Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI IBRAHIM RUGOVA U FOTOGRAFUA NGA SHËRBIMI I FSHEHTË SHQIPTAR BRENDA REZIDENCËS SË TIJ NË ROMË


(Botuar në gazetën “Shqip” më 6 maj 2015)

Pjesa e dytë

Zbuluesi amerikan telefonon në mesnatë

Rugova bashkë me familjen e tij dhe i shoqëruar nga policia serbe, në një operacion që e udhëhiqte një nënkryeministër jugosllav, mbërriti në Beograd në pasditen e vonë të 4 majit 1999.
U dërgua menjëherë në një rezidencë sekrete.
Këtë çast për të gjithë ata që kishin pasur për detyrë speciale të ndiqnin fatin e presidentit të Kosovës fillon një mbajtje fryme. Millosheviçi po kujdesej posaçërisht që fshehtësia e veprimeve rreth çfarë po ndodhte me Rugovën, të shkaktonte kaos dhe tension tek informatorët dhe zbuluesit e Perëndimit. Kjo psikozë do të përcillej edhe tek politikanët, patjetër. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin vend qe tashmë në armiqësim të plotë, po ashtu.
Ishte një lloj hakmarrje e tij dëshpëruese, në pamundësi ta fitonte betejën në frontet e tjera.
Qe pjesë, ndoshta, e kësaj manovre, përhapja e vetëtimtë në Romë, në qytetin ku politikani shqiptar VIP, pra i një rëndësie dhe vlere tepër të veçantë, do të zbarkonte të nesërmen, e një lajmi konfuz, me as këmbë dhe as kokë, pa asnjë burim të sigurt, që nuk kishte me vete asnjë provë.
Në Ambasadën Shqiptare, pasi kishte qarkulluar furtunshëm nëpër zyra shtetërore italiane dhe përfaqësi të huaja diplomatike (por çuditërisht jo aq shumë nëpër redaksitë e gazetave) hyri në mbrëmjen e vonë të 4 majit fjalënaja se Ibrahim Rugova ishte parë të largohej nga Prishtina për në drejtim të Beogradit dhe se këtu kishte humbur krejtësisht gjurmët.
Mund edhe të qe vrarë.
Në orën njëmbëdhjetë të natës në celularin e konsullit Drini Bello, i cili realisht ishte punonjës i shërbimit të fshehtë civil shqiptar, ra një zile ngulmuese. Qe partneri i tij në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Romë, me të cilin kishte kohë që bashkëpunonte, madje prej kolegëve në përfaqësinë shqiptare jo vetëm ai.
Amerikani pyetjen e parë në atë orë të vonë ia bëri të drejtpërdrejtë: “Ku je?” Bello iu përgjigj: “Në shtëpi”. “Të lutem, foli shkurt tjetri, a vjen dot deri tek ambasada jonë?” “Po vij”.
Nga Viale Eritrea, ku diplomatët shqiptarë në Romë kanë apartamentet e tyre, deri në Via Veneto, në qendër të qytetit, atë natë kur po mbyllej 4 maji 1999, Drini Bello e bëri me makinën e tij personale në më pak se një gjysmë ore. Gjithë rrugën mendoi se për çfarë informacioni zbuluesi amerikan interesohej me aq ngut. Kishte merak se mos ajo çfarë i duhej atij nuk qe në dijeni të tij. Nuk pati ndodhur vetëm një herë kur gjendej pa asnjë informacion korrent. Ngjarjet rreth zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri ecnin marramendshëm. Me shpejtësinë e tyre të nxirrnin jashtë loje.
Pastaj vagëllimthi çoi nëpër mend një mbresë të bukur që e kishte pasur atë ditë që në mëngjes. Ismail Kadare njëherësh në të përditshmen franceze “Le Monde” dhe italianen “La Stampa\" pati botuar një shkrim shumë të fortë në favor të qëndrimit të ashpër ndaj regjimit të Millosheviçit. Në të ai tërhiqte vëmendjen e Evropës se e keqja e krijuar në Serbi nuk është vetëm për shqiptarët, por për të gjithë Perëndimin. Kadare në shkrimin e tij për tërë francezët dhe italianët sillte në kujtesë të tyre një hollësi kuptimplote: me masakrimet që serbët u bënin trupave njerëzorë të shqiptarëve provonin jo vetëm për egërsinë dhe primitivizmin e tyre, por edhe për faktin se kështu ata provonin që në gadishull qenë ardhës. Në traditë popujt e Ballkanit, theksonte ai, e kanë të ndaluar sakatimin e trupit.
Ismail Kadare me batarenë e artikujve dhe intervistave të tij ato ditë qe bërë po kaq mbrojtës i Kosovës sa edhe vetë flota ajrore e NATO-s.
Vetëm kur iu afrua kompleksit të shumë godinave të Ambasadës së SHBA në Via Veneto, Drini Bello, në përpjekjen e tij për të gjetur arsyen përse zbuluesi amerikan e kërkonte në mesnatë, shkoi ndër mend vizitën ato çaste të Bill Klintonit në Gjermani. Duke mos ua dhënë gjermanëve Ibrahim Rugovën, çfarë thuhej se qe një nga alternativat e dëshiruara të udhëheqësit kosovar, Sllobodan Millosheviçi, me ofertën për Italinë, i kishte bërë një sfidë presidentit të SHBA.
Sapo u takuan, amerikani i tha shkoqur: “Shërbimi ynë është shumë i shqetësuar dhe duam patjetër informacion mbi gjendjen e Ibrahim Rugovës, pra është gjallë apo i ka ndodhur gjë jetës së tij”.
Bello u gjend i befasuar. Me një rrjet të gjerë dhe të përsosur për grumbullim informacioni, përfshi edhe ambasadën e tyre në Tiranë, përse ia kërkonin atij në Romë një të dhënë që mund ta merrnin prej kolegëve të tyre në kryeqytetin shqiptar? Ndoshta shefat e lartë të shërbimit të fshehtë amerikan të njëjtën kërkesë paralelisht ua kishin bërë të gjithë vartësve të tyre.
Kolegu rrinte në këmbë para tij dhe, duke e parë ngulshëm, priste përgjigje. Besonte se kolegu shqiptar duhej ta dinte të vërtetën. Kishin tërë Kosovën që e informonte shtetin e tyre.
Atëherë Drini Bello, i cili nuk dinte asgjë, por kishte besim se e vërteta duhej të qe ashtu siç mendonte ai, i tha amerikanit prerë: “Rrini të qetë se Rugova është gjallë”.
Tjetri e falënderoi dhe hyri në ambasadë.
Tashmë kishte kaluar mesnata. Bello e ngau me shpejtësi makinën drejt ambasadës së tij, në Via Asmara. E zgjoi shifrantin, i cili jetonte në ndërtesë bashkë me familjen dhe ky fillimisht i përgjumshëm, nuk po e pikaste çfarë i kërkohej me kaq shumë nxitim në atë orë tepër të vonë. Megjithatë pas një çerek ore, pasi u kodua, radiogrami u nis drejt shërbimit të fshehtë civil në Tiranë.
Në thelb në të thuhej çfarë kërkonin amerikanët e misionit partner. Përgjigja nuk vonoi me shumë orë. Mbërriti dhe thoshte pak a shumë “Ke vepruar drejt. Ibrahim Rugova është vërtet gjallë. Mund ta konsumosh këtë fakt me kë të duash. Megjithatë ne nuk e dimë se për ku është drejtuar. Kjo e dhënë do të na interesonte”.

Fluturimi i avionit special “Falcon”

Në Beograd Ibrahim Rugovën bashkë me familjen dhe këshilltarin personal e nxorëm nga rezidenca sekrete në mëngjesin vonë të 5 majit. Prej atje, nën masa të mëdha sigurie, ai shkoi në selinë e përfaqësisë diplomatike italiane. Aty e priti ambasadori Rikardo Sesa. Ky e qerasi dhe të dy biseduan për një kohë të gjatë.
Për në aeroport, ku e priste një avion special “Falcon” i Shërbimit të Fshehtë Ushtarak Italian, i ardhur që para se të vinte mesdita, Rugova dhe njerëzit e tij u gjendën në orën 15.00. Qe i pranishëm edhe Rikardo Sesa.
Në “Falcon” grupi i shqiptarëve hipi menjëherë dhe avioni u nis drejt Italisë në 15.30. Fluturimi i tij u ndoq nga radarët e NATO-s. Në komandë të kësaj mbrojtjeje ishte gjenerali Dino Trikario, shefi i vëzhgimit ajror në Viçensa.
Ibrahim Rugova mbërriti në aeroportin e Çampinos, në Romë, rreth orës 17.00. U prit nga nënsekretari kryeministror Marko Miniti.
Pikërisht që prej këtij çasti, pra mbërritjes së sigurt të presidentit kosovar në tokën italiane, u ndërpre edhe regjimi i mbajtjes top-sekret të lajmit. Tashmë ai do të bëhej publik. Për këtë qëllim ishin marrë masa që në aeroport të pranishëm të qenë disa kanale televizive vendase.
Kështu mbërritja në Romë e liderit kosovar u bë, në orën 20.00, lajmi kryesor i më të fuqishmëve stacione mediatike italiane: Raiuno dhe TG5. Në 20.30 e kumtoi me përparësi edhe Raidue. Më pas gjithçka qe vetëm hov i pandalur informimi rreth të papriturës që sapo kishte ndodhur. Gazetarët me këtë rast nuk harronin të thoshin se emri i bashkëshortes së Ibrahim Rugovës qe Fana dhe se të dy kishin ardhur në Romë bashkë me tre fëmijët e tyre. Shtonin se këshilltari personal i presidentit të Kosovës quhej Adnan Merovci.
Nga supernjoftimi i ri gjatë mbrëmjes dhe natës së 5 majit u fshinë nga kronikat dy lajme që në rrethana të tjera mund të jetonin shumë më gjatë. E përditshmja afër Partisë Komuniste, \"Il Manifesto\", pati botuar një shkrim denoncues për 32 kamionë ushtarakë zviceranë të blerë nga qytetarë kosovarë, të cilët ishin bllokuar në portin e Barit. Autori pyeste me maraz se për ku qenë nisur ata kamionë. Dhe po vetë përgjigjej jo pa inat: për UÇK-në
Lajmi tjetër kishte të bënte me një vendim të qeverisë italiane për të sjellë nëpërmjet ajrit, nga Maqedonia në Itali, 10 mijë refugjatë kosovarë. Pesë mijë prej tyre do të vendoseshin në ish-bazën ushtarake të Komizos, në Sicili.
Ndërkaq Rugova dhe njerëzit e tij, nën masa shumë të forta sigurie, gjatë rrugëkalimit përfshirë edhe snajperë dhe madje autoblinda, prej aeroportit Çampino shkoi në rezidencën ku do të qëndronte për të gjithë kohën e mëpasshme: Villa Doria Pamphili.
Por kjo ato çaste nuk u bë e ditur për median. Masa e fshehtësisë së atij udhëtimi ende nuk ishte hequr krejtësisht. Ibrahim Rugova do të kishte edhe një takim sekret, atë me kryeministrin D\'Alema dhe ministrin Dini.
Kjo ndodhi pak minuta më parë se ora 19.00.
Biseda u zhvillua nën hijen e pemëve në vilën Algardi të Villa Doria Pamphili. Zgjati një orë. Në 20.12 kryeministri italian qe parë duke lënë rrugën Banfila. Më pas qe filmuar nga disa televizione duke hyrë në selinë e kryeministrisë.
Për çfarë të dy palët patën biseduar u mbajt e fshehtë. As Masimo D’Alema, as Lamberto Dini dhe as Ibrahim Rugova nuk folën rreth tematikës që shkëmbyen. Pas takimit nuk u bë as edhe ndonjë komunikatë për shtyp.
Gjithsesi për ta mbushur këtë boshllëk dhe shkurajuar ndonjë sulm gazete përse gjithçka e biseduar me Ibrahim Rugovën u kyç, qe Lamberto Dini që lëshoi disa mendime personale. Ai pohoi se “kishte konstatuar që Rugova ishte i lodhur, por jo konfuz”, se \"Rugova është një njeri i lirë, i lirë të shkojë ku beson, për të rifilluar aktivitetin e tij politik në favor të Kosovës\".
Ministri i Jashtëm Italian në të njëjtën kohë pati deklaruar se \"Ai nuk erdhi tek ne me asnjë plan ose ndërmjetësim me ndokënd që mund të mendohet: ai ka idetë e tij, të moderuara, të ekuilibruara, të afërta me ato të qeverisë italiane, për një zgjidhje politike të krizës. Që ka nevojë për hapa nga ana e Millosheviçit\".
Sidoqoftë qenë gazetarët që zbuluan disa hollësi. E para kishte të bënte gjuhën e përdorur në bisedë. Sipas tyre kishte qenë frëngjishtja. E dyta, çfarë zgjonte kërshëri të madhe për lexuesit, ishte një hollësi rreth shallit që Rugova mbante të mbështjellë vazhdimisht rreth qafës. U konstatua se presidenti i Kosovës në takimin me kryeministrin italian dhe ministrin e Jashtëm e kishte ndërruar atë. Nga i kuq që e kishte, kur zbriti, pati vënë një të errët me topa të bardhë.
Nga biseda paraprake, ajo para takimit kokë më kokë të të treve, gazetarët nxirrnin në pah këto copëza fjalish dhe frazash:
Rugova: \"Jam i shqetësuar për gjendjen e kosovarëve\".
Masimo D\'Alema: \"Mendoj se mund të luani një rol të rëndësishëm\".
Rugova: “Në udhëtimin tim nga Prishtina në Beograd pashë shtëpi të boshatisura e të djegura, një vend të shndërruar në hi: populli im nuk është më në Kosovë dhe për ta risjellë atë në Kosovë më mirë është të punoj në Romë, ku kam mijëra miq\".
Po ashtu: \"Shpëtoni popullin tim, bëni që në Kosovë të ndërhyjë një forcë ushtarake ndërkombëtare, realizoni me Millosheviçin një marrëveshje politike, por mos pranoni një armëpushim sa kohë që nga Beogradi nuk vijnë shenja të qarta\".
Kështu ishte vetë Rugova që e kishte “zhgënjyer” Sllobodan Millosheviçin, duke bërë shenjën e sigurtë se nuk do t’i shërbente lojës së tij të lejes dhe ndihmës për të ikur.
Duket që këtë pasojë në Beograd e prisnin. Televizioni dhe radio shtetërore jugosllave në edicionet informative të orës 20.00 dhe 20.30 nuk dhanë asnjë lajm për lirimin e Rugovës. Korrespodentët veçuan vetëm një flesh të radios shtetërore të transmetuar në valët e një kanali privat, sipas të cilit qe shpërndarë për opinion një lajm i shkurtër me fjalët \"autoritetet jugosllave në respekt të dëshirës së Ibrahim Rugovës për të shkuar në Itali, e lejuan atë...\".

Nga Tirana qorton Sabri Godo

Ndërsa shtypi italian në mëngjesin e 6 majit solli informacion masiv për udhëtimin e fshehtë të Ibrahim Rugovës nga Beogradi në Romë, si edhe për gjithçka tjetër të ndodhur më pas në Villa Doria Pamphili, nuk munguan edhe lajmet rreth reagimit të qeverive të tjera të Perëndimit. Ato nxorën në pah një deklaratë të presidentit amerikan Bill Klinton. Që nga Gjermania ku ndodhej për vizitë, ai komunikonte për opinionin publik ndërkombëtar se “sulmet ajrore do të vazhdojnë”.
Kjo donte të thoshte se NATO dhe Shtëpia e Bardhë bashkë me aleatët e saj evropianë nuk do ta lejonte që ardhja e Ibrahim Rugovës nga Prishtina në Romë, nëpërmjet Beogradit dhe Sllobodan Millosheviçit, të realizonte diversionin e këtij të fundit për t’i përçarë.
Ndërkohë Departamenti i SHBA deklaroi se lirimi i tij \"ishte një zhvillim pozitiv\" dhe se \"priste me ankth të takonte Ibrahim Rugovën”.
Të njëjtën gjë deklaroi edhe NATO.
Më pas, me një shpejtësi qartësisht të dukshme, sikur të deshte të kthjellonte çdo kënd të errët të gjithë kësaj historie, Departamenti Amerikan bëri të ditur se \"dëshirojmë të bisedojmë me Rugovën\". Duke u shprehur po ashtu edhe \"në se Rugova ka lirinë për t\'u shprehur\".
Ndërkaq surpriza erdhi nga Tirana. Mbërriti në Romë nëpër natën e vonë të 5 majit. Të nesërmen veçanërisht e spikatën disa media. TG5 e titulloi lajmin gjurmëlënës \"Dush i ftohtë vjen prej Shqipërisë”.
Lajmi sfidues ishte ky: Sabri Godo, kryetar i komisionit të politikës së jashtme të parlamentit shqiptar pati deklaruar se Ibrahim Rugova nuk kishte mandatin e forcave të tjera politike kosovare për të kryer bisedime në kryeqytetin italian.
Kjo shkaktoi konfuzion tek opinionistët vendas dhe po ashtu pasion për debat. Pyetej nëse Rugova e kishte me vete tërë popullin e tij apo lufta e armatosur e UÇK-së dhe e NATO-s e kishin nxjerrë jashtë ndikimit atë bashkë me doktrinën e tij pacifiste.
Ky debat u mbyll me opinionin më të pranuar: Ibrahim Rugova zotëronte 60 për qind të popullit kosovar.
Nga e gjithë kjo me Sabri Godon mbeti i inatosur vetëm Enriko Mentana, drejtori i TG5, i cili nguli këmbë: \"Rugova vjen të bisedojë për paqen dhe kur bëhet fjalë për paqen nuk kemi nge të dëgjojmë daullet që bjenë nga të tjerët\". Ai shtoi se e vlerësonte Ibrahim Rugovën si “përfaqësues të demokracisë në Kosovë, ndryshe nga të tjerët, ata të UÇK-së, që kryejnë luftën e armatosur\".
.
Operacioni përfundoi mirë: dhuratë shishja e madhe me uiski

Në pasditen e 6 majit në adresë të Drini Bellos, në Ambasadën Shqiptare në Romë, prej qendrës së tij të shërbimit të fshehtë civil në Tiranë, erdhi një radiogram i ri. Ai thoshte përafërsisht se “Kemi informacion që Rugova është drejtuar për në Romë. Ta gjesh ku është akomoduar dhe mundësisht dhe këtë, po e bëre, do të na sjellësh shumë shërbim: na duhen foto të vendit ku po rri”.
Atëherë Bello mori dy djem të rinj sportivë nga Burreli, shkuan tek Villa Doria Pamphili, u dha aparatin fotografik dhe ata njëri pas tjetrit hipën në një nga qipariset përreth saj. Për një gjysmë ore fotografuan gjithçka prej ndërtesave dhe oborrit, përfshi edhe vetë Ibrahim Rugovën në një çast kur doli tek shkallët.
Filmi me pamjet e porsa marra u la tek një laborator privat, fotot u mbyllën në zarf dhe Drini Bello rendi për të aeroportin civil, Fiumiçino. Aty e gjeti një udhëtar shqiptar, që iu duk i besueshëm dhe ky, sapo zbriti në Rinas, u gjet përballë me të dërguarit nga shërbimi për ta marrë zarfin.
Ndërkohë në Romë në apartamentin dhomë-guzhinë, sa çfarë diplomatët shqiptarë në Viale Eritrea dje dhe sot kanë si hapërisë banimi, nga kolegu amerikan Drini Bellos i mbërriti një dhuratë. Ishte një shishe e madhe uiski i shtrenjtë si edhe një shall.
Ngjarjet vazhdonin për mbarë. Ibrahim Rugova kishte folur gjatë me telefon me sekretaren amerikane të Shtetit Ollbrajt. Kjo pohoi se \"tani Rugova pranon aksionin e NATO-s\" dhe \"e kupton çfarë është e nevojshme për të bërë që të kthehet në Kosovë populli i vet\".
Në 7 maj në mbrëmje Rugova pati takuar në Romë edhe ministrin e Jashtëm shqiptar Paskal Milo. Biseda kishte përfunduar me një \"no coment\". Pas një bisede që ministri kishte bërë me Tiranën, ishte vendosur që \"deri nesër të mos ketë asnjë deklaratë shtypi\".

Ylli Polovina

Tiranë, më 2 maj 2015



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com