Në 1946 Avni Bejkovën e dërguan në burgun e Burrelit. Pas dy vitesh, më 1948, sollën aty si të dënuar një ushtar nga Kolonja. Quhej Ali Barmaçi. Një ditë Avniu e gjeti tek bisedonte me shokë të tij dhe po u tregonte pikërisht pushkatimin e grupit ballist ku kishte qenë edhe ai bashkë me Fahredin Angonin.
Të gjashtët i çuan në Pogradec. I ndalën në periferi të tij, tek vendi i quajtur “Gështenjat e Dhervackës”. I vunë në vendin ku do të goditeshin me plumba. Pastaj u munduan t’i kthenin në shpinë. Ky ishte rregulli zyrtar i pushkatimit për tradhtarët e atdheut. Ata nuk pranuan. U përpoqën edhe njëherë tjetër, por të gjashtët nuk e kthyen shpinën. Madje të revoltuar nga poshtërrimi që po u bëhej, filluan të përlesheshin me ushtarët e Mbrojtjes.
Më në fund këta iu bindën dëshirës dhe vullnetit të ballistëve që të mos i vrisnin në shpinë. Pastaj shtinë mbi ta. Ndërsa trupat ranë pa jetë prokurori, një djalë më pak se njëzetëvjeçar, u dha secilit një për një goditjen e sigurisë. Ali Barmaçi tregonte i tronditur se kur prokurori u binte kufomave me plumb kokës ajo hidhej përpjetë.
Pas kësaj pushkatuesit i patën marrë të vdekurit dhe hedhur në një gropë ku pati punuar për shumë kohë një sharrë. Gropa qe e mbushur me tallash. Mbi trupat hodhën edhe ca dhe.
Kur në 1960 Avni Bejkova, tuberkoloz i rëndë kronik, do të dilte nga burgu, verifikoi edhe njëherë në kujtesën e vet nëse kishte regjistruar saktësisht vendin e vrasjes së të gjashtëve. Pas vitit 1990 gjithçka e ruajtur iu desh për të ndihmuar në nxjerrjen nga gropa e tallashdheut e eshtrave të tyre dhe për t’i strehuar në varre normalë njerëzorë, gjithsecilit në qytetet pranë familjeve.

ooo

Për Zenel Bejkovën, arkëtarin e Ballit Kombëtar për Kolonjën, prokurori kërkoi dënimin me 101. Gjykatësi nguli këmbë: me pushkatim. Pas kësaj rregulli e donte që për vendimin përfundimtar të pritej miratimi ose jo nga organet e larta të Tiranës.
Dënimi me 101 donte të thoshte të mos dilje kurrë nga burgu, por në shtëpinë Bejkova bashkëshortja e Zenelit, Zyraja, gjithsesi ndau llokume. Kur e mësoi lajmin se krahas pushkatimit të kërkuar nga gjykatësi prokurori ngulte këmbë për mosvrasje, në burgun e Korçës edhe Avniu ndjeu pothuaj ngazëllim. Për të qe sikur ato çaste edhe atij vetë t’i thoshin “Shko në shtëpi, je i liruar!”
Ndërkohë për ta shpëtuar Zenel Bejkovën nga dënimi me vdekje patën ndërhyrë menjëherë dy persona me autoritet në pushtetin e ri, miq të familjes. Njëri qe komandanti partizan me emër të spikatur Riza Kodheli, tjetri djali i madh i Sali Butkës, Muharremi, komunist i hershëm dhe shumë i njohur në teritorin e Korçë-Kolonjës. Po ashtu për të shpëtuar nga pushkatimi Zenelin u mobilizua shpirtgjerësisht edhe e shoqja e tij, Emineja, luftëtare e njohur e rezistencës antifashiste.
Madje të dy këta të fundit, burrë e grua, për të ndaluar zbatimin e vendimit të gjykatësit, patën shkuar deri edhe tek Enver Hoxha. Ky i kishte pritur mirë. Nuk u pati premtuar gjë, por lutjen e tyre e mbajti shënim, duke u thënë “Do të interesohem”.
Pikërisht atë ditëtakimi me Hoxhën, ndërsa po zbrisnin të gëzuar shkallët e kryeministrisë, u shkëmbyen me Myftar Taren. Ky po ngjitej sipër. “Po qe se keni ardhur për Zenel Bejkovën, u tha, e keni kot. Ai nuk shpëton”.
Tare, prokuror i përgjithshëm ushtarak për krahinën e Korçës dhe më vonë zëvendësministër i Brendshëm me shef Koçi Xoxen, madje i shumëbesuari shoqërues i Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris, në Tiranë kishte mjaft ndikim. Pas atyre fjalëve thënë shkallëve Muharrem dhe Emine Butka parandjenë se ai në këmbënguljen e tij për ta vrarë Zenelin, do të fitonte.
Pas shpalljes së dënimit nga gjykata mjaftonin vetëm dy javë për të pritur përgjigjen nga lart, por rasti i Zenel Bejkovës zgjati dyfish e më tepër. U bë një muaj e ca pa një përgjigje nga Tirana dhe e gjithë kjo nuk e pakësonte shpresën e familjes dhe të gjithë dashamirëve të tjerë, por në të kundërtën, e shtonte. Madje në të tërë Kolonjën u hapën fjalë se jeta e tij u fal. Çdo ditë që shkonte e shumonte fantazinë e të njohurve të shumtë të Zenelit dhe sidomos të tetëmbëdhjetë dëshmitarëve që i dolën për mbrojtje publike në gjyq, duke dhënë prova se ishte njeri i ndershëm. Një fjalënajë e re entuziaste shtonte se në burgun ku rrinte i prangosur, pati ngjarë një rebelim, arratisje masive, por bashkëkrahinasi i tyre nuk kishte pranuar të largohej. Për këtë sjellje edhe ishte falur.
Ndërsa kjo legjendë e fundit shkonte gojë më gojë dhe kish nisur të besohej nga të gjithë, në fshatin kolonjar Rehovë, ku kishte djemtë e tezes, erdhi një ditë Koçi Xoze. Disa prej banorëve ortodoksë i thanë se qe një grup me ballistë që nuk po pushkatohej sepse nuk donin t’i ndodhte kjo Zenel Bejkovës. Xoxe i dëgjoi me vëmendje, por kur u rikthye në Tiranë ende nuk ndodhi gjë. Atëherë po ata tre apo katër rehovas protestues, duke e nënshkruar në fund me togfjalëshin “Në emër të popullit”, i dërguan një telegram Ministrisë së Brendshme.
Kështu më në fund e vranë Zenel Bejkovën dhe tërë ballistët e tjerë të dënuar bashkë me të.
Ishte Hasani pesëmbëdhjetë vjeçar, i dyti vëlla pas Avniut, që dëgjoi një natë të binin afër qytetit disa pushkë dhe një mitraloz. Patjetër ato krisma duhej t’i kishte dëgjuar edhe nëna e tij, lehonë me një fëmijë të porsalindur. Ndoshta edhe dy vëllezërit dhe dy motrat që ishin fare të vegjël. Prej një parandjenje të keqe nuk e zuri më gjumi dhe, sapo dita nisi të zbardhej, doli nga shtëpia. Shkoi duke rendur në drejtimin prej ku nëpër natë patën ardhur të shtënat e vrullshme.
Vendi ku e çuan këmbët quhej Blanjë. Ishte një lëndinë sapo hyje në Ersekë, në të majtë, nga ana e malit të Gramozit. Mbi tokë qenë shtrirë disa të vrarë. Mes tyre ishte edhe i ati. Të gjithë qenë lënë zbuluar.
Duke gëlltitur lotët që i binin çurg dhe duke lebetitur, i gjatë dhe i fortë fizikisht, Hasani u mundua ta kapë prej krahësh babanë dhe duke e tërhequr për ta varrosur aty afër. Por mbërritën në çast ushtarë-policë të Mbrojtjes dhe e arrestuan. E nxorrën nga burgu pas dy ditësh. Kur, kokëkrisuar siç ishte për nga natyra, rivajti tek lëndina e kobshme e Blanjës, trupat e të vrarëve nuk ishin më aty. As i jati. I kishte varrosur shteti. Në të vërtetë i pati groposur, sepse nuk u tha familjeve kurrë se ku ndodheshin. Por ersekasit nisën të dyshonin se trupat e të pushkatuarve politikë hidheshin nëpër kanale jo vetëm rrotull Blanjës, por sidomos në një gropë të madhe të hapur aty prej bombave të avionëve italianë gjatë luftës me Greqinë.
Më pas në këtë lëndinë brenda atij viti 1945 si edhe për afro pesë dekada resht do të vriteshin edhe shumë të tjerë. Qe poligoni i pushkatimeve. Pas moteve sistemndërruese 1991-1992, muaj pas muaji dhe vit pas viti u gjetën përreth Blanjës trupat e të gjithë të vrarëve. Kishin qenë njëqind e ca. Sepse në Kolonjë të dënuar dhe të ekzekutuar me vdekje për arsye politike numërohen plot 252. Përfshi edhe prej atyre që kishin tentuar të kalonin kufirin deri në 1990.
Avni Bejkova po rrinte tek porta e hekurt e burgut të Korçës, kur nga një kolonjar i erdhi kobi i vdekjes së të atit. E përballoi me shumë mundim dhe nuk nxori lot. Në një nga dhomat birucë, siç përherë bëhej për çdo të pushkatuar, u shtruan përdhe disa dyshekë dhe ai nisi pritjet ngushëlluese.
Kur pas një jave i erdhën ushqime, mes tyre e jëma pati vënë edhe një ëmbëlsirë karakteristike: byreksheqeri. Shtangu. Si kishte mundësi që nëna të kishte forcë shpirti dhe vullnet ta gatuante? Por e kuptoi mesazhin e saj. Jeta vazhdonte. Avniu qe djali i madh i tyre. Ishte tashmë në këmbë të të atit.
Para ëmbëlsirës Avni Bejkova shpërtheu në lot.
Më pas do të merrte vesh se para pushkatimit i jati kishte dërguar në familje letrën e njoftimit. Me laps dhe germa fare të vogla në të kishte shkruar amanetin. Duhej të mbanin vetëm tri ditë zi. Varrin t’ia bënin tek shtëpia në Goricë. Qe një banesë e dytë e tyre, e vogël, me rreth e rrotull vreshtë dhe një pemishte. Amaneti i tretë: fëmijës së porsalindur, me që ishte djalë, t’i vinin emrin e tij.
Nga tre amanetet u vu në jetë vetëm i pari. (Zeneli nuk e dinte se për një gjysmë shekulli do ta linin pa varr dhe se një epidemi ideologjike me emrin “lufta e klasave”, po të mbante emrin e tij i biri, do t’ia nxinte jetën. Për të u gjet një me tingëllim të përafërt: Sazan).
Kështu Zyraja do të mbeste e vetme me gjashtë fëmijtë e saj, prej të cilëve, Avniu dhe Seiti, do të kalonin vite të gjata burgimesh, ndërsa Hasani do të vetëvritej në tokën gjermane të nesërmen e ditëlindjes së tij të njëzetë e dytë.

ooo

Deri në 1948, kur u bë tetëmbëdhjetë vjeç, nuk e kishin trazuar dhe shkollën e Ersekës e përfundoi normalisht. Trajtimin e diferencuar për keq Hasani e provoi therrës tek e thirrën në zyrën e rekrutimit për ushtar. Shefi i saj, një kapiten, nisi t’i kërkonte cila qe arsyeja përse nuk kishte marrë me vete ushqim për tre ditë. Ai i shpjegoi se mund ta koregjonte gabimin duke shkuar në shtëpi dhe marrë bukë. E kishte afër dhe do të vinte menjëherë. Por kapiteni mezi u bind. Fjalët që shqiptoi ishin “Shko dhe hajde me vrap këtu! Ta dish se çfarë kam për të të bërë. Do të çoj atje nga ku mund të mos kthehesh më”.
Pas kësaj Hasani shkoi në shtëpi dhe duke i shpjeguar sherrin në zyrën e rekrutimit, i tha të motrës “Më jep një copë bukë!” “S’kam”, iu përgjigj ajo dhe vrapoi tek banesa e xhaxhait. “Moj Hatixhe, a ke bukë?”, e pyeti të shoqen e tij: “Sa e nxora nga saçi”, brofi fjalët kjo. “Më këput një copë!” Tjetra ndau gjysmën dhe motra sërish me vrap u kthye tek i vëllai. Ky: “Ka djath?” E motra: “Jo, por kam gjalp”.
Me bukë e ca gjalp me vete Hasan Bejkova tashmë nuk mori drejtimin e rrugës për tek zyra e rekrutimit, por për nga kufiri. Duke qarë iu qep nga pas vëllai i vogël, ai që i ati nuk e pa kurrë. Me të puthura iu lut Sazanit të vocërr të kthehej në shtëpi dhe nxitoi më tej. Para se ta kapërcente kufirin i hoqi këpucët dhe i la aty, ku mbaronte hapësira e shtetit të tij të shndërruar për të në një rrezik. Nëpër tokën greke eci zbathur. Ushtarët që e kapën fillimisht e dërguan në Konicë, pastaj u transportua në Athinë. Nga kryeqyteti helen shkoi drejt e në Gjermani, ku po përgatitej “Kompania 4000” dhe kishin filluar aksionet e saj për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.
Nisi të ndiqte edhe shkollën. Në vitin 1952 në repartin e tij u bënë kontrolle për ndonjë sëmundje veneriane. Ishin analiza mjekësore që përfundonin me një njoftim të shkruar. Shumica dolën negative, por edhe në rastet kur rezultoi e anasjella, pra që infeksioni ishte, bartësi nuk shqetësohej fort. Krej ndryshe ndodhi me Hasanin. Ai nga turpi i sifilizit nuk e priti fletën e përgjigjeve të analizës dhe kur shkoi me shërbimin e rojes ia shkrepi vetes të gjithë karikatorin.
Ngjarja e vetëvrasjes i tronditi të gjithë njerëzit e “Kompanisë 4000”, ca më shumë që tashmë kishte mbërritur edhe përgjigja e analizës: shqiptari Hasan Bejkova nuk mbarte asnjë sëmundje veneriane.
Lajmi i jetëhumbjes së tij në atdheun e vet mundi të hynte vetëm pas 6 vitesh, në 1958, kur kishte nisur një lloj liberalizimi i shkëmbimit të letrave me jashtë.

ooo

Komunistët ishin prishur me ballistët për fatin e Kosovës pas lufte. Edhe pse mbi mosmarrëveshjen e tyre rëndonin mjaft arsye të tjera beteje të brendshme për pushtet, vetëm kjo çështje doli e pakapërcyeshme. Mirëpo mes kolonjarëve nacionalistët e Ballit Kombëtar ishin shumuar pikërisht prej vendosmërisë së bashkimit të Kosovës me trojet amtare.
Në burgun e Burrelit Avni Bejkova gjeti një mik të madh, bashkëkombësin nga Suhareka e Prizrenit, Qazim Bllacën. I ati i tij, Ram Bllaca, pati qenë deputet në parlamentin jugosllav të para Luftës. Kur nisi aksioni qeveritar për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, Rama doli kundër. Kreu një gjest kuptimplotë: ndërtoi menjëherë një shtëpi të madhe. Kjo donte të thoshte “Ram Bllaca nuk ikën në Turqi, por do të rrijë këtu”.
Prandaj ndërsa po kthehej me të birin, prej Kragujevacit, ku ky studionte, sapo lanë Prizrenin dhe hynë në rrugën për Suharekë, serbët e vranë me të birin kapur përdore. Qazimi jetim qe vetëm katërmëdhjetë vjeç. Por e vazhdoi jetën dhe shkollën. U ndodh në vitin e katërt të studimeve për jurisprudencë, kur Jugosllavinë e sulmuan gjermanët. Mori rrugën e kthimit për në Kosovë. Ushtarakët gjermanë e gjetën Qazimin rrugës, e hipën në makinë dhe e çuan në Prizren. Duke e ditur se ishte i biri një deputeti kundërserb e bënë kryetar të bashkisë së qytetit. Kur në Tiranë u krijua qeveria e Rexhep Mitrovicës e emëruan nënministër të ekonomisë. Ndërsa kjo qeveri ra, Qazim Bllaca u rikthye në vendlindje, ku u zgjodh antar i kryesisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Kur në Jugosllavi hipën në pushtet komunistët, duke qenë se aktivitetin politik e pati kryer në Shqipëri, me pranga lidhur e sollën për gjykim në Tiranë. Këtu u dënua 20 vjet. Pasi bëri pjesën më të madhe të tyre doli nga burgu dhe u internua në Shtyllas. Njëherë e çuan edhe në Qafëthanë për shkëmbim me shtetas shqiptarë me të njëjtin status. Por UDB nuk e pranoi të hynte në Jugosllavi. Më vonë, kur Hrushovi bëri vizitën e tij të pendesës në Beograd dhe për pasojë u bë një zbutje e përkohshme e marrëdhënieve të Titos me Enver Hoxhën, erdhi në Tiranë mes një delegacioni kulturor, edhe i kunati. Pyetën autoritetet shqiptare përse ishte refuzuar rikthimi i Qazim Bllacës në Jugosllavi. Kështu u bë një takim. Aty ai deklaroi se ndalimi pati ardhur nga UDB dhe jo prej Tiranës.
Ndërkohë Qazimi kishte një vëlla që punonte në Ministrinë e Jashtme në Beograd. Nëpërmjet dikasterit të tij ky e rregulloi të merrte një vizë hyrëse për në Jugosllavi. Vitet e fundit të Titos dhe ato të shfaqjes së Millosheviçit Qazim Bllaca i kaloi në Prizren pa u marrë me politikë, sepse ndryshe do ta kishin vrarë. Porse qe Beogradi që e ngacmoi çështjen e tij. Në kulmin e protestave të kosovarëve për vetvendosje u sajua akuza se në trazira kishte dorë Shqipëria me njeriun e vet të Sigurimit në Jugosllavi, Qazim Bllacën. Kështu filloi hetimi i ethshëm se si vite më parë qe futur në kufi pa dijeninë dhe lejen e UDB-së.
Por ndërkohë nisi lufta e armatosur për çlirim, pastaj ndërhyrja e NATO-s dhe bashkë me më shumë se treçerk milioni bashkëkombës Qazimi rihyri në Shqipëri. U strehua, deri sa mbaroi lufta, në shtëpinë e Avni Bejkovës. Ky tashmë merrej edhe me sipërmarrjen e ndërtimeve dhe për dhoma dhe ushqime nuk ishte aspak ngushtë.
Sapo mbaroi lufta Qazim Bllaca bashkë me familjen iku për në Kosovë. Në tokën e çliruar të Shqipërisë së Moçme që në ditët e para shkoi edhe Avniu. U ritakuan sërish. U ripërqafuan. Ishte realizuar më në fund jo vetëm ajo që e dëshironin të gjithë shqiptarët, por sidomos ajo për të cilën në vjeshtë të vitit 1943 ballistët qenë përçarë me komunistët.
Kohët i ndryshojnë njerëzit. Jeta është, po të duash, një Mukje e realizuar apo e prishur. Avni Bejkova me firmën e tij të ndërtimit ka bërë rikontruksionin dhe zgjerimin në Tiranë të shkollës “Vasil Shanto”. Emri i komunistit të njohur radikal nuk i ndezi asnjë paragjykim. Kur i përfundoi punimet në qeverisje ishin socialistët dhe, i pranishëm në përurimin e shkollës së re, kryeministri i kohës, Ilir Meta, i tha “Ju lumshin duart!”
Avni Bejkova nuk ka qejf të rrëzohet në nivelin e fanatikëve partiakë. Ndoshta ky është edhe sekreti i mbijetimit të bindjeve të tij prej ballisti liberal. Kur për disa muaj të mëparshëm me komunistët, në çetën nacionaliste të Safet Butkës disa shokë e thirrën “ballisti i kuq”, kjo, shpjegon ai, ndodhi thjesht për shaka.
Duket që epitetin “i kuq” nuk e ka qejf. Prandaj ngulmon edhe njëherë tjetër: “Sa më shumë kohë shkon aq më tepër ballist bëhem”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 1 mars 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com