Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
MISIONI I NDERIT, 13 MAJ 1939


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 19 prill 2015)

(Si katërqind studentë ushtarakë shqiptarë në Romë, duke mos pranuar të betoheshin para flamurit italian, vunë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur një muaj më parë prej qeveritarëve të tyre)

(Vijon nga numri i kaluar)

Sjellja e trashëgimtarit anësor të Skënderbeut, i cili me telegramin e tij për Duçen theksonte se qe “italian dhe fashist” (dhe nuk e shkroi bashkë me to edhe fjalën “shqiptar”), do të bëhej bufoneske edhe prej një vogëlsie. Emrin e tij e pati vendosur si titull mbretëror. Qe Françesko Kastriota I Skanderbeg.
Tashmë spektakli mashtrues i mbulimit të pushtimit në 7 prill 1939 vazhdoi duke u bërë, në 13 prill, gjithnjë e më shumë i neveritshëm.
Me ceremoninë e mbartjes së Kurorës së Artë të Skënderbeut nga Shqipëria në Itali dhe gjestin përulës të dorëzimit të saj tek monarku italian, do të kemi të kryer edhe skandalin më të madh të historisë tonë të 5-6 shekujve të fundit. Ka qenë me të vërtetë një turp i turpeve.
Delegacioni shqiptar, i cili mori me vete Kurorën simbolike, u nis nga Durrësi me kryqëzorin “Giovanni delle Bande Nere”. Që prej këtij çasti gjithçka, siç shihet edhe me emrin e anijes luftarake të zgjedhur, do të ishte nën shenjat e traditës fashiste.
Dërgata, e cila do t’i dorëzonte Kurorën e Artë të Skënderbeut Viktor Emanuelit III që ta mbante vetë si edhe ta trashëgonin brez pas brezi të gjithë pasardhësit e tij, në port u përshëndet prej një grumbulli banorësh të qytetit, çfarë për autorët e spektaklit propagandistik kishte një rëndësi të madhe. Këtë devocion për Italinë Fashiste duhej ta manifestonin patjetër dhe doemos durrsakët, që të përhapnin përshtypjen e kundërt të asaj, e cila realisht ndodhi pak ditë më parë, në mëngjesin e 7 prillit. Prej tërë shqiptarëve ata i patën rezistuar më gjatë zbarkimit italian, madje emri i qytetit të tyre si nyje qëndresë qe shkruar nëpër faqet e dhjetëra e dhjetëra gazetave të huaja, deri edhe matanë oqeaneve.
Mes duartrokitjeve Shefqet Vërlaci me të tijtë, ndërsa nisën të shtinin edhe topa përshëndetës, hipën nëpër motoskafë. Pastaj shkuan me shpejtësi drejt kryqëzorit.
Të nisur që në 13 prill, pa u vonuar asnjë minutë prej çastit kur Konti Çiano po fluturonte drejt Romës për t’i dorëzuar Benito Musolinit letrën lutëse të Asamblesë Kushtetuese të Tiranës, dërgata e posaçme e turpit mbërriti në portin italian të Barit rreth mesditës së 14 prillit. Në port u pritën prej autoriteteve të qytetit. Qenë të pranishëm edhe Françesko Jakomoni si edhe gjeneral Guxoni, njeriu që kishte drejtuar operacionin e pushtimit të Shqipërisë.
Turma brohoritëse ishte e madhe, tallavitëse, bënte pothuaj si e dehur. Barezët sadopak kishin dëgjuar për Skënderbeun, sepse në mes të shekullit të pesëmbëdhjetë, në një zbarkim në Itali për ndihmë ndaj mbretit të Napolit, ai bashkë me gardën e tij pati qëndruar disa ditë në qytetin e tyre. Tashmë Skënderbeu po rivinte sërish, por në formën e një kurore që do t’i takonte jetë e mot atyre. .
Në port kryeministri Shefqet Vërlaci dhe ministri i Drejtësisë Xhafer Ypi, bashkë me të tjerët anëtarë të qeverisë, kaluan në revistë një trupë ushtarake të përbërë prej njësive të Këmbësorisë dhe të Marinës Luftarake. Orët e mëpasshme qenë në një drekë dhe nëpër biseda formale, për t’i përfunduar të gjitha këto në orën 22.40, kur të përcjellë prej një turme të porositur, ndërsa binarët qenë ndriçuar thekshëm nga projektorë festivë dhe përreth valëviteshin flamurë italianë dhe shqiptarë, të hipnin në tren e të merrnin rrugën drejt Romës.
Këtu mbërritën në 15 prill. Dita sapo kishte gdhirë. Qe e shtunë.
Në kryeqytet tashmë qenë montuar altoparlantë të fuqishëm në sheshet më kryesorë të saj: Colonna, Esedra, San Giovanni in Luterano, Giuseppe Verdi, Damiano Saulli, Eroi dhe Sempione. Kompania Radiofonike Italiane me të tëra stacionet e saj në orën 15.50 u vu në lidhje me Dhomën e Fashios dhe të Korporatave, e cila do t’i niste punimet në orën 16.00. Ndërkohë me avionë të posaçëm në mëngjesin e kësaj të shtune qenë nisur nga Tirane për në Romë pjesa tjetër e përfaqësuesve zyrtarë shqiptarë, rreth tridhjetë vetë. Edhe këta do të merrnin pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kurorës së Artë të Skënderbeut.
Parlamenti fashist u mblodh saktësisht në orën 16.00 dhe në prani të delegacionit qeveritar shqiptar, vetë Duçja paraqiti projektligjin, i cili i jepte Mbretit Perandor si edhe pasardhësve të tij titullin e Mbretit të Shqipërisë. U miratua unanimisht, mes duartrokitjeve të furishme të pjesëmarrësve. Pastaj deputetëve iu kërkua procedurë urgjente për ta miratuar propozimin shqiptar brenda po asaj dite edhe në Senat, siç edhe ndodhi. Delegacioni nga Tirana qe i pranishëm edhe këtu.
Të dielën në mëngjes, më 16 prill, Shefqet Vërlaci me ekipin e vet qeveritar i bëri një vizitë Benito Musolinit në selinë e tij, në Pallatin Venezia. Në krah kryeministrit shqiptar i rrinte Konti Çiano.
Ceremonia solemne e dorëzimit të Kurorës së Artë të Skënderbeut monarkut Viktor Emanueli III u bë këtë ditë në Pallatin Quirinale, në orën 11.00. Merrnin pjesë, përveç Duçes, edhe Princërit e Piemontes si edhe të tërë Princërit e Derës Savoja. Po ashtu qenë të pranishëm familje të tjera të njohura ushtarake dhe civile të vendit.
Ditën e hënë, më 17 prill, në qendër të Romës, në Foro Romano, u krye parada e 124 oficerëve, e 850 studentëve të Akademive Ushtarake dhe e 520 nxënësve të shkollave luftarake detare. Shefqet Vërlaci ,fillimisht një pjesë të tyre, i parakaloi në shenjë nderimi. Pastaj zuri vend në tribunë, në të djathtë të Musolinit.
Kjo qe edhe dita kur Herman Gëring, ministri gjerman i Aviacionit, pasi qe kthyer nga vizita në Egjipt dhe pati kryer disa takime pune në Romë, u nis drejt vendit të vet. Marrja e Kurorës së Skënderbeut nga toka e shqiptarëve dhe dorëzimi i saj përfundimtar në Itali ishte zhvilluar para syve të tij. Do t’ia tregonte këtë ndodhi shumë të veçantë Hitlerit.
Kështu në 17 prill 1939 mund të thuhet që superspektakli propagandistik për të mbuluar me terr informativ pushtimin e Shqipërisë kishte arritur kulmin e sforcimit. Tanimë për të kishte vetëm një rrugë mbijetimi: efektin bumerang. Të rrëzohej kokëposhtë. Nuk do ta shpëtonin prej këtij fati as disa festa të vogla zyrtare për heqjen e doganave dhe sidomos për projektin e një rrjeti kabllor nëndetar Itali-Shqipëri.
Ajo që do ta shoqëronte me një konformizëm të dukshëm këtë sjellje dhe njëkohësisht faliment të Romës fashiste, kishte të bënte me Vatikanin. Pushtimi i vendit të vogël të shqiponjave, i cili pati ndodhur ndërkohë që në Selinë e Shenjtë zhvilloheshin shpengueshëm ritet e festës së Pashkëve, do të kalonte pa asnjë brengë tek Papa Pio XII, i quajtur edhe Papa Paçeli. Në 15 prill ambasadori i Francës në Vatikan do t’i përcillte një raport shefit të tij në Paris, ministrit të Jashtëm Bonnet, se Papa i pati thënë që “Musolini e ka në zemër paqen”.

Beteja e rikthimit të nderit të humbur: Gjashtëmbëdhjetë të internuar, një i vrarë

Kur në javën e fundit të prillit Duçja do të miratonte, në prag të ceremonisë së betimit ushtarak, një program përpunimi të afro katërqind nxënësve dhe studentëve shqiptarë, të cilët ndodheshin nëpër shkollat dhe akademitë italiane të profilit luftarak, qe fort i bindur se spektakli lojcak me kurorën e Skënderbeut ia kishte dalë mbanë. Sidoqoftë, sipas tij, Konti Çiano bënte mirë që këmbëngulte në dyshimin e vet se, sipas informacionit të mbledhur nga agjentët e SIM-it, mes studentëve dhe shkollarëve shqiptarë po vepronin në mënyrë të organizuar disa akademistë. Plani i tyre qe të sabotohej publikisht ceremonia e betimit.
Çiano, në të vërtetë, nuk gabohej. Në tre shkollat ushtarake të vendit, në Romë, Napoli dhe në Milano si edhe tek të dyja Akademitë, në Torino dhe në Modena, po përgatitej sfida. Do të kryhej misioni i kthimit të nderit kombëtar, të humbur prej 159 asamblistëve të Tiranës dhe qeveritarëve të saj me ne krye Shefqet Vërlacin. Atje ku këta poshtëruan atdheun, në Romë, atje do të bëhej nderimi i tij.
Kjo nuk do të ishte e lehtë. Duhej të dilje, në atë diktature të egër, kundër Musolinit dhe Mbretit, kundër edhe qeverisë së tyre të Tiranës. Qe një valle në gojë të ujkut.
Të katërqind nxënësit dhe studentë akademistë Ministria e Luftës i mblodhi në Romë që në fillim të majit. U bënë posaçërisht një pritje shumë të entuziaste. Kushtet e qëndrimit qenë tepër të rehatshme, ushqimi fort i zgjedhur dhe i bollshëm. Paradite i çonin nëpër qendrat historike të Romës, pasdite u sillnin profesorë, filozofë dhe psikologë. Këta u flisnin për historinë e Italisë dhe të Shqipërisë, duke filluar nga Çezari e deri tek Gjergj Kastrioti.
Të gjithë folësit këmbëngulnin se nuk ishte e vërtetë që Italia pati ardhur ta pushtonte Shqipërinë, por vetëm për t’i shpëtuar njerëzit e saj nga diktatura e Zogut dhe prej gjendjes ekonomike të rëndë.
“Ne jemi vëllezër”, përsëritnin pa pushim ata.
Në kundërveprim të këtij përpunimi intensiv, ku sidomos psikologët qenë mjaft të përgatitur, mes nxënësve dhe studentëve shqiptarë u rrit mobilizimi për t’i rezistuar manipulimit dhe mbajtur lart frymën e mbrojtjes së krenarisë kombëtare. Po ashtu edhe të vendimit të marrë bashkërisht: refuzimin kategorik të betimit ushtarak para flamurit italian.
Kursi special i përpunimit politik zgjati dhjetë ditë. Erdhi më në fund 13 maji, dita e ceremonisë.
Qe e shtunë. Ishte ditë e zhurmshme, sepse ekipi italian i futbollit do të ndeshej me atë të Anglisë. Me trena specialë nga Britania e Madhe apo me anije nga Malta, kishin ardhur disa mijëra tifozë anglezë. Kështu për çfarë do të ndodhte në sheshin e njërës prej kazermave më të mëdha të Romës do të kishte shumë pak vëmendje. Caktimi i datës së njëjtë, nga autoritetet fashiste të Ushtrisë qe një ide e menduar si masë paraprake.
Sipas pjesëmarrësit në këtë ceremoni sfiduese, atë kohë nëntëmbëdhjetëvjeçar, Skënder Malindit, dhe bisedës së bërë me të muajin e mëparshëm, përgatitja zyrtare për aktin e betimit të shqiptarëve para flamurit italian qe tepër madhështore. Një tribunë e lartë, imponuese, oficerët vendas të veshur me “grand uniforme”, që të gjithë me medaljet e shtrira sa gjerë-gjatë nëpër gjoks.
Kishin ardhur autoritetet më të larta ushtarake dhe civile të Italisë. Mungonin vetëm Viktor Emanueli dhe Benito Musolini.
Katërqind nxënësve dhe studentëve shqiptarë, të rreshtuar me pranë bandën muzikore dhe përballë fotot e mëdha të mbretit dhe të Duçes, një gjeneral doli para tyre dhe nisi t’u shpjegojë si do të vepronin. “Nga tribuna unë do të lexoj formulën e betimit, tha ai, dhe kur të ngre shpatën lart e të them “A betoheni?” ju do të thërrisni “Betohemi!” “Me kaq çdo gjë merr fund, shtoi ai, hiçgjë e vështirë nuk është”.
Kështu u tha mënjanë gjenerali dhe pastaj hipi në tribunë, ku tashmë ndodheshin tërë autoritetet e larta të ardhura posaçërisht për të parë dhe shijuar nga afër një skenë të ngjashme si ato të 15 dhe 16 prillit.
Gjenerali, siç edhe u pati thënë pak më parë, e lexoi formulën dhe pasi e nxori nga milli shpatën, e çoi lart. Pastaj para mikrofonit e ngriti zërin aq fort sa prej altoparlantëve buçiti, gjer në skajet më të largëta, i tërë sheshi: “A betoheni?” Priti, por nuk i erdhi asnjë përgjigje. Në masën e madhe të katërqindëve nuk u ndje asnjë pipëtimë.
Autoritetet në tribunë, tashmë të shqetësuara, nuk i mbante më vendi. Kthenin kokën majtas e djathtas, e shtynin përpara apo mbrapa, krejtësisht të habitur. Pas një çasti hutimi të përgjithshëm gjenerali u tha që ta dëgjonin edhe të rreshtuarit poshtë tribunës së lartë: “Këta janë shqiptarë dhe nuk e dinë mirë italishten, prandaj do tua sqaroj edhe njëherë si bëhet betimi”.
Pastaj iu drejtua qetësisht katërqind nxënësve dhe akademistëve ushtarakë shqiptarë: “Dëgjoni! Ju nuk e keni kuptuar mirë. Do tua them edhe njëherë tjetër. Kur unë të ngre shpatën dhe t’iu pyes “A betoheni”, ju do të përgjigjeni duke thirrur “Betohemi!” Tani besoj se e keni kuptuar, prandaj do ta përsëritim edhe njëherë”.
Kështu gjenerali e lexoi edhe njëherë tjetër formulën, pastaj nxori shpatën, e ngriti lart, thirri “A betoheni?”, por edhe këtë herë asnjë përgjigje nuk i erdhi. Atëherë të gjithë në tribunë e kuptuan që shqiptarët në mënyrë të vetëdijshme nuk dëshironin ta bënin atë betim. U urdhërua shpërndarja e të rreshtuarve dhe vetë autoritetet ikën.
Kundërveprimi i ndëshkimit ngjau të nesërmen, që në mëngjes. Të gjithë nxënësve dhe studentëve shqiptarë iu kërkua të shkonin në Ministrinë e Luftës dhe atje të firmosnin veç e veç tekstin e betimit ushtarak fashist. Kjo për ta do të qe një rezistencë tjetër, por më pak e mundur nga ajo që u krye bashkërisht në sheshin e superkazermës. Cilët bënë qëndresë dhe sidomos organizatorët e sfidës, emra të identifikuar prej SIM-it, u arrestuan dhe pasi u burgosën në qytetin e Barit u internuan në ishullin Ventontene.
Këta ishin Skënder Çaçi, Riza Nazimi, Hamid Keçi, Qazim Kapisyzi, Spiro Shalsi, Hasan Fariçi, Xhavit Topçiu, Mehmet Buhi, Riza Kuça, Xhemal Punavija, Hajrullah Ishmi, Rexh Zeqiri, Arif Peza, Ali Tafaj, Enver Lufi dhe Petraq Vuçani.
Gjithë të tjerët sfidantë kundër bashkimit territorial të Shqipërisë me Italinë Fashiste dhe të dorëzimit të Kurorës së Artë të Skënderbeut për Viktor Emanuelin, i lanë të lirë të ktheheshin nëpër shkollat dhe akademitë e tyre.
Ndërkohë në të gjithë këtë ngjarje të bujshme refuzimi, të cilën autoritetet italiane e mbajtën rreptësisht të fshehur, pati ndodhur edhe një episod që nuk do të censurohej dot.
Ai lidhej me një akademist: Shahin Toçin.
Në 26 maj ai u gjet i vrarë në Romë, shumë afër bujtinës ku ato ditë flinte, në rrugën Trans-Tevere nr. 45. Ishte 21 vjeç, nga Mati. Pas një hetimi të shkurtër, prej të cilit u përhap hipoteza se Shahini mund të kishte vrarë veten, trupi i matianit nuk u dërgua në familjen e tij në Shqipëri, por u fut në nëndheun e Romës.
Kjo përpjekje për të manipuluar dhe fshehur çdo gjurmë të jetëmarrjes së akademistit shqiptar i shtoi dyshimet, sidomos mes shokëve të tij që kishin realizuar rebelimin e mosbetimit. Ata e dinin që Shahin Toçi jo vetëm qe një prej agjitatorëve dhe organizatorëve kryesorë të saj, por në ceremoninë e dështuar të 13 majit pati kryer edhe një gjest akoma më kryengritës se bashkatdhetarët e tjerë. Në rreshtim qe futur me një fashë kuq e zi mbi uniformën ushtarake italiane. E pikasi këtë edhe vetë gjeneral Pariani, i cili qe nënministër i Luftës. “Çfarë vlere ka kjo uniformë, përderisa mbreti juaj ka rënë?”, e pyeti. “Mbretërit mund të bien, por kjo fashë kuq e zi mbetet”, mori përgjigjen. Të nesërmen, kur i thirrën në Ministri për t’i shtrënguar të firmosnin në letër betimin ndaj flamurit fashist italian, me porosi nga lart, Shahin Toçin e ndalën tek dera dhe nuk e lanë as të hynte. I filloi izolimi. Krimi ndaj tij u krye pa qenë ai në shkollë, larg syve të shokëve.
Eshtrat e Shahin Toçit u kthyen në atdhe vetëm në 26 mars 2011, ndërsa një ditë më parë nga presidenti i Republikës Rexhep Meidani qe dekoruar me \"Medaljen e Artë të Shqiponjës\". Në 1994 nga presidenti Sali Berisha u vlerësua me \"Urdhrin e Flamurit\" të klasit të parë.
Por ndërkohë edhe regjimi komunist e pati çmuar: në vitin 1961 i dha \"Urdhrin e Trimërisë\", ndërsa në tetor 1970 e shpalli \"Dëshmor i Atdheut\".
Katërqind misionarët e tjerë të mbrojtjes së nderit të Shqipërisë dhe të Skënderbeut, pasi një pjesë u bënë oficerë, kur u rikthyen në atdhe, u bashkuan me rezistencën e armatosur kundër pushtimit. Më të shumtët u rreshtuan me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe të tjerë me Ballin Kombëtar apo Legalitetin
Skënder Malindi qe njëri prej tyre, por që nuk mundi ta përfundonte as shkollën dhe as akademinë. Çdo mëngjes italianët në shkollat ushtarake e kishin zakon ta ngrinin flamurin me togë nderi dhe orkestër. Në darkë, kur bëhej ulja, kryhej po ajo ceremoni. Pa u pushtuar Shqipëria, kur i kishte rënë radha, ai pati vajtur disa herë në këtë gjest nderimi. Kur i erdhi radha pas 7 prillit 1939 ai kundërshtoi të merrte pjesë në togën e nderimit. U shpjegua me fjalët “Unë i bëj nder vetëm flamurit të vendit tim”.
E përjashtuan menjëherë.
Ndërkaq, me statusin e tij shoqëror si drejtues i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës të Shqipërisë, i ka propozuar me kohë ministrave të Mbrojtjes dhe presidentëve, që gjashtëmbëdhjetë të burgosurit dhe të internuarit e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar në Romë të shpallen “Nderi i Kombit”, por nuk u mor parasysh asnjëherë.

Ylli Polovina

Tiranë më 16 prill 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com