Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

JUGOSLLAVIA KA ANKTH QË NË DITËN E PARË PA TITON


A do ta sulmojë Bashkimi Sovjetik prej Hungarisë dhe Bullgarisë?

Pjesa e katërt e ciklit “E fshehta e vitit 1981”

Shkrimi i dytë

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 7 korrik 2016)

Lajmin e vdekjes së Josip Broz në ditarin e tij Enver Hoxha e hodhi që atë ditë kur ndodhi: në 4 maj 1980. Fjalët janë këto: “Sot agjensia jugosllave e lajmeve Tanjug njoftoi vdekjen e Titos. Titoja ishte një armik nga më të rrezikshmit i komunizmit. Popujve të Jugosllavisë vdekja e tij do t’u lerë pas mjerimin ekonomik dhe politik, përçarjen dhe grindjet në mes mozaikut të popujve që formojnë atë që quhet Federata Jugosllave”.
Shënimi i tjetër i Hoxhës për këtë ngjarje ndodhi dyzetë e tetë orë më pas nga ceremonia funebre dhe varrimi në Kuça Cveça, në “Shtëpinë e Luleve”, 10 maj 1980: “Zhdukja e palavdishme, e orkestruar me aq mjeshtëri e hosanara, e monarkut Tito u mbyll. Për ironi, me himnin e internationales. Derisa e mbuloi guri i varrit titistët nuk munguan të gënjenin, të bënin demagogji. Borgjezia është e poshtër, është dinake, është e paturpshme”.
Ky është reagimi i Enver Hoxhës për atë ceremoni funebre me pjesëmarrës të lartë nga 128 shtete të botës dhe që, deri në çastet kur shkruajmë këto radhë, pas asaj të Papa Vojtilës në 2005, konsiderohet më e madhja në historinë e njerëzimit.
Vijon Hoxha interpretimin e tij: “Ne, komunistët shqiptarë, e luftuam Titon pa mëshirë sa ishte gjallë dhe luftën kundër titizmit, një nga variantet e revizionizmit modern, do ta vazhdojmë deri në fund.
Siç e thanë apostujt që la pas Titoja, në meshat e veta, kur i kënduan De profundisin \"kryetarit\" të tyre, orientimi i politikës jugosllave është: 1) \"vllazërim-bashkim\", 2) \"vetadministrim\", 3) \"mosangazhim\". Pra \"ati, biri dhe shpirti i shenjtë\". Amin!”.
Më tej Enver Hoxha paraqet pikëpamjet e tij mospërputhëse me këtë kurs politik të Jugosllavisë së pas Titos, e cila në fakt është vazhdim i periudhës kur Mareshalli qe gjallë dhe ai e vlerësonte si faktor të rëndësishëm të qendrueshmërisë në Ballkan dhe kur u shtrua në klinikën e Lubjanës, i pati pohuar të shoqes, Nexhmijes, qe ai të mund të jetonte të paktën edhe dy vite.
“1. Bashkim-vllazërim, analizon Hoxha, është pjellë e Klemansoit në Traktatin e Versajës; pra një shtet me arna të grabitura poshtë e lart e të qepura me makinë imperialiste, mbi të cilin vendosën një monarki dhe një mbret, që shtypte popujt e ndryshëm dhe që ndiqte politikën e padronit francez. Këtë mbret kukull e vuri në fron Parisi dhe e vrau Marseja pa pasur kohë që të këndohej dhe Marsejeza.
Këtë formulë \"Bashkim-vllazërim\", pas Luftës së Dytë Botërore, e adoptoi një mbret tjetër, që hiqej si komunist, por që, nën këtë petk, fshihej një mbret i ri, këtë herë jo serb dhe jo i quajtur Karagjorgj, por kroat e që kishte emrin Josip Broz Tito.
Ky \"Bashkim-vllazërim” nga monarkia u transformua në republikë federative. U quajt edhe socialiste, për të gënjyer masat dhe popujt që luftuan për çlirimin e për unitetin e tyre deri në shkëputje. Por kush i linte popujt e Jugosllavisë të vetëvendosnin deri edhe në shkëputje? Sa për vetëvendosje atyre u dhanë vetadministrimin”.
Më tej Enver Hoxha interpreton se “2. Vetadministrimi ishte maska pseudomarksiste që fshihte sistemin kapitalist që po ndërtohej, për të tjetërsuar në një formë të re mbretërinë e Karagjorgjëve. U ndërrua forma, u ndërrua dhe padroni. Karagjorgjët kishin një padron kryesor dhe nuk e fshihnin, Francën. Titistët kishin një padron tjetër kryesor: SHBA, por edhe një sërë vendesh të tjera kapitaliste, dhe ia donte puna që të hiqej \"i barabartë midis të barabartëve\". Titoja hiqej \"i paangazhuar\", sepse kështu ia donte puna atij, ua donte puna edhe padronëve të tij”.
Shpjegimi i tretë i Hoxhës: “3. \"Mosangazhimi\" është e kundërta e angazhimit. Titoja donte të gënjente me një \"mos\" të vogël dhe të hiqej \"i pavarur\" kur litarin e kishte në grykë e kur litarin ua hodhi në grykë popujve të Jugosllavisë. Por mbreti Tito rrojti si mbret me proverbin \"pas meje le të bëhet kiameti\".
Sot kapitalizmi botëror bën pyetjen: \"Ç\'do të bëhet pas Titos?\". Ne, komunistët shqiptarë, themi se atë që do të ndodhë \"pas Titos\" e kemi parashikuar përpara Titos\". Ne jemi dialekticienë. \"Dielli duket që kur lind\", thotë populli ynë dhe ne e pamë dhe e luftuam titizmin që kurse lindi dhe derisa përfundoi i kredhur në tradhti, në pabesi, në intriga, në vrasje e në gjenocide, në gënjeshtra, në shërbim të kapitalizmit botëror me atë amerikan në krye, në akrobacira politike të ndyra që i sillnin mjete për qejfet e zbavitjet mbretit Tito dhe kurtizanëve të tij, kurse popujve të Jugosllavisë përçarjen, zgjedhën dhe mjerimin politik e ekonomik”.
Pastaj Enver Hoxha rikthehet tek ngjarja që nuk e gëlltit dot për nga përmasat globale që mori: ceremonia e përcjelljes për në strehën e fundit, nëntokën: \"Pompoziteti i varrimit\" të mbretit e ka bishtin prapa, si dardha. Mbretërit dhe presidentët e borgjezisë dhe të revizionizmit e paguan edhe këtë luks të varrimit. \"U mbyll për bukuri\" Titoja në varr dhe kapitalizmi botëror \"mbolli erën, po korri furtunën\".
Tash bën pyetjen: \"Ç\'do të ngjasë pas Titos?\". Çdo gjë do të shkatërrohet, se e shkatërruar ishte, çdo gjë do të falimentojë, se e falimentuar ishte, çdo gjë do të demaskohet, se blof ishte, kala e ndërtuar mbi rërë ishte”.

Ballistët e rinj kosovarë në SHBA, më të ashpër ndaj Titos se Enver Hoxha

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë prej vitesh vepronte shoqata politike Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e Lirë. Kur Josip Broz ndodhej ende nën kurim intensiv në klinikën e Lubjanës, në gjysmën e dytë të muajit mars 1980, ajo shpërndau një deklaratë në përkujtim të revoltës së Drenicës, të ndodhur 35 vite të shkuara, në 1945.
Në tekstin e shpalljes së nderimit për këtë përvjetor shoqata denonconte jo vetëm genocidin ndaj shqiptarëve të kryer prej mbretërisë jugosllave para Luftës së Dytë Botërore, por edhe krimet e Titos dhe të pushtetit të ri komunist pas saj. Ajo dëshmonte se si në Drenicë u çuan në kryengritje me qindra luftëtarë dhe bënë armë kundër regjimit të ri pushtues, atij serb, dhe me në krye Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën, rezistuan sa mundën, nëpër akullimë dhe borë. Në këtë betejë të pabarabartë me divizionet jugosllave të mobilizuar për ta shtypur revoltën, dhanë jetën 258 kryengritës shqiptarë.
Pak ditë më parë nga kjo deklaratë përkujtuese Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e Lirë, në 13 mars pati kryer një shpallje tjetër publike. Referuar gazetës gjermano-perëndimore “Ost-Dienst” dhe shkrimit në të të gazetarit Hans-Peter Rullman, i cili kishte burime mjaft serioze informimi, bëhej e ditur se gjatë periudhës tetor 1979 deri në shkurt 1980 UDB kishte burgosur më shumë se 2.000 vetë nga trojet e banuara prej bashkëkombësve. Shoqata rinore e pati njoftuar në një thirrje të saj të shpërndarë në fundvjeshtë 1979 se ai vit pati qenë moti i vuajtjeve të mëdha për shqiptarët.
Në 4 maj 1980, kur u njoftua prej Tanjug-ut vdekja e Josip Broz, Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e Lirë (në të gjitha të dhënat për veprimtarinë e kësaj shoqate i jemi drejtuar librit të Sergio Bitic-it, “Kosovo, path to freedom”, të botuar në 2012 në SHBA prej shoqatës “Vatra”), bëri të njohur qëndrimin e saj.
Deklarata publike titullohej “Para Titos-Gjatë Titos-Pas Titos”.
Ajo ishte mjaft e ashpër ndaj Mareshallit. E bënte atë përgjegjës të ndërgjegjshëm për të gjithë shtypjen etnike dhe politike që pas luftës çlirimtare antifashiste i qe bërë popullit shqiptar në territorin e shtetit federativ jugosllav. Tito cilësohej në mënyrë të përsëritur si diktator.
Qe gjuhë shumë më e ashpër publike se ajo e Enver Hoxhës në ditarin e tij të mbyllur.
Rinia e kësaj shoqate ishte antikomuniste dhe vinte prej së djathtës nacionaliste kosovare, të cilët gjatë luftës qenë përleshur më shumë me partizanët jugosllavë dhe në mjaft raste, për të ndalur depërtimin serb në trojet e tyre amtare, patën bashkëpunuar edhe me gjermanët.
Në shpalljen e tyre të 13 marsit 1980 Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e lirë nuk denonconin si tradhëtarë të kombit vetëm punonjësit shqiptarë të UDB-së si Selim Brosha, Musa Batalli, Faruk Mehmeti apo Mehmet Hasku, por edhe politikanët bashkëkombës Ali Shukria, Xhavit Nimani, Veli Deva, Mahmut Bakalli dhe të tjerë.

Gazetari italian në Beograd: Jugosllavia ka vetëm shtatë nëndetëse

Pasi me siguri shkrimin e tij të botuar në “La Stampa”, në 6 maj, gazetari italian Renato Proni e kishte shkruar një ditë më parë, pra pothuaj menjëherë pas lajmit të vdekjes së Titos, shqetësimi i tij i parë qe se nga NATO vinte një e dhënë mjaft e sigurt: ajo hë për hë nuk priste ato ditë ndonjë sulm të sovjetikëve ndaj Jugosllavisë, por kjo pritej të ndodhte në formë presioni të kontrolluar pas disa kohësh.
Sipas Pronit trupat jugosllave qenë vendosur me përparësi kufirin me Hungarinë, ku ndodheshin dy divizione këmbësorie dhe tre brigada të blinduara që mund të transportoheshin nëpërmjet ajrit. Në prapavijë të tyre kishte dy divizione të tjera.
Njësi ushtarake jugosllave gjendeshin edhe në kufirin me Bullgarinë. Prej këtyre dy drejtime prisnin sulmin e tankeve të shpejtë të BRSS dhe të Traktatit të Varshavës, të cilët kishin si objektiv kapjen e rrufeshme të Novi Sad, Beogradit dhe Zagrebit.
Korespondenti i “La Stampa” në Beograd pati marrë informata se jugosllavët do të hiqnin prej kufirit me Shqipërinë një divizion dhe do ta rreshtonin atë në dy drejtimet e kërcënuara me Hungarinë dhe Bullgarinë.
Pritej një shvendosje edhe prej kufirit me Italinë.
Renato Proni shkruante se jugosllavët kishin, përveç ushtrisë profesioniste apo të gatshme, edhe 3 milionë të tjerë në rezervë. Aviacioni i tyre, më i shumti sovjetik, ndjente mungesa në pjesë ndërrimi. Kurse flotën detare luftarake e kishin të dobët. Nëndetëse zotëronin vetëm shtatë.

Udhëheqje për të mos qenë askush udhëheqës

Kur ende gazetarët e huaj ndodheshin në Beograd për të parë dhe rrëfyer funeralin, por edhe vëzhguar mos Jugosllavia e mbetur pa Mareshallin e saj ndodhej në gjendjen e kërcënimit territorial prej Traktatit të Varshavës, mediave të tyre anë e kend botës u dërguan informacion të hollësishëm edhe për një kuriozitet: mekanizimin e ri qeverisës të Jugosllavisë së pas Titos.
Kjo temë qe edhe çështje gjeostrategjie.
Jo vetëm shpërbërja, por edhe diçka më pak e rëndë, fërkimet e brendshme etnike pa e prishur federatën, sillnin pasoja në baraspeshimet mes dy superfuqive më rivalizuese, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.
Gazetarët e huaj e vinin në dijeni opinionin në vendet e tyre se Josip Broz kishte lënë pas skemën e qeverisjes së Jugosllavisë nëpërmjet një strukture të drejtimit kolektiv. Ky organizëm politiko-shtetëror i quajtur Presidenca e Përbashkët, përbëhej prej një përfaqësuesi republike dhe krahine, të cilët ndërroheshin çdo vit.
Ishte një mekanizëm që nuk e lejonte vendin të binte në dorën e një personi apo etnie më të fortë. Ajo do të funksiononte menjëherë, pa krijuar asnjë pauzë. Pauzat midis kohës së Titos dhe asaj të pas tij, po të lejoheshin, do të qenë të çara të rrezikshme, pse jo edhe fatale.
Kështu, lajmëronin gazetarët e huaj, pas më pak se një jave nga dita e varrimit të Josip Broz, në 14 maj, do të mbahej mbledhja e parë e Presidencës Kolektive dhe drejtuesi i saj i radhës, maqedonasi Llazar Kolishevski, zëvendës i Titos në çastin kur u caktua, do ta linte këtë pozitë të lartë, të marrë në 12 janar të atij viti, para se Tito të futej në sallën e operacionit. Në të vërtetë ai u bë me pushtet real vetëm në 4 maj, ditëvdekjen e Mareshallit.
Ky post tashmë do t’i binte në dorë Cvijetin Mijatoviçit, përfaqësues i Bosnjë-Hercegovinës.
Mijatoviç kishte qenë komandant partizan dhe udhëheqës politik i Bosnjës veriore, më pas kryetar i partisë komuniste të republikës së vet, në vijim, në periudhën e kalimit nga Hrushovi tek Brezhnjevi, ambasador i Jugosllavisë në Moskë. Vitet e fundit, përherë si përfaqësues i parë i Sarajevës, kryeqytetit boshnjak, pati qenë në organet më të larta federale.
Në katërmbëshjetë maj përveç Cvijetin Mijatoviç u zgjodh edhe nënpresidenti. Ky qe slloveni Sergej Kraiger. Vitin e ardhshëm ai kishte të drejtën të zgjidhej si presidenti dymbëshjetë mujor i radhës i Jugosllavisë.
Ndërkohë në 23 maj Enver Hoxha do të shënonte në ditarin e tij se “Titoja nuk kishte besim në unitetin e kombësive të ndryshme që përbëjnë Jugosllavinë dhe kjo e kishte burimin në bindjet e tij antimarksiste. Ai dhe grupi i tij ishin nacionalistë-shovinistë. Parrulla \"bashkim-vllazërim\" mbështetej në një ideologji që ndan dhe nuk bashkon. Ajo \"bashkon\" vetëm për të dominuar klani më i fortë e për të shfrytëzuar më të dobëtit”.
Një paragraf më poshtë: “Titoja ishte një politikan dhe etatist borgjez i zgjuar që diti të fshihej për të manovruar nën slogane pseudomarksiste, të ruante për një kohë pushtetin e centralizuar të Federatës, por njëkohësisht të bënte edhe kthesën e decentralizimit brenda saj, pse dolën në dritë ndjenjat nacionaliste dhe shoviniste për dominim dhe për hegjemoni. Në garë për dominim u vunë serbët, kroatët dhe sllovenët. Titoja, në fakt, nuk mundi t\'i dozonte dhe t\'i frenonte dot këto lakmi. Ai anoi nga ana e klanit kroato-slloven, por duke vepruar në mënyrë të atillë që të kishte rolin e një arbitri \"të paguar dhe të drejtë\" dhe të jepte përshtypjen e një udhëheqësi \"të urtë, të zgjuar\" dhe \"marksist\" të sprovuar. Kështu në këtë frymë ai goditi nacionalizmin serb të Rankoviçit, më pas atë të Nikeziçit dhe të Koça Popoviçit. Më vonë, më 1976-1977, ai goditi grupin e ushtarakëve serbë të Jovanoviçit, Shumonjës e të tjerëve, sikurse pati goditur edhe më 1971 grupin e nacionalistëve kroatë, me Tripallon në krye”.
Pasi rianalizon gjatë vetadministrimin Enver Hoxha në ditarin e vet, në ditën e 23 majit 1980, shkruan se “Ky kaos kapitalist, ky regjim anarkist, kjo formë \"korporative\" musoliniane ta zëmë se mund të ecte sa ishte Titoja gjallë, po pas tij ç\'do të bëhej? Krerët e klaneve titiste do të haheshin me njeri-tjetrin si qentë dhe si ujqit. Thuhet se Titoja gjoja parashikoi edhe si duhej drejtuar pas vdekjes së tij dhe krijoi \"udhëheqen kolegjiale\". Po ç\'ishte dhe ç\'zgjidhte kjo udhëheqje kolegjiale? Pas Titos nuk do të kishte më një president, po shumë presidentë në një presidencë. Kjo presidencë përbëbet nga një i zgjedhur për çdo republikë dhe krahinë autonome për 5 vjet dhe cilido nga këta me rotacion do të ishte \"Kryetari\" i kësaj presidence për një vit.
Çdo gjë \"u rregullua\", por nuk u zgjidh dhe nuk do të zgjidhet asgjë! Ç\'do të ngjasë?
Klani kroato-slloven i Titos do të sundojë atje, hëpërhë jo shumë në evidencë, dhe, në fakt, ky do të jetë grupi i Bakariç-Dolancit. Të tjerët federalistë, por marioneta, derisa të bëhet kohezioni i grupit rival serbo-malazezo-maqedonas, dhe ky ashtu si edhe i pari federalist, në qoftë se bëhet hegjemon, ose separatist, në rast se thellohen grindjet.
Pra, pas Titos, nuk mund të ketë stabilitet veçse të përkohshëm. Situata e sotme eviton dominimin e klanit serb. Po deri kur? Aktualisht ekziston sistemi i pushtetit kolegjial i dy presidencave, ajo e republikës dhe ajo e LKJ. Të tërë, 31 veta, janë të paefektshëm në marrje vendimesh, të tërë do të kalojnë në krye me rotacione dhe ky rotacion është i tillë që në një kohë do të sjellë atje nga çdo klan njerëz me autoritet ose pa autoritet, gjë që do të krijojë paqëndrueshmëri, rivalitet dhe do të çojë në krijimin e domosdoshëm të një personaliteti të vetëm, që do ta ndërrojë këtë \"kala\" (formë pushteti) të ndërtuar mbi rërë.
Klani kroato-slloven tani dominon, por, gjatë kohëve që do të vijnë, do të diferencohet e do të afirmohet edhe klani serb (Miniç, Lubiç, Vidiç, Markoviç, Stamboliç e të tjerë). Tani këta punojnë të krijojnë situata të favorshme për klanin e tyre dhe do të përpiqen të godasin në fushën ekonomike, si dhe të fitojnë edhe pozita dominuese politike. Klani serb është më i gjallë, më dinamik dhe ka pozita më të gjera në kuadrin e mesëm”.
Në mbyllje të vëzhgimit të vet Hoxha do të ngulmonte se “Tani për tani nuk ngrihet problemi i ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Jugosllavi”. Sipas tij “tendenca e ruajtjes së Federatës do të vazhdojë, por njëkohësisht do të ketë edhe luftë për hegjemoni në mes serbëve dhe kroato-sllovenëve”.

Enver Hoxha: çfarë duhet të bëjnë këto çaste shqiptarët

Enver Hoxha në fund të shënimeve të tij të 23 majit 1980 mendon se “Në këto situata shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi duhet të forcojnë unitetin e tyre kombëtar dhe ta afirmojnë atë në të drejtat kushtetuese. Të drejtat e fituara duhet të përpiqen t\'i ruajnë, t\'i forcojnë dhe t`i zgjerojnë. Ata duhet të jenë vigjilentë ndaj serbëve, por edhe në aleancat me kombësitë e tjera kërkohet që të jenë të matur, as liberalë e shpresues të verbër dhe as sektarë e difidentë përpara çdo situate të favorshme koniunkturale në favor të tyre. Ata duhet të dinë të përfitojnë në çdo rast, të jenë gjakftohtë dhe të përgatitin me durim të ardhmen e tyre më të mirë e më të lirë”.
Dhe përfundon: “Prandaj as aventura nuk duhet të bëjnë shqiptarët në Jugosllavi, po as të lejojnë që të shtypen ose t’u shkelen të drejtat. Vetëvendosjen e tyre do ta sjellin rrethanat, objektive dhe subjektive”.

(Vijon)

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com