Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
NJË QERSHOR 1924 QË NGJAN SHUMË ME ÇFARË NDODHI NË 1997 DHE 1998


Admirina Peçi

Bisedë me Ylli Polovinën, autorin e librit me të fundit të tij “Krisma në parlament”

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 4 qershor 2016)


-Në hyrje të dyqind faqeve të librit tuaj ka një theksim, sipas të cilit “Në Shqipërinë si shtet i mëvetësuar janë kryer masivisht llojet e revolucionit me provokim trazire”. Pastaj shënoni: “Nuk ka qenë qëllim kryesor aq shumë ndryshimi përparues i rendit shoqëror se sa më tepër marrja me forcë e pushtetit”. Më tej e informoni lexuesin se “Nëpërmjet librit “Mig 19-97”, të botuar në 1999, jam përpjekur të përshkruaj njërin prej tyre: atë të vitit 1997. Rrëmujën pasardhëse, të motit 1998, e cila nisi me vrasjen e deputetit Hajdari, e paraqita në vitin 2003 nëpërmjet librit “Kur u vra Azem Hajdari”. Në fund sqaroni se në librin e ri “Krisma në parlament” përshkruani kronikën e atij të emërtuar si “Revolucioni Demokratik Borgjez i Qershorit 1924”.
Për pasojë, ju nuk jeni i të njëjtës mendje me këtë term.
-Mendimi personal është se ajo ngjarje shumë e rëndësishme dhe jashtëzakonisht e veçantë, madje edhe tepër origjinale dhe spektakolare, nuk përfaqëson një revolucion tipik, as social dhe as politik. Po ashtu ai nuk është mirëfilli veprim demokratik. Nuk është as me profil borgjez.
-Pra, gjithnjë sipas jush, është një trazirë dhe kaq.
-Këtë term kam gjetur si më të përshtatshëm, më të afërt me thelbin, por jo për ta paraqitur si një kotësirë, si një hiç. Ajo ngjarje ta zenë vend të rëndë në historinë tonë kombëtare dhe prodhoi edhe efekte pozitive. Por megjithatë ky aksion i opozitës së drejtuar nga Fan Noli kundër njerëzve në pushtet, Ahmet Zogut dhe qeverisë së asaj kohe me kryeministër Shefqet Vërlacin dhe në vijim Iljaz Vrionin, ka brenda saj mjaft trazirë, rrëmujë idesh dhe mungesë projekti, pështjellim elementesh të ndryshme, përzierje të patretur të tyre, një amalgamë pa kokë e pa krye.
Për shembull ka një prirje të qartë dëshire popullore për ta nxjerrë jashtë ndikimit klasën feudale, e cila ishte një aleate e madhe kombëtare gjatë Rilindjes e sidomos nëpër vitet e para të pavarësimit (vetë Ismail Qemali qe në një farë mënyre një feudal), por në motet e pluralizmit të parë (1921-1924), ndërsa vendi kërkonte t’i hapte udhë sa më shpejt zhvillimit kapitalist, shumë përfaqësues të bejlerëve u bënë pengesë e madhe, e padurueshme, e domosdoshme për t’u flakur. Përveç lirisë ekonomike (fshatarët qenë masivisht pa tokë, për pasojë jetonin si mëditës, pra gjysmë skllevër), ishte dhunuar mjaft edhe liria politike. Me pak fjalë situata po shkonte drejt një përmbysjeje sociale, një revolucioni të vërtetë, i cili mund të ishte i dhunshëm në rast se nuk gjente asnjë shteg legal për t’u shfryrë dhe kryer, por ndërkohë mund të qe edhe paqësor, i realizuar me mjete parlamentare, pluraliste dhe demokratike. Veç prej opozitës politike noliste gjithçka u komprometua me realizimin e organizuar dhe të vetëdijshëm të rrëzimit të ngutur të qeverisë me forcën e armëve.
Sigurisht edhe kundërveprimi i Ahmet Zogut pas gjashtë muajsh, në dhjetor 1924, edhe pse ai e emërtoi aksionin e tij të ardhjes në pushtet si “Rikthim në Ilegalitet”, tërësisht qe i paligjshëm. Përbën një njollë të madhe, minimalisht për shkak të bashkëpunimit të hapët me serbët.
-Në historiografinë e periudhës komuniste ai u quajt kundërrevolucion.
-Është po ajo logjikë e politizuar, ideologjike dhe sektare, e cila nguli këmbë që aksioni i Fan Nolit dhe i bashkëpunëtorëve të tij të spikatur (të mos harrojmë se me të në këtë veprim qenë që nga Faik Konica, Gjergj Fishta, Ali Këlcyra e deri Luigj Gurakuqi), ishte një revolucion demokratiko-borgjez.
Gjithsesi ky term i fundit nuk është krijim i historishkrimit zyrtar të para nëntëdhjetës, të cilës për arsye ideologjike i interesonte shumë emërtimi i mësipërm, por i organizatës “Bashkimi”, e cila e shpalli atë të shkruar në gazetën e vet, në 16 qershor.
Admirina, do të më lejonit të thosha një kuriozitet?
-Patjetër.
-Secili shqiptar ka të drejtë t’i quajë siç i gjykon vetë ngjarjet më të mëdha të historisë kombëtare, por kjo e vlerësimit të qershorit 1924 si “revolucion demokratiko-borgjez”, i ngritur lart si flamur ideologjik gjatë të kaluarës realkomuniste, pas rënies së këtij sistemi shoqëror, as që lëvizi një milimetër nga vendi. Përse ndodhi kjo?
-Përse, vërtet?
-Sepse ky mit ka mbi nëntë dekada që lëviz i paanalizuar posaçërisht, por motet e fundit vetëm i sulmuar nga një tezë antihistorike se ka qenë thjesht një grusht shteti. Ky nuk është shpjegim, por propagandë.
Mostundja nga vendi e këtij emërtimi zyrtar, siç të thashë se do të rrëfej një kuriozitet, nuk e mbulon dot të vërtetën edhe për vetë besuesit e kësaj pikëpamjeje. Po e ilustroj me një pamje të dukshme të kësaj dukurie. Tek “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” i vitit 1985 ky zë është në formën “Revolucioni Demokratik Borgjez i Qershorit 1924”, por në paragrafin e dytë të tekstit shpjegues ai emërtohet edhe si “kryengritje e armatosur”. Në vëllimin e tretë të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” të vitit 2009, pra të pas komunizmit, zëri ka formën “Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924”. Fjala “Borgjez”, të cilin nuk e hoqi diktatura bolshevike, e largoi periudha e pluralizmit të dytë. Duhet thënë që pak rradhë më poshtë lëndës shpjeguese edhe ai Fjalor Enciklopedik e quan si “kryengritje të armatosur”. Ka një libër mjaft interesant të historianëve Rudina Mita dhe Hysen Kordha (ky i fundit është një ndër njohësit më të mirë të viteve 1921-1924 si edhe njëri prej hartuesve kryesorë të Fjalorit të fundit Enciklopedik). Libri titullohet “Pluralizmi politik shqiptar gjatë periudhës 1914-1924). Dokumenti nr. 94, i paraqitur në të, pjesë e një artikulli të botuar në gazetën “Ku vemi”, Elbasan, 12 tetor 1924, pra në mes të vetë ngjarjes që po bisedojmë në se ishte një revolucion apo një trazirë politike, shkruhet “Me kryengritjen e fundit të krijuar nga politikat e këqija personale...”
Atëherë është revolucion apo kryengritje? Të dyja nuk janë e njëjta gjë.
-Me sa duket ju, zoti Polovina, mendoni se i quajturi zyrtarisht revolucion demokratik dhe borgjez, duke mos qenë plotësisht me këto tri tipare, gjithsesi një prani të tyre e ka.
-Janë gjysma të tëra, objektiva të lëna në mes, por jo sepse ndërhyri Zogu, siç historishkrimi i shkruar është munduar të shpjegojë dështimin e këtij qershori 1924. Sepse nuk kanë qenë asnjëherë të plota prej vetë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të tij. Revolucion, kryengritje e armatosur, grusht shteti apo trazirë ta quajmë, në thelb ai është i dështuar që në fillesë, që në ide dhe veprim. I kryer në momentin e paduhur dhe i realizuar me mjetet më të papërshtatshme: përdorimin e armëve. Kjo u bë pa ndodhur që të ishte qeveria ajo që e pati agresuar me dhunë ushtarake dhe për rrjedhojë, në të drejtën për t’u vetëmbrojtur, përkrahësit e ngjarjes së qershorit rrëmbyen pushkën.
Qenë “revolucionarët” që i morën në dorë armët, madje edhe topat.
Në këtë kuptim, por edhe për ngjashmëri të tjera (përdorimi emotiv i ceremonisë funebre të trupit pa jetë të Avni Rustemit për të nxitur revoltën si edhe ajo që me në duar Azem Hajdarin e vrarë ndodhi me sulmin e armatosur të opozitës kundër Kryeministrisë, 1998 duket si kopje banale e 1924-tës. Po ashtu njëmijë e nëntëqind e njëzetë e katra ka dukshëm afërsi në “stilin” politik me atë që ndodhi në 1997. Kush e lexon librin “Krisma në parlament” jo rrallë ngatërron kohët.
-Duke e mbyllur këtë bisedë a qëndroni sërish tek ideja se ajo që u krye prej Fan Nolit dhe pasuesve të tij…
-Dhe Ahmet Zogut më pas…
-Po edhe Zogut, qe në thelb një luftë tipike shqiptare për marrje pushteti, edhe pse, duhet thënë, Noli është një bashkëkombës i madh dhe liberal i ndritur, po ashtu ajo që ai priu mbetet një kryengjarje me tendencë themelore pozitive, Ndërkaq edhe shkelësi tjetër i mjeteve të ligjshme dhe pluraliste për marrje-lënien e pushtetit politik, Ahmet Zogu, është njohur tashmë nga të gjithë se kontribuoi për të krijuar një shtet shqiptar normal dhe me fytyrë perëndimore.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com