Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

29 NËNTORI SI DITË DHE SI NATË


(Botuar në gazetën “Shqip” më 20 nëntor 2015)

Këto kohë në Tiranë, nëpër ato vendreklama qytetëse që administrohen nga bashkia për të paraqitur veprimtari të saj, janë vendosur dy spote të rinj. I pari thotë “Nata e Bardhë 2015. Tirana pa makina 29 Nëntor Koncerte Muzikë Filma artistikë dhe Argëtim. Teatrot, Galeritë, Operat hapin dyert falas për qytetarët për gjatë një ditë nate që nuk mbaron Tirana jetON”.
I dyti kumton: “Nata e Bardhë 2015. John Newman 29 Nëntor Ora 18.00 Parku Shesh Skënderbej”.
Pyetja se ku ndodhen të shpallura publikisht aktivitete apo çdo referim tjetër festiv ose thjesht përkujtimor për 28 nëntorin të mbetet pa përgjigje.
Në dy spotet nuk gjen asnjë shenjë. Thua Ditë Flamuri nuk ekziston, por mbretëron vetëm Ditë Çlirimi.
Që të dyja festat këtë vit nuk janë jubilare, pra kronologjikisht asnjëra nuk merr, qoftë edhe formalisht, për “protokoll”, epërsi ndaj tjetrës.
Ndërkohë që në parim një lartësim më të dukshëm e merr përherë njëzetë e teta.
Këtë kujdes e bënte edhe diktatura e para nëntëdhjetës. Enver Hoxha edhe pse qe nxitësi i një mendësie, madje psikoze, se kryengjarja e tërë historisë tonë kombëtare ishte lufta nacionalçlirimtare (dhe me këtë kuptonte vetëm lëvizjen e armatosur partizane të udhëhequr nga PKSH), gjithsesi bënte si bënte dhe e ruante baraspeshimin. Në rastet më të spikatura propagandistikë ai fliste dhe orientonte për tre nëntorë. I pari ishte ai i çlirimit të Krujës prej Gjergj Kastriot më 1943, i dyti nëntor ai i prirë nga Ismail Qemali (Vlora) dhe i treti i udhëhequr prej vetë Hoxhës në 1944.
Skënderbeut ai ia shumoi bustet dhe përmendoret, por 28 Nëntorit ndihmoi t’i kushtohej një mrekulli kinematografike si dy seriali “Nëntori i Dytë”. Po ashtu në Vlorë edhe një monument akoma më shtatlart dhe më sugjestionues nga ai që pasardhësi i tij politik, Ramiz Alia, i ngriti atij personalisht në mes të sheshit qendror të Tiranës.
Kjo historia e Natës së Bardhë me në qendër jo Ditë Flamurin, por Ditë Çlirimin, e ka nisur traditën e vet kur në bashkinë e kryeqytetit funksiononte administrata Rama. Kryebashkiaku i tanishëm shkon nëpër këto gjurmë. Modelin që ndjek, tashmë e ka kryeministër.
Më parë në jetëshkrimin e partisë rozë, PS-së, nuk ka pasur asnjë shkujdesje të tillë. Ajo vërtet kishte më pak fantazi për netëbardhat, por 29 nëntorit nuk i dha asnjë licensë politike të zhvendosë atë të 28 nëntorit.
Në periudhën e para Ramës ajo u gjend nën një tension më të madh mobilizimi për ta mbrojtur këtë datë prej një agresioni politik dhe po aq antihistorik për ta shfarrosur jo vetëm nga kordoni i festave shqiptare, por edhe prej çdo vëmendjeje shtetërore që të investohej për t’u ruajtur sa më thellë në kujtesën kombëtare.
Ngulim këmbë që në sjelljen e tanishme të anashkalimit në fund të këtij muaji të 28 Nëntorit në thelb nuk ka shpërfillje për Ditën e Pavarësisë, sepse vetë Edi Rama ka qenë nismëtari i vendosjes (duke nisur nga zyra e tij), si portret kryesor simbolik i shtetit shqiptar, i fotove të Ismail Qemal Vlorës, por ka të ngjarë që kjo prishje baraspeshimi vjen prej prirjes për të përkëdhelur politikisht ndjekësit e partisë së tij e sidomos veteranët e luftës.
Por kjo mund të quhet arrogancë.
Sepse çdo dëshirë të mirë të kesh për ta interpretuar që në harenë festive të Natës së Bardhë tiranase, e cila gdhin në Ditën e Çlirimit, ajo realisht fillon nga disa orë në fundditën e përvjetorit të Pavarësisë, kjo gjë nuk paraqitet fare në dy spotet paraqitëse. Madje të lë përshtypjen se natë të bardhë konsideron atë të pasmbrëmjes së vetëm 29 nëntorit.
Çështja e një ekuilibri në trajtimin e dy ngjarjeve të mëdha nacionale, 28 dhe 29 nëntor, i detyrohet korektësi politike dhe historike qeverisjes (lokale apo në nivel shteti) jo vetëm sepse Ditë Flamuri është kryesori dhe gëzon konsensusin e palëkundur të mbarë shqiptarëve kudo ku jetojnë, por edhe sepse këtë mirëkuptim nuk e ka 29 Nëntori.
Duke lënë dhe shtyrë mënjanë ndërhyrjet politike të antikomunistëve ekstremistë, veçanërisht të përfaqësuesve të atyre grupeve të cilët gjatë rezistencës antifashiste u kompromentuan në bashkëpunimin e hapët apo të fshehët, me pushtuesit, pjesa më e madhe e bashkëkombësve që kanë mospëlqim e madje zemërim ndaj saj, janë të përligjur në qëndrimin e tyre.
Ditëçlirimi që jepte shpresë se do të sillte në Shqipëri një sistem politik pluralist, të paktën ashtu si u paraqit në 22 tetor 1944 në Berat nga Qeveria Demokratike (me shpalljen e Deklaratës të së Drejtave të Qytetarëve), shumë shpejt, madje pa lënë asnjë pauzë, shpesh me një ritëm e vrazhdësi që krijoi shqetësim deri edhe tek Stalini i egër, e ktheu vendin në të pajetueshëm.
Për ta u bë, si pas një eklipsi të papritur, natë e pafund dhe e thellë. Terr.
Duke qenë ditë për disa (nuk e dimë sa është sot përmasa e këtyre të fundit, por perceptimi intuitiv të lë përshtypjen se janë fare pak), dhe njëkohësisht errësirë për të tjerët, më shumë kujdes politik duhet bërë në këtë stil festimesh bashkiake kryeqytetase të 28 dhe 29 Nëntorit.
Një qeverisje e logjiktë dhe e fortë, sidomos kur premton se dëshiron ta reformojë modernisht jetën e shqiptarëve, nuk mund të ketë sukses pa respektuar ndjeshmëritë e të gjithëve.
Sidomos të vuajtjeve.
Sigurisht nuk besojmë se mënyra si po paraqitet nëpër spote reklamuese Nata e Bardhë e Tiranës është një provokim i qëllimtë, por rezultatin e ka të tillë.
Edhe pasojën.

Ylli Polovina

Tiranë, më 19 nëntor 2015















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com